VOAL

VOAL

Zvicër: Nxënës të dashur të Shkollës Shqipe pranë LAPSH – GËZUAR FESTËN E PAVARËSISË (Foto) Nga Nexhmije Mehmetaj

November 28, 2021

Komentet

NË GJENEVË TË ZVICRËS U MBAJT MBRËMJE FESTIVE NË NDERIM TË TRI NGJARJEVE MADHORE- Nga ARIF EJUPI

 

 

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, që nga ekzistimi i tij e deri në ditët e sotme në mesin e shumë ngjarjeve dhe festave tona kombëtare, pikë të veçantë të programit e ka pasur dhe do ta ketë shënimin e Përvjetorëve të Shtetit Shqiptar dhe Ditën e Flamurit.
Këtyre dy jubileve të mbarë popullit shqiptar u është shtuar edhe ditëlindja e Komandantit të papërsëritshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që ka rastisur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mërgimtarët tanë me punë dhe banim në Gjenevë të Zvicrës, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe fetare me rastin e këtyre festave tona të veçanta përherë kanë qenë dhe janë tok me njëri- tjetrin.
Ata të veshur kuq e zi dhe si gjithmonë të hareshëm edhe kësaj radhe kanë festuar deri në orët e vona të natës. Kjo festë që pritet me padurim nga të moshuar dhe të rinj, është mbajtur në sallën e koncerteve të komunës Onex të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, dhe ka filluar me intonimin e himnit të Flamurit tonë kombëtar.
Kurse pjesën protokollare të këtij Manifestimi e ka hapur zonja, Rrezarta Sejdiu -Shatri, anëtare e Kryesisë së shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës “
Ajo nëpërmjet një studimi të përmbledhur në pika të shkurtra të pranishmit i ka njoftuar me rrjedhën e zhvillimeve historike, si dhe me aktet kryesore që kanë çuar në Pavarësinë e Shqipërisë, edhe pse të përgjysmuar.
Mbi përpjekjet shekullore të kombit tonë për Liri dhe Pavarësi ka folur edhe zonja, Floreta Kabashi, konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës, në Gjenevë.
Ajo,diskutimin e saj e ka bërë edhe në gjuhën frënge me ç’ rast ka falënderuar deputet e personalitete të shumta të Gjenevës, që sonte festuan së bashku me komunitetin tonë.
Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zonjat, Maryam Yunus Ebener dhe Carole – Anne Kast, aktiviste të njohura politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës . Ato me fjalët më të ngrohta kanë uruar të gjithë shqiptarët . Zonja, MaryamYunus Ebener, aktualisht kyetare e Bashkisë Onex, të gjithë të pranishmëve u është drejtuar edhe me fjalë në gjuhën shqipe, duke thënë: Urime, urime Festa juaj kombëtare! Me Ju,ishte edhe shteti im i origjinës Afganistani, që në mesin e vendeve të para të botës njohu Pavarësinë e Kosovës .
Në këtë Festë që të gjithëve na bënë krenarë ishte prezent edhe Z. Ueli Leuenberger, mik i madh i çështjes shqiptare . Leuenberger 50-vjet rresht luftoi për
Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të shqiptarëve të robëruar të Kosovës. Andaj, ai nga çdo familjeje e komunitetit shqiptar të Zvicrës, gëzon përkrahje dhe respekt.
Nxënës e nxënëse të Shkollës së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Gjenevë, të shoqëruar nga mësueset e tyre si; Brikena Osmani, Lumnije Emini, Hana Bilalli, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu, kanë deklamuar vargje dhe kanë interpretuar këngë të ndryshme kushtuar figurave më të ndritura të kombit tonë.
Mësuese, nxënës e prindër për angazhimin dhe pjesëmarrjen në këtë program festiv i ka falënderuar z. Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në Gjenevë dhe Zvicër. Mehmetaj, po ashtu në Gjykatën e Apelit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e kryen detyrën e Gjykatësit.
Gjeneva e njohur me numrin e madh të mërgimtarëve shqiptar shquhet me talent të shumtë dhe shoqëri muzikore . Ansambli “Gëzuar “i Gjenevës, herë me ngritje e herë me rënie, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së adhuruesve të këngëve dhe valleve tona burimore.
Ky Ansambël me suksese të shumta në të kaluarën së bashku me simotrën e tij “ Rinia Contact”po ashtu të Gjenevës, sonte kanë prezantuar përpara një numri prej diku njëmijë mërgimtarësh valle të bukura të të gjitha trojeve tona.
Si rëndom me repertorin e pasur të këngëve me temë Atdhetare, këtë festë e kanë madhëruar bashkëshortët,Shpejtim dhe Afërditë Krasniqi, të plotësuar edhe nga çuni i tyre, Elion Krasniqi, një talent i rrallë në fushën e këndimit në gjuhën shqipe dhe frënge.
Kurse të ftuarit special të kësaj mbrëmje; Egzon Pireci, Ejona Bytyçi, Florentina Statovci, Bardh Ramadani,Loik Beka dhe instrumentisti Alban Bislimi, e kanë ndezur atmosferën me interpretim të këngëve patriotike, duke filluar nga epoka e Kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, e deri tek komandantët legjendarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Zahir Pajaziti , Hakif Zejnullahu,Edmond Hoxha, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Kumanova, Indrit Cara-Kavaja, Abedin Rexha, Agim Ramadani , Sali Çeku etj.
Po ashtu me afsh e dashuri i është kënduar edhe Flamurit kuq e zi, për të cilin u flijuan Fazli Grajçevci, Shaban Shala, Metush Krasniqi,Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka,Ukshin Hoti dhe plejada e organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, në krye me të pathyeshmin Adem Demaçi,fitues i çmimit “Saharov” më 4 dhjetor të vitit 1991.
E, shtatë vjet më vonë me këtë çmim prestigjioz nga Parlamenti Evropian, është nderuar edhe Dr.Ibrahim Rugova, lider shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës.
Programin e kësaj mbrëmje festive e ka begatuar edhe Grupi muzikor “ Hareja” i krijuar së voni në Gjenevë, i cili është paraqitur me këngë korale.
Këtë festë që do të kujtohet gjatë e ka bërë edhe më të pasur prania e disa studentëve me origjinë shqiptare, të porsadiplomuar në shkallën Master, në Fakultete të ndryshme të Universitetit shtetëror të Gjenevës, gjegjësisht të atij të Lozanës.
Në fakt gjatë vitit akademik 2023- 2024 në disiplina të ndryshme në Universitetet e sipërpërmendura kanë diplomuar 41 veta . Mirëpo, për shkak të angazhimeve dhe zënies me punë rreth 30 veta kanë munguar. Duhet theksuar që të gjithë jetojnë në Gjenevë dhe janë të lindur në fund të viteve 90- të.
Këta të rinj që nga viti në vit po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre akademike, motivim edhe për gjeneratat e ardhshme, janë nderuar me mirënjohje nga shoqata jofitimprurëse Komuniteti Shqiptar i Gjenevës.
Këto mirënjohje janë ndarë nga inxh.Ali.Sh.Mehmeti , i cili më 13 prill të vitit 2013, inicio krijimin e shoqatës joqeveritare “ Komuniteti Shqiptar i Gjenevës “

Me këtë rast kanë rënë në sy vëlla e motër Albin dhe Jeta Mehmeti,të diplomuar me nota të larta në Arkitekturë, përkatësisht Farmaci.
Një arritje tjetër që është për t’u vlerësuar është edhe ajo e z.Granit Molliqaj, i cili kohë më parë në Universitetin e Gjenevës, e ka mbrojtur temën e doktoratës në fushën e neurokirurgjisë.
Para përfundimit të këtij solemniteti kemi marrë edhe mendimin e zotit, Nasuf Nuhiu, kryetar i tanishëm i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”
Z.Nuhiu, punëtor i dalluar sindikal dhe organizator i shkëlqyeshëm, që asnjëherë nuk imponohet nga zemra ka falënderuar Klube dhe Shoqata të Gjenevës, që pahezituar kanë ndihmuar realizimin e këtyre tri festave tona kombëtare.
Moderatorë apo drejtues të këtij Jubileu të rëndësishëm kanë qenë të rinjtë Artina Fejzullahu dhe Mal Bislimi.
Manifestimi ka përfunduar pa eksesin më të vogël, gjë që dëshmon edukimin e mirë dhe disiplinën në rritje të të rinjve tanë.
ARIF EJUPI

SERBIA SPASTRIMIN E PËRSHPEJTUAR ETNIK TË KOSOVËS LINDORE, PO E BËN E PAPENGUAR NGA BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE- Nga ARIF EJUPI

Serbia e papenduar për krimet e kryera ndaj shqiptarëve edhe sot po vazhdon me format më të turpshme të diskriminimit të tyre.
Medvegja, Presheva dhe Bujanoci, me diku 1 250m² dhe 65 fshatra të banuara nëpër shekuj me shqiptarë, kanë ngecur në zhvillim në të gjitha fushat.
Këto vendbanime edhe pse në periudhën e Perandorisë Otomane i takonin Vilajetit të Kosovës, padrejtësisht nga Superfuqitë e asaj kohe iu bënë dhuratë Serbisë. Zullumi ndaj shqiptarëve të këtyre trojeve s’ka të ndalur as sot.
Serbia në përpjekje të vazhdueshme për ta spastruar njëherë e përgjithmonë Medvegjën, Preshevën dhe Bujanocin, nga shqiptarët autokton po mohon paturpshëm çdo të drejtë të tyre.
Pas demonstratave studentore të vitit 1981,të organizuara në qytete të ndryshme të Kosovës, të gjithëve na kujtohet shumë mirë që Serbia, akuzoi pa kurrfarë provash shqiptarët e këtyre trevave për pjesëmarrjeje në to.
Me këto akuza të shpifura u dënuan dhe u përjashtuan nga puna mbi njëqind mësues e arsimtarë. Kurse ata që u shpëtuan këtyre masave ndëshkuese u lanë jashtë çdo mbështetje institucionale.
Po ashtu mësimi në shkolla u zhvillua sipas planprogrameve të Serbisë. Mbi 100 mijë shqiptarë edhe pse në tokën e tyre të mileniumeve nuk gëzuan të drejtën e një Gazete apo Radioje në Gjuhën shqipe.
Administrata e udhëhequr nga serbët për të krijuar huti në opinionin ndërkombëtar rreth etnogjenezës së shqiptarëve, me rastin e regjistrimeve në Zyrat e Gjendjes Civile, deformonte emra e mbiemra, të tyre me atë prapashtesën sllave viçi.

