VOAL

VOAL

Forcat ukrainase godasin vend-komandon ruse, humbin jetën 2 gjeneralë të Putinit në Kherson

April 23, 2022

Komentet

Franca përshpejton dërgesat e armëve në Ukrainë

Franca po përshpejton dërgimin e pajisjeve ushtarake dhe municioneve në Ukrainë pasi ndihma e SHBA-se mbetet e pezulluar, tha ministri i Mbrojtjes Sébastien Lecornu në një intervistë për “La Tribune Dimanche”.

Për të përshpejtuar mbështetjen, ushtria franceze po transferon pajisje më të vjetra, duke përfshirë tanke AMX-10RC dhe transportues të blinduar të personelit.

Për më tepër, Franca do të ndajë një paketë të re ndihme prej 195 milion euro (211 milion dollarë) këtë vit, e financuar nga interesi nga asetet e ngrira ruse.

Paketa do të sigurojë predha artilerie 155 milimetra dhe raketa AASM, të cilat përdoren nga avionët luftarakë “Mirage 2000” që Franca filloi t’i furnizonte Ukrainës në shkurt. sn

Arrihet marrëveshja për qeverinë në Gjermani

Friedrich Merz shpall marrëveshjen në parim midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve – Refuzohen të huajt pa dokumente, paga minimale 15 euro, qindra miliarda për riarmatim dhe infrastrukturë

VOAL- Friedrich Merz, kreu i Unionit Kristian Demokrat të Gjermanisë (CDU), tha se konservatorët nga partia e tij dhe aleati i saj bavarez, Unioni Kristian Social (CSU) dhe Partia Social Demokratike (SPD) kishin arritur një marrëveshje në parim për të formuar një qeveri që do të investonte shumë në ringjalljen dhe riarmatimin e ekonomisë më të madhe të Evropës.

“Ne kemi hartuar një dokument të përbashkët dhe kemi arritur marrëveshje për një sërë çështjesh,” u tha gazetarëve kancelarja e ardhshme konservatore, duke shtuar se partnerët ka të ngjarë të fillojnë negociatat e detajuara javën e ardhshme që do të çojnë në formimin e një qeverie të re. “Ne të gjithë jemi të bindur se kemi një detyrë të madhe përpara nesh” përballë “sfidave me të cilat Europa në tërësi duhet të përballet,” tha Merz.

Në detaje, të dy palët ia kanë dalë të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre për migracionin, tha Merz. SPD ka pranuar një propozim të diskutueshëm nga konservatorët për të forcuar kontrollet kufitare “në marrëveshje me partnerët evropianë” dhe për të larguar të huajt pa dokumente. Social Demokratët, nga ana e tyre, kanë shtyrë përpara kërkesën e tyre për të rritur pagën minimale në 15 euro, tha Klingbeil.

Më parë këtë javë, partnerët ranë dakord për një program gjigant investimi prej disa qindra miliardë eurosh për riarmatimin dhe infrastrukturën.

Diskutimet për formimin e një qeverie të re po ndiqen nga afër nga fqinjët e Evropës, të cilët presin që Gjermania, e cila ka qenë nën sundimin e SHBA që nga lufta, të luajë një rol më të madh në siguri dhe mbrojtje, në një kohë kur kontinenti po lëviz për të reduktuar varësinë e tij nga Shtetet e Bashkuara të Presidentit Donald Trump. Agjencitë e lajmeve/ RSI

Zelensky thotë se qëllimi i Rusisë “nuk ka ndryshuar”, pas bombardimeve vdekjeprurëse në Ukrainë

Një ndërtesë banimi në rajonin e Donjeckut, Ukrainë, digjet pas sulmeve ajrore vdekjeprurëse të Rusisë gjatë natës.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se bombardimet vdekjeprurëse të Rusisë në ditët e fundit, tregojnë se synimet e luftës së Moskës “nuk kanë ndryshuar”, prandaj bëri thirrje për sanksione të reja.

“Sulmet e tilla tregojnë se synimet e Rusisë janë të pandryshuara”, shkroi Zelensky në Telegram të shtunën.

“Prandaj, është shumë e rëndësishme të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur jetën, për ta forcuar mbrojtjen tonë ajrore dhe për t’i rritur sanksionet kundër Rusisë”, shtoi ai.

Të paktën 20 njerëz u vranë si pasojë e sulmeve ajrore ruse gjatë natës në Ukrainën lindore, sipas zyrtarëve ukrainas.

Një ditë më herët, Rusia kreu një sulm masiv me raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës energjetike dhe gazin në disa rajone të Ukrainës.

Pas sulmit ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se do të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë, e cila e nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.

Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte.

Zelensky u ka kërkuar ditëve të fundit aleatëve të tij që t’i bëjnë trysni Rusisë për ta përfunduar luftën, me një armëpushim ajror dhe detar si hapi i parë.

Në një fjalim më 7 mars para sulmeve të fundit të Rusisë, Zelensky tha se Ukraina dëshiron paqe “sa më shpejt që është e mundur dhe është e vendosur të jetë shumë konstruktive”.

“Tema është e qartë: paqe sa më shpejt, siguri sa më të besueshme”, tha ai.

Trump nuk dha hollësi rreth masave të mundshme ndaj Rusisë. Ai kishte folur disa ditë pas inaugurimit të tij më 20 janar për mundësinë e përdorimit të “taksave, tarifave dhe sanksioneve” për ta shtyrë Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve, por nuk janë ndërmarrë masa të reja.

Duk folur në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë më 7 mars, Trump tha se ai beson se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron paqe, por sugjeroi se ai do të donte garanci më të forta nga Kievi.

