Partia opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Bujar Osmani, për faktin se gjatë takimit me homologun spanjoll ka folur vetëm në gjuhën shqipe, duke e konsideruar atë lëvizje të padeklaruar.
‘Mosrespektimi që SDS dhe BDI i bëjnë Maqedonisë është bërë praktikë për të cilën asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi. Prandaj kërkojmë përgjegjësi penale për Osmanin, që organet kompetente të nisin menjëherë procedurë dhe së fundi në Maqedoni të fillohet një procedurë e duhur për vepra kundër dëmtimit të reputacionit të shtetit, siç është rasti.
Në të njëjtën kohë, që Osmani të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e ministrit të Punëve të Jashtme, kjo është më e pakta që mund të bëjë pas një lëvizjeje të tillë të padeklaruar, e cila është poshtëruese për të gjithë qytetarët e Maqedonisë’, thuhej ndër të tjera në deklaratën e zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Më tej, Miteva është shprehur se ministri Bujar Osmani gjatë gjithë takimit ka përdorur gjuhën shqipe, edhe pse sipas saj, gjuha zyrtare është maqedonishtja. Opozita e kosnideron këtë një veprim të turpshëm dhe kërkon veç dorëheqjes, dhe përgjegjësi penale.
‘Është e turpshme, joshtetërore dhe poshtëruese ajo e Bujar Osmanit, i cili në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme nuk e përdor gjuhën maqedonase si gjuhë zyrtare të Republikës së Maqedonisë në një takim ndërshtetëror.
Gjegjësisht, nga takimi zyrtar i Osmanit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës përmes konferencës për media, shihet qartë se Osmani përdor vetëm gjuhën shqipe, edhe pse është e qartë se cila është gjuha zyrtare e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar e përcaktuar me Kushtetuta.’
Bujar Osmani është politikan me origjinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai është me profesion doktor dhe më parë ka qenë dhe ministër i Shëndetësisë, ndërsa aktualisht është ministër i Jashtëm. Konsiderohet si një ndër shefat e diplomacisë më të mirë në rajon. syri.net