Sot në Prizren u hap edicioni i dytë i “Prizren Biznes Forum”
PRIZREN – Me një ceremoni solemne të organizuar sot në ambientet e EuroCenter, në Prizren, është hapur Forumi i Dytë i Biznesit i cili tuboi 120 kompani dhe shoqata të biznesit, nga 12 vende të Ballkanit dhe Evropa.
Prerjen solemne të shiritit në këtë ceremoni e bënë Ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcilar dhe Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, Konsulli Gjeneral i Turqisë në Prizren, Selen Evcit, Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja dhe Drejtori Gjeneral i ÇAYKUR, Shoqatës së Prodhuesve të Çajit në Turqi, Imdat Sütlüöğlu, përndryshe ish ministër i Ambientit në Qeverinë e 58. të Republikës së Turqisë.
Në mesin e 450 mysafirëve, pjesëmarrës në hapjen solemne ishin edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe përfaqësues të Odave Ekonomike nga gjashtë qytete të Turqisë, si dhe shumë përfaqësues të shoqatave të biznesit nga Kosova, rajoni dhe Evropa.
Pas hapjes së djeshme të Panairit Ndërkombëtarë të Bujqësisë në Prishtinë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu u shpreh shumë i lumtur që sot në Prizren po mbahet një panair tjetër i madh. Sipas Gërxhaliut, një Forum i Biznesit si ky ka rëndësi të shumëfishtë dhe jo vetëm ekonomike, sepse në këtë mënyrë këmbehen edhe informacionet dhe promovohet Kosova.
Ai thekson se, Kosova ka nevojë për një internacionalizim të ndërmarrësisë me përvojat e vendeve më të zhvilluara sikurse është Turqia.
“Vet fakti që kemi një delegacion të tillë nga Turqia, një shtet i cili ëhstë fuqi ekonomike dhe pretendon në vitin 2030 të jetë në mesin e 10 shteteve më të zhvilluara ekonomikisht dhe sot ka një rritje më tepër se 8%, është dëshima e rëndësisë së madhe të partneritetit me Turqinë” tha Gërxhaliu.
Ai u rekomandoi kompanive kosovare, pjesëmarrëse në Forumin e Biznesit në Prizren, që të krijojnë sa më shumë kontakte me kompanitë dhe shoqatat e bizneseve turke, të pranishme në këtë panair, për të shikuar mundësinë e bashkëpunimit dhe në veçanti, investimeve të përbashkëta
“Duhet të kemi punë më konkrete ku investimet turke do të jenë shumë më të mëdha në prodhim, në punësim, në ndihmë në aspektin social dhe pse jo, në shëndetësi dhe edukim, sepse këto janë shtyllat që e karakterizojnë Turqinë dhe me siguri, një partneritet i orientuar në këto fusha, do të jetë më se i nevojshëm edhe për Kosovën por edhe për Turqinë”tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.
Lidhur me faktin nëse panairet e organizuara në Kosovë, sikurse është ky Forum i Biznesit në Prizren, janë rast i mirë për prodhuesit vendor që të risin edhe eksportin, Gërxhaliu u shpreh se rëndësia më e madhe e këtyre ngjarjeve është që, kompanitë kosovare ta shohin realitetin dhe të shohin ku qëndrojnë në krahasim me rajonin, Evropën dhe botën.
“Në rend të parë duhet të kuptohet e vërteta që, njeriu me dit se ku dëshiron me shkua, me dit ku është. Mu në këtë formë mund të tërhiqet një paralele dhe mund të bëhet një krahasim se , cila është përparësia dhe dobësia e prodhimeve tona, të mësojmë nga kjo përvojë dhe vërtet, nesër të jemi sa më aktiv në tregjet e treta. Panairet e kanë vlerën e vet substanciale, për fat të keq në Kosovë po neglizhohet” tha Gërxhaliu.
Një nga pjesëmarrësit e Forumit të Biznesit është edhe prodhuesi i tekstilit nga Prizreni, Fashion Network Industries. Furkan Rada, pronar i kësaj kompanie u shpreh se është i lumtur që po merr pjesë në këtë panair dhe mezi pret të takohet me mysafirë nga jashtë, për t’u njoftuar dhe eventualisht krijuar mundësi bashkëpunimi
“Siç e dini, Kosova është një shtet i ri, ende nuk ka shumë njerëz që vijnë nga jashtë. Shpresojë se ky Panair të jetë një urë lidhëse për një bashkëpunim biznesi dhe në një të ardhme, ndoshta edhe ne do të mund të eksponojmë mallrat tona në panaire të ngjashme” Furkan Rada i cili shtoi se aktualisht, ai vetëm blen lëndën e parë, materialet për prodhimin e tekstilit nga Turqia mirëpo, nuk e mohon mundësinë që në një të ardhme të afërt edhe të eksportojë produktet e veta, në çka beson se ky Panair mund t’i ndihmojë.
Në mesin e pjesëmarrësve të Forumit të Biznesit në Prizren është edhe Shoqata e Zejtarëve, Industrisë dhe Biznesmenëve të Anadollit (ANESİAD). Sekretari i Përgjithshëm i ANESIAD-it, Celal Eyinç tha se janë për herë të parë në Kosovë dhe janë të lumtur që po marrin pjesë në një organizim të këtillë.
“Turqia dhe Prizreni, Kosova, nuk dallojnë njëri nga tjetri. Kemi një të kaluar dhe trashëgimi kulturore të përbashkët. Prandaj, me njerëzit të cilët i kemi të afërt dëshirojmë sërish të afrohemi dhe të bëhemi bashkë, këtu në Prizren” tha Celal Eyinç.
Ai theksoi se ANESIAD-i si shoqatë e biznesmenëve, është i lidhur me shumë biznese të suksesshme që do t’i prezantojnë këtu në Kosovë dhe do të shikojnë mundësi të bashkëpunimit dhe pse jo, të investimeve në të ardhmen.
“Është kjo ardhja e jonë e parë në Kosovë dhe me kohë shpresojë se do të krijojmë lidhje të mira biznesi ndërmjet të anëtarëve të Shoqatës tonë dhe udhëheqësve vendor këtu, në mënyrë që të bëjmë punë të mira në të ardhmen. Megjithatë, kjo do të ndodh me kohë “ tha Eyinç.
Forumi i Biznesit në Prizren i cili u hap sot, është i dyti me radhë. Sipas organizatorëve, vitin e kaluar kishte 61 biznese pjesëmarrëse me 280 mysafirë të huaj, ndërsa sivjet ky numër është rritur dukshëm dhe ka 120 firma dhe shoqata të bizneseve, me 450 persona pjesëmarrës, në mesin e të cilëve janë 350 nga rajoni i Ballkanit, Turqia dhe Evropa.
Në kuadër të “Prizren Biznes Forum 2015” do të diskutohen mundësitë e investimeve në Zonën Industriale të Prizrenit e cila pritet të themelohet në një të ardhme të afërt dhe do të ketë edhe takime kokë më kokë, të bizneseve pjesëmarrëse në këtë panair i cili do të zgjasë deri të shtunën me 3 tetor. aa
Komentet