Dy bij poetësh, Marie Gusho e bija e poetit Lasgush Poradecit dhe Gëzim Peshkëpia, monument i gjallë, ish i burgosur politik, i biri i poetit, financierit, gazetarit Manush Peshkëpia pushkatuar pa gjyq nga regjimi totalitarist, shkëmbejnë fotot dhe kujtime nga korrespeondenca midis prindërve të tyre. Dhe kështu njeriu arrin të ndërtojë copëza jete.
Z.Gëzim më tregon se familja e tij kishte albume të tëra fotografish, i jati ishte filatelist i apasionuar, por pas pushkatimit të babait, një ditë përpara se t’i internonin, erdhi policia, i nxori nga shtëpia nënën, gjyshen dhe dy fëmijët, dyllosi dyret dhe sekuestroi gjithçka, sikur shtetëzoi edhe shtëpinë, kështu që atij i kanë mbetur shumë pak foto të familjes nga ajo periudhë, prandaj kopjet e fotove që ia dha Marie Gusho i sheh si një dhuratë të madhe.
Janë tre foto, një kartolinë dhe një kartvizitë.
Në dy foto kanë dalë bashkë të dy poetët Lasgush Poradeci që diktatura e vrau së gjalli dhe Manush Peshkëpia që diktatura e shpalli Armik të Popullit dhe e pushkatoi pas torturash mizore duke u gëdhirë 27 shkurti i 1951 për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike;
Fotot janë bërë në oborrin e një shtëpie, nuk është oborri i shtëpisë të Manushit, ndofta është shtëpia e Lasgushit apo e ndonjë miku të tyre. Këto dy foto janë më të herëshme, Manushi duket shumë i ri, po ashtu edhe Lazgushi, që dallohet nga flokët.
Fotoja e tretë ku Manushi mban syze dhe pi cigare është bërë në ndonjë kafe, ndofta në oborrin e Kursalit. Personi i tretë duke që është mik i tyre por nuk dihet kush është.
Ndërsa kartolina është dërguar nga Zvicra, Manush Peshkëpia ia ka nisur Lasgush Poradecit nga Berna, më 22 korrik 1938, kur është vetëm 28 vjeçar.
Kartolina është vulosur nga Posta e Tiranës më 27 korrik 1938.
Në kartolinë Manush Peshkëpia shkruan: “Asnjë qiell nuk është më i kaltër se ky i Nicës. Shumë të fala Manush Peshkëpia”!
Duket sikur poeti ndodhet në qiellin e shtatë. Ka vizituar Nicën, qytetin bregdetar buzë Rivierës franceze dhe me ato mbresa nga Berna alpine i dërgon kartolinën Lazgushit.
Në një cep të kartolinës është edhe një përshëndetje në gjermanisht “Freundliche Grüsse” që i drejtohet poetit Lazgushit nga një zonjë zvicerane, me emrin Irene, gazetare në Radion e Bernës.
Nuk mund të mos bierë në sy vlerësimi më i lartë që ka Manush Peshkëpia për Lasgush Poradecin që shprehet shumë qartë në adresë, ku Peshkëpia shkruan në gjermanisht se këtë kartolinë ai ia dërgon Heines të Shqipërisë – “Heinrich Heine von Albanien”.
Ndërsa karvizita ku poeti i uron poetit vitin e ri 1941, daton 29.12.1940, kohë Manush Peshkëpia si financier punonte tek Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe pas pushtimit italian bashkë me të vëllain Nexhat Peshkëpinë ishin transferuar në Elbasan.




Komentet