Kurse të gjitha ata që me dhunë e metoda të tjera bizare u ndoqën nga shtëpitë e veta, i ka shlyer nga regjistrat dhe ua ka shuar adresat e banimit
Edhe pse në një atmosferë të tensionuar dhe me rrezik për jetën, kësaj stuhie shovene është munduar dhe po mundohet t’ia ndalë turrin z. Shaip Kamberi, përfaqësues i denjë i shqiptarëve të Kosovës Lindore, në Parlamentin e Serbisë.
Ky elaborat i Qeverisë së Serbisë me pasoja të rënda për shqiptarët na kujton kohën e monstruozve, Vasa Çubrilloviq, Ivo Andriq dhe Aleksandër Rankoviq, kur shqiptarët, sipas projekteve të tyre dërgoheshin nën tytat e armëve dhe me dajak në djerrinat e Anadollit.
Bashkësia Ndërkombëtare nëse dëshiron qetësi dhe stabilitet në Evropë, urgjentisht duhet ta ndalojë këtë praktikë të çmendur të neofashistëve serbë.
ARIF EJUPI

RAGIP MUHARREM HOTI, ME HEROIZMIN E TREGUAR DHE GJAKUN E DERDHUR U BË SIMBOL PAVDEKËSIE – Nga ARIF EJUPI

Ragip Muharrem Hoti, nga Brdashi i Podujevës, i zemëruar tepër me suprimimin e Autonomisë, së Kosovës, me kërbaç e tanke nga Serbia, ishte betuar që s’do të nënshtrohet për të gjallë, por do ta vazhdojë me ngulm rrugën dhe amanetin e Ali Ajetit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, që ranë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, më 30 maj, përkatësisht 2 nëntor të vitit 1989.
Ata ngjashëm me Dedë Gjo’ Lulin e Trabonit të Hotit,orë të tëra luftuan kundër forcave ushtarake dhe policore të pushtuesve serbo-sllavë.
Ragip Muharrem Hoti, lindi më 10 tetor të vitit 1953 në fshatin Bradash të Llapit. Paraardhësit e Ragipit në këtë lokalitet erdhën nga Hoti i Malësisë së Mbishkodrës, në periudhën kur këto treva puro shqiptare nga Superfuqitë e atëhershme iu bënë dhuratë Malit të Zi.
Mikesha e njohur e shqiptarëve dhe studiuesja e zellshme e zhvillimeve të gjithmbarshme në Ballkan, veçmas e dokeve dhe traditave tona Edith Durham, në një studim të themeltë dhe me bazë të qëndrueshme shkencore e jep të kompletuar etnogjenezën e pjesës dërrmuese të fiseve shqiptare.
Ajo në librin “Brenga e Ballkanit dhe Vepra të Tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët “ thotë “Hoti në kohën kur e kam njohur unë, ishte fisi kryesor i Malësisë së Madhe. Ai e pati fituar këtë të drejtë me trimëri në luftë” Ngulmi i Hotit, më 1878, i pengoi vendimet e Kongresit të Berlinit dhe e shpëtoi Tuzin dhe krahinat e Plavës dhe Gucisë, pa rënë nën sundimin e Malit të Zi”
Marash Uci,një plak i mençur dhe i përshtatshëm për të biseduar çdo temë me te, si trashëgimtar i këtij fisi, ia kishte zbërthyer gjenealogjinë e paraardhësve të tij, zonjës, Edith Durtham, të para 300 (treqind) vjetëve.
Ky rrëfim i padëgjuar deriatëherë në vende të tjera të Evropës, i shtjelluar me aq hollësi nga Marashi e kishte impresionuar zonjën Durtham.
Sipas, Marash Ucit, atëbotë 65 vjeç, që vdiq më 1911, nga pneumonia, stërgjyshi i Hotit, Geg Lazi, kishte porositur që asnjëherë brenda fisit të tij, të mos ndodhnin martesat.
Andaj, martesën brenda fisit të tyre Hotët, e konsideronin si një mëkat të madh dhe tmerr të patreguar.
Trimërinë, moralin, bujarinë, fisnikërinë dhe mosnënshtrim ndaj armiqve edhe në situatat më ekstreme të fisit Hoti, si duket në dejet e gjakut të tij, e trashëgoi edhe Ragip Muharrem Hoti.
Ai mësimet e para i ndoqi në fshatin e lindjes Bradash të Podujevës. Që nga klasa e -I- deri në klasën e IV- mësues e pati Ajet Sefer Hotin, pishtar i Arsimit në shkollat e rajonit të Llapit.
Meqenëse, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Kosovën e shkëputur dhunshëm nga trungu i saj, mungonin mësuesit Ajet Hoti, ende pa i mbushur 18 vjet, si maturant i shkollës së mesme Normale të Prishtinës, më 1952, nisë punën e mësuesit në fshatin Pollatë të Podujevës.
Ai këtë detyrë të shenjtë e kreu edhe në fshatra të tjera të Llapit si; Gllamnik, Kërpimeh, Lupç të Epërm, Lluzhan e Bradash. Ajeti më vonë punoi si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, ku edhe u pensionua më 1992.
Ky mësues e nëpunës i palodhshëm që gëzonte respekt kudo, ish-nxënësin e tij Ragip Muharrem Hoti, e përshkruan si fëmijë të shëndetshëm, të shkathët e të dashur .
Sipas kujtimeve të mësuesit të tij, Ajet Hoti, që vdiq më 28 prill të vitit 2011, në moshën 76 vjeçare, Ragip Hoti, interesim të veçantë shfaqte në gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi.
Madje një pyetje e Ragipit, si nxënës i klasës së katërt, për moshën e pazakontë e kishte lënë të shtangur mësuesin Ajet.
Ragipi gjatë një ore mësimi kishte pyetur “Mësues kush i janë shkijet dhe kush i ka sjellë në fshatin tonë ?!”..
Mësuesi, Ajet duke e ledhatuar Ragipin e kishte ndarë me një anë dhe i kishte thënë “Mbi këtë temë do të bisedojmë një ditë tjetër vetëm unë dhe ti”.
Ragip Hoti, edhe pse ende fëmijë preokupohej me fatin e popullit shqiptar nën administrim të serbo- sllavëve.
Ai mësimet  nga klasa e -V-deri në -VIII- të, do t’i vazhdojë në shkollën “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Podujevës.
Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, edhe pse në kushte të rënda ekonomike, i motivuar nga djemtë e axhës së tij, Ahmeti dhe Xhevati, regjistrohet në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës.
Kujtime nga periudha si gjimnazist rrëfen Osman Rexhep Sylejmani, nga fshati Sfeqël i Podujevës, i cili Ragip Hotin e kishte shok klase.
Osmani thotë “Në gjimnazin  “8 Nëntori” të Podujevës, që më 1962, ishte pavarësuar nga ai “Ivo Llolla Ribar” i Prishtinës, unë dhe gjenerata ime mësimet i kemi filluar në vjeshtën e vitit 1970 dhe i kemi përfunduar në qershor të vitit 1974.
Drejtor shkolle atëherë ishte Zeqir S. Muçolli, nga Hertica, njëri nga gjeografët e parë në Llap. Edhe pse punohej në kushte të vështira ishim me fat, sepse të gjithë mësimdhënësit i kishim njerëz të mirë dhe të përkushtuar në punë.
Me sa mbaj mend ishim gjenerata e 8- apo e 9 e këtij institucioni arsimor të Llapit, thotë Osman Sylejmani.
Meqë nga ajo periudhë kanë kaluar 50- vjet, përveç Ragip Hotit më kujtohen edhe disa prej shokëve të klasës si; Emin Sylejman Sefa,tani dëshmori kombit, vrarë më 19 prill 1999 nga  policë e paramilitarë serbë në Koliq të Prishtinës.
Mbaj mend edhe shokët, Ismet Begolli, Ramadan Cakiqi, Fehmi Gashi, Rrustem Berisha, Isak Havolli, e nga vajzat që ishin tri veta, më kujtohet vetëm Selvete Llugaliu e Surkishit.
Osmani prej vitit 1999 jeton në qytetin Bremen të Gjermanisë së bashku me gruan Bahrije Muçiqi -Sylejmani dhe katër fëmijët e tij.
Mosprezenca e gjatë në vendlindje dhe humbja e kontakteve me shokë e shoqe, natyrisht ia ka zbehur paksa kujtimet e periudhës, kur ai ishte nxënës në gjimnazin e Podujevës.
Megjithatë, Osman Sylejmani me nostalgji i kujton dy ngjarje të rëndësishme, të atyre viteve si mbrëmjen e maturës dhe shkuarjen në ekskursion në Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Ai thotë, meqë ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar dilnim jashtë Kosovës, të gjithë ishim të gëzuar.
Ragip Hoti, i njohur me karakterin e tij shpërthyes ndaj padrejtësive dhe shtypjes së njerëzve të pa krahë, haptas kishte shprehur pakënaqësinë e tij, duke thënë “Kudo proklamohet barazi dhe prosperitet për të gjithë, e në anën tjetër ne shfrytëzohemi dhe eksploatohemi pamëshirshëm”.
Në Podujevën tonë kemi vetëm baltën dhe tymin e fabrikës së llojit kovaçhane, të tullave dhe tjegullave, madje me emërtim provokues “Malo Kosovo” kurse qytetet e republikave që i vizituam vlonin nga fabrikat e uzinat.
Osman Sylejmani thotë, këtu pashë dashurinë e vërtetë të Ragipt, për Kosovën dhe njerëzit e saj.
Mos të harroj të them edhe një të vërtetë tjetër Ragip Hoti, qysh si nxënës i vitit të -II-të, gjimnaz, kur bënim lëndën Bazat e Mbrojtjes Popullore, i njihte të gjitha llojet e armëve. Ai si rrallëkush ishte i pasionuar pas tyre.
Osmani rrëfimin e tij e mbyll me lot në sy, duke thënë” ndihem i lumtur dhe krenar që Ragipin e kisha shok klase”. Dashurinë ndaj Atdheut të shfaqur përpara 17 viteve, Ragipi Hoti, e tregoi duke rënë në rezistencë me mbetjet çetnike të Serbisë.
