Ngjarje me të papritura dhe shqetësime -shtator 2010
Boston e hënë. Përgatitjet për udhëtim.
Vetëm Elsa e cakton kohën e kthimit në Tiranë. Zakonisht ajo zgjedh shtatorin, megjithatë si përherë pyet Bertin:
– Si thua, a s’është, ky muaj më i mirë?!
– Ashtu vërtetë, për më tepër, mesa di, Qeveria Demokratike po punon pothuaj shumë mirë…
-Ou prapë ti me politikë?- e ndërprehu Elsa.
– Ç’ne politikë! Unë them vetëm, se çfarë ndodh atje. Në vjeshtën e parë, siç thuhet shpesh, dyqanet e supermarketet janë përplot me mallra. Në pazare shiten fruta e zarzavate…
-Po ne ç’patëm atëherë, pse ikëm e jetojmë aq larg këtu?- ia kthehu Elsa.
– Ç’më pyet, si çupë pesë vjeçe, apo bën shaka? Ti e mban mend, më mirë se unë, vitin zi 1997. A mund të jetonim me ato pensione, kur Endri ndodhej për studime në Bukuresht? Ca më keq, kur papritur, iku edhe Adriani me avionin e fundit të Lufthansës për Boston?
Mirëpo, Bertin e ngacmon, edhe një dëshirë tjetër, ndaj bën çmos t’ia mbushë mendjen Elsës për një udhëtim turistik, siç e quan ai, nga Bostoni në Londër me avion, më tej me tren nën La Mansh, për Paris. Stacionet e fundit të jenë Roma e Bari. Pastaj, me traget përmes Adriatikut, drejt e për… Pa mbaruar mirë, këto fjalë fluturake prej babaxhani, Elsa befas iu kthye duke ngrtur zërin ndryshe nga sjellja e saj, thuajse e urtë.
– Ç’janë këto që thua! Kush na pret tek thua ti!? Mos dashke të bredhim brigjeve me anije turistësh milionerë?
– Mos bërtit kështu se po na degjojnë jashtë në rrugë!
-S’na njeh njeri këtu! Fundja, jam në shtëpinë time!
-Çudi me ty! E harrove vajtjen me autobusin turk EL-Izmir nga Tirana në Sofje? Po trenin nga Sofja për Bukuresht? Për pak atje, desh na rrëmbyen valixhet dhe çantën tënde! Vendimin e kishe marrë vetë. E kur, se? Siç të thashë, ishte koha e krismave dhe e maskave.
– E po atëherë na priste Endri. Kishim mall, plot pesë vjet pa e pare. Tani nuk na presin as në Londër, as në Paris, as në Romë, por veç Ada e vogël në Tiranë! Në fund të muajit ajo mbush gjashtë vjeç!
–Po, vërtetë!
Pas pyetjesh e bisedash me mikeshat e saj, sidomos me Zhanin, sipas fjalës së urtë pyet njëqind vetë e bëj si di vetë, edhe kësaj here u bë siç desh ajo. Do të merrnin ajrorin e kompanisë Lufthansa. Në programin e fluturimit, e gjetur në internet, shkruhej: Boston-Frankfurt-Mynih-Tiranë.
– Ç’ne ky fluturim i zgjatur tërkuzë për nga poli i veriut, me ulje e ngritje brenda Gjermanisë, – tha Berti, – kur dihet se Tirana bie nga juglindja! – Kësaj i thonë të shkosh në Pogradec, jo me autobus nga Qafë-Kërraba, por vërdallë me tren: në Durrës, Rrogozhinë, Peqin…
– Mos u ngatërro në punë që s’të takojnë! – ia kthehu Elsa.
– Si s’më takokan! Pa shiko! Sa thjesht është me kompaninë Al-Italia! Boston-Milano, ose Boston-Romë! S’ke ku gjen më mirë! I harrove stjuardesat e shkathta italiane!? Apo s’kuptohesha për bukuri me to! Sikur flisja shqip më dukej!
– Prapë me stjuardesa ti!? E kemi menduar unë dhe djali! Pikë dhe mbaroi! Pastaj, për gjuhën kush është më i zoti se ai? Biletat i pagoi. Edhe shpenzimet e tjera i ka marrë përsipër. Ti shiko se ç’do të marrësh vetë! Të tjerat i dimë ne!
Berti desh të shtonte diçka tjetër, por heshti e u dorëzua para gruas, dikur e urtë si qengj. Gjithsesi, mikeshave të Elsës në telefon apo gjatë vizitave Berti u thoshte, se si amvisë asaj nuk ia kalonte askush, qoftë për shtrimin e tryezës, me qumësht e biskota e pak sheqer në mëngjes; për drekë: me tri pjata, pakëz verë të kuqe dhe ëmbëlsirë me racion; kurse darkën e më të lehtë, duke mos harruar kosin e ilaçet! Të gjitha, sipas këshillave të doktorit Hans Fridrih. Veçse, sikur e tepëron ca me qortime pa vend, kur i kërkon pak mjaltë nga shishja në dollap, apo kur sheh ndonjë njollë mbi bluzën e pastër! Por, si mund të harrojë ajo Bertin në dimër, teksa ai mendon se ç’duhet bërë, pas stuhisë, kur bora mbulon shtëpinë, trotuarin, gardhin, kopshtin dhe shkallë?! Ndërsa Elsa struket në kuzhinë afër stufës me gaz, Berti papërtuar aspak merr lopatën, e hedh borën majtas e djathtas dhe hap rrugica për hyrje e dalje. Dhe shtëpia çlirohet sërisht e lidhet prapë me postën e me botën, më vonë me dyqanet, sepse ushqimet gjatë javës së ftohtë mbarohen shpejt, mbi të gjitha buka.
Para nisjes, të dy vranë mendjen për paratë, për valixhet e çantat, për kapelet e veshjet, këpucët e dhuratat. Ndaj Berti me Elsën panë ç’panë, në mbarim të zënkave, jo aq po kaq, jo unë po ti, u veshën, dolën dhe pritën autobusët urban. Me një prej tyre ndaluan para supermarketeve Big K. Marti, Faj Lins e Off Broduej. Atje blenë dy valixhe me rrota, një të madhe e një të vogël. Vite të shkuar kishin marrë dy të mëdha e dy të vogla ngjyrë blu. Ndërkaq, pas mosmarveshjeve jo fort të zhurmshme, zgjodhën kostume, fustane, funde, këmisha me kravata, këpucë burrash e grash, për vete e të afërmit, veçanërisht për mbeskën në Tiranë. Të gjitha me dollarët e Adrianit dhe u kthyhen në shtëpi.
Si hëngrën drekën, tek po pinin më nge kafetë, Berti tha:
– Po dhurata për miqtë e mi morëm, apo jo?
– Aq shpejt i harrove tri këmishat e bardha dhe ato kravatat!?
– Pse, vetëm tre miq kam unë?
– Pa mendohu pak! Prishëm një tufë me dollarë nga të djalit!
– E po, të paktën, të merrnim edhe disa sende jo aq të shtrenjta!
– Atëherë, bliji me paratë e tua! S’kam ndër mend t’i prish për botën paratë e mia!
– Ashtu!? Mirë, pra! Ika!
– Prit! Merri edhe këto! Janë afro njëzetë dollarë. Përdori për dhurata fëmijësh!
Berti numëroi të vetat dhe ato që mori.
