Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Tuz të Malësisë tregojnë për një fitore të plotë të koalicionit“ Forumi Shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve, Unionin Kombëtar Shqiptar dhe Lidhjen Demokratike në Mal të Zi.
Me mbi 51 për qind të votave të fituara, ky koalicion i forcave politike shqiptare siguroi 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit, i cili numëron 32 vende.
Dymbëdhjetë mandate i fitoi koalicioni “Rruga e Drejtë” i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Partia Boshnjake, Social Demokratët dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
Nga një mandat morën dy parti të vogla të spektrit politik malazez.
Numri i mandateve të fituara i siguron “Forumit Shqiptar” mundësinë që vet të themelojë qeverinë vendore
Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë mbi 66 për qind e të elektoratit, i cili numëron mbi 12.000 votues.
Statusi i komunës së pavarur, Tuzit iu rikthye në shtator të vitit 2018 duke e shkëputur atë nga kryeqyteti i Podgoricës. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat urbane të kryeqytetit.
Për gati dy dekada, kërkesa kryesore e forcave politike shqiptare, por edhe e diasporës, ishte pavarësia e plotë e komunës së Tuzit.
Në zgjedhjet e para të vitit 2019, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, e cila deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë urbane.