Me gjithë dëshirën e flaktë që pas kryerjes së gjimnazit të vazhdojë me studime në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore seksioni i gjeografisë, të Universitetit të Prishtinës, Ragipi detyrohet të bëjë punë të tjera.
Ndonëse ishte e pamundur që të jetohej vetëm me rrogën e babait të tij, Muharremit, i cili punonte si punëtor krahu në Beograd, (atëherë kryeqendër e ish-Jugosllavisë)
Ragipi me shpresën që pas kryerjes së obligimit ushtarak do të gjejë ndonjë punë si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, më 1976, së bashku me shumë shokë të gjeneratës së tij, shkon në të ashtuquajturin rekrutim në Nish të Serbisë.
Meqenëse, i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë ushtar i rregullt i Armatës jugosllave, më 13 shtator të vitit 1979 merr ftesë nga organet e Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës, për të shërbyer në këtë ushtri. Ragipi plotë 15 muaj shërben në kazermën ushtarake të Leskovcit ,qytet në jug të Serbisë.
Pas 8 muajve shërbimi nga Nishi në Leskovc, transferohet edhe Skënder Jusufi- Beselica,nga Pollata e Podujevës.
Në bisedë me Skënderin, arsimtar shumëvjeçar i gjuhës shqipe, në fshatin e tij, të lindjes, mësojmë që Ragipi, si përherë konsekuent e mosdurues ndaj denigrimeve dhe padrejtësive që u bëheshin haptas shqiptarëve, asnjëherë nuk u bindej urdhrave të eprorëve serbë e malazezë. Ata të mllefosur me sjelljet e tij, ia ndalojnë vizitat familjare dhe daljet në qytet.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak Ragipi, kishte provuar të gjejë ndonjë punë qoftë edhe si ofiçar, në Zyrat e Gjendjes Civile, në fshatrat e Llapit. Meqenëse nuk kishte kurrfarë lidhjesh me pushtetin e  korruptuar të asaj kohe, përpjekjet e tij, për të siguruar çfarëdo pune shkojnë huq.
Ne që jemi dëshmitarë të asaj periudhe të errët e dimë fare mirë, që pjesa dërrmuese e ofiçarve në Zyrat e Bashkësive lokale të komunës së Podujevës, ishin gjimnazistë, bile kishte ofiçar edhe me 8- vjeçare, sikur njëfarë Millutin Gjurgjeviq,që punonte në Zyrën e Gjendjes Civile të Gllamnikut.
Ragip Hoti i gjendur në një situatë pashtegdalje baba i katër fëmijëve të vegjël, duke e ndjerë vetën të deklasuar nga regjimi komunist, detyrohet që të shkojë në Zagreb të Kroacisë, tek i vëllai Nazifi.
Ai pas dy -tri javësh gjënë punë si mjeshtër ndërtimi në qytezën Zhelina, diku 37 kilometra larg Zagrebit.
Ragipi mbi gjendjen e rëndë në Kosovë, bisedon me shumë shqiptarë të treva tona, që në mungesë pune e kushtesh në vendlindje, ishin punësuar në qytete të ndryshme të Kroacisë dhe Sllovenisë.
Ai i brengosur me situatën në Kosovë ,shpesh i vizitonte prindërit e tij, Muharremin dhe Sabilen,si edhe bashkëshorten Fexhrijen dhe fëmijët;  Fitoren, Fatonin, Shkurtën dhe Liridonin, në fshatin Bradash të Podujevës.
Saherë që udhëtonte për në Kroaci, udhëtonte me zemrën vrer, ngase e shihte që bashkëkombësit e tij ,vriteshin, burgoseshin dhe rriheshin, sikur të ishin skllevër nga regjimi gjakatar i Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë një vizite në Kosovë, saktësisht më 1nëntor të vitit 1989, vetëm pse kishte marrë pjesë në një demonstratë të organizuar në Prishtinë, ishte rrahur dhe burgosur i vëllai Nazif Hoti.
Ky rast e kishte acaruar edhe më tepër Ragipin . Ai vazhdimisht kishte menduar armatosjen dhe vetëmbrojtjen. Me të shpërthyer lufta në Kroaci i sigurt, që flakët e kësaj lufte do ta përfshinë edhe Kosovën, më 13 maj të vitit 1991, e braktis përfundimisht Kroacinë.
Një mbrëmje një shqetësim të tij, Ragipi, e diskuton me djalin e axhës së tij, Ahmet Bajram Hoti, profesor i lëndës së Kimisë në gjimnazin “ 8 Nëntori “ të Podujevës, dhe kryetar i LDK-së, Aktivi në Bradash.
Meqenëse, Muharremi dhe Bajrami e kishin kultivuar një dashuri dhe respekt brenda familjes Ragipi për çështje të rëndësishme çdoherë konsultohej me djemtë e axhës së tij, Ahmetin dhe Xhevatin,me këtë të fundit ishte edhe vërsnik.
Ragipi një burrë i guximshëm qyshkur regjimi kriminal i Serbisë, nisi t’i kërcënoj nëpërmjet mitingjeve popullsite shqiptarët, sikur më 28 qershor 1989 në Gazimestan të Kastriotit( ish-Obiliq),  e Fushë-Kosovë, asnjëherë s’ dilte jashtë pragut të shtëpisë pa armë.
Ai e kishte njoftuar Ahmetin që po  përcillej çdo hap, nga Shërbimi i fshehtë serbë dhe e kishte lutur që t’ia siguroj pesë -gjashtë bomba dore, i vendosur që ato t’i hedh në Stacionin e Policisë në Podujevë, Kërpimeh apo Lluzhan, në mënyrë që të marrë me vete sa më shumë policë mizor e vrasës të Serbisë.”
Sigurimi shtetëror serbë me informatorët e tij, në terren nën dyshimin që edhe në Bradash,kishte filluar organizimi i shtabeve vetëmbrojtëse, kishte kohë që i mbante në mbikëqyrje aktivistët Ahmet Bajram Hoti, Ismail Rushit Revuçi dhe Xhafer Hajzer Hoti.
Në mënyrë që të krijohej frikë dhe pasiguri tek fshatarët në vendin e quajtur Kalina,ishin pozicionuar edhe njësite ushtarësh rezervistë të ashtuquajturës Jugosllavi, në fakt Serbi, që i mbante nën sqetulla si macja miun miopët e Malit të Zi dhe maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, të pa identitet kombëtarë dhe të pa dinjitet njerëzor.
Serbia kontingjente të reja ushtarësh kishte sjellë edhe në kazermat në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Thjesht, Kosova ishte nën Administrim ushtarak dhe policor të Serbisë.
Praninë e këtyre njësiteve rezerviste në këtë pjesë të Bradashit e kishin vërtetuar edhe Arif Ejupi, veprimtar KMDLNJ-së, dega në Podujevë dhe Ridvan Slivova, fotoreporter i gazetës” Zëri ditor” të Prishtinës. Ata me veturën e tij” Opel Cadet 1000“ deri afër vendit të ngjarjes i kishte shoqëruar Islam Sherif Ejupi.
Ahmet Hoti nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm kishte planifikuar largimin e përkohshëm nga Kosova. Më 17 maj të vitit 1991,në orët e mbrëmjes së bashku me bashkëshorten, kishte shkuar tek miqtë e tij në Podujevë, e të nesërmen kishin planifikuar udhëtimin për në Gjermani.
Më 18 maj të vitit 1991, pas ngrënies së mëngjesit ,diku në ora 9:00 e 50 minuta, Muharremi, Ragipi, Xhevati dhe Rexhepi, dalin tek vendi i quajtur “ Bunari i Barashit “ për të pritur minibusin që qarkullonte në linjën Kërpimeh- Podujevë dhe anasjelltas.
Meqenëse të shtunat në Podujevë, çdoherë ishin ditë tregu ata donin që t’i kryenin disa punë shpejt e shpejtë, e kohën e mbetur ta kalonin në biseda me miq e shokë.
Ndërkohë vije edhe minibusi i drejtuar nga Xhafer Çitaku i fshatit Bajçinë. Derisa udhëtarët përgatiteshin për të zbritur dhe hyrë në minibus një çun i ulur në sedilen e pasme sinjalizon shoferin, duke i thënë se po përcilleshin nga një Patrullë e Policisë serbe.
Shoferi duke dashur që t’i ikë provokimit të policisë serbe, hap rrugë, në mënyrë që ata të parakalojnë.
Mirësjellja ndaj këtyre policëve të egër ishte pa efekt . Ata të armatosur deri në dhëmbë me të arritur minibusi tek varrezat e fshatit Peran të Podujevës, e ndalojnë dhe fillojnë kontrollimin e udhëtarëve.
Muharrem Hotin, babain e Ragipit e urdhërojnë që të kthehet në shtëpi. Kjo sjellje primitive e policëve serbë e zemëron pamasë Ragipin.
Ai në ato çaste i revoltuar nga gjesti i ultë i policëve serbë kishte thënë:”-Eu -eu, që taksirat na ka zënë. Loparët e Serbisë, me na caktuar rregulla e rend në shtëpinë tonë”
Polici serb që ishte përgjegjës i ekspeditës shfrynte mllefin e tij me sharje e ofendime ndaj udhëtarëve shqiptarë.
Ragipi, sypatrembur në mbrojte të nderit dhe krenarisë shqiptare me vrull nxjerr nga beli revolverin e tij “Beretta 92”dhe nën parzmore mbërrin me ia fut tytën, këtij banditi dhe arroganti.
I goditur me 15 plumba në stomakun e dhjamosur polici serb, përnjëherë bije si i pa kokë në asfalt . Krismat e kapelës së metaltë shkëputur nga koka e tij, linin përshtypjen sikur mbi te, të ketë shkrepur rrufeja.
Në rrëmujën e krijuar Ragipi , i vërsulet edhe një polici tjetër të cilit mundohet t’ia rrëmbejë automatikun. Gjatë përleshjes me thikën e tij e plagos në qafë këtë egërsirë të uritur për gjak shqiptari.
Të lemerisur nga heroizmi i Ragip Hotit dhe frika që edhe ata mund të pësojnë, dy policë të tjerë nga kallashnikovët e tyre derdhin breshëri plumbash mbi Ragipin.