– S’janë aq shumë. Nejse, do të bëj si do të bëj edhe me kaq. Para se të dilte nga shtëpia, u ul të shlodhej pak, në kolltukun që përkundet si djepe. Në ato çaste me çantën në dorë u ndodh në Panairin e Rivier-it, tek një fushë e gjatë dhe e gjerë e rrethuar me gardh druri me dy porta, pranë, kinema -Xhons. Panairi hapet çdo vit në maj, të shtunave e të dielave dhe mbyllet n֝ë nëntor. Në atë shesh me çadra ngjyra-ngjyra shiten sende të përdorur shtëpiake, mallra nga më të ndryshmet nga të moshuar e të rinj. Midis tyre bien në sy kinezë e kineze, me kapele kashte me majë e strehe nga ato që përdoren në orizoret e Kinës. Diku Berti bleu me çmim thuajse falas, një radio dore me bateri, në trajtë kubi sa gjysma e një tulle.. E ngjeshi në fund të çantës pastaj eci më tutje dhe bleu banane e portokalle, por, kur ngriti çantën, i hutuar siç qe pa se bananet e portokollet kishin fluturuar…Ndërkohë i shqetësuar sa s’ka vuri re, se për çudi, edhe çanta qe zhdukur. Brodhi sytë rreth e qark për ndonjë polic. Ishte e kotë Befas u gëzua, kur dëgjoi zërin e Elsës:
– Nisu, ç’pret më! Për dhjetë minuta vjen autobusi 106!
Berti sakaq fërkoi sytë, u ngrit, zbriti shkallët e doli në rrugë. Duke ndërruar pesë autobusë, brodhi dyqan më dyqan, si Famili Dollar, Kristmas Tri, Dollar Dej, Dollar Tri dhe mbushi dëng disa qeska me sende të tilla, si: çamçakiza e mente, stilolapsa e kalendarë xhepi, letra bixhozi e domino, miniradio, orë dore e syze dielli, arusha e mace prej cohe pambuku me ngjyra… Për dreq, të gjitha me etiketa çmimesh nga një në pesë dollarë, me markën Made in China. Pa dalë mirë nga dyqanet, ai i shqiti etiketat dhe kështu vlera e tyre u rrit në çast.
Udhës, ulur në autobus, iu kujtua vizita e një viti më parë në Tiranë. Mbeska me dhuratat ndër duar, sado e qeshur, thoshte se mami fustanet e saj amerikane nuk ia vishte të gjitha, por ua falte Betit e Lolës! Njëra prej kunatave të Elsës, tek shihte Bertin t’u jepte dhurata nipave e mbesave të saj, i pati thënë hapur: “Ç’je lodhur kot me këto çikrima! Ne tashmë jemi velur edhe nga mallrat gjermane, ndërsa italianeve s’ua hedhim sytë, palé kinezeve!” Kurse kunati e pati ngacmuar: “Lëri ato të bukura plaçka, hidh këtu 20.000 dollarë dhe jemi të larë bashkë!” Në vend të përgjigjes, Berti ia kishte kthyer me një shaka rumune: “Në Amerikë nuk punon askush! Dollarët i gjen rrugëve! Një djaloshi nga Bukureshti, tek endej me duart në xhepa nëpër Manhatan, i shkuan sytë te një valixhe në cep të rrugës. Zgjati dorën, e ngriti dhe e hapi. Ç’të shihte! Brenda valixhja qe plot me dollarë. “Sa të jenë, vallë? – mendoi. Dhe, kur u orvat t’i numëronte, tha me vete: – Ç’bëj kështu!? Edhe në Amerikë u dashka të punoj!?”
Kur Berti shkonte në Tiranë për t’u takuar kafeneve me miqtë e vet, disa inxhinere apo diplomatë, ndërsa rrinte përballë tyre, nuk ndihej mirë, tek i shihte krenarë e të veshur për bukuri, me kostume gri e blu, me orë të markave zvicerane. Palé, kur ata i tregonin për udhëtimet e tyre në Romë, Paris, Vienë, Berlin e tutje, në Tajpein e largët! Por, ama, e dëgjonin me vëmendje, kur u tregonte për bukuritë e Bostonit! Teksa tregonte vetëm njëri e mërziti, disa herë duke i folur për vizitat e tij në muzetë e Uashingtonit, për kazinotë në Las Vegas e qiellçarëset e Çikagos.
Gjithsesi, për dhuratat, askush prej tyre, as vetullziu që e nderpreu disa herë nuk i tha Bertit, pse je harxhuar, apo pse je munduar, por i merrte menjëherë, buzëgaz e nuk i quannte çikërima. Më të moshuarit e qerasnin me kafe ekspres, dhe nuk e kundërshtonin, nëse ai ngulte këmbë e i pagonte vetë.
Frenimi befas i autobusit në stacion, ia këputi Bertit fillin e kujtimeve.
Logan Aeroport Boston
Gjer në Logan – Aeroport të Bostonit Berti, Elsa dhe Adriani udhëtuan të tre me dy taksi, përmes rrugëve me disa kalime e me semaforë pa mbarim në çdo kryqëzim, rrugësh që sillen rrotull apo nëpër tunele poshtë qytetit e nën det.
Elsa nuk e pati vrarë mendjen ndonjëherë të mësonte se ç’do të thotë Logan, ndërsa Berti – po. Në kafe Toskana ai kishte dëgjuar Braçen, i cili, megjithëse ekonomist, i ka hyrë çuditërisht gjuhësisë. Një ditë ai u shpjegonte miqve, se emri log vjen nga shqipja, shesh, vend në qendër të fshatit, ku mblidhen fshatarët për gjyqe, a biseda, ose për t’u nisur me kafshë të ngarkuara për qytet. Edhe Toskana e Italisë, Albania e Nju Jorkut dhe Tirana rrjedhin nga shqipja. E para – nga toskëria, e dyta nga Arbëria dhe e treta nga shprehja “te rana”, sepse trualli i kryeqytetit tonë paskësh qenë i pasur me ranë, e, sipas Biblës, pas përmbytjes së madhe qe zhytur thellë nën det. Patën shpëtuar vetëm pak gjallesa me varkën e Noes. Sot ajo laget nga disa lumenj me ranë, zhavor e gurë, tek shihen ende fosile yjesh e guaskash deti. Ndërsa, kur Braçe flet për etimologjinë e emrit Amerikë, ai buzëqesh dhe e shpjegon me shprehjen beratase: “ha, merr dhe ik!” Braçja shtyhet edhe më thellë, kur jo aq shumë i vendosur shpjegon kuptimin e emrit Frankfurt, që sipas tij, ka gjasa se vjen nga shqipja e vjetër. Mirëpo, grekët ia kalojnë Braçes, kur thonë se emrat Tomor, Korça, Konispol, Derviçan, Poliçan, Tropojë, janë toponime greke. Po kështu, profesor Pavllo nga Athina ngul këmbë se Skënderbeu është grek me emrin Jorgos Kastriotis, kurse profesor Jorgaqi në një nga ligjëratat e veta në anglisht për çështje filozofike, politike dhe ekonomike, u tha të pranishmëve në sallë se gjithçka që kishin dëgjuar prej tij rridhte nga një greqishte e pastër! Edhe fjala krizë, tha ai, vjen nga krio, ftohtë! Mirë thotë Braçja nëpër kafenera, se dituritë e profesorit grek për etimologjinë e shumë fjalëve janë ftohur në dy krahët!
Logan Aeroport ndodhet midis ujërash, në një rrafsh të krijuar me tokë të butë e me gurë shkëmborë, të sjellë me kamiona e trena. Udhëtarët mbërrijnë atje nga Bostoni, nga rrethinat dhe qytetet e tjerë, me tren, me metro e me autobusë të zakonshëm, nëpërmjet Silver Lain-it, linjës së argjendtë të qytetit. Krahas tyre, lëvizin drejt atij aeroporti edhe furgonët e hoteleve, taksitë, veturat dhe automjetet e kompanive turistike. Brenda në aeroport lexohen shkronjat A B C D E, për çdo portë, apo gejt. Në katin e dytë shtrihet gjatazi salla e gjerë e zyrave të hapura të biletarisë, me kioska infomacioni e tabela elektronike, ku shkruhet me drita departure (nisje), arrivals (mbërritje) për çdo avion të kompanive Amerikan Erlain, British Erlain, Kanadien Erlain, Frans Erlain, Lufthansa, Al Italia, Sviseri, etj. Salla ndriçohet pak si zbehtë nga llampa të shumta. Udhëtarët, me çanta e valixhe të vogla me rrota, hipin e zbresin me anën e ashensorëve, shkallëve lëvizëse, e me korridoret-konvejer, ku, krahas zyrave, rreshtohen dyqane dhe restorante. Ata, pasi kryejnë veprimet me pasaporta dhe dorëzojnë valixhet e mëdha, kalojnë para kontrollit të zakonshëm doganor dhe presin në sallën, ku ndodhen portat me numër për çdo fluturues të kapur në ndërtesën me tre kate të stacionit.
