VOAL

VOAL

Flower of Vlo­ra: Grow­ing up Jew­ish in Com­mu­nist Albania By Madi­son Jackson

December 14, 2022

Komentet

KU JANË KRESHNIKËT…?!- Poezi nga FATMIR MUSAI

Prej shekujsh ata janë vetëmbyllur nëpër shpella,
Atje ku bora alpine përjetësisht i ka ngrirë,
Kujtojnë lavditë kur si akullnaja zbrisnin grykave të thella
E me bëmat e tyre mitike i patën mbjellë!

Sot zbardhin Lugjeve të Verdha ku s’i kap dielli
E veç ndonjë rreze të tij mund të kthejnë mbrapsht,
Vargje tallava e izma gjithfarësh i rrethojnë si pah mielli
E një smog si smërç tashmë u është bërë helm në asht!

Rrinë e lotojnë si stalaktike nëpër shpella
E thikat e shpatat u ngrihen pikë-pikë si stalakmite,
Presin kur përfundimisht mbi kokë t’u shembet zgafella
E oqeanit të kohës të treten a lartësohen si mite!

Kur  këndoj me vargje- Cikël me poezi nga Përparim Hysi

 

 

1.Kur këndoj me vargje

Kur këndoj unë me vargje,
Dua që në shpirtin e njerëzve dua të hyj!
Të largoj nga ata,strese dhe halle
Dua që jeta njerëzore vetëm të ndrijë!

Ndaj zërin tim e bëj kambanë
E tund aq fort  sa ta dëgjojë një botë!
Të pasurit grabitqarë nga çdo anë
Me vargje u bie drejt e në kokë.

Dashurinë mes njerëzve e mbjell si një pemë
Pemë që prodhon veç fruta të ëmbla.
Për këtë dashuri jam gati të shkruaj një poemë
SE për dashurinë mes njerëzve më dridhet zëmra.

Dashurinë e dua të jetë e shëndetshme
Larg nga “skorjet” dhe nga erozioni
Dua që kjo dashuri  të jetë e përjetshme
Se nga padrejtësitë më rritet tensioni.

 

2. Ka ca gjëra

Ka ca gjëra që s’i bën,
Kur je ballas me një femër;
Pastaj veten zë e nëmë,
Sado që je”stekë e vjetër”.

Qejf ke,por s’ke guxim
Të bien pëndët,lapurak!
Kur je vetëm,bëhesh “trim”?!
Ballas,vuv  a belbacak?

Ballë përballë,si pulë e lagur!!!
Fol,o gur! Fol, o mur!
Flet me vete:”trim i çartur”?!!!
Dashuron… dhe s’je më burrë.

 

3. Mu në “dimër të moshës”

 

Mu në “dimër të moshës”,
Pashë një luleshtrydhe
Syrin e saj,joshës,
Ma shkeli si xhinde.
Doli që nga klubi
Dhe  ma bën me sy
Mendja ime humbi
Më plaçin të dy!

Nisem pas asaj
(të bëhet kiameti!!!)
Por nuk qe kollaj
Ky”farëmuhabeti”.

E madhe dëshira
E vogël fuqia
O burri me thinja
Të rroftë,poezia!

 

4. Parfumi i buzëve të tua

Parfumi i buzëve të tua
Më mban erë manushaqe
Erën e manushaqeve e dua
Të thashë, o moj sylarme!

Manushaqet i gjeja lëndinës
Atëherë kur  banoja në fshat
Bashkë me erën e trëndelinës
Tash i gjeta tek ytishtat.

T’i putha buzët dhe u kënaqa
Siç kënaqesha kur gjeja manushaqe
Sylarme, dhe me ty u kënaqa
Ndaj për ty i shkruaj këto vargje,

5.Pse?

Pse çfarë kujton ti,moj mike,
Nuk i shoh ata gjinj kas?
Jo vetëm i shoh,moj shpirte,
Por gati sa nuk po pëllcas!

Se ta dish mirë,moj mike,
Unë nuk jam fare shenjtor.
Të shoh ty,porsi “misse”
Dhe pushtohem nga një tis”nervor”.

S’është nervor,por dridhje zemre
Se syri im, ende shikon.
Dhe ja tek ta them,moj e paemre,
Se,sado i moshuar,por të bukurën e çmon.

Tiranë,25 shkurt 2025

MOS MË KËRKONI- Poezi nga HASAN MUZLI SELIMI

Ju lutem mos më kërkoni,
Mos më kërkoni, të zgjohem nga varri.
Të bëhem lugat, a përbindësh,
Në netët e errta t’i ruhen hijes time.
.
Mos më lejoni të rri shumë mbi dhe.
Ditën e vdekjes ta mbani shënim.
Ora ime është mbi gur, aty m`skalit emrin.
Më mbuloni me dhe t`thatë, jo baltë arash.
.
Mendoni një ditë, bar mbi mua,
Një qengj të kruaj dhëmbët e rinj.
Unë prej poshtë t’i bëj ADN-në.
Ai të rritet i sertshëm me krenarinë e vogëlisë.
.
Nuk dua dritare, s`kam deshirë të shikoj.
Dua terr, ndoshta e kam nevojë veçimin.
Lulet i çel vet, në gji i mbaj, zemrës ia shtoj trokitjet,
Ndoshta bilbili i mëngjeseve pranverore më thërret.
.
Unë jam në t`ndamtë e kohës do dëgjoj.
Simfonin e gëzimit të zogjve.
Në larën e diellit që shpon gjethet, degë qershie,
Aty tek dheu im, avujt e pranverës çlirojnë jetë.
Mund të zgjohem,
Për dhuratë kam lulen, që më ka çel në zemër.
21.02.2025

Dy poezi të reja nga TAHIR BEZHANI

DUA TË DEHEM …

Dua të dehem
Të pi një- dy-tre-katër dopio raki
Të shkrij trupin e mërdhirë
Në heshtjen e natës memece
Në shkretinën e ditës përvëluese
Nuk di të këndoj pa qenë i dehur
As të vallëzoj nuk di
E as të qeshi, më pak të qaj
Nuk dashuroj pa trazimin e shpirtit
Pa zjarrin brenda nuk shkrihet akulli
Dashuria do miq e mikesha të ndezta
T’i kesh pranë vetës, jo në largësi
Ndonëse nuk flasin as nga afër….

Shpesh dëshiroj të rebelohem
Të bëhem furtunë vjeshte
Shpirti të përplaset me vargjet e zjarrta
Të jam një dikush tjetër rrugëve të eterit
Nuk mundem, nuk di pa u dehur
I nënshtrohem ndrydhjes së vargut bonjak
Kur shoqërohet me lotin si gur bjeshke
Nxjerr nga brenda dhimbjen e ashtit
Shikoj i qetë rreth e rrotull, mendoj
Kënaqësi apo mjerim kjo kohë shterpë!….
Në buzëqeshje të vajshëme përkundem
Ditës nuk i them lamtumirë
Kohë të tjera do vijnë rrugëve të gjata…
Takohemi n’andrrat e zhgjëndërrave të tretura
Përqafimeve të përmallta valëve të jetës
Ngrirë në kokërdhokët e ballit të rrudhur
Si hije malli…..