Pas plagëve të marra në dyluftim me këtë ekspeditë kriminelësh serbë Ragip Muharrem Hoti, ndërron jetë, duke e fuqizuar edhe më tepër eposin e kreshnikëve llapjanë, që ranë në Beteja me hordhitë fashiste serbo-sllave.
Policia kriminale e Serbisë, shkaktare e këtij incidenti të rëndë bllokon rrugën Kërpimeh-Podujevë dhe rrugën që shpie në fshatin Bradash.
Nga jehona e krismave të Armës së Ragip Hotit, alarmohet edhe Beogradi zyrtar. Në vendngjarje vinë forca të shumta policore.
Papritur mbërrin dhe një helikopter i cili e bart njërin nga policët e lënduar rendë, sipas të gjitha gjasave të vdekur drejt Serbisë. (Beogradi asnjëherë nuk i bënte publike vrasjet  apo plagosjet e policëve serbë, nga frika që s’ do të arrinte mobilizimin nëpër efektiva e brigada të policëve dhe ushtarëve të rinj )
Kurse vetura e ndihmës së shpejtë policin e therur në qafë e transporton në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Sipas disa burimeve ende të pa verifikuara polici i lënduar në qafë ishte fëmijë kolonizatori nga Vitia e Kosovës.
Po ashtu në morgun e këtij Spitali, dërgohet për obduksion edhe kufoma e Ragip Hotit.
Në shenjë hakmarrje që Ragip Hoti, një burrë trim tmerroi një ekip të armatosur deri në dhëmbë të xhandarmërisë së Serbisë, pa kurrfarë faji në Stacionin e Policisë në Podujevë, dërgohen Xhevat Bajram Hoti dhe Rexhep Zeqir Hoti, kushërinj të Ragipit,
Ata në këtë stacion mbahen deri në ora 20:00. Me këtë rast nga harbut serbë të ardhur nga stalla derrash e dosash të Serbisë,si Xhevati ashtu edhe Rexhepi, rrahën me mjete të forta në mënyrë çnjerëzore. Gjithashtu në Stacionin e Policisë në Podujevë, torturohet  rëndë edhe Naser  Sahit Çitaku, pasagjer i minibusit ,nga Bajçina e Podujevës.
Meqenëse nga kjo ngjarje e trishtë kanë kaluar mbi tri dekada të keqtrajtuarave të tjerë që nuk u janë cituar emrat u kërkojmë falje deri në përkulje.
Pas lirimit të tyre Dr. Selman Hoxha, specialist i  Mjekësisë familjare dhe veprimtar i KMDLNJ-së, dega në Podujevë, një periudhë dhe Kryetar, i kësaj organizate joqeveritare, sikur në shumë raste të tjera tregohet i guximshëm dhe humanist i pashoq.
Dr.Hoxha, përveç ndihmës së dhënë mjekësore Xhevatin e lënduar rëndë, nëpër rrugë dytësore me veturën  e një miku të tij, e çojnë në fshatin Bradash.
Muharremi që ende nuk e kishte tërhequr kufomën e të birit Ragipit, kur e sheh të gjallë Xhevatin gëzohet tepër, ngaqë druante që kriminelët serbë mund ta mbysin apo ta gjymtonin.
Xhevati ,me profesion inxhinier i elektroteknikës në cilësinë e mësimdhënësit dha kontribut të jashtëzakonshëm në Shkollën e Mesme Teknike “ Fan Stelian Noli” dhe në Gjimnazin “ 8 Nëntori “ tani “ Aleksandër Xhuvani” të Podujevës.
Me të kuptuar lajmin tragjik nga Podujeva në Bradash, mbërrin edhe Ahmet Hoti. Meqenëse ai kërkohej nga policia serbe nga frika që mund të hasë në postblloqet e ngritura kudo, detyrohet të hyjë rrugicave të arave dhe livadheve, të përmbytura nga reshjet e shiut.
Me të arritur në shtëpi Ahmetin e merr ngrykë Muharremi, babai i Ragipit. Nga pikëllimi dhe dhembja e madhe për Ragipin, të dytë shkrehen në vaj. Ky moment  i rëndë të gjithë të pranishmit i bënë me lot.
Me gjithë dhembjen e madhe për humbjen e Ragipt,38 vjeç, familja Hoti, kishte rënë në hall s’e si ta nxirrte nga morgu kufomën e tij.
Diku 13- të, familjarë e të afërm të Ragip Hotit, ishin tubuar tek pompa e derivateve, që gjendej ngjitas me Motelin “ Besiana” në Podujevë, me shpresën që do të gjejnë ndokënd me ndonjë furgon, për ta bartur trupin e pajetë të dëshmorit Ragip Hoti, deri në Bradash.
Ramë Buçaj, sipërmarrës i njohur në Llap, e mbi të gjitha bamirës i madh shprehë gatishmërinë që me furgonin e tij, ta bëjë transportimin e kufomës së Ragip Hotit.
Meqenëse ishte krijuar situatë e tensionuar kishte të ngritura post- blloqe të shumta të policisë serbe. Sofija, bashkëshortja e Ramës ,ndihej mjaft e shqetësuar . Ajo e porosit disaherë Ramën, që të bëjë kujdes.
Z. Ramë Buçaj ,sot 77 vjeç, atë ditë të rëndë e kujton si njërën prej ditëve më të vështira të jetës së tij.
Rama thotë” Qysh në hyrje të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës, ishte stacionuar një numër i konsiderueshëm policësh serbë. Pas sqarimesh se unë po bëja vetëm punën e taksistit mezi u lejova që të shkoja para portave të morgut.
Atje përveç policëve në uniforma vërejta edhe inspektorë të shërbimit të fshehtë të Serbisë. Njëri prej tyre që ishte njëfarë udhëheqës i grupit thotë Rama , nisi të më provokojë duke më thënë” Ti, kur janë në pyetje shqiptarët këtë punë e bënë falas . Kurse mbi trupat e policëve tanë kalon me furgon pagrimë mëshire.
Rama një burrë i pjekur me këtë rast tregohet i matur dhe gjakftohtë. Ai ishte i vetëdijshëm që ky farë eprori shkurtabiq situatën gati shpërthyese donte që ta kthej në përleshje të re me familjarët  e Ragipit.
Njëri prej policëve që veten e konsideronte po ashtu njëfarë zyrtari kishte vazhduar debatin me Ramën, duke i thënë , pse nuk qani për personin e vrarë, aludonte në Ragipin, kur familjarët e policit serb të plagosur nga komuna e Vitisë së Kosovës, nga vaj dhe britmat e kanë çuar peshë spitalin.
Rama kishte thënë që britmat dhe vajet nuk përkojnë me traditat tona . Pas përfundimit të kësaj bisede provokuese dhe të pakëndshme Rama dhe 13- të , familjarët e Ragip Hotit, dërgohen në Stacionin e Policisë, që gjendej përballë Pallatit të Sporteve “ Boro e Ramizi” në Prishtinë.
Ata të gjithë merren në pyetje dhe kontrollohen veç e veç. Pas këtij  kontrollimi të bezdisshëm dhe të tensionuar lirohen të gjithë.
E diku pas një pritje prej katër-pesë orëve u lejohet tërheqja e kufomës së Ragip Hotit.
Në Bradash ku duhej të zhvillohej ceremonia e varrimit të heroit Ragip Muharrem Hoti, kishin mbërritur mijëra njerëz nga të gjitha trojet tona.
Natën tragjike në familjen e Muharrem Hotit, kishte shkuar Adem Demaçi, i cili afër tri dekada i kishte kaluar në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë., me synimin e vetëm që Kosovën ta bëjë Republikë, të shtatë të ish-Jugosllavisë, me të drejta të barabarta me serbët, kroatët sllovenët, hercegovasit, malazezët e maqedonasit.
Enkas nga Duboviku i Deçanit në Bradash, kishte ardhur edhe Ajshe Gërvalla, nëna e heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vrarë me një atentat të turpshëm së bashku me Kadri Zekën, më 17 janar të vitit 1982,në Untergruppenbach të Gjermanisë, nga UDB-a, jugosllave, organizatë e fshehtë kriminale, identike me organizatat terroriste.
Nënë, Ajshja, me zemrën e çeliktë dhe fjalët e praruara i kishte ngushëlluar prindërit, shoqen dhe fëmijët e Ragipit, duke u thënë” Djemtë si Ragipi, janë krenari jona mbarëkombëtare”
Ndërsa nga Lidershipi i atëhershëm kosovar në Bradash ishin parë udhëheqës të lartë të LDK-së, të nivelit lokal dhe atij qendror, që asokohe ky subjekt politik, vlerësohej si Lëvizje mbarëkombëtare.
Gjithashtu me praninë e saj familjen Hoti e kishte nderuar edhe zonja, Luljeta Pula Beqiri, kryetare e parë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Në fushën që si shihej fundi në të djathtë të rrugës që çon në lagjet Spahiu e Revuçi, ishin mbledhur të moshuar e të rinj.
Ata me pjesëmarrjen e tyre masive  prej mbi 40 mijë vetave donin që ta nderonin Ragip Hotin ,i cili tregoi heroizëm të rrallë, në dyluftim me neofashistët serbë, të cilët të hipnotizuar nga përrallat e mitomanëve dhe priftërinjve infantil, kishin menduar s’e i nënshtrojnë dhe poshtërojnë lehtë shqiptarët.
Çdonjëri që doli në binën e improvizuar tha fjalë zemre dhe shpirti për Ragipin.,i cili me heroizmin e treguar u bë udhërrëfyes dhe motivues i mijëra djemve e vajzave, që rrokën armët dhe u rreshtuan në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa diktat e imponim.
Ata që mëtojnë dashuri, humanizëm dhe përkushtim të sinqertë ndaj Atdheut, vende pelegrinazhi duhet t’i kenë varret dhe fushat e mejdanit, ku djem dhe vajza, me gjakun e tyre të derdhur ëndrrën tonë për Liri e Mëvetësi e bënë realitet !

