Një nga revistat më të njohura në botë, “Forbes”, sjell një intervistë me këngëtaren shqiptare Bleona Qereti, e cila ka arritur sukses edhe në arenën ndërkombëtare.
“Bleona Qerreti, e njohur zakonisht si ‘Bleona’, është quajtur edhe ‘Madonna e Shqipërisë’ dhe është e njohur për vetëbesimin e saj të madh dhe performancat e saj provokative”, shkruan “Forbes”.
Më tej në artikullin e “Forbes” thuhet se, “Bleona, që ka realizuar tetë albume, për të cilët ka thënë se ka shitur rreth 1.5 milion kopje, ka fituar disa çmime të rëndësishme muzikore gjatë karrierës së saj, ndërsa është paraqitur edhe në ballinat e mbi 35 revistave të rëndësishme botërore, si dhe ka performuar për miliona fansa në mbarë botën”.
“Ajo çfarë e dallon rritjen e yllit të popit në nivel ndërkombëtar, në dallim nga artistët e tjerë, është modeli i saj ekonomik: Bleona është një yll i pavarur, e vetëfinancuar”, ka shkruar “Forbes”.
Është entuziazmi i saj ajo që i ka lënë përshtypje kësaj reviste, teksa gjatë intervistës Bleona ka treguar se sa i rëndësishëm ishte vetëfinancimi në ndërtimin dhe mbrojtjen e një karriere të suksesshme.
“Përdorimi i financave të mia, në vend të financave të ndonjë labeli, më ka bërë mua shef të vetvetes. Kam kontroll të plotë në kreativitetin, stilin e muzikës, stilin e videove, çka dua të vesh, dhe mbi të gjitha se si dua ta prezantoj veten në tregun botëror”, ka thënë Bleona.
Ajo ka thënë se gjithmonë është rrezik të bëhesh pjesë e një labeli, pasi sipas saj çdo artist i tillë rrezikon të prezantohet para fansave si diçka që nuk është në të vërtetë.
“Çdo artist që nënshkruan për një label rrezikon të prezantohet para fansave si diçka që në të vërtetë nuk është, pasi grupet kanë prioritete të ndryshme, por në rastin tim unë vet i përcaktoj prioritetet e mia. Dhe në fund të ditës unë besoj në vetvete dhe i shpenzoj paratë e mia në mua, dhe kjo duket është më e sigurt për partnerët që dëshirojnë të jenë partnerë tuaj”, është shprehur ajo.
Përderisa ajo shpreson që muzika e saj, tashmë e suksesshme, t’i sjell investitorë, ajo është e vendosur që një aspekt të karrierës së saj ta mbajë të paprekur: “Marka ime, rregullat e mia”, ka thënë Belona.
Komentet