DURRES- Kjo është pajisja që i është kapur mbrëmjen e djeshme një shtetasi italian në Portin e Durrësit, e cila dyshohet se përdoret për përgjime. “News 24” dhe “BalkanWeb” ka siguruar foton ekskluzive të pajisjes, e cila iu gjet në posedim italianit me inicialet G.I, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.
Burime nga policia e Durrësit thonë për “BalkanWeb” se italiani ka deklaruar para grupit hetimor se pajisja shërben për matjen e cilësisë së ujit.
Por, hetuesit thonë se deklarimet e shtetasit italian janë të dyshimta, pajisja duket qartë që kryen shërbime të tjera elektronike, të cilat nuk kanë lidhje me cilësinë e ujit. Tashmë pajisja është dërguar për ekspertizë pranë laboratorit shkencor, dhe priten rezultatet për të përcaktuar se për çfarë shërben realisht pajisja që u gjet në posedim të italianit.
Megjithatë, italiani me inicialet G.I nuk ka pranuar të tregojë se nga cili autoritet publik apo agjenci private është kontraktuar për të ofruar shërbimet e tij. Aktualisht ai ndodhet i shoqëruar në polici, derisa sa të zbardhet ngjarja.
Komentet