ARIF EJUPI
P. S. Autori i këtij artikulli dhe Z.Nexhmi Adem Balaj, ishin të pranishëm në ceremoninë e varrimit të dëshmorit Ragip Muharrem Hoti, në cilësinë e veprimtarëve të KMDLNJ-dega në Podujevë.

GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA „DY GJIGANTË TË QYTETËRIMIT SHQIPTAR, SHËN JERONIMI DHE SHËN NËNË TEREZA“- Përgatitur nga Abas Fejzullahi

Misioni Katolik Shqiptar dhe Shoqata Bamirëse „Nënë Tereza“ në kantonin e Luzernit të Zvicëres, janë bashkë organizator të mbrëmjes kulturore: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA, kushtuar dy figurave me rëndësi historike jo vetem për hapësirën gjeografike shqiptare por edhe atë botërore me të dhëna e dëshmi historike përmes trajtimit të temës:
“SHËNË JERONIMI DHE SHËNË NËNË TEREZA, DY GJIGANT TË QYTETËRIMIT SHQIPTAR“ nga Prof.Dr. Muhamet Malaj.

Në mbrëmjen e 23.11.2024 në Emmenbrüke të Luzernit, organizatorët e mbrëmjes kulturore, mirëpriten me dashamirësi e për mrekulli mbi 300 pjesëmarrës që kishin ardhur nga katër anët e Zvicrës ku jetojnë dhe punojnë bashkëatdhetarët kurbetçarë, si edhe nga Gjermania të cilët kanë qenë me kohë të lajmëruar e thirrur përmes Ftesës dhe programit të shpërndarë. Me që Salla ishte përplot ku qëndronin edhe në këmbë, organizatori në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: siç po shifet herave tjera duhet me siguruar një sallë edhe më të madhe se kjo qenka e vogël për ti zënë të gjithë të interesuarit!
Paraqitjen dhe rrjedhen e programit e udhëheqen në mënyrë profesionale folësit: Znj.Jehona Gashi dhe z. Dan Morina.
Dr. Don Anton Uka, Udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, nga foltorja Ju drejtue të të gjithë pjesëmarrësve të pranishëm dhe i falëndoi përzemërsisht që s’bashku këtë mbrëmje të organizuar kulturore ta bëjmë sa më madhështore, përmes programit që do e paraqesim sonte, kushtuar dy figurave madhështore të qytetrimit shqiptar: „SHËNË JERONIMIN DHE SHËNË NËNË TEREZËN“.
Dr. Don Anton Uka, në vazhdim paraqiti një vështrim përmbajtësor kryesisht kushtuar krye temës: GJURMËVE TË RRËNJËVE TONA“ temë me shumë rëndësi në shumë drejtime në kohë dhe hapësirë, për rrjedhatë dhe zhvillimet lidhur me çështjen kombëtare si dhe për ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona arbërore kulturore, gjuhësore dhe shpirtrore në hapësiratë gjeografike shqiptare dhe kudo në kurbet ku gjinden jetojn dhe punojnë bashkëatdhetarët tanë.
Në vijim fjalimi i plotë i lexuar në mbërmjen kulturore:
RRËNJËT TONA NA BASHKOJNË

(Fjalimi i plotë i Dr. Don Anton Ukës mbajtur më 23 brymor (nëntor) 2024
në Emmenbrücke në mbrëmjen kulturore “Gjurmëve të rrënjëve tona”)

Monsinjor i dashur dhe shumë i respektuar Lush Gjergji
I nderuari Konsulli i Republikës së Kosovë, z. Vigan Berisha
I nderuari prof. Dr. Muhamet Malaj

Të nderuar meshtarë, motra të nderit, profesorë, përfaqësues të botës politike, artistë, piktorë, moderatorë, gazetarë dhe përfaqësues të medias, të nderuar pjesëmarrës dhe dashamirës të Misionit Katolik Shqiptar në Lucern dhe të Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” këtu në Zvicër, më lejoni t’ju përshëndes dhe ju uroj mirëseardhjen në edicionin e dytë të Gjurmëve të Rrënjëve tona, i cili këtë vit ka në fokus Shën Jeronimin dhe Shën Nënë Terezën, dy gjigantë të qytetërimit shqiptar.

Qëllimi apo ideja e fillimit të këtyre takimeve kulturore, siç kemi theksuar në edicionin e parë kushtuar arbëreshëve, lind nga një arsye e dyfishtë: së pari nga dëshira për të dhënë një kontribut që diaspora jonë shqiptare këtu në Zvicër të ruajë vetëdijen identitare dhe të rris përkushtimin ndaj kulturës, historisë, traditës, gjuhës, simboleve dhe figurave tona kombëtare dhe së dyti nga nevoja për t’u thënë jo atyre dukurive të dëmshme për traditën, gjuhën dhe kulturën tonë, që fatkeqësisht në Kosovën e pasluftës janë shfaqur edhe në institucionet fetare, kulturore dhe politike, detyra apo misioni i të cilëve do të duhej të ishte ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, kurrsesi shkatërrimi apo deformimi i saj.

“Kush nuk i njeh rrënjët e veta nuk mund ta dijë për çka ka nevojë pema e jetës së tij që të rritet dhe të zhvillohet përbrenda,” shkruan autori i famshëm gjerman, Anselm Grün.

Nga kjo thënie kuptojmë se pema e jetës, qoftë ajo e një njeriu, e një familjeje, e një kombi, e një kulture e një tradite, ka nevojë për rrënjët e veta që të rritet e zhvillohet brenda saj, përndryshe është e destinuar të vdesë. Ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, sepse ruajtjen dhe kultivimin e rrënjëve tona e kemi amanet nga jeta, fjala dhe gjaku i derdhur i të parëve tanë.

Tani me dëshirën për të përcjellë një mesazh për ju të dashur të pranishëm dhe për ata që na ndjekin përmes rrjeteve sociale, vendosa të ndalem shkurtimisht në tre karakteristika themelore të rrënjëve.

1. Rrënjët tona na bashkojnë dhe na mbajnë të bashkuar
Me shprehjen rrënjë nënkuptojmë simbolikisht ato elemente të thella dhe themelore që përbëjnë identitetin e një kombi. Rrënjët e një kombi janë ato që e bëjnë atë të veçantë, pra unik dhe koherent me kalimin e kohës, pa prishur harmoninë dhe integrimin me kombet dhe kulturat e tjera.
Rrënjët që e mbajnë të bashkuar një komb janë historia dhe tradita që e ka formuar atë, duke i dhënë atij një trup, një identitet dhe një qytetërim.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm i rrënjëve të një kombi është gjuha si mjet komunikimi që bashkon njerëzit. Prandaj ne duhet ta ruajmë gjuhën shqipe në mjediset tona familjare, kulturore dhe fetare, sepse pa të nuk do të mund të transmetojmë kulturën, vlerat dhe njohuritë nga një brez në tjetrin, pa gjuhën do të jetë e vështirë dhe pothuajse e pamundur të ruhen traditat tona.

Një element tjetër integral i rrënjëve të një populli është feja dhe vlerat shpirtërore. Në këtë fushë, ne shqiptarët, për shkak të faktorëve historikë tashmë të njohur, ndahemi kryesisht në të krishterë dhe myslimanë.

Në takimin e javës së kaluar mes nesh priftërinjve të Kishës Katolike që shërbejmë në Zvicër dhe disa hoxhallarëve, që u zhvillua në Cyrih, nën patronatin e konsullit të nderuar z. Vigan Berishës, në fjalimin tim mes tjerash theksova: “Shumë të nderuar, ne e dimë se pikëpamjet tona fetare janë të ndryshme, madje mbi disa tema shumë të ndryshme, po ashtu edhe mbi teologjinë, doktrinën dhe moralin, megjithatë kemi edhe të përbashkëta sepse fetë tona janë monoteiste, pra ruajnë besimin në një Zot të vetëm. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të komunikojmë dhe të debatojmë duke ruajtur respektin e ndërsjellë dhe në këtë mënyrë të ndihmojmë popullin, veçanërisht ata persona që janë në kërkim të një identiteti shpirtëror, të vendosin me vetëdije, më liri dhe me përgjegjësi se cilën fe, cilën doktrinë dhe çfarë disipline etike dhe morale dëshirojnë të ndjekin, të besojnë dhe kështu pastaj t’ua kalojnë brezave të rinj. Por kjo ndryshueshmëri apo ky dallim që ekziston në pikëpamjet tona fetare nuk duhet të jetë i tillë përballë identitetit tonë kombëtar, sepse historia, tradita, kultura, figurat tona kombëtare janë të përbashkëta dhe duhet të mbeten gjithmonë të tilla, këto nuk mund të cenohen e as të shtrembërohen, aq më pak të fyhen sipas tekave të caktuara apo interesave personale, fetare dhe politike. Nëse nuk e pranojmë, vlerësojmë dhe promovojmë këtë trashëgimi historike dhe kulturore ashtu siç ajo është më të vërtetë, atëherë komunikimi konstruktiv do të bëhet i pamundshëm, uniteti ynë do të dobësohet dhe vizioni për të qenë pjesë e pandashme e familjes së madhe evropiane do të pengohet, dhe kështu do të mbetemi peng të vetvetes.”

