1.
Teoria xixëtare
E thonë mendtarë të mëdhenj të saj se Europa është lodhur nga civilizimi i vet.
Kjo ndjesi e rënies, madje e shfytyrimit të ngadaltë, do t’ketë qenë motivi i epërm eurodashës që, kohë më parë, një autor (disi anonim sepse pati emër të koduar armen..?) të publikonte një shkrim alarmant. Ishte menduar dhe binte si kumbonë zgjimi në agun e mugët.
Shkrimi mbante një titull deshpërues: barbarët fitojnë!
Europjanët, qahej ai, po firojnë. Shterpësohen vullnetlirshëm, kanë farë të dobësuar, nuk duan fëmijë, përtallin familjen që, tani, është kryesisht vertikale…
Një ditë, kushedi, do të lansojnë si gjetje gjeniale dhe programin e prodhimit industrial të jetës njerëzore.
Veçse Lao Tze thotë diku se s’do pranonte asnjë burim jete që nuk vjen drejt e nga gjiri amnor…
Duke qenë kështu, ata nuk shtohen. Përkundrazi pakësohen e humbin çdo orë e çast. E natyra e bekuar urdhëron lindje e trashëgimi, si gjithçka nën pushtetin e saj. Ndaj, i tillë përherë, njeriu europjan bie ndesh me hirësinë e saj.
Dhe në këtë konflikt është njeriu që humb betejën. Natyra mbetet sovrane dhe e përjetshme.
Në këtë fillnajë rezoni, arsyetohet teza se “barbarët fitojnë”. Thjeshtë, pse ata bëjnë krejt të kundërtën me qytetërimësit e sfilitur. Dhe, në plotëri harmonike me natyrën, përfundojnë në të zgjedhurit e saj.
Fitorja, që këtej, u përket atyre. Me uratën e përulur të natyrës!
Ky shkrim rrjedhon të jetë njëlloj apostrofi i teorisë së humbjes tek qarkullon elitave të caktuara politike dhe intelektuale të Europës.
2.
Mirësevjen në klubin tonë!
Kështu, para sa vitesh, një gazetë, holandeze me sa mbaj mend, i drejtohej Gjermanisë!
E, pra: mirë se erdhe në gjirin e së djathtës!
Ishte themeluar për të parën herë, viti 2013, një parti e radikalizmit të djathtë me emrin AFD (Alternative für Deutschland), domethënë një alternative e re për Gjermaninë.
E riemërtuar sivjet në “Die Heimat”(atdheu) NDP-ja (themeluar tash 59 vjet), e një kauze të përafërt kishte dështuar, ndërkohë që demokristianët (CDU) e Adenauerit, kancelarit të parë të Gjermanisë pasnaciste, lëviznin ngadalë drejt qendrës.
Anise profil i saj ngjante i huaj për të, Socialdemokratja, më e vjetra parti gjermane, pas Helmut Schmidt-it braktiste poashtu vokacionin dhe shkiste në qendrën e majtë.
Ndaj vinte kjo uresë e ngrohtë që shoqëronte hyrjen solemne në Klubin, atëherë, ende i paktë e periferik i së djathtës, në Kontinentin e vjetër.
3.
Valëdetet dhe bregu që afron
Trajektorja e Afd-së do kishte, fillimisht, të beftën e saj. Ishte si një rr’fe në qiellin e kaltër. Por, pas rënjës, gropave e ringritjeve, ajo (aktualisht 22 përqind në shkallë kombëtare) do arrinte të gjejë një elektorat që identifikonte interesin jetik me filozofinë e saj!
Dhe shkelja në pragun e skenës së madhe do ndodhte pas krizës së refugjatëve, viti 2015, kur kancelarja Merkel farkonte frazën historike: për refugjatë nuk do t’ketë tavan! Ata, ndaj, do mirëpriten pa asnjë kufizim numri apo strukture të tyre.
Por u desh një kohë sprove margjinash e mohimesh, që ajo t’i afrohej arsyes dhe zemrës së njeriut të thjeshtë gjerman.
Në fakt, ndërsa lexoja vëmendshëm një katalog përmbledhës të programit të saj, do t’më bënin dyshimtar e rezinjativ dy postulate të vështira të tij.