Nëntor,2024

HAPAT QË NUK LËVIZIN….

Ditë me shi,e ftohtë ,mërdhin
Në këtë mesvjeshtë të sertë
Eci rrugëve të qytetit tim
Numëroj hapat që nuk lëvizin
Sytë e stepur vitrinave përplot
Aty afër një skamnor ulur në kartuç
Me duar të zgjatura lëmoshe
Me lot ndër sy ngrirë nga i ftohti
Refreni i përsëritshëm “ Të ndihmoftë Zoti!…”
Me dorën e zgjatur, të qullur
Era luan me flokët e zbardhura
Teket e erës rrëmbimthi
Më “vodhën” kapelën nga koka
Ia “fali” vogëlushit ulur buzë rrugës
Me lotët e ngrirë shikoj nga unë
Hoqa xhupin e veshur, e mbështolla
Vajta në çerdhën time plot dridhje
Vogëlushi zbathur buzë rruge më shikonte
Më shoqëroj ajo pamje tërë natën…..

Gjakovë,
Nëntor,2024

Safoja – Legjenda dhe simbolizmi i “dashurisë së dështuar”! – Nga SENAD GURAZIU

[ ngjitur, kolazh: L. Alma-Tadema (1836-1912) – Safoja dhe Alkeusi, 1881 / Rafaeli – “Parnasi (detaj i afreskut), 1511) / Ernst Stueckelberg (1831-1903) – Safoja, 1897 ]

Në pikturën e Alma-Tadema, djathtas ulur e shohim Alkeusin, poetin nga Mitilena, qytet kryesor i ishullit Lesbos (që pati jetuar rreth v. ~625 – ~580 pes). Dmth. ishte një poet nga ishulli grek Lesbos, njësoj sikur dhe Safoja. Alkeusit i atribuohet shpikja e “strofës alkaike” (ose alkeike). Ndërsa majtas e shohim poeteshën Safo, duke e dëgjuar me vëmendje. Alkeusi ishte bashkëkohës i Safos – nuk dihet pothuaj asgjë… por mendohet se me Safonë ai dhe mund t’ketë shkëmbyer poezi. Në rastin tonë piktural, të piktorit holandez-britanik, Alma-Tadema, ata paraqiten gjatë një seance të tillë poetike.

Sidoqoftë, derisa në pikturën e Alma-Tadema, Safoja na paraqitet më “afër” temës poetike, më afër “qetësisë”, më afër kuptimit dhe të jetës, më afër “lumturisë”, nëpër shumë piktura të artistëve poetja e famshme shpesh paraqitet pak çaste para se t’kërcente dhe t’i jepte fund jetës së vet.
Safoja do kërcente sepse (sepse… s’e ka kush idenë përse – por le t’hamendësojmë, s’është mëkat) nganjëherë pikëllimi, dëshpërimi sikur s’kanë kufij. Ndoshta jeta e saj tutje s’ishte “lajtmotiv”, ndoshta tutje s’kishte as kuptim as motiv; me gjasë Safoja ia pati falur zemrën dikujt, o falur o zemra dhe mund t’i jetë ‘vjedhur’, s’kemi si ta dimë, por sidoqoftë e donte dikend tepër shumë, ndërsa për fat të keq, dashuria e saj qe refuzuar, nuk i qe “kthyer”!

Nëpër pikturat e artistëve të ndryshëm Safoja gjithmonë përshfaqet e bukur, sepse dhe padyshim do ketë qenë e bukur. Pothuaj gjithmonë paraqitet me lirën në duart (qoftë dhe vetëm si “simbol” – ashtu si dhe Orfeu dikur, poeti i pafat i lashtësisë, të cilit ia kemi borxh jo vetëm “poezinë” por madje dhe 1 milion specie-lulet e “zbutura” me aromat e tyre, Orfeut ia kemi borxh shumçka, mirëpo dhe atë e pati goditur pafatësia, e pati pushtuar dhimbja dhe pikëllimi pas humbjes së dashurisë së vet, pas humbjes së gruas tepër të dashur, sapo kurorëzuar si dashuri e madhe, të bukuroshes Euridika).

Pra paraqitja e Safosë me lirën, e përhumbur nga dhimbja, artistikisht është “paraqitje identike” me rastin pararendës të Orfeut. E bukur dhe një poete e mrekullueshme, gjithandej ndër pikturat kurmi piktural i Safosë bën dritë. Mirëpo kuptohet ajo do ketë qenë e thyer shpirtërisht, arti piktural nuk na e mundëson ta shohim “brendësinë… shpirtëroren” ashtu siç do duhej. Shpirtin, të “brendshmen” e qenies do mund ta pikasnim më bukur, bie fjala me artin poetik, me “brushat” e fjalëve. Temat e pikturave të tilla rreth Safos na flasin se dhe pak… dhe tragjedia e pashmangshme, Safoja e ngratë do afrohet buzë shkëmbit për t’u hedhur andej në amshim, për t’i dhënë fund jetës, për t’u ‘çliruar’ nga dhimbja.

Pothuaj përherë brushat e piktorëve temën e “rrahin” denjësisht, psh. rrallëkush ose dhe askush nga piktorët s’e harron kurorën me dafina. Ashtu nderoheshin poetët e lashtësisë, kurora qe bërë traditë pas refuzimit “nga Dafina të dashurisë… së Apollonit”. Pra, edhe ky detaj përputhet me pafatësinë e Safosë.

Sa i përket dhimbje-dështimit rreth dashurisë rasti mjaft i ngjashëm, anise kuptohet ka dhe “dallim”, meqë shikuar nga një tjetër aspekt Apolloni sëpaku e pati “zënë” Dafinën. Ajo do ta refuzonte me këmbëngulje dhe qe drurëzuar, qe vetësakrifikuar, më parë s’do ekzistonte sesa t’ia falte virgjërinë Apollonit, e megjithatë simbolikisht do bëhej kurorë dafineske në flokun e tij.

Edhe “dafinizimi” do ishte totalisht pa vullnetin e saj (Apolloni qe bërë shkaktari, ai i kishte të gjitha fajet). Mirëpo s’kishte ç’bënte e ngrata, pas drurëzimit s’kishte si rezistonte më. Fisnikëria e saj ndoshta e pati mahnitur dhe vetë Apollonin (besnikëria, respekti, devotshmëria ndaj perëndeshës Artemisa – motrës së Apollonit – për ta ruajtur virgjërinë me çdo kusht).
Sipas “kanonit” mitologjik, ta refuzosh një hyjnor s’ishte pak, ajo vetë ishte një nimfë por Apolloni s’ishte një askushi – përkundrazi, ishte një hyjnor i rëndësishëm dhe i bukur si vetë Dielli. Gjithsesi, me dëgët e saj (tashmë e drurëzuar) Apolloni do e thurte një kurorë “dafinash”, kujtimin për të do ta bënte të pavdekshëm. Sipas Apollonit, për fat të keq Dafina s’do bëhej nusja e tij, më parë do vdiste sesa t’bëhej e tij, por pas metamorfozës, pas drurëzimit do bëhej nga ai diç si “laurus nobilis” e përjetësisë.