2. Rrënjët tona na frymëzojnë
Një karakteristikë tjetër e rrënjëve kulturore është frymëzimi që jep jetë dhe mban në jetë. Rrënjët dhe trashëgimia kulturore duhet të jenë burim krijimtarie, shprehjeje dhe risie për një popull pa humbur origjinalitetin dhe identitetin. Kur një popull e lë veten të frymëzohet nga rrënjët e tij kulturore, atëherë ato rrënjë do të marrin formë duke gjetur shprehje konkrete në muzikë, vallëzim, poezi, art, letërsi, aktrim dhe gatim, sinteza e të cilave është kjo mbrëmje festive, e cila shpalos përpara nesh këto vlera dhe tradita të përbashkëta. Nga sa themi kuptojmë më mirë se rrënjët tona kulturore nuk janë dhe nuk mund të jenë pengesë për zhvillimin apo integrimin, përkundrazi, ato janë pikënisja pa të cilën nuk do të dimë se ku jemi dhe ku duam të shkojmë.

3. Rrënjët tona na tregojnë rrugën që duhet ndjekur
Në shprehjen: Gjurmëve të rrënjëve tona, ndeshemi me ftesën e shenjtë që na bëjnë të parët tanë për të ndjekur gjurmët e tyre dhe kështu të jetojmë me mençuri të tashmen, duke u orientuar drejt së ardhmes perëndimore që na kanë trasuar të parët tanë.

Shkrimtari ynë i madh Kadare, i vlerësuar nga më të mëdhenjtë e qytetërimit botëror si rojtari i së bukurës dhe lirisë njerëzore, sikur përmbledh të gjithë trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore, duke ftuar këdo që ndihet vërtetë shqiptar të jetë flamurtari i identitetit të tij evropian.

Në këtë kuptim, rrënjët tona kulturore mund të shihen si një busull që drejton rrugën tonë, duke treguar një rrugë të bazuar në vlera, tradita dhe përvoja që formojnë një qytetërim të jetës, lirisë dhe dashurisë. Këto rrënjë jo vetëm që ofrojnë një ndjenjë përkatësie, por gjithashtu na ndihmojnë të përcaktojmë se kush jemi, nga vijmë dhe ku duam të shkojmë. Prandaj rrënjët kulturore të çdo populli nuk janë pengesë për zhvillimin, por një thesar i çmuar që na ndihmon të orientohemi në botën bashkëkohore. Ato na ofrojnë një themel nga i cili duhet të fillojmë apo të nisemi, një vizion për të ardhmen që integron respektin për të kaluarën dhe inovacionin, duke na udhëhequr nëpër sfidat dhe mundësitë e jetës së përditshme.

Prof. Dr. Muhamet Malaj, lexoi pjesë nga punimi i tij hulumtues dhe studiues në hollësi e thellësi lidhur me figurën madhështore të Shën Jeronimit të titulluar: „Shën Jeronimi, urëlidhësi mes ilirisë dhe botës perëndimore në shërbim të Fjalës së shenjtë“ Në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe brilante paraqiti figurën e Shënë Jeronimit në kohë dhe hapësirë si dhe veprimtarinë e tij në shumë drejtime si dhe gjurmët e pa shlyra që ka lënë për qyterimin shqiptarë dhe botërorë jeta dhe veprimtaria e tij Prmendi dhe ballafaqimet e Shënë Jeronimit gjithandej ku jetoi dhe veproi si dhe periudhën e jetës së tij që e ka bërë si astek etj.Të pranishmit në shenjë falënderimi e duartrokiten shpeshëherë gjatë ligjëratës së tij pothuajse gjysëm ore, për të dhënat e paraqitura për Shënë Jeronimin jetën dhe veprën e tij krijuese, kulturore, historike dhe shpirtërore si për popullin tonë por edhe në hapësirat gjeografike botërore. Ai, bëri me dije edhe për rreziqet ekzistuese në vazhdimsi nga përvetësimi nga të tjerët i kësaj figure siç janë përvetsuar edhe shumë figura e kulte fetare nga të tjerët.


6. Dr. Don Lush Gjergji rrjedhëshme e në mënyrë brilante dhe shumë domethënëse foli lidhur me temën: „Nënë Tereza në 45 vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe“
Si, gjurmues, hulumtues e studiues në hollësi e thellësi dhe njohësi më i mirë e më sakti në të gjitha drejtimet, lidhur me jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore Gonxhe Bojaxhiut e mirënjohur në tërë botën si Nëna Terezë, me gjuhë, traditë gjak e kulturë shqiptare.
Dr. Don Lush Gjergji, tregoi se në vitin 1979 Jugosllavia kishte kërkuar që Çmimi Nobel për Paqe, ti ndahej Titos.Mirpo reagimet e shumta për veprimtarin e tij gjatë e pas luftës së dytë botërore me burgosje dhe vrasje të shumta i kthet përgjegje negative parashtruesëve të Kërkesës. Edhe për Papen e Romës n’at vitë kishin paraqitur kërkesë për të njejtin çmim. Kërkesa ishte kundërshtuar nga komisioni që vendos me arsyetimet e dhëna.
E treta e vërteta tha mes tjerash Dr. Don Lush Gjergji: Komisioni për shqyrtimin e Kërkesave të paraqitur shqyrtoi Kërkesen e paraqitur nga anëtari i komisionit për ndarjen e Çmimit Nobel për Nanë Terezen dhe një zërit komisioni mori Vendim dhe ndau Çmimit Nobel për Paqe për Gonxhe Bojaxhiun e njohur në tërë botën si Nana Terezë, që Ju dorzua në Oslo më 10.12.1979. Pjesëmarrësit me emocione në shenjë falënderimi e nderpren fjalimin e Dr. Don Lush Gjergjit, me duatrokitj për të dhëna mjaft interesante për pjesëmarrësit e pranshëm në sallë, të emocionuar kur dëgjonin rrëfimet për jetën dhe veprën e bamirëses me famë botërore që përherë ka nda dashuri e bamirësi Goxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza.

Programin kulturor e përmbylli z. Nue Zalli, kryetar i Shoqatës Bamirëse“ Nënë Terza“ në Zvicër me fjalën e tij në vijim:


Nue Zalli

Nënë Tereza dhe Shën Jeronimi ilir.

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj.

Më lejoni që në emër të Shoqatës “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misionit Katolik shqiptar në Lucern, të përshëndes të gjithë të pranishmit dhe të falënderoj gjithë ata që kontribuan në hulumtime dhe prezantime të këtyre dy personaliteteve, shën Jeronimit she shën Nënë Terezës që i dhanë dije, humanizëm dhe besim njerëzimit, duke u bërë rrëfim për të kaluarën tonë në shekuj.

Në bashkorganizim me Misionin Katolik Shqiptarë këtu në Lucern, si dhe aktivistë të shumtë që jetojnë në Zvicër, po bëjmë përpjekje të sjellim tema për ta kërkuar pjesën më të mirë të vetës dhe për ti dhënë kuptim jetës nga e kaluara në të tashmen. Ndoshta edhe për ta rinjohur vetveten, për një të ardhme më të ndritshme.

Sapo dëgjuam kumtesa, mendime dhe konstatime për të kaluarën e cila përshkruhet me personalitete, sikur ishin këto dy figurat, për eruditin e njohur, filolog, filozof dhe teolog, Shën Jeronimi dijetarë nga Iliria.

Si dhe Shën Nënë Terezën, ikonën e shëmbëlltyrës së dashurisë, ndaj njeriut e ndaj Zotit, për t’u bërë madhështi në vete, e dinjitet për ne, sot dhe për jetë e mot.

Rrënjët tona kanë gjenezë dhe kanë histori, sepse kaluam nen shumë regjime, por ruajtëm me krenari gjuhën, shkrimin dhe kulturën.

Kanë lavdi, sepse nga gjiri ynë dolën trima dhe luftëtarë që mbrojtën atdheun dhe identitetin tonë.
Kanë humanizëm, sepse dolën shumë dijetarë, humanist e mjeshtër krijues, që ndriçuan kulturën dhe shkencën shqiptare.

Kanë edhe dhimbje, sepse padrejtësisht na copëtuan në shumë shtete, duke na larguar nga njëri-tjetri.
Por, pavarësisht këtyre sfidave, të gjitha këto e formojnë një Arbëri që, megjithëse jo të plotë, mbetet e pasur në shpirt, histori dhe kulturë, një Arbëri që jeton në zemrat dhe kujtesën tonë.

Civilizimi përshkruhet me arritje në shkencë e teknologji. Por janë ngjarjet dhe proceset ato që e ndryshojnë shoqërinë. Dhe janë personalitetet e kohës ato që krijojnë shëmbëlltyrë, kulturë veprimi dhe vlera. Dhe bota i njeh këto figura me ndikime historike duke krijuar identitetin e ri të civilizimit.

Ku takohen këto dy figura në histori, shën Jeronimi dhe Shën Nënë Tereza?

Të përbashkëta i kanë dijen, besimin, dhe dhuratën në dobi të njerëzimit.
Shënimet na mësojnë se dija e lartë e Shën Jeronimi nuk u pajtua me varfërinë mendore që përfaqësonin masën asaj kohe, me mënyrën e të besuarit dhe ideologjitë perandorake.

Përderisa Nënë Tereza, nuk u pajtua me mjerimin që e shkakton varfëria shpirtërore e njeriut për t’i lënë të braktisurit, të sëmurët pa dinjitet e shpresë.
Ajo u bë vetëmohim në shërbim të tyre dhe protestë ndaj politikës denigruese.

Populli ynë, ka enciklopedi të zgjeruar të dijetarëve. Ka treguar guxim për ta ruajtur gjuhën, kulturën, që janë indikatorë për ta kërkuar lirinë.
Liria nuk është vetëm lëvizje e lirë. Ajo matet me peshën e shpirtit që ia japim identitetit tonë. Popujt që kanë çlirim shpirtëror kanë ardhmëri dhe nuk shuhen kurrë.
Të nderuar të pranishëm

Shën Nënë Tereza na mësoj më së miri se si bëhet dashuria njerëzore.
Këtu në Zvicër, nën emblemën e saj veprojmë si subjekt humanitar për të ndihmuar të gjithë atyre që janë me nevojë.
Me nevojë e kemi edhe ruajtjen e identitetin tonë, sepse është identiteti i nënës.
Me këtë vetëm sa shpalosemi ndaj botës përmes praktikimit të cilësive që kemi, si shembull i mirë për të tjerët.