E ata janë: nocioni “Staatsvolk”, ose “populli shtetëror” dhe, poaq, distanca, madje, refuzimi i idesë a projektit, tashmë real, të Europës së bashkuar!
E para, sikur restauron njëj leksiku tjetër “popullin e zgjedhur”. Meqë çdo shtet paskësh popullin e vet, aherë të tillë nuk qenkan e s’mund të jenë të tjerë jashtë truallit, racës a gjakut të vjetër autokton.
Dhe e dyta, vizioni për Europën është i mjegullt, ose krejt i errtë. Kombet e saj, siç e shohin dhe të verbërit, nuk mund t’i mbijetojnë, të vegjël e të vetmuar, sfidat e shekullit të ri.
Të rimenduar apo taktikisht, nuk e them dot akoma, por poenta do të tërhiqej ditën e dytë të arritjes së kësaj platforme në Bruksel. Dhe justifikimi ishte i ftohtë e cinik: ka qenë një lëshim redaktorial.
Veç tyre, ndërkaq, e gjithë doktrina ishte e pëlqyeshme: mbi Familjen (“Väter stärken” – Fuqizimi i Etërve), pastaj ekonominë dhe mbi mbrojtjen e kulluar qytetnuese të Europës!
Që fati, prandaj, t’mos zbavitej me identitetin e saj…
Ndaj dhe, megjithë indiferencën venitëse apo valëdetet përmbytëse, bregu duket më afër se kurrë…
4.
Shtrati përkundës
Mirëpo, afëdëistët s’janë aspak të vetmuar. I bashkohen lokomotivës së ekstremit djathtist që tymon qyshkur tutje Europës.
Në Hungari vite që këtej, në Austrinë e Heider-it qysh herët, “vëllezëria italjane” në Romë së voni, pastaj ngjitja në grafikun e gjasës i Marine le Pen, një flakërim kartash në Holandë dhe, nga myku i historisë, ringjallja e një motërzimi të fashizmit frankist në Spanjë…
Ky vërshim i djathtë i Europës, ashtu si epokat e mëdha, ka një pararendje, një votër përkundëse.
Janë dhe të tjerë më të vegjël, ndoshta, por gjermani Tilo Sarrazin dhe, në anën tjetër të Spresë, frëngu Michel Houllebecque, sikur bëjnë levën frymëtare të tyre.
I pari (“Gjermania po vetëzhbëhet”) me akuzën vajtuese për shuarjen vullnetare gjermane nga turkoarabët biologjikisht inferiorë dhe, i dyti, me këmbanat që rrah për shfytyrimin identitar të Europës.
Madje kult-shkrimtari Michel (“Nënshtrimi”) parathotë një luftë civile midis popujve vendorë dhe ortekut të emigrantëve që shfaqin sipëri të energjisë sociale.
Dhe mes tyre, më parë akoma, Oriana Fallaci, si një shkëndijë lajmëtare, titullonte librin e saj “Eurabia”, në unison me pasrendësit që do zhvillonin tutje thirrjen, më saktë britmën e saj! E, në këtë gjurmë, njëj përplotësimi të tejmë, Basam Tibi (nga Universiteti i Göttingen-it) hidhte në arenën librare “Europën pa identitet”…
Dhe, ndërkohë, s’më vjen aspak mirë që fjalë e korifeut të tyre, Houllebecque, do merrte këto ditë provën e saktësisë në turbullirat e Francës. Sepse druaj të dalë një largpamës dramatik: përpjekja për rikthimin e Europës në origjinë.
Ky, thënë drejtë, është një ideal që unë akomodoj thellësisht. Por, kimia rilindëse mund të kalojë mespërmes një kalvari të përgjakur. Dhe bota s’është më e moçmja. E skamura. E këputura që vegjetonte terrinave të jetës. E pafuqishmja deri në mëshirë.