Elsa e Berti treguan grinkartat dhe Adriani pasaportën. Morën biletat, dorëzuan bagazhet dhe u rreshtuan në rruginën e kufizuar me shirita blu për në hyrjen e parë. Pas pyetjeve e kontrollit elektronik të çantave e valixheve të vogla, hynë në sallën me porta për çdo avion. Atje, u ulën në një nga stolat e gjatë, për të pritur orën e fluturimit. Në kohën e caktuar, u ndez një dritë jeshile me shkronjën A. Udhëtarët për në Frankfurt u ngritën, hodhën çantat në sup, tërhoqën valixhet me rrota dhe u rreshtuan para portës, ku një zonjushe e hijshme shtatlartë me kostum blu dhe e buzëqeshur, pasi vështronte biletat, përshëndeste: “Thenk-Ju! Fluturim të mbarë!”
Berti, Elsa dhe Adriani kaluan prapa të gjithëve. Mandej ecën përmes një rrugine drejt avionit me motorë të ndezur. Paksa larg nga porta u dukën pesë oficerë të policisë financiare, që i printe një grua e shkurtër me kapele. Ajo mbante me zinxhir në qafë një qen leshtor e laraman. Në vend të Bertit, që ecte përpara, gruaja me kapele ndali vetëm Elsën e trembur nga qeni, që po nuhaste pranë këmbëve çantën e saj të bardhë.
– Iskjuz mi! – i tha dhe e pyeti: – Ç’farë keni në atë çantë?
Elsa u ndal e shqetësuar e iu përgjigj:
– Byrek…
Berti buzëqeshi dhe shtoi:
– Samthing llajk, pica-çiz!
– Okej, no problem!
Pas gruas, iu drejtua Bertit një nga oficerët, paksa i shëndoshë e flokëverdhë:
– Sa dollarë keni me vete, zotni?
Berti rëmoi nëpër xhepa, sepse nga kuleta ai kishte hequr dorë qysh në kohën e autobusëve “Shkodra” në Tiranë, që valëviteshin majtas e djathtas, me bezen me pala plot pluhur. Me ato makina të quajtura nga shkodranët “fizarmonika pa fe muzike”, nëpunësit e punëtorët shkonin në punë, mandej ktheheshin të mbuluar nga djersa, kokë e këmbë, të ngjeshur njëri me tjetrin, aq rreptas, sa u merrej fryma. Në ndalesën e parë te Zogu i Zi, teksa po përpiqej të zbriste, disa duar të fuqishme që s’merrej vesh se të kujt ishin, gati sa s’e mbytën. Në shtëpi në çastin, kur hoqi xhaketën, vuri re i turbulluar se kuleta me rrogën brenda ishte zhdukur. Me këto kujtime tani para oficerit amerikan kërkoi dhe gjeti thellë në xhepin e majtë të pantallonave tre dollarë të harruar dhe ia tregoi.
Ai, vuri buzën në gaz, tundi kokën dhe u drejtua nga Elsa. Ajo hapi kuletën, nxori dollarët e saj dhe tha:
– Janë rreth 500!
Kontrollori i mori në duar dhe i numëroi si letra bixhozi. I dolën 600! Ndërkaq, atij iu afrua Adriani me kreditkartën në dorë. Oficeri i hodhi një vështrim të shpejtë:
-O kej! Thenk-ju! Mund të shkoni! Fluturim të mbarë!
Me kaq policët mbaruan punë dhe u larguan tok me qenin laraman.
Në kohën, kur të tjerët ishin ulur në vendet e tyre, udhëtarët tanë, ende nuk kishin hyrë. Kapitenia zeshkane e shtatgjatë priste në prag.
– Më falni! – tha. – Vende ka vetëm për dy vetë! Të kalojë zonja bashkë me zotninë! – Ju, – iu kthye Ardianit, – merrni avionin për në Mynih! Niset pas dy orësh!
Adriani nuk foli, as u ankua, kurse Elsa, megjithëse njihej si grua trime, nisi të qante si fëmijë, duke e ngritur zërin më shumë se sa duhej:
– Dua djalin! Biletën ai e ka si tonat! Pastaj ne nuk dimë gjermanisht! Do të humbasim nëpër aeroporte!
Kapitenia i foli fytyrëqeshur:
– Ju lutem, qetësohuni! Hyni e zini vendet, sepse ora e nisjes ka kaluar!
Elsa u mendua pak, bëri disa hapa, ktheu kokën dhe e vështroi të birin e trishtuar.
Fluturimi drejt Frankfurtit.
Berti dhe Elsa, teksa fshinte sytë me shami, të shoqëruar nga kapitenia e sjellshme, zunë vend afër dritares djathtas, në qendër të avionit. Pranë tyre qenë ulur një burrë me gruan, të dy flokëbardhë, me revista ndër duar. Asnjë prej tyre nuk u hodhi sytë, as i pyeti se ç’hall kishin, apo përse qante gruaja e panjohur me trupin përkulur mbi çantën e bardhë në tryezën e ngushtë.
– Mjaft me të qara se na plase! Ç’bën kështu!? – u nxeh Berti. – Na lër të marrim vesh se ç’thonë aviatorët!
Dëgjohej zhurma e mbytur e motorëve. Nga dritarja dukej pjesërisht një krah i ajrorit, që po shkëputej ngadalë nga ndërtesa e po drejtohej për në pistën kryesore. Njerëz nga kombësi e shtete të ndryshme nisën të lidhnin rripat e sigurisë. Edhe Elsa, pak nga pak, e mblodhi veten.
– Lidhe rripin edhe ti! – i tha Berti. – Bashkoji dy krahët tek kapsja metalike! Dhe rri urtë tani!
– E di vetë se ç’ bëj!
Dhe ja, pista e gjerë që zgjatej përmes blerimit! Pas disa minutash, u dëgjua uturima e fuqishme e motorëve reaktivë dhe trupi vigan e i bardhë i ajrorit u sul me nxitim përpara. Befas, ai u shkëput nga pista dhe u ngrit mbi ujërat e bregut të Vonderlendit. Tek po largohej mbi ishujt, lart e më lart, Bostoni humbi nën re. Të dy flokëbardhët s’tundeshin nga vendi, ndërsa lexonin pa u ndierë, gruaja një libër, burri një revistë me ngjyra. Motorët tashmë punonin më qetë. Jashtë dritareve vezake lëviznin re të bardha e aty – këtu diçka si në blu të thellë. Flutimin e avionit tani e tregonin vetëm ekranet përballë. Berti u kthye nga Elsa e i tha:
– E ç’trime na qenke ti, kur trembesh nga një qen i vogël policie i lidhur me zinxhir! Palé, na mburresh, se kur ishe mësusese, kaloje lumenj pa frikë dhe ngjiteshe përpjetë malit!
– E po, i riu si veriu! Vërtet, tek ecja shtigjeve, asnjë qen nuk lehte kundër meje. Të gjithë më njihnin. Jo vetëm kaq, se ndonjëri që dilte në rrugë papritur më shoqëronte deri te shkolla, duke vrapuar me përkëdhelje para meje, djathtas e majtas, e më në fund, kthehej me vrap në shtëpinë e tij.