Dhe në fund më lejoni edhe njëherë që në emër të dy misioneve, të falënderoj të gjithë ata që kanë ardhur nga Kosova, biografin e Nënë Terezës, Dr. Don Lush Gjergjin, historianin e devotshëm Prof. Dr. Muhamet Malaj, drejtorin e shoqatës Nënë Tereza në Kosovë z. Zef Shalën si dhe kontribuesit tjerë.
Moderatorët e nderuar Johona Gashi dhe Dan Morina, që me profesionalizëm dhe elegancë e moderuan këtë mbrëmje.

Ansamblin Shqiponja dhe këngëtaren Fatime Kalimashi, e cila me zërin e sajë të bukur na dhuroj një atmosferë festive.

Aktorin nga gjermania Mustaf Shabani, për interpretimin e tij të mrekullueshëm.
Korin e Misionit Katolik Shqiptar në krye me motrat e nderit, dhe vullnetarët e shumtë të cilët kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar në organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmje kulturore.

Dëshirojmë të veçojmë familjen Frrokaj Verën dhe Kastriotin për Aperon që do ta shijomë pas pak.
Piktorët tanë: Arsim Berisha, Daniel Rosaj, Pren Berisha dhe Xholec Deda, të cilët përmes pikturave të tyre plot ngjyra dhe mesazhe e zbukuruan këtë mbrëmje kulturore.

Një falënderim i madhe edhe për ju të dashur mysafirë që me prezencën tuaj e begatuat këtë tribunë që është me interes për gjithë shqiptarët e sidomos për gjenerata që po rriten në mërgatë.
Shpresoj se do të takohemi me tema tjera në vazhdimësi.

Ju faleminderi

 

Tregolëshi i Shaqirit e çon Bazelin në krye të klasifikimit zviceran

Mbrëmje spektakolare për bregrinasin

VOAL- Xherdan Shaqiri e ka zvarritur fjalë për fjalë Bazelin e tij në krye të renditjes së Superligës, tani së bashku me Luganon me 28 pikë. Po, sepse në Sankt Jakob-Park, ish-lojtari i përfaqësueses së Zvicrës shënoi një hat-trick personal në 3-1 kundër Servette, duke eliminuar Gjenevasit në minutat e fundit falë një goditjeje pas një penalltie të humbur në minutën e 90-të dhe finales në rikuperim të plotë.

St. Gallen dhe Yverdon ndanë pikët në lojë në raundin e 15-të pas një barazimi pa gola. Skuadra e San Gallo humbi kështu shansin për të kaluar në krye të tabelës, ndërsa Vaudois përfundoi një seri prej tre ndeshjesh pa pikë. RSI

22-vjeçari Leonid Berisha shpallet kampion i Zvicrës në kategorinë 80 kg

Boksieri Leonid Berisha është shpallur kampion i Zvicrës në kategorinë 80 kg. Ky titull i tij vjen pas një viti përkushtimi e disipline si dhe fitoreve të njêpasnjëshme pa asnjë humbje.

Ky titull i tij vjen për herë të dytë. Leonid Berisha ka lindur më 13 maj 2002 ne Zvicër dhe është me prejardhje nga fshati Drenoc, Komuna e Rahovecit. bw

Ylli i FCB për Sportpanorama: Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Zvicër dhe dua të qëndroj në futboll sa më gjatë

Në një intervistë për SRF në programin “Sportpanorama Xherdan Shaqiri ” ylli i FCB-së në “Sportpanorama” shprehet i kënaqur që është kthyer në shtëpi dhe luan për skuadrën e Baselit

Në “Sportpanorama” Xherdan Shaqiri ka folur për rikthimin e tij, bujën që e rrethon dhe të ardhmen e tij.

Baseli fitoi 6-1 kundër Winterthur, dhe 33-vjeçari ishte lojtari i jashtëzakonshëm në fushë. Të dielën ai u ul në studio dhe foli me Fabienne Gyr për temat e mëposhtme:

Rikthimi i tij në Zvicër dhe ambiciet e tij me FCB

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Zvicër pas shumë vitesh jashtë vendit. Gjithmonë duhet pak kohë kur të ktheheni në shtëpi. Për një moment ju dëshironi të filloni dhe më vjen mirë që gjërat shkuan ashtu sikur duhet kundër Winterthur. Ne kemi fituar tre ndeshjet e fundit, gjë që është gjithashtu e mirë për klubin. Mund të vazhdojë kështu.”

“Gjithmonë ndjen pak malli. Jam familjar dhe gjithmonë kam dashur që prindërit të më vizitojnë sërish në “Joggeli”. Gjithmonë kam dashur të kthehem në Zvicër. Kur FCB m’u afrua, nuk m’u desh të mendoja gjatë. Dua që Basel të luajë sërish për tituj. Prandaj kam nënshkruar jo vetëm për një vit, por për tre vjet”.

Shpresoj dhe besoj se kombëtarja do të dalë nga kjo gropë e vogël”.

Me këmbë në tokë

“Jam shumë krenar për karrierën time dhe atë që kam arritur. Shumë njerëz harrojnë se nga vij unë. Unë nuk vij nga një familje e pasur dhe jam rritur në vend. Por edhe kjo tregon se mund të arrish shumë me punë, talent dhe këmbëngulje. Kur më pyesin për këtë, është gjëja më e mirë. Dhe nëse edhe njerëzit në Zürich më shohin të pëlqyeshëm, kjo do të thotë shumë për mua.”

Trajnerët formues në karrierën e tij

“Kam pasur shumë trajnerë dhe shumë trajnerë të mirë. Më duhet t’i falënderoj të gjithë. Ottmar Hitzfeld luajti një rol shumë të rëndësishëm për mua. Ai më çoi në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut kur isha 17 vjeç dhe përfitova shumë nga kjo. Por edhe Jupp Heynckes më ndihmoi shumë te Bayern”.

Dorëheqja nga Nati

“Kam luajtur me idenë e dorëheqjes për një kohë të gjatë. Doja të fokusohesha në futbollin e klubeve dhe mendoj se ishte koha e duhur. Ndeshja kundër Skocisë ishte fundi i përsosur për mua. Unë jam ende duke ndjekur kombëtaren, gjërat nuk po shkojnë aq mirë për momentin. Shpresoj dhe besoj se do të dalin nga kjo vrimë e vogël”.

E ardhmja e tij

“Unë nuk jam nga ata që shohin të ardhmen e madhe dhe e marrin atë ditë pas dite. Por është e qartë se dua të qëndroj në futboll për një kohë të gjatë”.

SRF ZWEI “Sportpanorama”, 27 tetor 2024, ora 18:00/EB

KRROKËRITJET E KORBAVE NUK I TREMBIN LUANËT- Nga ARIF EJUPI

Reprezentacioni i Zvicrës në futboll në kuadër të ashtuquajturës Ligë e Kombeve të Evropës, sonte është përballur në stadiumin e FK ”Duboçia” të Leskovcit me Serbinë.
Ndeshjen e kanë fituar serbët 2:0. Humba është pjesë e lojës, por brengosëse është sjellja skandaloze e mbi 10 mijë shikueseve serbë.
Ata tamam si në kor korbashë gjatë gjithë ndeshjes i kanë fishkëllyer Granit Xhakës, kapiten i skuadrës së Zvicrës. Në tribuna është parë edhe Aleksandër Vuçiq, kryetar i Serbisë.
Vuçiq i zhytur deri në maje të kokës me racizëm dhe urrejtje ndaj shqiptareve me atë qeshjen e tij, artificiale dhe cinike me rastin e shënimit të lojtarëve të Serbisë ndaj Zvicrës, edhe gëzimin e shfaqi në stil kurve.

Granit Xhaka, një ylli i vërtetë i futbollit duke e njohur shpirtin e prishur të serbëve për as një çast nuk ra nën provokimin e tyre. Atij fare-fare nuk i bënë përshtypjet përjargiet e këtyre huliganëve, që në të gjitha fushat e futbollit në Evropë, bëjnë vandalizma dhe veprime banale.
Serbët njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojë që luanët si Granit Xhaka, as qerpikun nuk e trembin nga sorrat apo galat.

ARIF EJUPI

VIDEO: Takimi i Xhakës me trajnerin e Serbisë- Dragan Stojkoviç zbulon çfarë i tha kapiteni shqiptar pas humbjes

Të gjithëve u ra në sy takimi miqësor dhe i shkurtër që pati Granit Xhaka me trajnerin e Serbisë, Dragan Stojkoviç. Pas ndeshjes së përfunduar 2 me 0 për Serbinë kundër Zvicrës, kapiteni shqiptar iu drejtua trajnerit serb.

 

Është vetë trajneri Dragan Stojkoviç, që siç raportojnë mediet serbe ka zbuluar çfarë i tha Granit Xhaka.

“Më tha mua se gjithçka ishte në rregull, që ato patën një qëndrim të mrekullueshëm dhe gjithçka shkoi mirë”, u shpreh Dragan Stojkoviç.

Kujtojmë ndërkohë se gjatë ndeshjes atmosfera nuk ishte aspak miqësore. Koret kundër shqiptarëve nuk munguan gjithë ndeshjen, ndërsa nuk pati incidente në fushë.

Momenti i takimit të Granit Xhakës me Dragan Stojkoviç: (VIDEO)

Panorama

Taulant Xhaka: I thashë Granitit të mos shkojë në Serbi, s’është e lehtë ruash kontrollin për 90 minuta

Zvicra do të luajë të shtunën me Serbinë në Ligën e Kombeve. Pas dueleve në Botërorin 2018 dhe 2022, sytë janë te kapiteni i “helvetëve”, Granit Xhaka.

“Mendova se nuk ishte e drejtë”, thotë Taulant Xhaka për “Blick” për momentin kur u hodh shorti. Familja e tij ka vënë në dukje me shqetësim se pas, dueleve të nxehta në Botërorin 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar, tani është ndeshja e parë në Serbi për kapitenin e Zvicrës.