“Mendoj se të dyja palët duan që kjo të zgjidhet”, tha ai, por “e shoh më të vështirë, sinqerisht, të bashkëpunoj me Ukrainën, dhe ata nuk janë në pozitë të fuqishme”.

Trump e mbrojti vendimin e tij këtë javë për ta pezulluar ndihmën ushtarake për Kievin dhe për të kufizuar ndarjen e informatave të inteligjent me Ukrainën, duke thënë: “Duhet të di se ata duan ta zgjidhin këtë. Nëse nuk duan ta zgjidhin, ne largohemi”.

“Ukraina duhet të veprojë dhe ta bëjë punën e vet”, tha ai.

Pavarësisht tensioneve, një delegacion nga Ukraina do të udhëtojë në Arabi Saudite javën e ardhshme për t’i takuar zyrtarët amerikanë me qëllimin për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje paqeje.

Në ngjarjen e Shtëpisë së Bardhë me Trump më 7 mars, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, tha se ai dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të takohen me delegacionin ukrainas në Arabi Saudite.

Waltz tha se mendon se Shtetet e Bashkuara “do t’i kthejnë gjërat në binarë me Ukrainën”.

BE-ja thotë se Serbia po e shkel Marrëveshjen me Kosovën me sjelljen e saj në KiE

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.

Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.

I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha të premten se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.

“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Serbia, në disa raste në të kaluarën, ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian qartë thotë se ajo nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe duhet të zbatohet në tërësi.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe Asociacioni është obligim për Kosovën nga kjo Marrëveshje.

Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë lidere në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.

Udhëheqësit opozitarë ukrainas kundër mbajtjes së zgjedhjeve gjatë luftës

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësit opozitarë ukrainas, Petro Poroshenko dhe Yulia Tymoshenko, kanë refuzuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në vend gjatë pushtimit rus të Ukrainës, pasi raportimet e mediave sugjeruan se zyrtarët amerikanë i kishin kontaktuar ata me këtë ide.

Poroshenko, ish-president, dhe Tymoshenko, ish-kryeministre – njëherësh figurat opozitare më me ndikim në Ukrainë – thanë më 6 mars se zgjedhjet duhet të mbahen vetëm pasi të arrihet paqja.

Përmes një deklarimi me shkrim të publikuar në rrjetet sociale, Poroshenko e pranoi se ekipi i tij ka kontaktuar me “partnerët” amerikanë, por “thelbi i bisedimeve me përfaqësuesit e palës amerikane gjithmonë janë reduktuar gjithmonë në dy parime: siguria e para dhe paqja përmes forcës”.

“Ekipi ynë gjithmonë ka qenë në mënyrë kategorike kundër zgjedhjeve gjatë luftës”, shtoi ai.

Kostiantyn Yelisieiev, ish-diplomat ukrainas dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Poroshenkos, i tha Radios Evropa e Lirë se ish-presidenti dhe ekipi i tij janë “ndërmjetës të rëndësishëm” dhe ata “mbajnë kontakte me shumë njerëz nga e mbarë bota”, pavarësisht përpjekjeve të supozuara nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që t’i largojë ata nga “skena politike e Ukrainës”.

“Mendoj se qëllimi ynë është që ta mbajmë Ukrainën në agjendën e dy partive”, tha ai, duke shtuar se ekipi i Poroshenkos mban kontakte me Partinë Demokratike dhe Republikane në Uashington.

“Ne nuk kërkojmë zgjedhje të parakohshme, pasi qëllimi ynë kryesor është që të sigurojmë që çdo zgjedhje që do të mbahen të jenë të lira dhe të drejta, në përputhje me standardet evropiane”.

Tymoshenko, ndërkaq, tha se ekipi i saj po “bisedon me të gjithë aleatët tanë që mund të na ndihmojmë të arrijmë paqe të drejtë sa më shpejt që të jetë e mundur” dhe shtoi se “nuk mund të ketë biseda” për zgjedhje para se të arrihet paqja.

Këto deklarata u bënë pasi Politico raportoi se katër zyrtarë të lartë të ekipit të presidentit amerikan, Donald Trump, janë takuar me Poroshenkon dhe Tymoshenkon për “bisedime sekrete” lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve.

Diskutimet u përqendruan nëse Ukraina duhet të mbajë shpejtë zgjedhje presidenciale, raportoi kjo media.

Në shkurt, Trump e quajti Zelenskyn “diktator pa zgjedhje” për shkak të mosmbajtjes së zgjedhjeve që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po ashtu kanë përmendur mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë si pjesë e një procesi të paqes, në mes të bisedimeve që po vazhdojnë mes Uashingtonit dhe Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se nuk mund të ketë bisedime të paqes me Ukrainën, pasi sipas tij, Zelensky nuk është udhëheqësi legjitim i shtetit për shkak e mandati i tij ishte paraparë të përfundonte në maj të vitit 2024.

Megjithatë, sipas Kushtetutës ukrainase, Zelensky duhet të qëndrojë si president pasi vendi ka shpallur gjendje lufte pas nisjes së pushtimit. Këtë pikë ligjvënësit ukrainas e kanë përmendur kur miratuan një rezolutë në mbështetje të Zelenskyt më 25 shkurt.

Zyrtarët ukrainas vazhdimisht kanë theksuar se për arsye praktike, por edhe të sigurisë dhe ato ligjore, vendi nuk mund të mbajë zgjedhje në kohë lufte.

