Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.
“Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.
Profesori në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, njëherësh njohës i zhvillimeve në Ballkan, Daniel Serwer, e pëlqen qasjen e saj: “Ajo ka plotësisht të drejtë kur dëshiron të ndryshojë theksin, nga zbatimi i një marrëveshjeje që nuk ekziston në diskutimet me miqtë e Kosovës se çfarë duhet të bëjë [Kosova] për të arritur aty ku synon”.
Edhe më pak premtues shihen muajt vijues deri te funksionalizimi i udhëheqjes së re të Bashkimit Evropian dhe i administratës së re amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit atje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u dërgoi një letër zyrtarëve evropianë, në të cilën konfirmoi se Serbia ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.
Asociacioni – temë e zvarritur për më shumë se një dekadë
Çështja e formimit të Asociacionit merr vëmendje të vazhdueshme që prej vitit 2013.
Palët kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për formimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.
Osmani tha se Kosova nuk po heziton ta dërgojë një draft të Perëndimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por se është kundër zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes.
Marrëveshja kërkon respektim të integritetit territorial të të dyja vendeve, dhe që Serbia të mos e kundërshtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar disa herë që Serbia as nuk do ta njohë shtetësinë e Kosovës, e as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve e Bashkuara.
Serwer beson se Kosova duhet ta formojë Asociacionin vetëm në fazat e fundit të dialogut, kur Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës, dhe që garancitë e sigurisë për Kosovën duhet të bëhen prej aleatëve nëpërmjet një dokumenti zyrtar, sepse shqetësohet se Beogradi mund ta keqpërdorë atë.
Reagimet e SHBA-së dhe BE-së për qasjen
Osmani tha se ka një vit që i ka nisur diskutimet me aleatët ndërkombëtarë në këtë drejtim, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.
As Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga NATO-ja pas kërkesës që t’i komentojë synimet e Kosovës.
Ndërkaq, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se pret që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog, pa vonesa dhe pa parakushte: “Për Kosovën, kjo përfshin themelimin e Asociacionit”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se zbatimi i marrëveshjes lidhet me rrugën e dy vendeve drejt anëtarësimit në BE, dhe se “është për keqardhje që është arritur aq pak përparim në përmbushjen e obligimeve”.
Dokumenti i marrëveshjes nuk është nënshkruar asnjëherë nga palët, por BE-ja insiston që ajo është obliguese, sipas të drejtës ndërkombëtare.
“Dialogu ka dështuar”
Serwer beson se duhet pranuar nga të gjithë se dialogu i Brukselit ka dështuar dhe se duhet ndryshuar agjendën dhe prioritetet, pasi dy vende fqinje duhet të bisedojnë me njëra-tjetrën.
I pyetur se si mund të ndryshojë dinamika e dialogut pas janarit, kur në SHBA merr detyrën presidenti i ri, ai tha se njohuritë paraprake të zyrtarëve të rinj për Ballkanin nuk janë të domosdoshme për sukses.
“Kam këshilluar shumë ambasadorë amerikanë që janë nisur drejt Ballkanit, disa prej të cilëve nuk janë marrë asnjëherë me rajonin dhe ia kanë dalë shumë mirë. Nuk marr asnjë përgjegjësi për këshillimin e individëve që kanë dështuar. Ata kanë biseduar me mua, por nuk i kanë ndjekur këshillat e mia”.