“Laurus” do ishte dashuria e tij e përjetshme, dashuria e pakushtëzuar hyjnore, që ia pati dhuruar asaj. Apolloni i “frymëzonte” të gjitha muzat, edhe muzën e poezisë lirike, Erata, edhe muzën e poezisë epike Kaliopa, të gjitha. Andaj dhe simbolika e kurorës për poetët aq e rëndësishme.

Siç dihet, edhe Rafaeli (1483-1520) në afreskun “Parnasi” (Pallati Apostolik, Vatikan) e pati paraqitur poeteshën Safo, si poete e madhe, së bashku me muzat dhe me poetët e mëdhenj. As Rafaeli s’pati “harruar” kurorën e dafinave. Safoja në “Parnasi” do ishte si poetja e vetme, e vetmja femër-poeteshë : ) e identifikuar qartë dhe me emrin, vetëm për të e pati shkruar emrin e saj “SAPPHO”, që të dallohej, në mënyrë që t’mos ngatërrohej me ndonjërën nga muzat (thuhet se figura e Safosë qe shtuar më vonë në afresk).

Afresket e Rafaelit mëtonin t’jenë alegori artistike… t’i përfaqësojnë tri kategoritë më të rëndësishme të shpirtit njerëzor: Vërtetësinë, Drejtësinë (Mirësinë) dhe Bukurinë – “Parnasi” e përfaqëson Poezinë, e cila i kapërthen të gjitha; edhe të bukurën, edhe të vërtetën, edhe të drejtën… gjithçka.
Piktorët nuk e “harrojnë” kurorën me dafina për Safonë, dhe detaj fort i bukur ky, u lumtë të gjithë piktorëve të kësaj bote, sepse Safoja dhe safizmi na mahnit madje dhe sot e kësaj dite, pa le dikur ata të lashtësisë, no comment – siç ia thuhet.

Gjithsesi, rreth Safos është spekuluar mjaft, si me brusha si me fjalë. Ndoshta dhe është tepruar, sidomos materia qe ngjeshur gjatë shek. XIX. Realisht s’është se dihet shumë për jetën dhe për veprën e saj. Edhe fjalët edhe brushat i ndiqnin mitet e legjendat, nga ata që shkruanin gjërat shpesh interpretoheshin sipas hamendësisë e kureshtisë. Thuase për t’i “pasqyruar” ashtusoj preferencat e tyre, pëlqimet e tyre rreth figurës, rreth personalitetit të saj.

Sipas legjendës Safoja qe vetëvrarë, e dëshpëruar nga dashuria (e pakthyer) për Faonin, ose më mirë e thënë “e lënduar skajshmërisht nga refuzimi i tij”, do vetëvritej duke u hedhur nga shkëmbinjtë diku në ishullin Lefkada (siç ishulli quhet tani në Greqinë e sotme). Besohet që poetja t’ketë vdekur rreth v. 570 pes., sidoqoftë se Safoja i ka marrë jetën vetes duke u hedhur nga shkëmbinjtë… ngelet në suazat e legjendes. Asgjë nuk është gjetur, qoftë dhe diç indirekte a shenjë e flashkët, për ta “mbështetur” sadopak legjendën.

Sikur që dhe, për fat të keq, shumë pak nga shkrimet e saj kanë mbijetuar të plota. Në fakt në tërësi ka mbijetuar vetëm 1 poezi, 1 poezi… e vetme – krijimi prej 28 vargjeve që njihet si “Himn për Afërditën” (dmth. për perëndeshën e dashurisë dhe të bukurisë, Afërdita).

FATOS ARAPI DHE VLORA – Nga Albert HABAZAJ

 

Duke shfletuar kolanën e veprave të zgjedhura poetike të poetit shkëlqimtar Fatos Arapi, kërkoja poezi me motive qytetare, sepse më duhen për një punim, por, interesant, ndalova tek poezi “e vogël” me titullin “Popullorçe”, botuar në vëllimin “Urna e vogël”: poezi të zgjedhura: 1997-2003 “Urna e vogël” (Tiranë, Neraida, 2014, f. 169).
I hodha një sy të shpejt vertikalisht, edhe pse ajo është e shkurtër dhe mund ta përpish me një kalim.
Çfarë të bëj e shkreta Vlorë?!
Një flamur dëshmor në dorë.
Do qëndroj se s’po qëndrojmë.
Do luftoj se s’po luftojmë.
E shkreta Vlorë po Vlorë.
bën’ të bëjmë Shqipëri,
bën’ të bëjmë demokraci,
bën’ Evropë e s’i qëndron.
Çfarë të bëj e shkreta Vlorë
bëhet shkrumb e bën liri.
Bëhet shkrumb e bën dëshmorë.


Është një vjershëz e këngëzuar me 11 vargje me rimë, që rrjedh monokolonë, e thjeshtë si strukturë, që na kujton ato këngët e vjetra lakonike, të cilat me pak vargje shpalosnin shumë kuptime të bukura, të thella dhe me mesazhe kthjelltësisht të qarta. Në një formë tjetër më shpunë tek vargjet e xha Matos e Selim Hasanit, Xhebro Gjikës dhe ca burrave të rëndë të këngës së madhe, para e pas këtyre kapedanëve të labërishtes.
Kujtoj që dikur Ismail Kadare ka thënë për njërin nga 4 “gjeneralët” të teksteve të këngëve labe Hamdi Pulon e Tragjasit, se vargjet e këtij poeti popullor do t’i kishin zili dhe poetët më të mirë të vendit. Ndërsa, poezia “Popullorçe” e Fatos Arapit është shembulli më i lartë i duhur e i synuar për tekstin e këngës, që fiton automatikisht përveç vulës poetike, edhe vulën folklorike (e cila është vështirë të mirret kollaj, po nuk kaloi në disa sita, që i përdor gurra popullore në rrjedhat e kohës). Poezia “Popullorçe” është Shkolla e Tekstit Poetik të Këngës Labe, aq e domosdoshme për të qenë funksionale, kur sot jo pak tekstexhinj (që kanë a gjejnë lekë, etj.), i harrojnë ligjet e pashkruara të folklorit shqiptar, e harrojnë “Kanunin” e Këngës popullore të Shqipërisë së Jugut (e lokalizoj, meqë e njoh më mirë këtë territor etnografik, që tradicionalisht, me gjuhën popullore është quajtur Toskëri). Dhe shkruajnë, more shkruajnë!… S’mund ta fitosh grurin, kur korr kashtë. Nuk e quaj të nevojshme të merrem shumë me analizën letrare të kësaj vjershe të Fatosit, sepse ajo është e bukurshkruar, e këndshëmlexueshme, e mirëkuptueshme. Poezia “Popullorçe” e Arapit është një këngëz e gjallë, sa energjike, aq kurajoze, simbolike dhe domethënëse, me një gjuhë plot nerv e guxim, mbushur me dramacitet, që ka fytyrë të dinjitetshme, sa altruiste, aq dyshuese, që lëviz e shqetësuar, që merr frymë shëndetshëm, kombëtarisht, qytetarisht, vlorërisht, me një dashuri fatosiane që dhemb, deri në sakrificën më sublime. Kjo poezi këndohet për bukuri si një këngë labe, që i prek telat e zemrës jo vetëm çdo vlonjati, por çdo shqiptari, që i dhemb në eshtër Atdheu ynë, shqyer nga çapaçulët helaqë të kombit.

