‘Foltorja’ u bë në Lezhë, por simpatizantët e tij e kanë ndaluar dhjetëra kilometra larg.
Qindra prej tyre e kanë pritur që në Mamurras, duke e ndaluar dhe përshëndetur.
Më pas i janë bashkuar karvanit për në Lezhë.
Nga Foltorja e Lezhës, lideri historik Sali Berisha dha lajmin se jo vetëm që padia e tij ndaj sekretarit Antony Blinken është pranuar, por miqtë e tij e kanë garantuar se dosja ndaj tij nuk ka asnjë provë.
“Foltorja ka ndezur shpresat e shqiptarëve, zemrat e tyre, dhe ne do zotohemi se do marrin të gjitha fund. Ne Shqipërisë do i garantojmë zhvillim të pandalshëm, integrim, treg pa monopole dhe oligarkë, konkurrencë të ndershme. Por për të realizuar këto, duhet të ngremë shtëpinë tonë të shembur, të ngrihemi ne si PD. Edi Rama ia doli, siç më thoshte një ditë një kryetar grup-seksioni nga Puka: Ai mori këto 8 vite çdo institucion sepse ia dha Lulzim Basha nga paaftësia e tij për ta penguar, dhe së fundmi mori edhe kreun e PD. Kjo është e vërteta.
Duhet të shtrojmë një pyetje: cilën betejë fituam ne demokratët gjatë këtyre 8 vitesh? A e dini se sot janë dhjetëra e qindra djem trima të Lezhës në procese politike dhe nuk pyet askush për ta? A nuk shpalli kryetari mbrojtjen e votës si zotimin e tij më solemn? Çfarë mbrojtje i bëri votës ai? Përkundrazi, Rama plaçkiti në vitin 2021 vota dy herë më shumë se në vitin 2017. Sepse e dinte se me kë kishte të bënte. Sepse nuk e vinte askund në kanar.
Më 27 prill, në vend që të ftonte demokratët e Lezhës dhe mbarë Shqipërisë në Lezhë për t’u përballur për votën e lirë, mendonte për karrigen e tij. Ndaj ne sot jemi të poshtëruar nga humbja në humbje. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të vinte sanksione që opozita nuk i pretendon,” tha Berisha.
“Duan ta paraqesin Foltoren si një interes personal të Sali Berishës. Të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time ‘non grata’. Absolutisht është e pavërtetë dhe ia faktoj cilitdo. Atë vendim, duke e pasur të qartë se është i bazuar vetëm në shpifje, Sali Berisha e mbajti kryekëput personal dhe iu drejtova gjykatës në Paris. Padita për shpifja zotërinë që firmosi vendimin. Kam kënaqësinë t’u them ju sot, që jo vetëm gjykatësi e ka pranuar shqyrtimin e padisë sime, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente, zero prova, ashtu siç u kam thënë unë ju. Megjithatë unë ftoj Sekretarin e Shtetit dhe çdo shtetar të atij vendi dhe mbarë botës, që çdo fakt apo dokument që do ketë, ta çojë në sallën e gjyqit në Paris,” theksoi Berisha.
‘75% nuk i besojnë reformës së Soros’ Berisha citon sondazhin dhe sulmon ‘Sadushin e partisë’
Nga Foltorja e Lezhës, lideri historik demokrat, Sali Berisha, citoi sondazhin e djeshëm të Euronews Albania, që tregonte rënie drastike të besimit të shqiptarëve te reforma në drejtësi.
“75 përqind të shqiptarëve nuk i besojnë reformës së George Soros. Sepse ajo ka realizuar kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Kurrë ndonjëherë sistemi i drejtësisë nuk ka qenë siç është sot.
Çfarë solli reforma miqtë e mi? Ju mohoi ju, iu mohoi qytetarëve shqiptarë, procesin gjyqësor në gjykata. Procesi ligjor ka një kusht, ai duhet të ketë transparencë dhe duhet të kryhet brenda një kohe të caktuar. Sot janë 100 mijë dosje, 100 mijë qytetarë që presin drejtësi. Do të duhen 20 vite për t’u shqyrtuar. Mijëra e mijëra prej tyre ndoshta nuk u premton jeta që të marrin drejtësi.
Vetingu si gjah shtrigash i shërben vetëm Edi Ramës dhe krimit. Ju ftoj të shtroni një pyetje: a duhen bërë publike të dhënat e vetingut? Po, e ka ligji dhe Kushtetuta. Shkoni e gjeni vetingun e Sokol Sadushit, Ilir Pandës, Ervin Pupës. Nuk ka njeri që mund ta gjejë.
