Nga Notesi vjeshtor, 2021, Berlin
NJË KULTURË E RE DHE QIELLI QË AFRON…
1.
U shua e treti, vallë, “Ballkani i hapur”?
I krusmuar pak, Rama lanson një projekt të ri: tashmë jo në tokë dhe jo në zonën e errët të saj, por në qiell.
Fluturimin e parë të satelitit shqiptar (po të ketë ekip) s’do ish keq t’a bënte me Vuçiqin e dashur serb.
Që atje, njëj drite më t’hyjnishme, mbase do të shohë e reflektojë sa e vogël, krejt e pashpresë, është mëria njerëzore!
Për vëllain, veçanërisht!
2.
Në Kosovë është etabluar një kulturë e re politike.
Saherë vijnë cikle zgjedhore, thyhen karriget dhe ftyrat e pretendentëve pushtetarë marrin një damkë.
Dhe nuk goditje rastësore gëzimi e transi të fitores.
Rivalët e deshpëruar për humbje nominimi a votimi, bjerrin ndjesinë e fisnikërisë. Të disfatës burrnore.
Dhe përleshja me armën e ftohtë të karrigës fiton primatin e revanshit politik!
Si për të dëshmuar praninë konstante të saj, nuk vonoi të ndodhte as sivjet kjo betejë madhore. Arena e radhës ishte në Vushtrinë e Drenicës!
Ndërkaq, s’do ishte korrekte sikur të mos i njihnim Ldk-së meritën e rrallë, historike e institucionale, për autorësinë dhe konsolidimin e fundmë të saj!
3.
Përse politika fyen kaq shumë njerëzinë?
Një ofezë e ulët e poshtëruese si rrallëkund për logjikën elementare.
Shpallin fitore, deklarojnë hareshëm tkurrjen e trishtë të votrës kundërshtare, bëjnë ekuacione numrash, zotohen për runde rikuperimi dhe triumfe të zjarrtë.
Pozitivizmi para ndeshjes politike, si për gjithçka, është një investurë e ligjshme morale.
Por kur dështimi shfaqet që larg në horizont, a s’është toni ngadhnjimtar një hipokrizi e kulluar dhe, poaq, ofendim i pështirë i popullit zgjedhor?
Ai s’është, vërtetë, kur njeriu i politik s’përfundon veçse një shifër, një statistikë mërzie në kopenë e përhumbur!
Por tani, mjerisht, nuk e di ku ngjizet faji i përtalljes?
Në fronet e shumta politike apo, në vetë të fyerin që akcepton heshtur ose bujshëm, mashtrimin e thjeshtë?!
Këtij sistemi të ofezës me inteligjencën e turmës, madje, dhe mbistrukturës elitare, nuk arriti t’i shpëtonte as Lëvizja vetëvendosje!
Fundja pse duhej e mundej?
Një Kosovë dhe një klasë e saj politike ndryshe, është akoma një sprovë.
Komentet