Dr. Fatos Arapi njihet në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht si poet modern, ndër themeltarët e poezisë së re qytetare shqiptare, i thellë në mendim si Ai, i zjarrtë në ndjenja si Fatos Arapi.
Shtëpia botuese “Neraida”, botuesja e veprës së tij të zgjedhur poetike na jep këtë profil lakonik të autorit tonë: “Fatos Arapi shkëlqeu si poet në vitet ’60 të shekullit XX. Si mjeshtër në artikulimin e lirikës qytetare ai është njëherësh edhe më moderni ndër poetët e kohës së tij. Me një poezi krejt të veçantë dhe qartësisht të dallueshme nga të tjerët, me një varg që në brendësi kishte delikatesën, por mendim e figuracion të ri, që merrte dritë dhe njëherësh dritësonte, Arapi ndërthurte pasqyrimin e zhvillimeve dhe ndryshimeve në Shqipërinë e kohës me konceptet emancipuese dhe iluminuese, duke e larguar atë nga rutina poetike dhe notat retorike të vargëzimit të angazhuar”. Universi i botës lirike dhe liriko-epike të Fatos Arapit është identiteti ynë letrar dhe kulturor.
Në vëllimin e parë “Më jepni një emër”: poezi të zgjedhura, 1962-1989 (Tiranë, Neraida, 2014) vetë Fatosi shkruan “Dy fjalë” në të çelur të librit. Nuk janë shumë, kështu që po i paraqes për lexuesin tonë: “Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia. Atje është arti, ai i vërteti, dua të them. Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike. Sa mund t’i qëndroja besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova prej vetes sime? E keni në veprat e mia. Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndjej dhembje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë. Fatos Arapi”. Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Është një mesazh i madh, është Testamenti i Poetit për ne. Ai na e la me mirësi, bekim e besim. Në nderim të së Vërtetës, Ai nuk mund ta mirrte me vete. Brenda rreshtave të këtij mesazhi jam edhe unë. Dëlirësisht dhe dhembshurisht, e gjej vetveten në formën time. Aq sa. Ashtu si. Brenda rreshtave të Testamentit të Madh je dhe ti, është edhe ajo apo ai poet qytetar, jemi ne, jeni ju, janë ata dhe ato poete të vërteta, që i shërbejnë emancipimit të vonuar qytetar të Shqipërizës sonë hallerënduar.
Unë e kam dashur shumë, edhe pse është shkëlqimtar tek yjet më të bukur të qiellit poetik. Unë e dua shumë Fatosin tonë dhe, sa të kem frymë, do ta dua sikur ta kisha vëllain tim të madh.
Fatmirësisht e kam pasur mik, jemi takuar në Vlorë, në Tiranë, edhe në shtëpi të tij më ka ftuar disa herë, kemi kuvenduar e kemi pirë kafe poetike, më ka dëgjuar me vëmendje dhe dashamirësi dhe unë e dëgjoja gati me adhurim tek fliste e fliste palodhshëm shumë me atë zërin e tij të drithshëm si një fije bari në tramundanë. Gjatë bashkëbisedimit me të, që nuk doja të mbaronte kurrë, më shfaqej imazhi poetik i Uitmanit (Walter Witman), por e sprapsja këtë shembëlltyrë, sepse unë kisha të Madhërishmin tim Fatos Arapin. Për të kam shkruar edhe shkrime, edhe poezi, edhe elegji me lot ulliri…
Një shkurtore jetëshkrimore e tij mund ta paraqes: Fatos Tol Stavre Arapi lindi në Zvërnecin e bukur të Vlorës më 19 Korrik 1929 dhe mbylli sytë në Tiranë më 11.10.2018. Poet dhe shkrimtar i shquar shqiptar, novelist, përkthyes, gazetar, ekonomist, matematikan, filolog, studiues i folkloristikës. Ka gradën Shkencore “Doktor i Shkencave”, fituar qysh me fillimet e evidentimit të emrit të tij të përveçëm. Si pakkush tjetër në Shqipëri, ka një biografi të plotë intelektuale dhe letrare – kulturore. Shkrimet e Fatosit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Me emrin e tij Shqipëria mundet të krenohet botërisht, sepse i plotëson parametrat e duhur krahasimtarë për kalibrin europian e botëror të vlerësimit.


“Vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri” – shkruan eseisti dhe poeti shqiptaro-kanadez Erlind Sulko.
Fatos Arapi na la dhuratë gjuhë letrare. Ai bëri letërsi të përkryer, që guxoi e rroku hapësirat e misteret e Universit.
Poezia e tij është një bashkëbisedim harmonik i dashurisë me dhembjen.
Por këtu unë qëndrova ca dhe kalova ndërmend:
Kush poet si Fatos Arapi Zvërnecit i ka kënduar vendlindjes?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar babait e nënës – dhembjes së veshur me tw zeza, vëllait të lirisë me lot dhe mallit të bukur të gjyshes?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar lirisë?! Kush?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar luftës çlirimtare?! Kush?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Tiranës?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar atdhetarëve të vërtetë, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë!?
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Atdheut?! Vetëm Fatos Arapi ka thënë e shkruar. “Atdheu yt i vogli, i vogli,/ ai hyjnori i pavdekshmi – loti” sikundër që “Tragjedia është Atdheu i vërtetë i poetëve”.
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar detit?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar gjolit, limonave, portokalleve dhe ullinjve?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dashurisë?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar dhembjes?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar qytetit?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar peizazhit, stinëve, natyrës e hapësirave të pamata?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar universit?!
Kush poet si Fatos Arapi…?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar ndershmërisë?!
Kush poet si Fatos Arapi i ka kënduar Ali Asllanit dhe Petro Markos?!
Kush poet si Fatos Arapi ka thurur lirika aq të bukura shoqërore?!
Kush poet si Fatos Arapi ka kënduar rreptësisht aq dhembshur autoironi për Fatosin ëndërronjës të heshtur?! (Shembuj klasikë të kulturës së lartë qytetare në prozë, kujtime dhe oratorì janë Eqerem bej Vlora, Faik Konica dhe Fan Noli, ndërsa, në kohën e re, që tashmë gjendet e regjistruar në Arkivin e Letërsisë bashkëkohore shqiptare është Dritëro Agolli).
VLORËS… Kush i ka kënduar Vlorës më shumë, me aq dashuri e më bukur se Fatos Arapi?!
Në fakt, në të gjithë arsenalin e tij poetik, gjen pak Vlorë (edhe në ato poezi ku nuk përmendet emri i saj aulonian, në të gjitha motivet e bukura të poezisë së tij fisnike ka ngjyrë Vlore. Të gjitha poezitë e Fatos Arapit janë veshur me ngjyrë Vlore, e cila ndrit kaltërisht.
Pa kaluar në statistika (ndoshta vlen të përgatis një minibibliografi të poezive të tij për vendlindjen, Vlorën e Aulonës së lashtë e diellore me detin, Jonin e Adriatikun, Zvërnecin dhe Sazanin, Karaburunin dhe Çikën, Orikumin dhe Shashicën, Malet e Vetëtimave – Akrokeraunet dhe Dhërmiun), por në këtë përmendje nderimi kujtoj që vetëm në 4 vëllimet me poezi të zgjedhura nga botuesi, poeti, përkthyesi dhe bashkëzvërnecari i tij Jani Malo, janë përfshirë 70 poezi për Vlorën dhe arealin e saj kulturor, njerëzor e historik nga Shtegu i Dritës Fatos Arapi, “i larë nga dritat e shenjta të Mesdheut”.

