Kancelarja gjermane, Angela Merkel është gruaja më e fuqishme në botë, sipas revistës “Forbes”, në listën e 100 grave më të fuqishme në botë.
Në vendin e dytë të kësaj liste, renditet Hillary Clinton, ndërsa në të tretin Janet Yellen, presidentja e FED-it.
Në 20 vendet e para ndodhet edhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, në të 19-tin.
Lista vjetore, e publikuar të hënën, përfshin 100 femra nga 29 vende të ndryshme të botës. Në mesin e tyre ka femra me ndikim nga fusha të politikës, biznesit, teknologjisë dhe filantropisë, përfshi 12 lidere botërore, 32 Shefe Ekzekutive (CEO) dhe 11 miliardere – nëntë prej të cilave kanë financuar kompanitë e veta miliard-dollarëshe.
Lista, e cila së pari ishte publikuar më 2004, përpilohet nga revista amerikane e biznesit “Forbes” dhe rendit femrat nga “paraja, momentumi medial, sferat e ndikimit dhe ndikimi”.
Në 10 vendet e para të grave më të fuqishme të botës ndodhet edhe drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde (6).
Melinda Gates, bashkëshortja e miliarderit Bill Gates, ndodhet në vendin e katërt.
Për Kinën ky ishte vit rekord, pasi që nëntë femra kineze u përfshinë në top-100.
Kujtojmë se kjo është hera e 11-ë që Merkel renditet si gruaja më e fuqishme në botë, sipas revistës “Forbes”, ndërsa nga 2010 nuk e ka lëshuar këtë front asnjëherë.
Komentet