Taulant Xhaka ishte në fushë, në Beograd, në vitin 2014, kur ndodhi ajo ngjarje e turpshme gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri.  “Unë e di se sa presion dhe emocione duhet të durosh në këtë ndeshje.”

Ndaj dhe vëllai i madh e ka marrë telefonin menjëherë pas shortit, siç tregon ai për “Blick”.

“I sugjerova Granitit që të fliste me trajnerin Murat Yakin dhe ndoshta ta anashkalonte këtë ndeshje, por të gjithë e njohin vëllanë tim, ai dëshiron të luajë çdo ndeshje për Zvicrën”, tha Taulant Xhaka.

33-vjeçari kryesisht shpreson që të mos jetë një ditë emocionale dhe kaotike si në duelet e mëparshme.

“Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta. Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet. Është e lehtë të thuhet, por në fund gjithçka ka të bëjë me këtë: të luash një ndeshje futbolli dhe të fitosh”.

Image

Federata Zvicerane e Futbollit dëshiron të flitet sa më pak për këtë temë.

“Këto janë histori të vjetra. Është një ndeshje si çdo tjetër”, thotë drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami. Mendimi është i ngjashëm kur pyeten futbollistët e tjerë të Zvicrës.

“Unë pres një ndeshje normale futbolli dhe mendoj se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara”, thotë Admir Mehmedi.

Kapiteni i GC, Amir Abrashi, i cili aktualisht është në Kombëtaren Shqiptare dhe ishte në aksion përkrah Taulant Xhakës në vitin 2014, në Serbi, shprehet. “Nuk do të jetë aq e nxehtë sa ka qenë në të kaluarën. Përveç kësaj, aty është vetëm Graniti, në dy duelet e fundit të Zvicrës me Serbinë gjithçka u rrotullua rreth Xherdan Shaqirit”.

Por si e shohin në Serbi Granit Xhakën? “Ne e perceptojmë Granit Xhakën si një provokator, referuar sjelljes së tij në ndeshjet e fundit”, thotë gazetari serb, Velkjo Ivanović, nga Sportal.rs.

Gërvalla takon homologun zviceran: Mërgata shqiptare urë lidhëse mes dy vendeve

Në axhenden e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryediplomatja kosovare Donika Gërvalla, u takua me homologun e saj zviceran, Ignazio Cassis.

Temë qendrore e bisedës ishte intensifikimi i partneritetit mes dy vendeve në fusha kyçe si ekonomia, investimet si dhe paqja dhe stabiliteti rajonal.

Gërvalla falënderoi Zvicrën për mbështetjen e saj në proceset historike të shtetndërtimit të Kosovës, duke vënë në pah edhe rolin jetik të mërgatës shqiptare si urë lidhëse mes dy vendeve.

“Kosova ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në rritje ekonomike, sundim të ligjit dhe demokratizim, duke u kthyer në një shembull unik të ndërhyrjes së suksesshme ndërkombëtare”, tha Gërvalla duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin me Konfederatën Zvicerane.sn

GJENEVA VAZHDON SOLIDARIZIMIN ME SHQIPTARËT E KOSOVËS, TË VRARË DHE TË ZHDUKUR NGA USHTRIA DHE POLICIA FASHISTE E SERBISË- Nga ARIF EJUPI

 

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të të vrarëve dhe të të zhdukurve pagjurmë në komunën Meyrin të Republikës dhe kantonit të Gjenevës, është organizuar një manifestim solidarizimi me të gjitha viktimat që ende nuk kanë varr e as urnë me hirin e trupit të tyre.
Meqenëse mbante ditë me vapë tubimi kushtuar mijëra viktimave në mbarë botën është mbajtur në parkun “Jardin botanique alpin” të komunës Meyrin.
Organizator i këtij manifestimi në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera joqeveritare të Gjenevës, ka qenë shoqata “Jardin des Disparus-Meyrin” e krijuar në vitin 2000.
Kjo shoqatë jofitimprurëse që qëllim të vetëm ka luftën kundër krimit të organizuar çdo vit nëpërmjet tubimeve të këtij lloji apelon për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë botën.

Tubimin e ka hapur zonja Arta Kryeziu-Osmani, aktiviste shumëvjeçare e shoqatës në fjalë. Ajo mbi 100 (njëqind) pjesëmarrës të pranishëm në këtë ngjarje i ka njoftuar me programin dhe referuesit e temave.
Si një nga krimet gjenocidiale që ende kullojnë gjak  dhe janë plagë e hapur e mijëra familjeve janë theksuar masakrat e kryera nga kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq dhe makineria e tij  në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.

Një gjenocid i tillë i kryer në prag të shekullit të -XXI- fatkeqësisht ende ka mbetur i pandëshkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare. Z. Pierre Alain Tchudi, mbrojtës konsekuent i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe anëtar i Komitetit “Jardin des Disparus de Meyrin” njoftoi të pranishmit që në kujtim të të zhdukurve pagjurmë nga sistemet diktatoriale dhe raciste janë mbjellë në hapësirat e parkut “Le jardin des disparus de Meyrin” disa fidanë.
Mbi gjenocidin serbë të kryer ndaj shqiptarëve duarthatë foli edhe z. Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit për të zhdukurit pagjurmë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gara tha që përpjekjet e pareshtura të palës kosovare për ndriçimin e viktimave ende të pagjetura deri me tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, ngase Serbia nuk  është duke zbatuar asnjë nga marrëveshjet e nënshkruara.
Nga kjo lojë e paskrupullt e Serbisë shihet qartë se ajo nuk është penduar fare për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Si pasojë e kësaj ne jemi të detyruar që ndaj kësaj papërgjegjësie absolute të Serbisë të protestojmë deri sa familjeve të traumatizuara dhe në ankth t’u kthehen eshtrat e më të dashurve të tyre.

Me një diskutim të shkurtër dhe përmbajtjesor është paraqitur edhe Dr. Arsim Gërgjaliu, ekspert i Mjekësisë ligjore. Dr. Gërgjaliu si përfaqësues i Institutit të Mjekësisë ligjore të Republikës së Kosovës, tash e 25 vite me seriozitetin më të madh është marrë dhe merret me identifikimin e të vrarëve dhe të zhdukurve pa gjurmë nga regjimi kriminal i Milosheviqit, i akuzuar për krim e gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Dr. Gërgjaliu ndihet mjaft i zhgënjyer kur sheh që Serbia vazhdon me lojën e djallit, duke fshehur edhe pas shumë e shumë viteve eshtrat e të masakruarve dhe të të zhdukurve shqiptarë pagjurmë, në mesin e të cilëve edhe të intelektualit të shquar dhe Atdhetarit të devotshëm Ukshin Hoti, profesor në Universitetin e Kosovës.

Kurse z.Selami Hoti, nga organizata joqeveritare “For New Life Kosovo” e Republikës së Kosovës, çmoi lartë përpjekjet e të gjitha organizatave dhe individëve në periudhat e mëhershme që së reshtën së punuari për zbardhjen dhe identifikimin e të vrarëve dhe të të zhdukurve nga Serbia, gjatë viteve 1997-1999.
Z.Hoti mendon që krimi dhe gjenocidi serbë duhet të pasqyrohet në vazhdimësi edhe nëpërmjet tryezave dhe debateve të ndryshme, si dhe me shkrimin e librave, në mënyrë që brezi i rinj të mësojë të vërtetën e këtyre krimeve dhe masakrave.
Serbia me elaborate të hartuara nga Akademikë e Priftërinj të saj, ka kryer dhunë dhe gjenocid të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve edhe përpara viteve 1945, 1956, 1968, 1981, 1990, 1997, 1999 e deri në ditët e sotme.

Sipas z.Hoti mosndëshkimi i Serbisë nga Bashkësia Ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve rrit orekset e saj, për krime të reja.
Serbia, lehtë mund të merret edhe si model nga vende me sisteme diktatoriale, që jetëgjatësinë e tyre në pushtet e vazhdojnë me aneksime të vendeve fqinje dhe vrasje e likuidime të njerëzve të pafajshëm.
Ndërkaq, zonja  Kumrije Karaçica, po ashtu anëtare e shoqatës joqeveritare “For New Life Kosovo” u ka bërë thirrje të gjitha organizatave qeveritare dhe joqeveritare që të ndihmojnë në gjetjen e të zhdukurve pagjurmë nga Serbia, me kusht që familjet e këtyre të vrarëve dhe të masakruarve të kenë të paktën një varr të gjyshit, gjyshes, babait, nënës, vëllait apo motrës në tokën e Kosovës martire.

Rrëfimet e tyre rrëqethëse para të pranishmëve i kanë shpalosur edhe disa nëna dhe motra tonat të mbijetuara nga këto masakra.
Blerim Bunjaku prej vitesh në Gjenevë, ka deklamuar fragmente të shkruara nga artisti ynë i madh Reshat Arbana “Bijtë e humbur”.
Një kontribut të jashtëzakonshëm rreth kësaj problematike është duke dhënë edhe Artisi i njohur kosovar Ramë Dardania, alias Ramë Beqiri, pjesëmarrës i Betejës së Koshares, Ai ka hapur në vende të ndryshme të Evropës, ekspozita të punuara me një mjeshtri të rrallë, kushtuar të të vrarëve dhe të të zhdukurve në Kosovë, nga ana e Serbisë, fashiste.
Ky i rinj i talentuar ka zgjuar kureshtjen e mijëra vetave me një ekspozitë të hapur kohë më parë në Pragë të Çekisë.
Tubimin e ka përshëndetur edhe zonja  Diana Cakolli, zëvendëskonsulle në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Gjenevë të Zvicrës.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, delegacionin nga Kosova e ka shoqëruar Z. Xhavit Islami nga shoqata VITIA.
Këtë manifestim tashmë tradicional edhe kësaj radhe e ka mbështetur Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, i udhëhequr nga z. Nasuf Nuhiu.
ARIF EJUPI


Send this to a friend