Ata që ngritën mure na përmendin gardhin- Poezi nga FATBARDH AMURS

Mall për gardhin me kallama
Dhe për portën që s`njohu lloz.
Atdheut i hodhën tela e pranga
Ata që për vete shihnin botë?!
.
Në këtë vilë të blinduar,
Me një kamër si sy ciklopi,
Jeton aty një shpronsues zengjinësh
Që shtetëzoi pa marr gjë populli.
.
Nga bahçe fqinjit na kthehej topi,
Provo gjënë tënde ta marrësh prapë,
Ai që dikur konfiskoi të pasurit
Na bëhet sot një oligark!
.
Kafja e mortit në lokal serviret,
Vështrim i ngrohtë u egërsua,
Askush s’e di se si ferrin
Në “parajsë fiskale” e konvertuan?!
.
Kthehesh në atdhe e s`të pret askush,
Ata që ngritën mure flasin për ura,
Ndaj kam mall për gardhin e kallamave,
Me një shteg të hapur për aventura.
.
Fatbardh Amurs

AKULL DHE LIBRA DHE STATUJA, POR DHE DISHEPUJ TË (PA)RREZIKSHËM… Nga Visar Zhiti

 

Ditë e ftohtë, akull shkurti… që thyhet si kujtesa… E nisa me “Kalendarin e Poezisë”, atë që bën miku im i burgut dhe i pasburgut, Maks Rakipaj, në murin e fb të tij sot kishte vënë poetin japonez Isikava Takuboku, ka datëlindjen dhe unë u kujtova që kam një histori me poezinë e tij, që ndikoi në dënimin tim, ndërsa në burg kam shtyrë vagona si skllav dhe me Havzi Nelajn, poet që e pushkatuan, por sot është dhe datëlindja e tij, ndërkaq dhe në këtë ditë kanë pushkatur dhe At’ Anton Arapin, kur sapo ishte vendosur regjimi barbar i Enver Hoxhës, por do të rrëzonin dhe shtatoren e përbindshme të tij, teksa binte perandoria komuniste, etj, etj.
Binte Enveri statujë, por ai mbetej në partinë që la, në letrat e socrealizmit, në mendësinë prej letre të pistë të atyre që u përkëdhelën nga regjimi dhe kanë në shpirt po atë ngricë…
Ashtu si çdo kujtesë që mbart ngarkesat e veta, ajo e ditës time sot ka dhimbje kohe të pamasë, libra dhe gropa dhe hapësirën – nga bibliotekat gëzimtrishta të studentit në minierat infernale të burgut e deri larg në Japoninë misterioze, miq që ikin dhe statuja, tragjizëm, liri dhe çasti i poezisë si përjetësi e vogël…

I.
POETI JAPONEZ.

Po e nis me 20 shkurtin e parë, kur ishim studentë në Shkodër, ëndrra dhe diktaturë, kur kërkonim poezinë e ndaluar, ja, gjetëm dhe një poet japonez, libri ishte rusisht, Isikava Takuboku, na i dha në mirëbesim pedagogu Hasan Lekaj, iu futëm përkthimit me ngulm me shokun tim të ngushtë, lirikun Skënder Rusi, lexo një tankë, gjej në fjalor fjalët që s’i dinim, shkruaj secili në fletore përkthimin e vet poetik, unë e nisa kështu:

Isikava Takuboku kishte jetuar aq sa Migjeni ynë dhe tuberkuzi e kishte ngrënë dhe atë. Librin guxuam ta japnim dhe si “lexim jashtë klase” siç quheshin atëhere ca lloj provimesh, ku zakonisht merreshin tekste të Enver Hoxhes rusisht, ishte mjaft bezdisëse, ato s’duroheshin shqip, ndërkaq kur do të vinte dita që do të më arrestonin, gjatë hetuesisë në dimër, natën, – në frengjitë e qelisë kishte akull, – më pyesnin vrazhdë dhe për Takubokun, pse e zgjodhe? Ishte revolucionar, me popullin, – thosha prapë atë që i kisha thënë dhe pedagogut të rusishtes. E ç’t’u desh ty “taketukja”! – më bërtiste prokurori. E kishte fjalën për Takubokun.
Më vinte shumë keq që ia shtrembëronte emrin ashtu…

II.
NË BURG

Në Spaçin famëkeq jam njohur dhe me Havzi Nelën s’e dija që shkruante poezi atëhere, për mua dihej nga që isha dënuar për to me gjyq të hapur.
Megjithatë ka ende sot që bëjnë sikur s’duan ta besojnë se regjimi që ata përkëdheli dhe i shërbyen me zell, profesionistë dhe si spiunë, dënonte dhe për letërsi, dënonte dhe letërsinë, edhe libra, edhe lexues.
Havzi Nela sot do të ishte 91 vjeç, por atë e varën, varja e fundit në gjysmë Europén komuniste…
Ne do të çlirohemi vërtet, – më thoshte gruaja e tij, – kur të pushojmë së foluri për diktaturën e dënimet, por për dashurinë. Mjaft treguam për burgun e Havziut dhe timin, por të flasim si u dashuruam ne…

 

III.
ATË ANTON ARAPI

…mendimtar i thellë dhe shkrimtar i traditës françeskane, – me një rol kyç në ruajtjen e identitetit dhe zhvillimin e kultures dhe mendimit shqiptar, – gjatë regjimit komunist si shumë klerikë të tjerë u persekutua dhe u ekzekutua si pjesë e spastrimeve ndaj klerit katolik në Shqipëri.
Në të njëjtin gjyq me atë dënuan me vdekje, me pushkatim dhe Lef Nosin, antropolog i shkëlqyer, firmëtarin e Pavarësisë Kombëtare, ministër në qeverinë e parë, udhëheqës në Ballin Kombëtar, antar i këshillit të lartë të regjencës gjatë pushtimit, por vetëm dhe vetëm patriot.