E tillë, pra, që një Pentarki e re e Europës t’a vjelë e sundojë si dikur ndër stinë e mote…
Sidoqoftë, meqë kështu duken punët, Stephen K. Bannon, ideologjist i anëshmbetur i Donald Trumpit, s’ka pse t’rimarrë udhën e gjatë për Europë. Që, atje, në tokën e vjetër tek vrujon përjetësisht, t’përnxisë djathtizmin dhe pasvajtjen e saj në kufijtë e kohës së arkivuar…
Ndaj, duke tejparë mprehtësisht rravgimet e liga (Europë, Ukrainë, Rusi, Balkan, Jerusalem, Tajvan…) Slavoj Zhizhek s’mund t’mos shkruante: bota tashmë gjendet në pikëzjarrtën e Apokalipsës!
5..
Një strehë Rusie
Sa trishte dhe gjithaq e pabesueshme është ndikesa e një imazhi politik.
Zonja karizmatike, e ditur dhe elokuente, Sahra Wagenknecht, flet të formojë një parti të re. Do të largohet nga grupimi politik i G. Gysi-t, që heq gjenealogjinë e saj nga komunistët gjemanolindorë, për të hedhur zarin e një force të rinuar majtiste.
Njohës e detektorë opinioni hamendsojnë se ajo, duke rrëmbyer ithtarë nga Alternativa djathtiste, mund të thyejë asaj keq arktrarin politik.
Tani një pyetje a, ndoshta, dilemë e habitshme: si ndodh t’ketë kaq lehtësisht një ndërkalesë të tillë? Që nga e djathta të fluksojnë lehtësisht elektorë në parzmin e të majtës?
Mbase shpjegimin, gati të pamundur, do t’a jepte një publiciste e shquar gjermane. E, për mua krejt papritshëm, do shkruante: në shpirtin e gjermanëve të lindjes ka një shtresë Rusie. Dhe ajo, e thadruar fort, ende vështirë të dalë q’andej…
Këtej, me gjasë, duhet parë dhe njëlloj sensi të rezervuar të të dyjave bashkë, për Kosovën. Dhe nuk është aspak ideologjia që i bashkon në këtë sekuencë negative, por pikërisht ajo mbetje e pahir Rusie në shpirtin e tyre!
6.
E “Volt” ku treti, vallë?
“Volt Europa”…quhet kjo parti sfidante politike. E përkthyer, siç dihet, dmth. fuqi, energji…e të tjera.
Por e transponuar në rrafsh politik, ajo merr kuptimin forcës shtytëse, rrotulluese e ndryshimtare.
Në fakt, “Volt-i” është një lëvizje pro-europiane, themeluar (viti 2017) njëj shkalle nacionale në Kontinentin mbarë.
Programi i saj vijëzon një Europë ndryshe. E bashkuar realisht në shpirtin e parathënë të ekzistencës. Përtej së tashmes që s’është veçse një imitim plogëtar i saj!
Ideja dhe koncepti i tashëm është Europë e shteteve postklasike. Shtetet, që këtej, mbeten, por disa atribute të pakta formale delegohen në instancën eurokratike në Bruksel.
Kurse “Volt Europa” pledon një esencë krejt të re: Europë shtetesh postnacionale. E pra, shtetet, ngjashëm me ngrehën e Perandorisë romake, shuhen në altarin e një krijese mbikombëtare.
Vetëm e tillë do të siguronte paqen hyjnore dhe, njëkohësisht, do t’përballej qytetnisht e forcërisht me kanosjet e kolosëve të rruzullimit.
Për lirinë dhe lumninë e vet!
Mirëpo ideali i saj është ende i largdukshëm në horizont. Europa ka shumë armiq. Andej hemisferave tek presin në shteg.
Durimshëm e ngulmërisht.
“Ulu në breg, e prit që lumi të sjellë kokën e armikut tënd”!
Një filozofi e urtë e, poaq, mizore e pritjes që në mendësinë kineze është ngjizur e strehon prorë. Gjithandej yllit tokë, poashtu. Dhe mëson qetësinë sfinksore të durimit deri në prekjen e përvujtnísë.
Së fundmi, më parë se të tjerët, është kjo Lëvizje paneuropjane që duhet të
bëj tutje.
Drejt, Fuqishëm e Besimplotë.
Mbi të gjithë, e për të gjithë!
r.