Lech Wałęsa i shkruan Trumpit: Ndjeva tmerr dhe neveri pas debatit tuaj me Zelenskyn

Ish-presidenti polak dhe fituesi i çmimit Nobel për paqen, Lech Wałęsa i ka dërguar një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump duke shprehur “tmerrin dhe neverinë” për debatin e tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Letra, e nënshkruar nga Wałęsa dhe më shumë se 30 ish-të burgosur politikë polakë gjatë epokës komuniste, thoshte se kërkesat e Trump dhe nënpresidentit të tij që Zelenskyy të tregojë mirënjohje ishin “fyese” përballë luftës së vendit ukrainas për liri.

“Atmosfera në Zyrën Ovale na kujtoi atë që ne e mbajmë mend mirë nga marrja në pyetje” nga shërbimet sekrete komuniste të Polonisë dhe gjykatat e regjimit, thanë nënshkruesit.

“Prokurorët dhe gjyqtarët, që punonin në emër të policisë së plotfuqishme të Partisë Komuniste, na thoshin gjithashtu se ata i kishin të gjitha kartat dhe ne asgjë”, thanë ata. “Jemi të shokuar që ju e trajtuat Volodymyr Zelenskyy në të njëjtën mënyrë” – shkruajnë ata.

Wałęsa, i cili fitoi çmimin Nobel për paqe në vitin 1983, udhëhoqi lëvizjen pro-demokracisë “Solidarnos” që çoi në rënien e komunizmit në Poloni dhe frymëzoi vendet e tjera për të hequr dominimin e Moskës. Ai shërbeu si presidenti i parë demokratik i Polonisë i zgjedhur nga populli nga 1990-1995.

Nënshkrues të tjerë të letrës janë Adam Michnik, Bogdan Lis, Seweryn Blumsztajn dhe Władysław Frasyniuk. Ambasada e SHBA në Varshavë i tha Reuters se pyetjet mbi letrën duhet t’i drejtohen zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të dërguar me email nga “The Guardian” për një koment.Tema

Zelensky: Është e mundur të riparohen marrëdhëniet me SHBA – të nënshkruhet marrëveshja për mineralet

VOA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të dielën se vendi i tij është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet e rralla me Shtetet e Bashkuara dhe se beson që mund të shpëtojë marrëdhëniet me Presidentin amerikan Donald Trump.

Në një konferencë për shtypin pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Britani, zoti Zelensky tha se mendon që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithashtu të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen e mineraleve, por mund të “duhet kohë për të analizuar disa gjëra”.

Të dyja palët pritej të nënshkruanin një marrëveshje javën e kaluar gjatë një vizite të zotit Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, por marrëveshja u prish pas shkëmbimeve të ashpra gjatë një takimi me Presidentin Trump dhe nënpresidentin JD Vance.

Presidenti Zelensky tha të dielën se Ukraina mbështetet në ndihmën e Shteteve të Bashkuara në luftën e saj kundër Rusisë.

“Unë mendoj se ndalimi i një ndihme të tillë vetëm do të ndihmojë (Presidentin rus Vladimir) Putin”, tha zoti Zelensky. “Dhe për shkak të kësaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe përfaqësuesit e botës së qytetëruar, udhëheqësit e kësaj bote, definitivisht nuk do ta ndihmojnë Putinin”.

Presidenti Trump e quajti zotin Zelensky mosmirënjohës gjatë takimit të tyre të së premtes dhe ka kërkuar marrëveshjen për mineralet si një mënyrë për të rimbursuar Shtetet e Bashkuara për miliarda dollarë ndihma që i kanë dhënë Ukrainës.

Presidenti Trump ka theksuar nevojën për t’i dhënë fund luftës dhe ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vladimir Putinin, përveç zyrtarëve të lartë amerikanë që u takuan me zyrtarët rusë në Arabinë Saudite, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme paqeje, pa përfshirë zyrtarë ukrainas në bisedime.

“Ne duhet të shpenzojmë më pak kohë duke u shqetësuar për Putinin dhe më shumë kohë duke u shqetësuar për bandat e emigrantëve përdhunues, bosët e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet mendore që hyjnë në vendin tonë, në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa!”, shkroi Presidenti Trump të dielën në platformën e tij “Truth Social”.

Kjo pasoi bisedimet e së dielës në Londër, gjatë të cilave Kryeministri britanik Keir Starmer u tha 18 aleatëve se me Shtetet e Bashkuara të lëkundura në mbështetjen e tyre për Ukrainën, Evropa e gjen veten “në një udhëkryq historik”.

“Ky nuk është një çast për më shumë biseda – është koha për të vepruar. Është koha për t’u ngritur, udhëhequr dhe bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Kryeministri Starmer.

Udhëheqësi britanik tha se pa një garanci për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara për të vepruar si një mbështetje për forcat e mundshme paqeruajtëse, “Evropa duhet të marrë përsipër barrën e rëndë” për të siguruar paqen në Ukrainë. Ai tha se kishte një “koalicion të të vullnetshmëve” të gatshëm për të ndihmuar në mbrojtjen e çfarëdo armëpushimi.

Ndërkohë, këshilltari i Presidentit Tump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, duke folur për zotin Zelensky i tha emisionit “State of the Union” të rrjetit CNN të dielën se “ajo që nuk ishte e qartë për ne ishte nëse ai ndante qëllimin tonë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Nuk ishte e qartë se ai ishte gati të shkonte drejt paqes”.

Ndryshe nga Uashingtoni, zoti Zelensky u prit ngrohtësisht në takimin Londrës nga shumë prej udhëheqësve të shteteve evropiane, së bashku me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe shefin e NATO-s Mark Rutte. Mbështetësit e zotit Zelensky u mblodhën jashtë rezidencës së zotit Starmer në mbështetje të Ukrainës.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi se “ne duhet urgjentisht të riarmatosim Evropën” dhe “të përgatitemi për më të keqen” në kontinent.