– Kurse unë, si qytetar, s’kam patur punë me qen fshati.
Pas dy orësh, mbi kokat e tyre u duk kapitenia e çelur në fytyrë.
– Kam një lajm të mirë për ju! – tha në anglisht. – Sapo mora një mesazh nga Aeroporti i Loganit. – Djali juaj është nisur drejt Mynihut! Do t’ju presë atje!
Elsa e gëzuar sa s’ka, zgjati krahët drejt saj:
– Thenk ju, veri maç!
– Danke shën! – shtoi Berti.
Ndërkaq, ajrori, duke u ngjitur lart, po largohej nga kontinenti Amerikan. Në atë lartësi, kur motorët punonin shtruar, u shfaqën stjuardesat e shpejta me shall të verdhë rreth qafës, duke shtyrë para e prapa karrot me ushqimet e pijet e darkës. Si gjithë pasagjerët, Berti dhe Elsa me lugë, pirua e thika, për çudi metalike, shijuan gjellët e ngrohta të shoqëruara me ujë Poland, birrë Heiniken e verë Bordo, si gjithmonë. E mbyllën darkën me tortë në kuti të vogla kartoni, në atë restorant të gjerë e të gjatë fluturues.
Në çastet kur ajrori arriti mbi brigjet e Kanadasë, u mënjanua djathtas për nga lindja.
– Shiko në ekran! – tha Berti. – Ajo tokë, që zgjatet nga veriu, është Groendlanda, më tej Islanda e njohur për geizerët e ngrohtë mes akujve dhe borës.
– E di, e di! Kam dhënë mësim për to.
– Veçse nuk ke lexuar një libër tërheqës për një ekspeditë angleze me profesorë e studentë, e cila, që thua ti, e ngriti bazën në jug të Groendlandës, atëherë thuajse të pabanuar. Pas tri ditësh, së andejmi pesë vetë u nisën drejt veriut me slita të ngarkuara me pajisje e ushqime dhe ndaluan në qendër të gadishullit. Në një guvë shkëmbore të mbrojtur nga stuhitë hapën dy çadra për vrojtuesit. Rreth e qark mbi një pllajë vendosën aparatet matëse hidrometeorologjike. Si mbaruan këto punë, katër vetë u larguan. Studenti i mbetur vetëm, gjatë atyre ditëve, në thëllim e tufan, kreu vrojtime sipas programit. Por mbante, edhe ditar për ndodhitë e ditës e të natës Pas dy javësh, në vendin e tij dërguan të shoqëruar një tjetër. Në kthim disa nga studentët, përveç fletoreve të vrojtimeve, dorëzuan edhe ditarët, ku krahas ngjarjeve, lexoheshin edhe sharje të rënda.
– E pse duhej të rrezikohej jeta e studentëve kot më kot?
– E po, shkenca, ti e di, kështu punon. Groendlanda sot banohet në shumë qyteza.
…Dhe ja hapësira e errët e oqeanit! Papritur dritaret u mbyllën dhe ekranet nuk tregonin asgjë. Berti dhe Elsa nisën të trazonin kot së koti revistat. I merrnin në duar dhe shikonin reklamat për televizorë, këpucë e veshje burrash e grash. Pas një fluturimi, që zgjati ndoshta katër orë mbi lartësi e thellësi të panjohura, perdet e dritareve u hapën sërish tok me ekranët. Në vijën, që përshkonte ajrori, u dukën ishuj si miza, kontinenti Europian, Irlanda, Anglia, Franca, Gjermania, dete të kaltër dhe vargmalet e alpeve, lexohej Boston, London, Paris, Frankfurt, Mynih….
Gjatë fluturimit mbi oqean, Berti u ngrit të çmpinte pak këmbët dhe shkoi nga fundit i avionit. Duke ecur me ngadalë, pa dy të njohur, burrë e grua, nga Tirana.
– Zoti Hysen, nga kështu?
– Për Athinë! Masnej kina me u kthye me autobus për Shqipni!
– Shumë gjatë e paskeni marrë udhën!
-E po, ça me ba! Aqé punojnë çuni ene nusja! Po ju?
– Në Tiranë po shkoj, e ku gjetkë!
– Sa mirë! Besoj se kina me u taku’ e me pi ka nji kafe turke ke Kolonat!
– Patjetër! Hajt, pra, mirupafshim!
Pasi eci më tej pa u lëkundur, Berti u ndodh pa e kuptuar në kuzhinë. Një djalë ezmer qëndronte në këmbë pranë një tryeze alumini.
– Ju lutem, pak ujë!
Djali bëri disa hapa për te një arkë, nxori një shishe, mbushi një gotë të bardhë plastike dhe ia dha në dorë.
– Thenk – ju!
– Uellkom, sër!
Tek pinte ujin, Berti vuri re se ezmeri, nga e folmja dhe fytyra, nuk dukej si gjerman, ndaj s’iu durua të merrte vesh se ç’qe. E pyeti:
– Nga jeni?
– Nga Brazili.
– Brazil, hë?
– Jes!
– Kafe famozo, grand Péle! – ia ktheu Berti.
Braziliani qeshi i kënaqur dhe tundi kokën. Po pasagjeri i ngeshëm vazhdoi:
– Kam lexuar në italisht një libër për portugezët në Brazil. Mbaj mend vetëm titullin: “E viva il Portogalo!”
Ezmeri ngriti supet, mblodhi buzët, buzëqeshi pak dhe nuk foli. Muhabetçiu ynë desh të shtonte diçka tjetër, por ai ia la fjalën në grykë:
– Më falni! – i tha i shqetësuar dhe u largua. Mesa merrej vesh, e kishte thirrur dikush për ndonjë shërbim. I mbetur vetëm, Berti e pa me vend të kthehej në vendin e vet pranë Elsës dhe, sa mbërriti tek ajo, nisi t’i fliste si profesor gjeografie:
– A i sheh ato copëra si gurë bojë kafe afër bregut të Anglisë?
– I shoh, qysh jo! Ua, sa të vegjël!
– Që thua ti, ata janë ishuj të Skocisë! Më sipër, duket si luaneshë e përgjumur Anglia. Ngjitur me të – Irlanda e Veriut!
Berti vazhdoi me mësime historie:
– Skocia, që thua ti, sipas një historiani skocez, ngjan me Shqipërinë. Malësorët e saj kanë zakone e veshje të ngjashme me tanët. Gajde kanë ata, gajde kemi ne! Feste – ata, feste – edhe ne! Jelek e fustanella me pala – ata, jelek e fustanella me pala – edhe ne! Shoqëria e tyre ka qenë e ndarë në fise, që shpesh herë luftonin njëri kundër tjetrit, e në çaste rreziku nga pushtuesit e huaj, bashkoheshin dhe e mbronin vendin me vetmohim.
– Si nuk u lodhe duke folur! – ia preu Elsa monologun prej profesori.
– Mbete duke më qortuar, sapo nis të tregoj diçka! Sidomos, kur ulem të ha darkën me grykësen rreth qafës. Për një njollë kosi mbi këmishë e ngre zërin sikur u bë kiameti!
Avioni la prapa Anglinë dhe po kalonte mbi ngushticën e La Manshit.
– Poshtë nesh është deti! – ia nisi prapë Berti si për inat. – Më 1944 aty kaluan anijet luftarake me ushtarë britanikë dhe amerikanë për në Normandi. Të kujtohet filmi “Beteja e Normandisë”, apo “Beteja e Stalingradit”?
– Aman, mos na e kujto luftën! Ti e di, se kur nisin filmat me luftë, unë ngrihem e iki!
– Mirë, atëherë, do të flas për diçka tjetër! Tani ndodhemi afro 3000 metra më lart se maja e Everestit!
– Mjaft! Mos na turbullo me lartësira! I shoh. Kam sy vetë.
