PRISHTINË – Forumi ekonomik Gjermano-Kosovar me seli në Berlin, më 27 nëntor 2015 do të organizojë një ndër ngjarjet më të mëdha ekonomike në Gjermani, panairin në të cilin pritet të prezantohen rreth 4500 ndërmarrje gjermane, ndërsa Kosovës në këtë ngjarje i janë rezervuar 15 shtande, ka bërë të ditur në konferencën e sotme për shtyp, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Gërxhaliut, Kosova në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane duhet të jetë e fokusuar, krahas integrimit politik edhe në integrim ekonomik dhe duhet punuar sa më tepër në internacionalizimin e ndërmarrësisë kosovare. Prandaj, ai konsideron se partneriteti me shtetin gjerman është i rëndësisë së veçantë dhe nuk duhet të analizohet vetëm nga dimensioni ekonomik por në shumë, në atë politikë, social, kulturor, edukativ, mbi të gjitha në aspektin strategjik, duke pasur parasysh fuqinë e zhvillimit ekonomik në Gjermani, që është fuqi botërore.
Bazuar në këtë, orientimi i ekonomisë kosovare drejt tregjeve të shteteve gjermano-folëse është prioritet dhe organizimi i këtij forumi është në funksion të kësaj, për më tepër që është një rast specifik për kompanitë kosovare.
“Për herë të parë do të jetë një forum në formë duale. Krahas takimeve do të ketë edhe mundësi për prezantim qoftë të produkteve apo shërbimeve kosovare. E bëjmë këtë sepse, si Odë Ekonomike e Kosovës, mendojmë që me kalimin e kohës duhet të kalohet nga orientimi i zhvillimit ekonomik drejt produktit, të jemi të orientuar drejt avancimit dhe rritjes së ofertës tonë në shërbimet e ndryshme. Besojmë se kjo formë do të jetë e rëndësisë së veçantë për sektorin provat kosovar” tha Gërxhaliu.
Ai theksoi edhe një detaj shumë të rëndësishëm, sa i përket 15 shtandeve që janë të përgatitura enkas për kompanitë kosovare, duke thënë se, duke pasur parasysh problemet ekonomike me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë, Forumi gjermano-kosovar pjesëmarrjen për kompanitë kosovare e ka bërë gratis.
Në këtë përfshihet vendosja, vendosja në salla, ushqimi (keteringu) gjatë panairit dhe përkthimi, që të gjitha këto të siguruara nga partneri gjerman. E vetmja pagesë që do të jetë është për kompanitë prodhuese apo shërbyese që do të dëshirojnë yë ekspozojnë në këtë panair.
Gërxhaliu e sheh këtë forum si rast për promovimin e vlerave të reja të Kosovës në Gjermani dhe mundësi që të avancohet partneriteti me kompanitë gjermane, në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të shikuar mundësi të krijimit të konsorcuimeve kosovaro-gjermane, për hyrje të përbashkët në tregjet e treta. Këtu rol të madh, sipa kryetarit të OEK-ut luan edhe diaspora kosovare.
“Janë çështjet që i kemi si prioritet: e para mobilizimi dhe angazhimi i diasporës kosovare që të jetë pjesë e këtyre proceseve, si një potencial dhe resurs i pashfrytëzuar. Ekzistojnë informatat që thonë se , vetëm në Gjermani, Austri dhe Zvicër, janë më tepër se 2,5 miliardë euro në pronësi të mërgatës shqiptare. Dhe a nuk qenka një mundësi e cila do të jetë në funksion të zhvillimit të Kosovës. E dyta, krahas rëndësisë dhe motivimit të diasporës duhet të punohet në përmirësimin e perceptimit negativ të krijuar për Kosovën dhe imazhit të Kosovës, karshi investitorëve dhe bizneseve në Gjermani” tha Gërxhaliu
Mysafiri nga Gjermania, Salim Abu Abed , sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Biznesit Gjermano-Kosovarë rikujtoi se , Asociacioni i Biznesit Gjermano-Kosovar në Berlin është themeluar në vitin 2013, me iniciativë të profesorit Fluger dhe me kryetar nderi Ëolfganag Ischinger, dy njerëz me reputacion të madh dhe miq të vërtet të Kosovës, me qëllim të përfarimit të interesave të dy shteteve mike, me theks të veçantë në bashkëpunim ekonomik.
“Qëllimi substancial i këtij përafrimi është që sa më tepër kompani nga Kosova të mund të depërtojnë në tregun e Gjermanisë por në të njëjtën kohë edhe kompanitë gjermane të cilat kanë produkte, t’i bartin në Kosovë dhe ato të krijojnë vende të reja të punës, do të thotë prodhimi në Kosovë të rritet” tha Salim Abu Abed.
Ai shtoi se, duke pasur parasysh nevojën për zgjerim të partneritetit dhe aktiviteteve, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda e Ekonomisë dhe Tregtisë Gjermane e ka parë të arsyeshme të organizojë një forum të përmasave të gjëra në Berlin, forum ky që nuk është vetëm forum në aspektin tradicional të tij por, edhe mundësi për prezantimin e produkteve dhe shërbimeve të kompanive kosovare, me qëllim që t’i sjellim në kontakt direkt kompanitë kosovare dhe ato gjermane.
Ai bëri të ditur se, në këtë forum do të marrin pjesë edhe dy ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës dhe ky do të jetë rast për përmirësimin e mëtejmë të imazhit jo të mirë të Kosovës, në Gjermani.
“Është e vërtet që në Gjermani ekziston nde një mendim dhe ëçasje jo aq e mirë për Kosovën. Kemi punuar shumë dy vitet e fundit në këtë drejtim që, këtë imazh të Kosovës ta ndryshojmë dhe në kuadër të kësaj kemi pasur më tepër se dhjetë delegacione me kompanitë dhe brendet më të mëdha gjermane, të cilat kanë vizituar Kosovën dhe kemi informacione nga dora e parë se përshtypjet janë përmirësuar” përfundoi Salim Abu Abed , sekretari gjeneral i Shoqatës së Biznesit Gjermano-Kosovarë.
Në fund, Safet Gërxhaliu theksoi se, në këtë forum synohet të ketë kompani kosovare që do të prezantohen nga sektorët e ndryshëm sikurse energjetika, ndërtimtaria dhe edukimi por, në veçanti, prioritet do të jetë promovimi i produkteve “made in Kosova” që mund të shfrytëzohen si një mundësi e depërtimit në tregun gjerman, një treg me 80 milion konsumatorë, një treg me një numër shumë të madh të diasporës dhe një treg i cili në vitin 2014 ka pasur një bilanc pozitiv tregtarë, me eksport prej 1143 miliardë euro. Sipas tij, kjo është një mundësi që ofrohet si një perspektivë për të ardhmen e produkteve dhe shërbimeve kosovare.
Për të gjitha kompanitë kosovare të cilat janë të interesuara për pjesëmarrje, Oda Ekonomike e Kosovës njofton se, ato duhet të lajmërohen për pjesëmarrje deri më 27 tetor dhe të jenë të përgatitura në aspektin e prezantimit, duke pasur profil të kompanisë dhe përshkrim të mirëfilltë të aktivitetit të tyre, ueb faqe ku mund të gjenden informatat të cilat do t’iu jepen partnerëve në Gjermani, një portofol të kompanisë i cili do të jetë i mundur të shitet si produkt. Po ashtu, nëse ka biznese që kanë ide dhe projekte konkrete, ato sugjerohen t’i sjellin me vete dhe t’i konkretizojnë gjatë qëndrimit në Gjermani.
Komentet