Kryeministri polak Donald Tusk, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës që të “flasin me një zë” për t’i treguar presidentit rus Vladimir Putin “se Perëndimi nuk ka ndërmend të kapitullojë para shantazhit dhe agresionit të tij”.

Të dielën zoti Zelenskyy u takua me mbretin Charles në rezidencën e tij private në Sandringham.

Kremlini tha të dielën se ndryshimi dramatik i qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj politikës së jashtme të Evropës ndaj Rusisë, është kryesisht në përputhje me pikëpamjen e Moskës.

“Administrata e re po ndryshon me shpejtësi të gjitha konfigurimet e politikës së jashtme. Kjo përkon kryesisht me pikëvështrimin tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një intervistë me televizionin shtetëror rus, që u regjistrua të mërkurën e kaluar.

Asnjë negociatë paqeje nuk është planifikuar.

Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, tha se përfundimisht Rusia dhe Ukraina do të duhet të bëjnë lëshime negociuese për të arritur një marrëveshje paqeje. “Do të ketë nga të gjitha llojet e karotave dhe shkopinjve për ta bërë këtë”, tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, theksoi gjithashtu rëndësinë që të dyja palët të ulen në tryezën e bisedimeve.

“Ne po përpiqemi t’i japim fund luftës”, tha sekretari Rubio. “Ju nuk mund t’i jepni fund një lufte nëse të dyja palët nuk ulen në tryezë, duke filluar nga rusët. Dhe kjo është çështja ku e ka vënë theksin presidenti”.

Kryeministri Starmer tha se Britania, Franca dhe Ukraina kanë rënë dakord të punojnë për një plan armëpushimi për t’ia paraqitur Shteteve të Bashkuara. Disa vende evropiane kanë thënë se janë të gatshëm të dërgojnë trupa paqeruajtëse në Ukrainë për të ndihmuar në zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje, por kanë nevojë që Shtetet e Bashkuara të sigurojnë mbështetje ushtarake rezervë për t’u përballur me Rusinë, në rast se Putini bie dakord për një armëpushim dhe më pas e shkel atë ose fillon një agresion të ri.

Presidenti Trump ka refuzuar ofrimin e një mbështetjeje të tillë nga Shtetet e Bashkuara dhe tha se i beson Putinit se do të respektojë çdo zgjidhje për të cilën ai pajtohet.

Kryeministri Starmer tha se ai nuk i beson Putinit, por i beson Presidentit Trump.

“A i besoj Donald Trumpit kur thotë se dëshiron paqe të qëndrueshme? Përgjigja për këtë është po”, tha ai.

Zoti Starmer tha se ka “diskutime të ngjeshura” për një garanci sigurie nga SHBA-ja si një nga disa komponentët për një paqe të qëndrueshme.

“Nëse do të ketë një marrëveshje, nëse do të ketë një ndalim të luftimeve, atëherë ajo marrëveshje duhet të mbrohet, sepse më e keqja nga të gjitha rezultatet është një pauzë e përkohshme dhe pastaj Putini vepron sërish”, tha Kryeministri Starmer. “Kjo ka ndodhur në të kaluarën, mendoj se është një rrezik real dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurohemi që nëse ka një marrëveshje, ajo të jetë e qëndrueshme, jo një pauzë e përkohshme”.

*Disa pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

Merzi sinjalizon “pavarësi” nga SHBA-ja dhe shpreh shqetësim për NATO-n

Radio Evropa e Lirë

Kancelari i pritshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha se do të kërkojë “pavarësi” të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shprehu dyshime për të ardhmen e NATO-s.

“Për mua, prioritet absolut do të jetë forcimi i Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që, hap pas hapi, të mund ta arrijmë pavarësinë nga SHBA-ja” në çështje të mbrojtjes, tha Merz të dielën vonë, pasi aleanca e tij CDU/CSU doli e para në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë.

Ai tha se nuk ka “fare iluzione për atë që po vjen nga Amerika”.

“Pas deklaratave të [presidentit amerikan] Donald Trump javën e kaluar, është e qartë se amerikanët janë kryesisht indiferentë ndaj fatit të Evropës”, tha Merz.

“Jam shumë kurioz të shoh se si do të shkojmë drejt samitit të NATO-s në fund të qershorit – nëse do të flasim ende për NATO-n në formën e saj aktuale, ose nëse do të na duhet të krijojmë një kapacitet të pavarur mbrojtës në Evropë shumë më shpejt”, shtoi ai.

Trump i tronditi aleatët tradicionalë të Amerikës në Evropë me gatishmërinë e tij për të rifilluar marrëdhëniet diplomatike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë.

Kjo shkaktoi shqetësime se Evropa apo edhe vetë Kievi do të mund të mënjanohen nga ky proces.

Trump, gjithashtu, është ankuar se vendet evropiane nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre dhe shpesh ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjate të vetë NATO-s.

Në komentet e tij paszgjedhore, Merz tha: “Ndërhyrjet nga Uashingtoni nuk ishin më pak dramatike dhe drastike sesa ndërhyrjet që kemi parë nga Moska”.

Ai iu referua kështu deklaratave të aleatit të Trumpit, Elon Musk, përpara zgjedhjeve, në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

“Ne jemi nën një presion aq të madh nga të dyja palët, saqë prioriteti im absolut tani është krijimi i unitetit në Evropë”, tha Merz.

Në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të Gjermanisë në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca e tij, CDU/CSU, doli e para me 28.5 për qind të votave, por jo të mjaftueshme për të formuar e vetme qeverinë.

AfD-ja doli e dyta, por Merz e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të.