– Dëgjo, dëgjo ç’të them! Parisin e lamë prapa! Tani po i afrohemi Frankfurtit!
– Ashtu!? Këtë thuaj, se u lodhëm të mbërthyer në një vend!
Përmes reve dukeshin aty – këtu njolla të errëta. Ndoshta ishin pyje mbi Alpet e Zvicrës e të Italisë. Në ekran vërehej zvogëlimi i shifrave të lartësisë.
Flokëbardhi përbri, me sa kuptohej, kur dëgjoi atë gjuhë me turqizma e latinizma dhe emrat Normandi, La Mansh, Stalingrad, u kthye nga Berti dhe e pyeti:
– Ju rashën or turkish?
– No! Albenien!
– Ah! Jes! Tirana! – Dhe e mbylli me aq. Hodhi prapë sytë nga televizori dhe s’u ndje më.
– Po ky ç’është, gjerman apo francez? – pëshpëriti Elsa.
– Ma do mendja të jetë nga miqtë e vjetër, që na kanë rënë më qafë me librat e kuq.
Stjuardesat me karrot e mëngjesit, filluan të lëviznin përsëri poshtë e lart. Si zakonisht, hëngrën mbi re, duke shijuar diçka të fortë si gur me pak sheqer, që mezi përtypej. Ndërkohë, po i afroheshin kufirit gjerman. Ajrori kaloi nën shtresën e reve. Toka e Gjermanisë po shihej më qartë.
– Ja, ja, si po hapen fushat, si qilim i blertë! – foli Elsa e çliruar paksa nga emocionet e lartësisë. Berti, që ishte më afër dritares, tha:
– Djathtas po duket Frankfurti! Ndërtesat e vjetra atje mirëmbahen me kujdes, krahas atyre moderneve, si në Boston. Në Frankfurt ka lindur poeti e shkrimtari i madh …. Hë, cili?
– E, nga ta di!
– Ama, ke qenë edhe mësuese e letërsisë! Johan Gëte, si s’e kujton!
Aeroplani u mënjanua pak dhe nisi ta humbiste lartësinë. U dëgjua një zë në gjermanisht dhe anglisht:
– Të nderuar pasgjerë! Për 20 minuta zbresim në Flughafen Frankfurt mbi Main! Ju lutemi, lidhni rripat e sigurisë!
Motorët tani punonin më shtruar. Shpejtësia u pakësua ndjeshëm. Nga dritaret dukeshin çati, tarraca, drurë, rrugë dhe fusha e blertë me aeroplanët e bardhë rreshtuar përbri njëri – tjetrit. Befas, goditja e butë në tokë tregonte se rrotat kishin prekur pistën e gjerë. Avioni mori djathtas për nga shtatë kullat e ndërtesës së gjatë gjashtëkatëshe. Në ato minuta A-3 i Lufthansës i ngjante një treni të bardhë ekspres pa sirenë, që po arrinte në stacion. Pas pak, motorët e avionit u fikën. Heshtje.
Flughafen Frankfurt mbi Main
Udhëtarët lanë ndenjëset pa zhurmë, ulën çantat e valixhet me rrota nga raftet dhe ecën drejt daljes.
– Mos luaj nga vendi! – i tha Berti Elsës. – Ulu! Të presim deri sa të mbarojë radha e gjatë!
Pas gjysmë ore, mbi kokat e tyre u duk përsëri kapitenia me një vajzë të re flokëgështenjë e faqebardhë, paksa të shkurtër, me shall të verdhë rreth qafës. Berti dhe Elsa u ngritën në këmbë.
Zonjushe Irma do t’ju shoqërojë deri në avionin, që niset për Mynih! – u foli ajo. Dhe, pasi i përshëndeti, u largua. Vajza zgjati krahët lart dhe zbriti valixhet me rrota, tërhoqi njërën prej tyre dhe u nis përpara. Elsa e ndoqi me çantën e bardhë mbi sup. Berti eci pas Elsës. Ajo treshe, tek lëvizte, ngjante pak a shumë me Borëbardhën e re, me Hirushen e thinjur dhe princin plak. Në dalje, një djalosh i gjatë me kapele të bardhë aviatorësh përshëndeti pasagjerët e vonuar:
– Hauf viterzen!
Vajza e re i priste jashtë me karron elektrike. Ajo u mori bagazhet Bertit dhe Elsës dhe i ndihmoi të uleshin në në dy skajet e kundërt Elsa duke vështruar përpara, ndërsa Berti prapa.Ai mjet i qetë, pa u ndier lëvizi sikur rrëshqiste në akull përmes hollit të gjatë, shtruar me pllaka të shndritshme. Anash shfaqeshin njëra pas tjetrës zyra, kioska dhe vargu i dyqaneve si supermarket, që zgjatej e kthehej djathtas e majtas. Shoferja e re, gruaja me çantë të bardhë dhe burri me barsolinë të kujtonin rosën, patën dhe patokun në çadrën e lojërave. Tek po kalonin para një dritareje, ku dukej një djalosh me uniformë polici, karroca ndaloi.
– Ju lutem, vështroni nga e djathta dhe tregoni pasaportat!
Polici, hapi sytë, tek vuri re dy pasaporta të kuqe. Pasi u mendua pak, u kthye nga vajza dhe i bëri shenjë të afrohej. Ajo zbriti menjëherë, foli me të dhe sakaq u kthye e i shpjegoi çiftit:
-Thotë se duhet të takoni shefin e policisë.
Ç’punë ka me ne policia- pyeti e shqetësuar Elsa
Duro! Ule zërin, të marrim vesh si është puna! – i tha Berti.
Të shoqëruar nga gjermanka me shall të verdhë në qafë, ata hynë pa trokitur në derën me xhama të zyrës së policisë, siç do të hynin në një kafene, apo farmaci. Kur u ndodhën brenda, vunë re në mure një orë ndërmjet disa pikturave klasike. Në njërin krah panë një divan dhe dy kolltukë me lëkurë kafe të errët e një tryezë mbi tapetin me rombe. Jashtë xhamave shihej holli i gjatë e i pastër i aeroportit, ku lëviznin pasagjerët me çanta e valixhe para dyqaneve dhe kioskave, tek punonjësit u përgjigjeshin pyetjeve të ndryshme. Pra, zyra ku hynë, nuk ndryshonte aspak nga sallat e pritjes së një hoteli apo spitali. Vetëm një tavolinë zyre në këndin e majtë, ku rrinte pa lëvizur para ekranit një flokëzi me uniformë policie e me gradat e kapterit në krahë, e prishte atë pamje çlodhëse. Vajza vajti pranë asaj tryeze. U dëgjua një bisedë e shkurtër në gjermanisht. Polici hodhi sytë e zesë nga udhëtarët e u bëri shenjë me dorë të uleshin. Më së fundi, pas përshëndetjes “hauf viterzen!”, vajza faqebardhë e flokgështenjë, me shall të verdhë rreth qafës dhe uniformën blu të Lufthansës, qetë e qetë doli jashtë e s’u pa më.
– Më duket na la në baltë! – tha Berti, teksa shihte me një parandjenjë jo të mirë kapterin e ngrysur përballë, që shqyrtonte pasaportat e kuqe shqiptare dhe kartat jeshile, grinkartat amerikane. Ndërkaq, nënoficeri mori telefonin dhe, duke vështruar çiftin e panjohur, foli me dikë.
Herë pas here në zyrë hynin oficerë me grada nga më të ndryshmet. Duke kaluar para tyre, drejt një dere të brendshme, dëgjohej tek ata flisnin gjermanisht me ata zërat e njohur grykorë, me gud, cvaj, cuq, zhvarc…
– Mesa kuptohet, tani kemi punë me policët! – vazhdoi Berti.
– Pse!? – e pyeti Elsa.