Për Sadushin i dimë, i dimë se zonja Sadushi që kërkoi të mos i njihej asgjë para martesës, doli se Sadushi i partisë kishte shitur një apartament në Golem për 55 mijë euro. Në kohën që e quante të shitur, e mbante kolateral në një bankë për kredinë. Çdo njeri ka dalë nga vetingu, kurse Sadushit i mbahet i kyçur në katastrofë. Sadushi deklaroi se kishte dhuratë për fëmijët e tij 20 mijë euro nga gjyshja. Se nga i kishte gjyshja këto euro, e di vetëm Sadushi,” tha Berisha.
Sipas tij, teksa gjykatësve të tjerë u kërkohet çdo dokument me vulë, Sadushi tha se i kishte kuruar falas fëmijët e tij jashtë vendit.
“Po pse e mbajnë aty? E mbajnë sepse e ka Edi Rama peng. Para dy muajsh, kur i them zotit Basha që duhet denoncuar kjo. Prit, prit më tha. Nuk e denoncoi kurrë. Siç duket u bë edhe ai pjesë e pengmarrjes,” tha Berisha.
“Njeriu që u shpall kampion botëror i antikorrupsionit është Ardian Dvorani. Mes të tjerash, përveçse kishte fshehur 82 mijë euro, i harrova tha ky Dvorani i partisë, i porosit Albtelekomi një apartament. Si e shpërbleu Dvorani Albtelekomin? 9 vendime gjykate dha në favor të Albtelekomit ku ishte në trupin gjykues”.
Berisha: PD-në do e çojmë në fitore dhe do vendosim marrëdhëniet më të mira me BE dhe SHBA
Lideri historik demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj nga Foltorja e Lezhës atyre që spekulojnë se kjo lëvizje është kundër Amerikës.
“Jo vetëm që do ngremë PD-në dhe do e çojmë në fitore, por u them vajatorëve të mjerimit se PD dhe kjo parti do vendosin marrëdhëniet më të mira me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Peng-kryetari dhe ndonjë zëdhënës mjeran i tij që duan të na etiketojnë si anti-amerikanë, janë më qesharakë se çdo personazh në tërësi. Amerika është e vlerave të mëdha, është e votës së lirë, është e sovranitetit të kombeve dhe vendeve,” tha Berisha, duke shtuar një vendim se ai që u mor ndaj tij është bërë vetëm nga “mafia e Sorosit”.
“Pse peng-Basha e mori vendimin pa u pyetur ju? Siç mori vendimin për përjashtimin e Flamur Nokës? Siç mori vendimin për Luan Baçin. Sepse ai nuk ka lidhje me statutin, nuk ka lidhje forumet, nuk ka lidhje me ju. Ai ka lidhe vetëm me pengmarrësin e tij.
E kam mbështetur dhe ju kërkoj falje ju sepse nuk e meriton kurrë mbështetjen. Ne do bëjmë ndryshime të thella në statutin tonë. Kryetari që dhunon statutin dhe vullnetin tuaj është i shkarkuar automatikisht, pa vota. Në statut do të sanksionohet shenjtëria e votës suaj. Kjo sjell që deputeti i votuar nga ju, i nxjerrë në krye, ai u falet ju, jo kryetarit. Ai është i detyruar të vijë te ju, t’ju shërbejë ju, të jetë avokati i juajm,” tha Berisha.
‘Prindi 1 dhe prindi 2’/ Berisha: I them Ramës, mos luaj me familjen shqiptare
Nga Foltorja e Lezhës, lideri historik demokrat Sali Berisha foli edhe për çështjen e një formulari ku për prindërit përdoren numra.
Ai tha se PD duhet të jetë një parti konservatore e vlerave, ku familja të jetë themelore. Edhe nga salla, të pranishmit pyetën Berishën për skandalin e këtij formulari.
“Shndërrimi i prindërve në numra është një akt i turpshëm. Është një akt amoral dhe i turpshëm, të cilin e ka diktuar direkt Edi Rama.
Unë i them direkt Edi Ramës se ngjyrat e flamurit të tij le t’i ndryshojë si të dojë, por me familjen shqiptare nuk mund të luajë.
Çdo komb ka virtytet dhe traditat e tij, por ne si komb e kemi familjen qendrore në vlerat tona.
Ndaj i them Edi Ramës: Mos luaj me familjen se do përgjigjesh shumë rëndë. Ka vetëm amoralitet në aktin e tij,” tha Berisha.
