Ceremonia mortore nisi në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku iu bënë homazhe oficerit të forcave speciale të RENEA-s, në praninë e familjarëve dhe të bandës frymore që luante muzikë funebre.
Forca të shumta të Ushtrisë, por edhe të RENEA-s ishin të pranishme, duke qenë se Basha kishte vetëm gjashtë muaj që kishte kaluar në sektorin e Policisë, pasi 7 vitet e fundit i kishte shërbyer Shqipërisë në misionet paqeruajtëse të Forcave tona të Armatosura në Afganistan.
Ishte tejet prekëse të shihje ata burra të hekurt e të fortë, kolegët e pamposhtur të RENEA-s, të cilët nuk i përmbanin dot lotët teksa i jepnin lamtumirën e fundit të ndjerit Ibrahim Basha.
Më pas ceremonia u zhvendos në Varrezat e Dëshmorëve, që ndodhen përbri Pallatit të Brigadave.
Një moment tejet prekës qe çasti kur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Haki Çako, i dorëzoi babait të dëshmorit Basha, Flamurin e Republikës dhe kapelen e oficerit të ndjerë.
Më pas, familjarë, personalitete të shumta dhe qytetarë të ndryshëm hodhën nga një grusht dhé si gjest simbolik në kujtim të Bashës, teksa familja dhe motrat e të ndjerit nuk mundën t’i përmbanin dot ulërimat nga dhimbja e thellë për humbjen e personit të tyre të dashur.
Ibrahim Basha ishte 31 vjeç, vëlla i tetë motrave më të mëdha dhe i një vëllai më të vogël.

























Komentet