Kur po e çonin drejt pushkatimit At’ Anton Arapin, nëpër llohën e natës së 20 shkurtit, dëshmohet se ai po bënte kujdes gjatë ecjes, s’donte ta bënte me baltë zhgunin, por baltë do të bëhesh ja, tani, o prift, i tha oficeri i pushkatimit dhe ai iu përgjigj:
I pastër kam qenë gjithë jetën dhe ashtu dua të shkoj në jetën tjetër…

Regjimi komunist i akuzoi si “kuislingë” dhe “armiq të popullit” dhe shumë patriotë të tjerë, që punuan në administratën e lartë, në shtet, gjatë Luftës II Botërore. Në atë kohë ata besuan dhe bashkëpunuan, me hir ose me pahir, por për Shqipërinë në kushte të pazakonshme dhe të rënda, gjithashtu ishin dhe kundër komunizmit që po avitej si “gogol” – siç e thotë dhe Marksi në Manifestin e tij, por ata, asnjëri dhe asnjëherë, nuk vepruan në dëm të vendit dhe popullit, përkundrazi.
Dosjet e e tyre janë hapur, kjo e vërtetë rezulton për kolaboracionistët.

Enveristët e mbetur, edhe këndej madje, edhe pse janë bërë me kapital e ntrashur, vazhdojnë të hedhin mbi ta atë baltën e “rrugës së pushkatimit”…

 

IV.
KOLABORCIONISTI NË PUSHTET

Do t’u thosha atyre, kriptoenveristëve, i acaruar si ata, si kundërpërgjigje që kolaboracionist vërtet i dëmshëm për atdheun ishte Enveri i tyre, ai u vu në shërbim të një partie  që u themelua me ndihmën e shovinistëve jugoslkavë, ata e ngulën në krye dhe e çuan vendin në luftë civile kundër nacionalistëve dhe u humb Kosova që e patëm gjatë luftës, më pas Enveri iu dorëzua Stalinit, tiranisë së tij dhe pasi ai vdiq a e helmuan, kur pushteti absolut i rrezikohej, e la Bashkimin Sovjetik dhe u lidh me Kinën Popullore enigmatike, ndërkaq kur Kina filloi negociatat me SHBA, Enveri që i trembej çdo hapjeje, se mund dhe duhej ta përmbysnin, u prish dhe me Kinën, shkaqet ishin vetanake, dhe e mbylli vendin edhe më si një bunker absurd lufte, e varfëroi rëndshëm, pra, “vuri disiplinë ushtarake dhe qetësi varrezash”, kam shkruar, etj, etj, dhe pllakosi kështu “Dimri i vetmisë së madhe”…

V.
STATU…QUO..

Në një shkurt të dikurshëm Enver Hoxha ka mbajtur një “fjalim historik” të rrezikshëm, ku shpalli fillimin e një revolucioni kulturor si ai kinez, në fakt antikturor, i ideoligjisë së tij, i cili çoi në ndalimin e fesë dhe shkatërrimin e institucioneve fetare dhe të traditës. Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”…
Duke shkallmuar kështu dhe atë pasuri juridike dhe kulturore te lasht;e e me fame botorore, “Kanunin e Lek Dukagjinit”
Si në atë 20 shkurt terrori dëgjoj të flasin ende ca “en-ferristë” të përndezur rishtaz, me kultet e socrealizmit, vazhdojnë detyrën, shefat e konvertuar i kanë dhe kodet e tyre të vjetra e të reja… dhe copat e akullit të pistë të pashkrirë në kafazin e krahërorit të tyre duan t’ja kalojnë kohës t:e gjithë…

Në një tjetër 20 shkurt e rrëzuan shtatoren e përbindshme të Enverit në Tiranë, ku e kishin ngritur uzurpueshëm në një shesh me emër tjetër e shtatore tjetër, “Skënderbej”, e zvarritën statujën e tij siç bëri ai me kundërshtarët që vrau.
Copat e bronzit të tij të thyer i shoh të nxijnë si maska në ca fytyra që më shfaqen egërshane…
Modeli “enver” shfaqet grotesk te lidershipi i sotshëm, te narcizimi i tyre dhe grykësia, qendrimet, që i ngjanë aq shumë statujës së diktatorit, te veprimet, vaniteti, dënimet e të tjerëve dhe frika e tyre patalogjike nga e ardhmja.

VI.
LUMTURIMI

Po, Atë Anton Arapi tashmë është përfshirë në procesin kanonik të lumturimit. Konferenca Ipeshkvore Katolike e Shqipërisë ka filluar mbledhjen e dëshmive dhe dokumentacionit për jetën, veprën dhe martirizimin e tij.

Copa akulli të zi si copa bronzi  ka ende nëpër këmbë, në baltë…

Miku im skulptor, Ilmi Hoxha, e solli fytyren e bashkqytetarit të tij dhe të bashkëvuajtësit tonë në qytet, në Kukës, para shkollës që mban emrin “Havzi Nela”.
Bashkqytetari tjeter, shkrimtari Rexhep Shahu i botoi të 7 fletoret me poezi të Havzi Nelës, ku janë dhe ato që ai i shkruajti fshehurazi në burg apo në internim.
Çuditem që ka që lavdërojnë ndonjë nga ata poetë që ishte në burg e s’mundi dot të shkruante atje, “s’e uli veten”, thonë, dhe çmojnë si arritje letrare atë që s’u bë, fletën e bardhë si harrimi… Dhe kam pyetur: Danten pa “Ferrin”… Pse?
Dhe vërtet jam i gëzuar që isha në atë juri që poezia e Havzi Nelës mori Çmimin Kombëtar. Erdhi fshehtas  nga nëntoka e natës dhe arriti në majat, të bardha si bora mbi Pikëllimën e tij…

Bashkëvuajtësit e Havzi Nelës, që mbetën gjallë, që u përfshinë në lëvizjen për demokratizimin e vendit, për liritë e të drejtat e njeriut, ata, fytyr-akujt e enverit, i akuzojnë që pse pranuan detyra të larta, por të kundërshtonin për një demokraci më të mire, shembull marrin dhe Pjetër Arbnorin si kryetar parlamenti, e kanë merak dinjitetin e tij mandeljan, që pse ai, sipas tyre, bëri kompromis, por… çfarë?
Vërtet vendi nuk gëzoi dot një demokraci më të mirë, me plot të meta duke rënë shpesh në kaos, me një korrupsion galopant të shndërruar në sistem, sidomos me socialistët në pushtet, vazhdues të partisë së enverit, etj, por kompromisi është dhe domosdoshmëri politike dhe nëse “Pjetërarbnorët” tanë nuk do ta pranon kompromisin për hir të vendit, atëhere duhej të kishin vrarë të paktën treçerekun e atyre që i akuzojnë.
Të persekutuarit nuk donin të bënin si persekutorët e tyre…

