Forcat izraelite shpëtuan dy pengje herët të hënën, pas një sulmi në një apartament të ruajtur mirë në jug të Rripit të Gazës, një sukses i vogël por simbolikisht i rëndësishëm për Izraelin. Sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë në territorin e rrethuar, gjatë operacionit u vranë të paktën 50 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Operacioni u kremtua në Izrael, i cili kërkon lirimin e më shumë se 100 pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera militante.
Por operacioni u përcoll gjithashtu sulme të rënda ajrore në Rafah, qytetin në skajin jugor të Rripit të Gazës, ku 1.4 milionë palestinezë janë strehuar për t’u shpëtuar luftimeve në pjesët tjera të territorit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Dhjetëra veta janë vrarë gjatë bombardimeve.
Situata me pengjet e ka tronditur thellësisht kombin dhe Izraeli e ka shndërruar lirimin e tyre në qëllimin kryesor të luftës së tij, bashkë me shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit. Por ndërsa lufta zgjatet, tani në muajin e saj të pestë, lirimi i pengjeve mbetet i vështirë dhe në Izrael janë shfaqur përçarje lidhur me mënyrën më të mirë për t’i dhënë fund kësaj sprove.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ngulë këmbë se trysnia e vazhdueshme ushtarake do të sjellë lirinë e tyre, ndonëse zyrtarë të tjerë të lartë e kanë kundërshtuar këtë ide, duke thënë se një marrëveshje është mënyra e vetme për të siguruar lirimin e pengjeve.
Izraeli e ka përshkruar Rafahun si fortesën e fundit të Hamasit në Gaza dhe ka lënë të kuptohet se ofensiva e tij tokësore së shpejti mund të synojë qytetin me popullsi të dendur. Të dielën, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden e kishte paralajmëruar kryeministrin Netanyahu se Izraeli nuk duhet të kryejë një operacion ushtarak kundër Hamasit në Rafah pa një plan “të besueshëm dhe të zbatueshëm” për të mbrojtur civilët.
Ushtria i identifikoi pengjet e shpëtuar si Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Har, 70 vjeç, të rrëmbyer nga militantët e Hamasit nga Kibuci Nir Yizhak në sulmin e 7 tetorit që shkaktoi luftën.
Ata ishin në mesin e afërsisht 250 pengjeve që u morën gjatë sulmit të Hamasit, që sipas autoriteteve izraelite la pas vetes rreth 1 mijë e 200 të vrarë, kryesisht civilë. Sulmet hakmarrëse ajrore dhe tokësore të Izraelit kanë vrarë mbi 28,000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, ka zhvendosur mbi 80 për qind të popullsisë dhe ka çuar në një krizë masive humanitare.
Mbi 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në muajin nëntor. Izraeli thotë se rreth 100 pengje mbeten në duart e Hamasit, i cili gjithashtu mban trupat e rreth 30 të tjerëve që ose u vranë më 7 tetor ose vdiqën derisa mbaheshin nga militantët. Tre pengje u vranë gabimisht nga ushtria pasi arritën të ikin nga duart e militantëve në dhjetor.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari, tha se dy pengjet mbaheshin në një apartament në katin e dytë të një ndertëse në Rafah, nën vëzhgimin e rojeve të armatosur të Hamasit, si në apartament ashtu edhe në ndërtesat aty pranë.
Zëdhënësi Hagari tha se forcat e posaçme hynë në apartament mes një shkëmbimi të zjarrit në orën 1:49 të mëngjesit të së hënës, të shoqëruara një minutë më vonë nga sulmet ajrore në zonat përreth. Ai tha se pjesëtarët e ekipit të shpëtimit i mbrojtën pengjet me trupat e tyre, ndërsa një betejë e rëndë shpërtheu në disa vende njëherësh me pjesëtarë të armatosur të Hamasit.
Pengjet u dërguan në një “zonë të sigurt” aty pranë, iu nënshtruan një kontrolli të shpejtë mjekësor dhe u dërguan me avion në Qendrën Mjekësore Sheba në Izraelin qendror. Gjendja e tyre shëndetësore raportohet të jetë e mirë.
Zëdhënësi Hagari tha se operacioni mbështetej në të dhëna të sakta të zbulimit dhe ishte planifikuar për një kohë. Kryeministri Netanyahu iu bashkua shefit të ushtrisë izraelite dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ndërsa po zhvillohej operacioni.
Shpëtimi është një hap i rëndësishëm moral për izraelitët, por një hap i vogël drejt lirimit të pengjeve të mbetura, të cilët besohet se janë shpërndarë dhe fshehur nëpër tunele, me gjasë në gjendje të keqe.