Ai nuk iu përgjigj, por u ngrit dhe desh të dilte jashtë në holl. Pa mbërritur te dera, dëgjoi zërin aspak miqësor në anglisht me theks gjerman të kapterit:
– Prapa! Uluni dhe mos lëvizni nga vendi!
– Dua të shkoj në tualet…
Kaçurrelsi zijosh u mendua pak, pastaj tha:
– Shkoni dhe kthehuni menjëherë këtu! Mos u endni poshtë e lart!
Berti nxitoi për në banjë, pastaj te një bufe bleu një shishe me ujë “Polad”, mori dy gota plastike dhe u kthye.
Tek prisnin me padurim si në paraburgim, prej derës së brendshme hyri dhe ndaloi para tyre një toger gjatosh pa kapele, flokëverdhë e sykaltër. Berti u ngrit në këmbë.
– Keni shkelur kufirin gjerman pa dokumente! – tha ai, pa i përshendetur. – Jeni në kundërshtim edhe me ligjin Shengen!
– Kemi grinkartat amerikane dhe pasaportën shqiptare.
– Dokumentet tuaja, zotni, nuk vlejnë këtu!
– Zoti toger…
– Herman Shulce!
– Ne nuk kemi faj!
– Po kush e ka fajin? Ju që keni shkelur kufirin, apo ne që ju kapëm?
– Zotni Shulce, deri në Frankfurt, apo më saktë brenda kësaj ndërtese të rrethuar me policë e kontrollorë, kemi fluturuar për qiell me avionin gjerman e me bileta të Lufthansës dhe jo fshehurazi nëpër tokë. Duam të kthehemi në atdhe! S’kemi asnjë punë dhe asnjeri në Frankfurt e në qytetet e tjerë të Gjermanisë!
Togeri u çel pak në fytyrë. Tundi kokën në shenjë pohimi, lëvizi nga vendi dhe u ndal në tryzën e kapterit. Mandej, me duart prapa, u kthye nga udhëtarët dhe tha:
– Keni të drejtë! Fajin e ka Lufthansa! Megjithatë, çështja juaj nuk është kaq e thjeshtë. Duhet kohë për të vendosur se ç’duhet të bëjmë me ju. Do të prisni rreth dy orë! – Me këto fjalë, pa pritur përgjigjen, ai hapi derën nga kishte hyrë dhe u zhduk.
– Eh, dreqo punë! Avioni për Mynih po niset! Na polli groshi! – tha Berti, tek po shihte me zili lëvizjen e shpejtë të njerëzve jashtë.
– Çfarë ndryshimi paskan këta me mirësjelljen e nëpunësve dhe të policëve në Boston! – foli Elsa e mërzitur.
Ora rrumbullake me kornizë të bardhë në mur punonte si gjithmonë, por akrepët rreth fushës së blertë ecnin si pleq të ngathët, deri sa kaluan dy orë. Pasi pritën edhe dhjetë minuta, Berti u ngrit, bëri disa hapa poshtë e lart dhe u ndal pranë tryezës së nënoficerit, që ngriti sytë, por nuk foli.
– Dy orët kaluan, zotni! – i tha Berti atij.
Ra zilja e telefonit. Mandej vazhdoi një bisedë e zgjatur në gjermanisht.
Zijoshi i vrenjtur la tryezën dhe foli si të jepte ndonjë urdhër ushtarak:
– Merrni valixhet dhe ejani pas meje! – Dhe shtoi rreptë si një gjykatës: – Do t’ju kthejmë në Boston!
Berti për disa çaste u trondit, kurse Elsa nuk mundi t’i mbante lotët.
– Në Boston!? – thirri ajo me zë të ngjirur. – Atje tani nuk kemi asnjë njeri!
– Pusho! – i tha Berti i zemëruar. – Kush ia var këtij! Askush nuk na ndalon dot të kthehemi tek njerëzit tanë në Tiranë! Fundja, na mbrojnë dy ambasadat tona.
Përmes derës së brendshme, njëri prapa e tjetri para, dolën te një korridor i ngushtë me zyra anash dhe zbritën disa shkallë. Kapteri trokiti te numri 8 dhe hapi derën. Përballë, pas një tryeze ngjyrë kafe disi e gjatë, rrinte në poltronin me mbështetëse të lartë, toger Shulce, me telefonin anash e kompjuterin përpara.
– Mund të shkoni! – i tha zijoshit. – Ju, zonjë e ju, zotni, uluni te ato karriket!
Pas një heshtje aspak të këndshme, Berti e pyeti:
– Si u zgjidh çështja jonë, zoti toger?
– Me nëpunësin kryesor të Lufthansës në Boston nuk munda të lidhesha. Ishte me pushim. Edhe ajo që ju dha biletat mungonte. Po bëj përpjekje të lidhem me administratën në Frankfurt.
Nga këto përgjigje Elsa u qetësua. Ajo nuk dëgjoi të flitej për kthim prapa. Por, të shoqit nuk i pëlqyen aspak ato fjalë të zgjatura prej zyrtarit të fuqishëm mbi poltron, me kompjuter e me telefonin, që e ngrinte dhe e ulte kohë pas kohe, duke mos e çarë kokën se ata udhëtarë të moshuar e të lodhur kishin disa orë pa gjumë.
Pasi patën zbritur nga qielli në Flughafen Frankfurt mbi Main, ata kishin pirë vetëm nga një gotë ujë.
U dëgjua zilja e telefonit, pastaj fjalët e togerit me kokën e mënjanuar pak, “pite, gud, gud ….” Rak-traku i lehtë i dorëzës së receptorit, që u vendos përsëri mbi aparat, tregoi se biseda kishte mbaruar. Togeri u drejtua dhe tha, si të paskësh përpara zotërinj të pasur:
– E para, sipas ligjit, duhet të paguani dyqind dollarë gjobë për shkeljen e kufirit!
– Përsëri po flisni për shkelje!? – ia ktheu Berti i habitur.
– Ne jemi në shërbim të shtetit. Mbrojmë kufirin e vendit tonë nga çdo shkelës. E dyta, nga Lufthansa sapo më njoftuan se duhet të paguani edhe njëqind dollarë për fluturimin nga Frankfurti në Tiranë.
– Asnjë dollar s’do të paguajmë! – e ngriti zërin Berti. – Biletat tona shënojnë Boston – Frankfurt – Mynih – Tiranë!
Oficeri brodhi sytë përsëri mbi biletat, grinkartat dhe mbi pasaportat. Mblodhi vetullat dhe tha:
– Duhet patjetër t’i paguani të gjitha shumat që ju njoftova!
– Paratë, që kemi me vete, na duhen për shpenzime në atdhe. Siç pranuat edhe ju, çdo pagesë duhet t’i ngarkohet Lufthansës!
Togeri u ngrit në këmbë dhe, si një kryetar gjyqi në çastin e vendimit, foli me solemnitet:
– Ndryshe, do t’u kthejmë në Boston!
– Po na kërcënoni?
– Ligji është ligj!
– Sjellja juaj ndaj nesh, zoti toger, ndryshon krejtësisht nga sipampatia, që ne kemi për kulturën gjermane.
– Si!?
– Qysh në rini kemi qenë admirues të Gëtes dhe tifozë të zjarrtë të fubollit tuaj me Bekenbaurin në krye.
– Shumë mirë, por unë zbatoj ligjin.
– Atëherë, kërkojmë avokat dhe përfaqësues nga ambsadat tona!
– Avokat!? Përfaqësues!?
Pllakosi heshtja. Gjatoshi u mendua, la tryezën, eci e doli jashtë.
Dy udhëtarët e shqetësuar mbetën vetëm. Njëri i ngrohur nga një shpresë e vagët, tjetra e tronditur.
– Të paguajmë dhe të marrë fund ky mundim! – iu lut Elsa Bertit.
– Asnjë dysh! Gabimi është i këtyre, jo yni!