VII.
POEZIA SI EPILOG

Po le të kthehemi te letërsia, te poezia  që po flisnim sot.
Poeti Skender Rusi më tha që ta botojmë poezinë e Isikava Takubokut, i ka ardhur koha, fletoret i kemi gati, ato që i mbushëm me tanka, kur ishim studentë.
Atëhere fletoret me përkthime të fshehta studentore i çonin dorë më dorë, ku besonim e ku na besonin, se kishte dhe nga ata që thoshin: pse m’i jep, apo që të bëj gabime politike? Dhe i shkruanin dhe enver hoxhës kundër shokëve…
Unë ende isha i ndaluar kur pashë shumë poezi të Takubokut, përkthimi imi, që u botuan në një revistë letrare, por me emër tjetër përkthyesi. Ai më pas do më thoshte që e kishte bërë në nderim timin. I thashë që më erdhi mirë që ishin të denja të botoheshin…
Po pse mikut tim, Skënderit, nuk iu përgjigja dot, seç kisha një ngarkesë tjetër, po shkruaja një roman a s’isha fare në atdhe dhe i thashë që nxirri vetëm. Dhe dolën, sa bukur!…
Kur mua më erdhi koha, iu ktheva Takubokut tim, por librin nga i kishim përkthyer s’e kishim më, po përmirësoja mbi fletoren time, që i kishte shpétuar kontrollit dhe konfiskimit, im vëlla, Ilirjani, m’i kishte ruajtur shumë dorëshkrime, e kam treguar, edhe duke i futur nëntokë në baçen e shtëpisë së motrës, etj, etj, por botova dhe unë një Isikava Takubok, i vura titullin librit “Poezi të shkruara mbi gurë”, është një zakon i tillë ende në Japoni.
Sërish më vjen ai zë prokurori që ulërinte në birucë: Ç’të duhej ai…?!… armik… Taketukja… ku shuaj cigaren tani… ka pasur dhe taketuke të bëra me kafkat e të dënuarve nga nazistët… dhe fitimtarët imituan të mundurit e tyre, kështu thoshin latinët…

Akulli i shkurtit është thyer dhe më shumë. Por jo në ato fytyra të ngrira ashtu, që kur ra shtatorja groteske e diktatorit… i pataksi zvarritja e saj dhe jo ajo e popullit, mbajnë ende anën  e bronzin e zi të dhunës dhe jo të viktimave, të mishit të jetës, do të thosha me metaforë…
Po si janë vargjet e fundit të Takubokut, të shkruara herët në fletoret e rinisë së parë? Dhe i pashë në mbrëmje, në faqen e fundit të librit:

“OZEROVKA” nga ELBASANI – Tregim nga Përparim Hysi

 

Tek siell këtë tregim për lexuesit,paraprakisht e theksoj: koha ka bërë të sajën për mua si protagonist dhe,nëse dikush me kujtesë më të kthiellët vë re ndonjë pasaktësi, do t’i lutem mos vërë boritë e alarmit se,sakaq,dhe po vjen kiameti.
Them kështu se në kujtesën time,si në një kaleideskop gjigand,veç meje dhe “OZIROVKËS” ,lakohet një REGJISOR i madh sovjetik:JURI OZEROV!
*
JURI OZEROV kish ardhur në SHQIPËRI dhe,ndërsa ishte shfaqur filmi “FURTUNA” (film sovjeto -shqiptar me Bashkë regjisor KRISTAQ DHAMO dhe,veç rusëve dhe aktorë shqiptarë), erdhi për një takim në pranverë të vitit 1959 mu në SHTËPINË e KULTURËS në ELBASAN. E mbaj mend që në katedrën qendrore,JURI OZEROV,shoqërohej edhe nga artistë Shqiptarë,një përkthyes dhe,veç tyre, sekretarja e komitetit të partisë për Elbasanin,shoqja K… Unë nuk jam nga Elbasani,por këtë shoqen K… dhe detyrën që kishte e mbaj mend mirë se, si tip impulsiv që jam,me këtë bëra një debat të nxehtë. Por as që ka rëndësi ky debati im me të. “DOLLIBASHI” i gjithë atij takimi aq emocionues qe,padyshim,Regjisori me famë që në atë kohë:JURI OZEROV. Kish fituar”Palmën e artë” në FESTIVALIN e KANËS me flimin “SHtegëtojnë krillat” dhe,ngaqë filmat rusë qenë të përditshëm në kinematë tona,heronjtë kryesorë:ALEKSEI BATOLLOV dhe TATIANA SAMOILLOVA ishin në zemrat e shikuesëve. NGaqë debati me regjisorin ishte fare i lirë,unë që pëlcasë si zorra mbi prush,pyes:- Pse e vratë Batollovin a nuk mund të shpëtonte? E përktheu dhe,tek vuri re pyetjen time prej axhamiu (sa kisha mbushur 16-vjeç),me një buzëqeshje fine siç bëjnë gjithë njerëzit e mëdhenj,m’u përgjigj me politesë:- Ishte luftë dhe në luftë vritesh! -Po le të ishte plagosur,-ngula këmbë si mushka unë. Dhe,ngaqë duhet ta ulte”piacën” me auditorin e tipave si unë,foli më gjatë:- Duhet ta dini.Në filma përdoren fishekë manovre dhe vrasjet nuk janë të vërteta.E,sa për dijeni,shtoi:-Ju e kini parë flimin”Furtuna”. E dini se ç’na ndodhi? Dikush sikur kish harruar një fishek të vërtetë dhe plagosi Artistin NAIM FRASHËRI. Sa tha kështu,ne mbajtëm frymën dhe dikush ulëriti. Qetësohuni,- tha ai. Por NAIM FRASHËRI e duroi tamam si shqiptar dhe është shumë mirë. Natyrshëm që salla shpotiti nga kjo batutë kaq elegante e me domethënie të madhe, Pas meje,u çua një gjimnaziste nga gjimnsazi”QAMIL GURANJAKU” dhe jo vetëm pyeste rusisht,por dhe debatonte po rusisht me regjisorin. Tani,mua gati më zuri cërma: maturante si unë dhe cicëronte rusisht.Edhe unë pesë e kisha rusishten, por kjo jo vetëm më linte me provim në vjeshtë,por dhe fare në klasë.Kafshova gjuhën dhe,që në atë çast, nga sy e veshë për OZEROVIN,ia ngula sytë kësaj”OZEROVKËS” nga Elbasani. Që nga ai çast, zura ta kundroja apo siç thoshte i ndjeri MIGJEN:-Për një shikim sa më preçiz.
*
OZEROVKA ishte bionde,me dy gërsheta që i lidhte kurorë dhe sa lezet që kishte.Jo vetëm e bukur,por dhe e mençme.Nuk e di në fliste gjuhë tjetër,por ruse puro. As e kuptova si mbaroi takimi,por,ngaqë kur ka dasmë,nuk shkoj për shkarpa,sa dolëm,e takova OZEROVkËN. Të kam zili që aq mirë flet rusisht,të lutem, a mund të më shkruash një letër për një miken time në RUSI? -Po.Patjetër,-pranoi ajo.
Ne,disa prej nesh,sigurisht,kishim korespodencë me nxënës në shkollat ruse dhe unë kisha një të tillë.Korespodenca bëhej në gjuhën ruse dhe qe e pamundur me aq rusisht sa dija unë apo bashkëshokët e mi. Të them të drejtën,në Pedagogjiken e Elbasanit, kishte një klasë që bënte vetëm rusisht dhe ata ishin kthyer në rusisht folës.Ata na i shkruanin letrat ( gjej vend të lakoj të ndjerin VIKTOR QURKUN,si njërin nga ata),por mua nuk më mungonte përkthyesi,por,kur pashë”OZIROVKËN”(iu rrëfeva Viktorit:unë për të,- i thashë,-të lë në mes rrugës dhe u shkrimë së qeshuri), u bëra rrodhe pas saj. E shkrova letrën dhe, sipas adresës,frymën mu tek lagja”Spaikore”! E takova dhe ia dhashë. Nuk qe letër,po kisha derdhur tërë “talentin letrar”timin. E mori dhe më siguroi që do ta postonte po vet sipas adresës. Ndërkaq, unë qeshë si mes dyzjarresh: sa në Rusi aq dhe tek OZIROVSKA në lagjen SPAIKORE.
Kur më erdhi përgjigja,jo vetëm e përktheva “shatra-patra” vet,por u konsultova dhe me VIKTORIN si mik që e kisha.
Por me kaq ,sikur nuk mjaftonte.Frymën tek”OZIROVKA” dhe tash edhe për përkithimin,por dhe për letrën tjetër. Pak nga pak,sikur po lindte një”kimi” siç ndodh në atë moshë. E mbaj mend mirë. Qe e shtunë pasdite. Ngaqë flokët e mi qenë si gjembairiqi, mend u hodha një grusht brillantinë,sikur do bëja”parje” me këtë,OZIROVKËN dhe,krahas letrës për atë miken nga RUSIA, i dhashë një vjershë. E kam shkruar për ty,-i thashë. I dhashë dorën dhe ika,sikur të kisha bërë faj. E mbaj mend se ç’vjershë ishte:
“Ti më je kaq rinore
Si pranverë e sapohyrë
Mu në lagjen “Spahikore”
Unë të njoha trëndafil… dhe vazhdonte,por a mund të vazhdoja unë në”provën e parë” të”zënies nga qymyri”? Ika,sikur të më ndiqte dikush me shkop dhe prisja si një i pandehur që pret dënimin pas një”faji të madh”. Mund të dilja vetëm të shtunën pasdite (isha konviktor) dhe java m’u duk si një muaj. Kur shkova atje,OZIROVKA më pa nga dritarja dhe doli në rrugë.Mend po më binin djersë të ftohta dhe prisja “dënimini”. Më tha:-Qenke dhe poet dhe vjershën të përkthyer do ia dërgoj asaj mikes në RUSI.