Sondazhet: Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet në Gjermani, AfD-ja rritet bindshëm

Radio Evropa e Lirë

Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës për Qeverinë e re federale, me 28.5 – 29 për qind të votave, sipas sondazheve të para televizive.

Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5 – 20 për qind të votave, që do të thotë se e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.

Sipas tyre, partia e kancelarit Olaf Scholz renditet e treta.

Merz lavdëron “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”

Nëse rezultatet e sondazheve do të vërtetohen, Merz duket se do të jetë kancelari i ri i Gjermanisë, vendit me ekonominë më të madhe në Evropë.

Mirëpo, për të siguruar shumicën në parlament, atij do t’i duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti tjetër, me shumë mundësi me Socialdemokratët (SPD) e kancelarit në shkuarje, Olaf Scholz.

Merz u është drejtuar mbështesëve nga selia e partisë, duke lavdëruar “fushatën e mrekullueshme zgjedhore”, dhe ka folur me “respekt për kundërshtarët politikë”.

“Tani do të diskutojmë së bashku, sepse është e rëndësishme të formojmë Qeverinë sa më shpejt që është e mundur. Bota nuk është duke na pritur neve”.

Sipas tij, të gjithë në botë duhet të shohin që Gjermania ka një Qeveri të qëndrueshme dhe të besueshme.

“Sonte do të festojmë, nesër do ta nisim punën”.

Scholz: Na duhet ta pranojmë që humbëm zgjedhjet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është i “hidhur” për partinë e tij, SPD, duke e quajtur situatën “humbje”.

SPD-ja duket se ka regjistruar atë që është rezultati më i dobët në Gjermaninë e pasluftës, me rreth 16 – 16.5 për qind.

Duke folur para mbështetësve në Berlin, Scholz ka thënë se është koha që “të pranojmë se kemi humbur zgjedhjet”.

Sipas tij, partia ka pasur rezultate më të mira në zgjedhjet e kaluara, për të cilat ka qenë përgjegjës ai, dhe që rezultati tani është “më i keq, dhe për këtë jam përgjegjës, gjithashtu”.

Scholz e ka uruar Friedrich Merzin për fitoren.

Liderët e AfD-së: Kemi mandat për të bërë ndryshim politik

Rritja e AfD-së, parti kundër imigrimit, është rezultat i zemërimit publik rreth çështjeve të migrimit dhe sigurisë, pas një morie të sulmeve të kryera nga migrantët, dhe pas shqetësimeve për dobësim të ekonomisë.

Pavarësisht kësaj, AfD pritet të mbetet jashtë pushtetit, tani për tani, sepse të gjitha partitë tjera kanë refuzuar të bashkëpunojnë me të.

Liderët e AfD-së kanë thënë se janë shumë të lumtur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Njëri prej udhëheqësve, Tino Chrupalla, ka thënë se është “shumë krenar” me partinë.

“Ne ishim të bashkuar, fushata jonë ka pasur cak dhe kemi qenë të disiplinuar”, ka thënë ai, duke qenë afër Alice Weidelit, udhëheqëses tjetër të partisë.

“Ne mund të bëjmë ndryshim epokal”, ka thënë ai, duke shtuar se janë të hapur për negociata.

“Ne kemi fituar besimin e votuesve dhe kjo duhet të jetë diçka që e pranojnë të gjithë”, ka shtuar ai.

Të Gjelbërit, një tjetër partnere e mundshme për CDU/CSU, duket se ka siguruar 12-13.5 për qind të votave.

Në këto zgjedhje kanë pasur të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë.

Zgjedhjet janë mbajtur pas prishjes së koalicionit trepartiak të Scholzit, në fund të vitit të kaluar.

Gjermanët zgjedhin sot qeverinë e re- Friedrich Merz i CDU-së drejt fitores si kancelar

Një rënie ekonomike, një krizë emigrimi dhe heqja e një mbështetjeje sigurie që është ofruar për dekada nga aleati më i fuqishëm i Gjermanisë, SHBA-së janë në mendjet e zgjedhësve gjermanë ndërsa ata do të votojnë në zgjedhjet parlamentare kombëtare të dielën.

Zgjedhjet e përgjithshme të Bundestagut, dhomës së ulët të parlamentit të Gjermanisë, nuk pritej të zhvilloheshin deri në shtator të këtij viti.

Por, më 6 nëntor, vetëm një ditë pasi votuesit amerikanë ia besuan Donald Trumpit një mandat të dytë presidencial, kancelari gjerman, Olaf Scholz shkarkoi ministrin e Financave, Wolfgang Schauble pas muajsh grindjesh mbi mënyrën se si po rifuqizonte ekonominë gjermane, duke çuar në rrëzimin e qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholzit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Katër kandidatë po konkurrojnë për të qenë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë – kush janë ata?

Të dhënat më të fundit të sondazheve tregojnë që Social Demokratët e Scholzit janë në vendin e tretë mes zgjedhësve me 16 për qind, pas partisë së krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 20 për qind dhe Unionit Kristian Demokrat (CDU) së bashku me partinë e saj bavariane CSU me 29 për qind mbështetje, transmeton Telegrafi.

CDU pritet të dalë si fituesi më i madh i votave dhe kështu të ketë mundësinë të formojë një qeveri koalicioni me një ose dy parti të tjera.

Duke qenë se të gjitha partitë kryesore të Gjermanisë kanë premtuar se nuk do të qeverisin me AfD, e cila është nën mbikëqyrje të brendshme për kërcënimin që i bën demokracisë gjermane, kandidati i CDU-së për kancelar, Friedrich Merz, mund të ketë vështirësi në krijimin e një qeverie koalicioni, shkruan npr.