Berisha- Bashës: Kur të kujtojë ‘Lezhën e Besëlidhjes’, të rrijë pa gjumë
Nga foltorja e Lezhës, ish-kryeminsitri Sali Berisha i ka kthyer përgjigje sulmit të mbrëmshëm të Bashës, i cili e krahasoi si ‘Trekëndëshi i Bermudës’ bashkë me Ramën dhe Metën.
Ish-kryeministri Berisha i kujtoi Bashës nga Lezha, se kur të kujtojë Besëlidhjen, të rrijë pa gjumë për besëprerjen e tij ndaj demokratëve.
Berisha: Një gjë thonë të gjithë për shqiptarët, se ana pozitive e tyre është se janë inteligjentë dhe ajo negative se për një plesht djegin jorganin.
Shqiptarëve nuk mund t’ua shesësh gënjeshtrat për të vërteta.
Ju garantoj se Basha, të cilin e këshilloj, që kur të kujtojë Lezhën e Besëlidhjes të rrijë tërë natën pa gjumë për besëprerjen e tij.
Nëse vendimin do e merrte me Këshill Kombëtar unë absolutisht do e pranoja. Ata që e kanë marrë peng nuk i duan mendimet tuaja, e dinë që ju jeni njerëz të lirë dhe nuk shisni e blini dhe ai nuk guxoi.
Amerika nuk mund të përcaktojë se cili shqiptar duhet të hyjë në Parlament.
‘Kullot në livadhet e qeverisë’- Berisha: Yuri Kim është në konflikt interesi
Lideri historik demokrat, Sali Berisha, deklaroi nga Foltorja e Lezhës se ambasadorja amerikane, Yuri Kim është në konflikt interesi.
“Ne jemi forcë politike pro-perëndimore dhe vokacionin pro-perëndimor e kemi pasur dhe do e kemi qëllimin kryesor. Ju thashë që jo vetëm do fitojmë zgjedhjet, por do vendosim marrëdhënie më të mira miqësore BE dhe SHBA ku kemi miq të shkëlqyer.
Nuk duhet të nisemi nga disa qëndrime sporadike ose qëndrime të caktuara.
Kur iu thashe nja dy muaj më parë se zonja ku përmendi barin, u shpreha se zonja e nderuar kullot në livadhet e qeverisë, pak kush e kuptoi këtë gjë, por tani që e shohin me Majezën e qeverisë nëpër vikende, e kanë të qartë se Sali Berisha kishte të drejtë. Unë askujt nuk i hyj në jetën private, por konflikti i interesit është konflikt interesi, cilido qoftë.
Ndaj jam mendimit se objektiviteti dhe jo konflikti i interesit janë rruga e duhur për të vlerësuar realitetin shqiptar,” tha Berisha.
Berisha njofton: Më 11 dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i PD
Lideri historik demokrat, Sali Berisha deklaroi nga Lezha se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 11 dhjetor.
“Ne do pranojmë fraksionet. PD do të riformatohet duke vendosur vlerat e një partie konservatore, familjen, besimin te zoti, pronat dhe interesi kombëtar. Për ne familja është themeli i çdo themeli. Ne do bëjmë gjithçka për ta mbështetur atë dhe jo për t’u vendosur numra prindërve siç bën Edvin Kristaq Rama.
Ky njeri na udhëheq nga humbja në humbje. Nuk ka një humbës të tillë po të hedhësh sytë në hartën e Europës. Të gjitha nismat e tij kanë qenë dështim. Çdo marrëveshje ka shkuar në favor të Edi Ramës. Dhe më keq, mashtron e vetëm mashtron.
Unë kam qenë për vetingun e politikanëve, por jo për mashtrimin. Për vetingun e vërtetë. Por të kthehesh te SPAK i Edi Ramës, do të thotë se je peng dhe vasal i tij. Vetëm 24 përqind e shqiptarëve i besojnë drejtësisë së Sorosit dhe Edi Ramës,” tha Berisha.
“Mjafton të hidhni sytë në televizione dhe të shihni se si gjithë analistët e zjarrtë të qeverisë janë angazhuar në mbështetjen të peng-Bashës. Këto mjaftojnë që ne të hapim rrugën tonë, të ringremë apo të rithemelojmë PD-në.
Nga Lezha kam kënaqësinë të informoj demokratët se më 11 dhjetor do mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së. Rroftë Lezha, rroftë PD,” tha Berisha.
Komentet