Pas gjysmë ore, togeri u kthye. Pa u ulur, tha:
– Kam një lajm të mirë për ju! Biletat i ka paguar djali juaj, që ju pret në Mynih!
Elsa sa s’fluroi nga gëzimi.
– Sa mirë! – thirri ajo.
Toger Shulce vazhdoi:
– Mos harroni kërkesën time për gjobën! Por, po ju bëj një lëshim! Paguani vetëm njëqind dollarë!
Elsa, pa e pyetur të shoqin, nxori nga çanta njëqind dollarët dhe i vendosi mbi tryezë.
Berti nuk u ndje.
– Tani, – tha oficeri, – nënshkruani dy deklaratat! E para, se e pranoni pagesën e gjobës! E dyta, se nuk kërkoni avokat!
Berti mori stilolapsin e oficerit, u përkul pak dhe, pasi kaloi një vështrim të shpejtë mbi dy letrat e holla, hodhi firmën e tij fluturake, ngriti sytë dhe pyeti:
– Kur do të nisemi?
– Bisedova me nëpunësit e Lufthansës. Ka disa mundësi për të arritur në Tiranë: E para, me linjën Frankfurt – Beograd – Prishtinë, ose Mynih. Avioni ju pret në fushë!
Berti u ngrit.
– Ç’punë kemi ne në Beograd? – foli i habitur. – Edhe kjo na mungonte! Të ngatërrohemi atje edhe me policët e doganierët sërbë!?
Shulce vuri buzën në gaz, ngriti telefonin përsëri dhe seç foli sikur po jepte urdhër.
Në zyrën e pritjes, që tashmë kishte marrë pamjen e një dhome paraburgimi, u paraqitën dy policë në moshë të re me uniformë gri.
– Këta, – tha kapteri zijosh, – do t’ju shoqërojnë deri te shkallët avionit, që pas një ore niset për Beograd.
– U pa kjo punë! – psherëtiu Berti. – Të paktën, të ikim prej këtej, se na u mor fryma!
Ai hodhi çantën blu në shpinë, Elsa – të bardhën në krah, tërhoqën valixhet e vogla me rrota, dolën jashtë dhe ecën të shoqëruar nga policët.
Nisën sërish ndalesat në derickat e kontrolleve: shqyrtimi i kartave, i pasaportave e i biletave, hedhja në kosh e shisheve të dyshimta, e tubetave “Colinos”, e i pastave “risa” të rojës… Për pak desh ua rrëmbyen edhe sapunët e bardhë “olay” me pak aromë. Si zbritën disa shkallë, dolën në fushë. Policët ndërruan vendet, njëri eci përpara e tjetri pas. Si bënë afro dyqind metra, u ndalën te shkalla e një avioni të bardhë me shenjat blu të Lufthansës. I pari u ngjit Berti, prapa tij Elsa. Një grua e bëshme, me flokë të zesë e me uniformë, me sa dukej – kapitenia, pa vështruar biletat, tha:
– Vend ka vetëm për një pasagjer!
– Djallo punë! – bërtiti Berti. – Ec të zbresim!
Të katër morën në heshtje udhën e kthimit. Këtë radhë policët ua kapën valixhet me rrota dhe bënë përpara.
Në zyrën e policisë, në vendin e kapterit zijosh, ishte ulur një tjetër. Sa i pa ata njerëz, tek hynë ashtu të këputur, u foli butë:
– Uluni, ju lutem! – Dhe sakaq ai ngriti telefonin.
Nga dera e brendshme u shfaq një oficer me gradat e kapitenit. I gjatë sa Shulce, por me mustaqe spicë, që të kujtonin ushtarakët e kohës së Kajzerit. Eci si i menduar ngadalë dhe qëndroi para tyre, duke u bërë shenjë me dorë që të mos ngriheshin. Pas një heshtjeje, që zgjati disa minuta, tha:
– Do të prisni vetëm ndonjë çerek ore! Do t’ju nisim me aeroplanin e radhës! – Përshëndeti dhe doli jashtë në holl.
Frankfurt – Zyrih
Sapo një avion i vogël me shenjën Lafthansa u shkëput nga toka e u ngrit lart, Elsa pyeti stjuardesën, që u solli nga një shishe me “coca-cola”:
– Kur mbërrijmë në Mynih?
– Jo atje, madamë, por në Zyrih!
– Ç’është kjo!? – u habit Berti.- Ne duhet të zbresim në Mynih! Kështu është shënuar edhe në biletë!
Stjuardesa ngriti supet, seç tha shkurt në gjermanisht dhe u largua.
Pas pak, mbi kokat e tyre u ndal një djalosh.
– Ju lutem, mos u shqetësoni! Me një nga avionët tanë, që do të gjeni atje, do të fluturoni drejt Mynihut!
– Sa kohë do të presim?
– Dy orë, zotni!
– Dy orë!? – Berti u mendua, pastaj u kthye nga Elsa dhe tha: – Bëj hesap! Në vend të njëzetë e shtatë minutave nga Frankfurti në Mynih, do të fluturojmë një orë e një çerek për në Zyrih, shto dy orët e pritjes, bëjnë tre orë e një çerek! Hajde fluturim, hajde!
Gjatë kësaj kohe hëngrën nga një çokollatë të hidhur, sa një kuti shkrepse dhe mbaruan shishen plastike me “coca-cola.” Në aeroport, për të dalë në sallën e madhe, tek rrinin pasagjerët, atyre iu desh të bënin përsëri goxha udhë me këmbë e me konvejer, duke u munduar me vështirësi të mbanin drejtpeshimin.
Të ngujuar diku në ndërtesën e gjatë, e panë Zyrihun vetëm së largu nga dritaret.
– Jemi edhe s’jemi në Zvicër! – tha duke qeshur Berti.
Zyrih – Mynih
Një avion tjetër i ngjashëm me të parin u ngrit drejt Mynihut nga fusha e blertë e ajrorëve në Zyrih. Fluturimi vijoi mbi tokë në lartësinë e helikopterëve. Në ajër ata u kujtuan se pranë kabinës së fundme të kontrollit, kishin harruar kukullën e madhe për mbesën. Ajrori fluturoi afër tokës njëzetë e tri minuta, aq kohë sa stjuardesës iu desh të shpërndante nga një shishe ujë “Poland”. Drurët e pyjeve, ujërat, fushat e qytezat, dukeshin qartë. Pasagjerët, pa i ngrohur mirë ndenjëset, u liruan sërish nga rripat e sigurisë dhe zbritën nëpër shkallë drejt e në fushë, ku priste vetëm një autobus.
Më së fundi, nga Mynihu avioni i natës u ul përmes dritave para ndërtesës së aeroportit “Nënë Tereza”. Dhe ja, pas endjeve nëpër qiell, mbi oqean e mbi Europë, mbërritën në Tiranë në 2 shtator 2010.
Prehje pas kthimit në Atdhe.
Berti i këputur nga lodhja, ra në shtrat në dhomën e zgjedhur nga Adriani, që ishte më e rehatshme se në hotelet me shumë yje. Të nesërmen në mëngjes, pas kafes, ai hapi ditarin dhe shënoi:
Tiranë, 3 shtator 2010.