‘Unë jam thjesht e shqetësuar se pas zgjedhjeve mund të duhen ndoshta dy muaj për të formuar një qeveri koalicioni’, thotë Jana Puglierin, drejtoreshë e zyrës së Berlinit në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme.

‘Pasi koalicioni të formohet, ata duhet të hartojnë një buxhet. Dhe nëse kemi shumë fat, të gjithë këto do të bëhen para pushimeve verore të parlamentit’, shtoi ajo.

Kjo periudhë e mundshme e vonuar e formimit të qeverisë gjermane shqetëson vëzhguesit për shkak të urgjencës që ka qeveria e ardhshme për të trajtuar krizat e shumta që po përballon ekonomia më e madhe e Evropës.

Këtu përfshihen një recesion ekonomik, një debat kombëtar mbi migracionin dhe, ndoshta më e rëndësishmja, si të menaxhohet një rend i ri global i sigurisë tani që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump duket se po bashkëpunon me Rusinë për të përfunduar luftën e Moskës në Ukrainë, pa ftuar Evropën ose Ukrainën në tryezën e negociatave.

Cila do parti që të formojë qeverinë e ardhshme të koalicionit në Berlin, Merz mbetet pasardhësi i mundshëm i Scholzit. Ai është një konservator 69-vjeçar që vjen nga një familje avokatësh. Përveç se ka shërbyer si deputet i CDU-së, Merz ka punuar gjithashtu si avokat korporatash dhe si anëtar i bordit mbikëqyrës të degës gjermane të Blackrock, kompanisë më të madhe të menaxhimit të aseteve në botë.

Kolegu i Merzit, Norbert Rottgen, i cili gjithashtu shërben si deputet i CDU-së në parlamentin e Gjermanisë, thotë se 69-vjeçari është një politikan me bindje të forta. Rottgen e njeh Merzin për më shumë se 30 vjet. Ata kanë hyrë në parlament së bashku dhe kanë punuar krah për krah gjatë qeverive të ndryshme.

Ai thotë se Merzi beson në ‘shoqëri konservatore, vlera tradicionale dhe ka bindje të forta se tregjet e lira i shërbejnë popullit. Dhe ai është një transatlantik i thellë dhe pro-europian’.

Rottgen thotë se bindjet e Merzit do të jenë të dobishme pasi Gjermania përballet me vendime të vështira pas sinjalizimeve të SHBA-së për ndryshimin e mënyrës sesi e shohin aleatët e saj evropianë.

Administrata e re amerikane nuk ka ndihmuar në ndërtimin e një rruge të bashkuar për Evropën mbi Ukrainën, thotë Puglierin.

‘Mendoj se Merz, nga natyra, do të ishte më i hapur për të mbështetur Ukrainën më vendosmërisht’, thotë Puglierin dhe shton ‘por, ai duhet të punojë brenda një kuadri. Do të kufizohet nga partneri i koalicionit, por edhe nga populli gjerman’.

Pas bisedimeve për koalicionin dhe trajtimit të një buxheti që administrata Scholzit e la të papërfunduar, mund të kalojnë muaj të tërë që Merz të ketë mundësi të lërë shenjë në Gjermani, thotë Puglierin.

Megjithatë, shenja se si ai do të udhëheqë kanë dalë javët e fundit, pasi Merz u përball me probleme brenda partisë së tij kur ra dakord të bashkëpunonte me AfD-në në fund të muajit të kaluar për të kaluar një propozim që do të ashpërsonte politikën e imigracionit të Gjermanisë. Propozimi dështoi pas kundërshtimeve të forta ndaj Merzit për faktin se ra dakord të punonte me një parti që shihet nga partitë kryesore politike si anti-demokratike.

Votuesja Ute Wolters, arkitekte 64-vjeçare nga Lower Saxony, është e shqetësuar për mundësinë e udhëheqjes së Merzit.

‘Ai thotë se është në nivelin e detyrës, dhe e dimë që është një biznesmen i mirë, por jam e shqetësuar se ai mund të kthehet nga premtimi për të mos hyrë kurrë në një qeveri koalicioni me AfD-në’, thotë ajo, duke iu referuar premtimeve të përsëritura që ai ka bërë gjatë fushatës.

Një tjetër votues, Ulrich Hinz, biznesmen i pensionuar 74-vjeçar nga Frankfurt, mendon se perspektiva pro-evropiane e Merzit mund të ndihmojë në një moment kaq të vështirë Gjermaninë.

‘Na duhet një kancelar dhe një qeveri që është më evropiane dhe një që mund të marrë vesh më mirë me francezët, italianët dhe polakët’, thotë ai.

‘Kjo është mënyra e vetme se si mund të mbetemi në nivel me Kinën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara’, shtoi biznesmeni.

Ndryshe, Gjermania ka një sistem zgjedhor proporcional të përzier. Votuesit kanë dy vota: vota e parë përdoret për të zgjedhur drejtpërdrejt një kandidat në zonën e tyre elektorale duke përdorur sistemin ‘fituesi merr gjithçka’ (first-past-the-post), ndërsa vota e dytë është për listën zgjedhore të një partie.

Për të hyrë në Bundestag, një parti duhet ose të marrë pesë për qind të votave të dyta në shkallë kombëtare ose të fitojë tre zona elektorale përmes votave të para – duke kaluar pragun zgjedhor. Në secilin rast, partia hyn në Bundestag dhe merr mandate në përpjesëtim me pjesën e saj të votave të dyta në shkallë kombëtare. Partitë që përfaqësojnë pakicat e njohura, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet federale, aktualisht vetëm SSW, janë të përjashtuara nga pragu.

Fillimisht, në shpërndarjen e përgjithshme, të gjitha 630 vendet (përveç atyre të fituara nga kandidatët e pavarur) ndahen në mënyrë proporcionale në nivel federal për partitë që e kalojnë pragun dhe më pas brenda secilës parti për kandidatët në çdo land.

Të dyja llogaritjet bëhen duke përdorur metodën Webster/Sainte-Lague. Numri i zonave elektorale të fituara nga secila parti në secilin land zbritet nga shpërndarja e saj për të arritur në numrin përfundimtar të mandateve të listës. Mandatet e listës që i takojnë secilës parti shpërndahen sipas listave të mbyllura të hartuara nga vetë partitë brenda secilit land.

Kandidatët e pavarur zgjidhen nëse marrin shumicën e votave në zonën e tyre elektorale. Votat e dyta në fletët e votimit ku një kandidat i pavarur fiton votën e parë nuk merren parasysh në shpërndarjen proporcionale të mandateve për të ruajtur barazinë e votuesve. Megjithatë, këto vota numërohen për të përcaktuar nëse një parti ka kaluar pragun prej 5 për qind. sn

Eurodeputetët kërkojnë që Kosova të mos mbetet zonë gri në integrimin evropian

Radio Evropa e Lirë

Shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian që morën pjesë në diskutimet rreth draft-raporteve për Kosovën dhe Serbinë, kërkuan që Bashkimi Evropian ta qartësojë procesin e integrimit të Kosovës, në mënyrë që ky vend të mos mbetet një zonë gri në hartën e Evropës.

Të enjten, në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së, raportuesi për Kosovën, Riho Terras, paraqiti draft-raportin e tij vjetor për situatën në Kosovë dhe përparimin e saj drejt BE-së.

Gjatë debatit u shpreh pritja që Kosova ta konstituojë sa më shpejt Kuvendin, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, dhe ta formojë Qeverinë.

Ndërsa u kritikua mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, prej saj u kërkua që ta mbajë fokusin në rajon, sidomos në Kosovë, në kohën e, siç u tha, rrethanave sfiduese në Evropë dhe në botë.

Raportuesi Terras tha se pret që BE-ja të marrë rol më aktiv në Ballkanin Perëndimor dhe që Komisioni i ri Evropian dhe përfaqësuesja e lartë e tij, Kaja Kallas, të jenë në krye të këtij angazhimi.

Ai tha se BE-ja duhet t’i heqë masat ndaj Kosovës – që u ndërmorën në vitin 2023, për shkak të situatës së tensionuar në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe – sepse ato, sipas tij, nuk janë korrekte.

Terras kërkoi që edhe pesë vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidate për anëtarësim në këtë bllok.

Raportuesi në hije nga Grupi Socialist dhe Demokrat, Elio Di Rupo, i cili ishte edhe vëzhgues i zgjedhje në Kosovë, tha se procesi ishte i një cilësie të lartë, me standarde të larta.

Ai tha se mediat në Kosovë janë duke u përballur me sfida dhe se duhet të ketë më shumë përparim edhe në luftën kundër korrupsionit.

Di Rupo tha se raportet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë të vështira për shkaqe historike. Ai tha se Kurti ishte i burgosur nga regjimi i Serbisë, por shtoi se kjo duhet të tejkalohet, në mënyrë që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre të ecë përpara.

Nathalie Loiseao foli në emër të Grupit të Liberalëve dhe mbështeti tekstin e draft-raportit.

Loiseao ishte shefe e vëzhguesve të BE-së në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Ajo kërkoi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ringjallet dhe që palët t’i zbatojnë obligimet e marra.

Edhe ajo tha se është domosdoshme që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën dhe kërkoi që blloku ta sqarojë rrugën evropiane të Kosovës, në mënyrë që, siç tha, Kosova të mos mbetet një zonë gri.

Davor Ivo Stier, shef i delegacionit parlamentar për Kosovën, kërkoi po ashtu heqjen e masave ndaj Kosovës, duke thënë se “kjo qasje e pabalancuar e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë”, sidomos pas sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023, e pengon përparimin në dialog.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, Jiri Plecity, shef i njësisë për Kosovën dhe Serbinë në Drejtorinë e Zgjerimit, e përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, por shprehu keqardhje për vonesat në numërimin e votave.

Ai tha se pret që Qeveria e re të formohet sa më parë, për të vazhduar me reformat dhe në normalizimin e raporteve me Serbinë.

Komisioni Evropian, në anën tjetër, pajtohet me pjesët kryesore të raportit.

Ai i mirëpriti veprimet e Kosovës për të tejkaluar pengesat që ishin paraqitur në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA.

Zuzana Michalciva Sutiakova, si përfaqësuese e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), përmendi retorikën e ashpër gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë dhe problemet me numërimin e votave, por tha se këto nuk duhet t’i vënë nën hije pikat kryesore pozitive, që dëshmuan se Kosova ishte dhe mbetet demokraci funksionale.

Ajo tha se këto zgjedhje do të duhej të shënonin hapin e parë të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Presim konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Pas zgjedhjeve do të donim të shënonim një moment të ri në rrugën e Kosovës drejt BE-së. Siç janë shprehur edhe komisionarja [për Zgjerim] Marta Kos dhe përfaqësuesja e lartë, Kallas, ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, sapo të marrim një mandat për këtë nga Këshilli. Progresi në raportet me Serbinë është kusht i padiskutueshëm. Dialogu nuk ka alternativë”, tha Michalciva Sutiakova.

As përfaqësuesja e EEAS-it, as ai i Komisionit Evropian nuk e përmendën heqjen e masave ndaj Kosovës, ndonëse kjo ishte ndër kërkesat më të shpeshta të deputetëve të Parlamentit Evropian.