Ajrori vigan i kompanisë Lufthansa, pasi la Bostonin dhe oqeanin Atlantik, duke fluturuar shumë lart sipër shtresave të reve të bardha mbi Irlandë, Skoci, Angli e Francë, u ul butë në aeroportin e Frankfurtit. Atje, dy oficerë gjemanë të kufirit, kundrejt një gjobe prej 100 dollarësh, vendosën të mos na kthenin mbrapsht. Megjithatë, u kënaqëm me atë fluturim fantastik mbi Europë, nga Frankfurti në Zyrih, për pak në Beograd, nga Zyrihu në Mynih e, së fundi, nga Mynihu, pas mesnate, në aeroportin “Nënë Tereza”. Mbi 25 orë fluturim, shqetësim, zënka e lodhje! Përreth fushës së Rinasit shkëlqenin qindra drita. Ishin dritat e dashura të atdheut. Vështrimi i vëmendshëm, emocionet, njëfarë trishtimi, përlotja, buzëqeshja, pothuaj mungesa e fjalëve, viheshin re te mërgimtarët e lodhur, që vinin nga larg. Udhëtari zakonisht provon dy çaste të paharrueshëm, kthimin dhe largimin, të dy me ndiesi të ndryshme, veçse hera – herës me përlotje të befta, në përqafim me njerëzit e dashur, që kanë dalë t’i presin, ose t’i përcjellin. Ky i dyti përshkohet nga hutimi e trishtimi i lamtumirës.
Pas takimeve me miqtë e vjetër nëpër kafe, sidomos në rrugën Hoxha Tahsim, Berti mori sërish stilopsin dhe shkruajti:
Tiranë, 12 shtator 2010.
Përshtypjet e para të udhëtarit të sapoardhur në Tiranë janë rrugët e gjera me disa kalime në periferi, të rënduara nga trafiku, shpejtësia e tepruar e automjeteve, ngrehinat moderne me xhama të firmave private me reklama në gjuhë të huaj, djathtas e majtas, vilat e reja të ngritura larg qendrës në rrethina. Lexohen mbi tarraca emërtime kompanish, si Mercedes-Benz, QTU, CASA Italia, etj. Por duke iu afruar sa më shumë qendrës, vihet re se gjelbërimi ka shkuar drejt pakësimit, i groposur nën themelet e vargut të pallateve shumëkatëshe në krahët e çdo rruge, ku kalon autovetura. Lartësia e tyre mbulon gjithë panoramën e dikurshme me kodra, deri edhe malet që ngrihen në lindje. Pallatet e larta janë nga më të ndërlikuarat, me përzierje banesash, zyrash, dyqanesh, kafenesh, restorante, hotele e banka. Bie në sy vërshimi i të ardhurve nga rrethet, madje edhe nga mërgimi, aq sa popullata e Tiranës e kapërcen tani shifrën një milion. Kur hyn në Rrugën e Durrësit, pas rrotullimitit të sheshit Rilindja, dendësia e autoveturave shtohet. Ato ecin ngadalë, për shkak të problemeve, që janë shfaqur në sheshin Skënderbej. Një udhëtar, që e ka vizituar Tiranën dy vjet më parë, habitet kur shikon se ai shesh i bukur me ministritë klasike, vijon të jetë i shkallmuar. Shtatorja e Skënderbeut qëndron e vetmuar buzë gropës masive. Prapa Sahatit në qendrën historike të Tiranës, ngrihet një karabina e frikshme me 25 kate. Po ashtu, para stadiumit “Qemal Stafa” një ngrehinë tjetër duket si e harruar në shesh.
Në Unazë autobusët e rinj lëvizin ngadalë dhe presin gjatë nëpër stacione, për të mbledhur sa më shumë pasagjerë, kurse autoveturat, shumica Mercedes – Benz, vrapojnë me shpejtësi si në ndonjë garë automobilistike. Drejtuesit e tyre, me gjithë gjobat nga policia rrugore, i ngasin makinat pa kujdes, pa patur asnjë shqetësim e vëmendje për këmbësorët. Rripat e sigurisë shumë prej tyre nuk i lidhin. Kalimtarët presin gjatë nëpër trotuare, për t’u hedhur nga një krah i rrugës në tjetrin. Këto shqetësime i gjen kudo, në Bulevardin e Madh e në rrugët e tjera, madje edhe në kalimet e ngushta midis banesave. Nëpër lagje autoveturat dhe këmbësorët lëvizin me vështirësi, për shkak të furgonëve me mallra gjithfarësh, që ndalen në mes të rrugës. Kurse taksitë shpesh herë lëvizin si në labirinth. Ndërmjet shoferëve gjen shumë djem të shkolluar. Disa janë të heshtur, disa flasin pa u lodhur, sipas bindjeve të tyre politike, dhe shumë pak për sportin, a për artin. Të gjithë krahët e rrugëve janë të ngarkuar me automjete të ndalur, sepse mungojnë sheshet e parkimit. Qytetari i vjetër vë re, se Tirana e sotme është ngjeshur zhurmshëm, pothuaj mbi rrjetin e rrugëve që ka pasur para vitit 1992. Kjo gjendje e rëndë duhet të marrë fund duke ia ndaluar dorën shkatërrimtare Bashkisë dhe Edi Ramës, që jep lejet me firmën e vet makute për shokët e miqtë për ngritje pallatesh të lartë duke rrënuar Tiranën dhe historinë e saj, me betonizimin e shfrenuar, të qytetit, më të bleruarin, që nga vitet 1937- 1940. Kjo çmenduri pallatesh, mesa shihet, s’ka gjasa të ndalet, as në të ardhmen për shkak të etjes për fitim dhe korupsionit në bashki.
Kush përgjigjet për këtë gjendje mjaft shqetësuese të Tiranës? Në shumë gazeta shkruajnë, Bashkia e Tiranës, por disa gazetarë të politizuar thonë Qeveria Demokratike Dihet se sipas sistemit demokratik, sot ajo u është përkushtuar arritjeve brenda e jashtë vendit Ndërsa bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimet në një territor të caktuar të vendit. Qeveria harton ligje dhe ndanë mjetet buxhetore për komunat. Ndër shumë detyra të tjera, ajo merret me hapjen e rrugëve të reja, zgjerimin e rindërtimin e të vjetrave, për lidhje nga më të ndryshmet, ndërmjet qyteteve, sidomos, në ndihmë të fermerëve, kudo në fshatra për bujqësinë, tok me pemëtarinë, ullishtat, vreshtat etj. Nje lajm i mirë: Pas kërkesave të qeverisë, pritet vendimi i Këshilli të Ministrave të BE e Parlamentit Europian për liberazimin dhe heqjen e vizave për lëvizjen në vendet e Bashkimit Europian.
Këtë gjendje e shohin qartë ata, që kanë sy në ballë e mend në kokë, madje edhe emigrantët, që kthehen tani në atdhe.
Shumë vetë shpresojnë për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë për një jetë më tëmirë, por nëse, vjen në fuqi, ndonjë Qeveri, moskurrë, me Edi Ramën në krye,
të edukuar me vese të mbrapshta, nga parardhësit e vet të koruptuar, mjerë Shqipëria!
Kryeqytetet në botë.
Dihet nga të gjithë, se shumë kryeqytete në botë janë trajtuar me kujdes, duke i mënjanuar pallatet shumëkatëshe për ruajtjen e trashëgimisë ndërtimore në zona historike. Parqet e blerta mbulojnë anembanë qendrën me ndërtesa zyrtare, hotele, banka e objekte kulturore, kurse në rrethina banesat janë të ulëta e të qeta, mbi një rrjetë të gjerë rrugësh të reja, sheshesh e parkingjesh të shpërndarë kudo…
Nga ditari Tiranë 15 shtator, 2010
Policët në botë janë zakonisht ruajtës të rendit dhe mbrojtës të qytetarëve, por, për faj të rregullave e ligjeve, me nene të ndërlikuar, ndodh shpesh e kundërta. Ata, duke u marrë me çështje kufitare të vështira, në inat e sipër, e humbasin gjykimin dhe gabojnë gjatë kryerjes së detyrës. Kështu, për fluturimin nga Bostoni deri në Singapor mjaftojnë 22 orë, ndërsa për në Tiranë, në vend të 9 orëve dhe 25 minutave, u deshën 25 orë e 30 minuta, por, siç thotë fjala e urtë, çdo e keqe ka të mirën e vet, ashtu si, pas rrebeshit me shi, kthehet dielli i ndritur dhe kaltërsia mbulon gjithçka.
Komentet