Draft-raporti për Kosovën e vlerëson përkushtimin e Kosovës për integrim në BE. Në dokument thuhet se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se përpjekjet për ta nxjerrë vendin nga një zonë gri, janë në interes edhe të Kosovës, edhe të BE-së.

Aty nënvizohet “progresi domethënës në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe lirive, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në funksionimin e ekonomisë së tregut”, por shprehet keqardhje për “përparimin e limituar” në sundimin e ligjit.

Në draft-raport, edhe një herë, kërkohet nga BE-ja që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat përfshijnë ngrirjen e disa fondeve dhe pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.

“Bëjmë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat nuk janë më të arsyeshme dhe janë në kontradiktë me përkushtimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe me përshtatjen e saj me politikat e BE-së”, thuhet në dokument.

Parlamenti Evropian mbështet edhe kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin për t’iu bashkuar programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

*Video nga arkivi: Shpjegojmë se çka përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës?

Në raport shprehet shqetësim për gjendjen jo të kënaqshme në Kosovë sa i përket korrupsionit dhe kërkohet që, pos reformave ligjore, të ketë edhe rezultate të dukshme në hetime dhe dënime të rasteve.

Shqetësim serioz shprehet edhe për dobësitë sistematike të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos sa i përket pavarësisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve.

“Përsërisim shqetësimin për vonesat në rastet gjyqësore dhe kritikat nga ana e zyrtarëve të Qeverisë ndaj vendimeve në rastet individuale”, thuhet në draft-raport.

Shqetësim shprehet, gjithashtu, për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, posaçërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në nëntor të vitit 2024.

Raporti kërkon që kryesit e këtyre veprave të dhunshme, të nxirren para drejtësisë.

Aty shprehet keqardhje përse Serbia nuk i ka nxjerrë para drejtësisë “kryesit e sulmit terrorist në Banjskë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq”.

Sa i përket gjendjes së mediave, raporti përmend ekzistimin e një mjedisi pluralist dhe nënvizon rolin e Komisionit të Pavarur të Mediave, autonomia e të cilit “duhet të ruhet fuqishëm”.

Në raport kërkohet më shumë transparencë sa i përket pronësisë dhe financimit të mediave, ndërsa shprehet shqetësim serioz për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.

Dokumenti shpreh, gjithashtu, mbështetje për procesin e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndet emërimin e Peter Sorensenit në postin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog.

Serbisë i kërkohet të dëshmojë përkushtim ndaj integrimit në BE

Në këtë seancë të Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian u paraqit edhe draft-raporti për Serbinë, i përgatitur nga ana e raportuesit kroat, Tonino Picula.

Në këtë dokument thuhet se Serbia duhet të dëshmojë me sjelljen e saj se është e përkushtuar vërtet për integrim në BE.

Asaj i kërkohet të respektojë edhe të drejtën e protestave paqësore dhe t’i ndërpresë akuzat ndaj vendeve të BE-së, se qëndrojnë prapa protestave të studentëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.

Serbisë, po ashtu, i kërkohet progres në normalizimin e raporteve me Kosovën.

Picula, me këtë rast, kërkoi masa të shpejta ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, përfshirë edhe ndaj Radoiçiqit.

Edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian, edhe ata të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm nënvizuan se përparimi i Serbisë në negociatat për anëtarësim në BE, do të varet sidomos nga progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën dhe në sundimin e ligjit.

Pas paraqitjes së këtyre draft-raporteve në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, deputetët do të kenë mundësi deri më 6 mars të paraqesin edhe amendamente në këto dokumente.

Për to, pastaj, do të votohet së pari në Komisionin parlamentar nga fillimi i muajit prill, e më pas edhe në seancë plenare, ku raportet do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.

BE-ja i kërkon Serbisë të mos i forcojë lidhjet me Rusinë

Flamuri i Bashkimit Evropian pranë atij të Serbisë.

 

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian e ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë – si vend kandidat për anëtarësim – që të përshtatë qëndrimin e saj në politikën e jashtme me atë të BE- së, dhe t’i evitojë hapat që janë në kundërshtim me këto qëndrime.

Sipas diplomatëve të BE-së, kjo kërkesë vlen sidomos lidhur me qëndrimet ndaj Rusisë, kundër së cilës BE-ja vazhdojë të vendosë sanksione për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, ndërkohë që Serbia vazhdon të kultivojë raporte miqësore me Rusinë.

Një zëdhënës i BE-së, duke iu referuar vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Moskë, dhe takimit të tij me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, ka thënë se BE-ja ka marrë hapa për ta izoluar Rusinë, i ka ulur në minimum kontaktet, dhe po përgatit edhe një paketë të re sanksionesh, andaj pret që Serbia si vend kandidat të mos ndërmarrë hapa kundër kësaj politike të Bashkimit Evropian.

“Serbia, si vend kandidat, duhet t’i shtojë përpjekjet për t’u përshtatur me politikën e jashtme të BE-së si çështje me shumë prioritet. Prandaj duhet të përmbahet nga veprimet apo deklaratat të cilat shkojnë kundër qëndrimeve të BE-së në politikën e jashtme“, ka thënë një zëdhënës i BE-së.

Ndërkohë, diplomatë nga disa vende anëtare kanë thënë se, krahas mungesës së progresit në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën, çështjeve të sundimit të ligjit, edhe bashkëpunimi i ngushtë i Serbisë me Rusinë ka ndikim që të mos hapen disa kapituj negociues në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, edhe pse Serbia sipas Komisionit Evropian i ka përmbushur kushtet teknike për këtë.


Send this to a friend