Duhet të jem bërë si kungull i pjekur mbi furrë,por ajo, e shkathët dhe e zhgjuar siç qe,më qetësoi:-Të falndeoj për vargjet,por e ke rritur shumë”piacën”. Tani unë u bëra me krahë si ata zogjtë që,së pari,nisen fluturim dhe,ngaql nuk kanë përvojë,ndodh që edhe mund t’i thyejnë krahët. Kjo “kimi” mes nesh nuk e pati jetën të gjatë.Unë mora maturën dhe ika në rrethin tim dhe ajo shkoi në Rusi për studime. Më duket,se kur u prenë mardhëniet mes B.S. dhe Shqipërisë mbeti andej. E shkruaj këtë vetëm e vetëm si një mbresë apo si një”plagëmalli” që,po i hoqe koren,zë e rrjedh. OZIROVKË kudo që të jeshë të paftë ZOTI!
Tiranë,20 shkurt 2025

KARSELLA -Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

1.
***
Në ditën e kimioterapisë së radhës në spitalin onkologjik, ndihej krejt i dërmuar. Pas një copë here nga largimi i mjekëve dhe kurajos që i dhanë si pacient, Omer Damo, tani 92 vjeç, u afrua ngadalë te dritarja e katit të tretë. Përtej qelqit, shikonte me trishtim botën jashtë. Botën, që do ta linte ndoshta së shpejti. Ndihej si një shekullor që karvani i jetës e kishte lënë në stacionin e fundit.
Jashtë, nderej tej e tej, një kupë qielli i vjeshtës së dytë, e lagësht nga shirat pa fund të Tiranës. Poshtë, prej katit të tretë shihte nxitimin e përhershëm të njerëzve për të kapur autobusat e Unazës në zonën e Qendrës Spitalore dhe të tjerë që nxitonin për s’diseku.
Të gjithë nxitojnë, i tha vetes. Po ti zoti Omer, apo Omer bej, për ku nxiton, ose, përse nuk nxiton, zotni? Jashtë, jeta është e hapur, këtu brenda, si në qelq. Sytë i shkuan tek gjethet e verdha të pemëve në rresht në trotuarin përballë të cilat këputeshin një nga një nën shiun e lehtë dhe ngjanin mbi kofonot e makinave të parkuara si pikla të mëdha të arta.
Tej, njerëzit në trotuare nxitonin hapat nën shiun e artë të këtij tetori. Vraponin. Të gjithë si në një urdhër.
Kjo jetë sa një fletë! Siç thoshin të parët tanë në qytetin e bukur të lindjes, larg në Thesproti. Një ëndërr. Asgjë më shumë. Herë e mirë dhe më tepër, e trishtuar dhe e hidhur. E thurur si ato kanistrat e arixhinjve buzë lumit të qytetit të fëmijërisë sime. Lumit të jetës. Fije-fije thuprat. Herë, fijethupra të hidhura, e herë fijethupra gëzimi.Këto më të holla e, gjithaq, shumë më të rralla.
Mos rrojta shumë? Të shkulur si shumë të tjerë nga trojet e të parëve, me kuç e me maç. Lëmë gjithshka në troje.Gjysmën e zemrës. Andej.Me konak e katandi. Dyqane e ullishta e vreshta…
***
Befas iu përhit se ra një zile telefoni që nga sirtari i vogël i komedinës në dhomën ku prej ditësh, qëndronte i vetëm duke bluar një fije shpresë për një grusht jetë edhe më tej ose, në ditët e tij të fundit.
Më bëjnë veshët. Por zilja u përtëri për së dyti e për së treti.
Pa hequr vështrimin nga përtejqelqi, u çapit ngadalë dhe ngriti telefonin.
-Zoti Omer Demo?-dëgjoi nga matanë.
-Po. Unë jam. Kush flet?
Zëri në anën tjetër të celularit vinte i shkëputur por kuptohej me pak vështirësi.
-Unë, jam miku i një miku tuaj …si të them, familjar që ka ardhur këtu në Skelë, domethënë në Vlorë, nga Greqia….Nga Thesprotia…Ai ka një sjellë një porosi për ju…Mezi e gjetëm telefonin tuaj…kemi dy orë të mira. …Mik pas miku e shok pas shoku… Gëzohemi që të gjetëm. Menduam se do t’ju takonim këtu në bregdet. Pastaj na thanë se, më shumë, jeton në shtëpinë e kryeqytetit, me djalin që është pronar i një fabrikë.
Tjetri që po dëgjonte gjysmë i përhumbur e gjysmë i beftë , mundi të thotë:
-Po unë jam në spital, more djalë. Jam keq. Po si mund t’ju ndihmoj dhe pastaj, t’i them djalit për më shumë, meqë miqtë vijnë nga larg…
Pasoi një heshtje disa sekonda me telefonat në linjë.
-Mund të flisni tani me mikun, me Jorgon.-tha njeriu që u prezantua pak më parë.
– Ky më thotë se ju dini greqisht dhe mund të flisni normalisht në gjuhën e tij.
Pasoi sërish një heshtje. Këtë radhë më e gjatë. Por linja ishte e hapur. Këtë herë heshjtja ishte shkaktuar nga i moshuari i sëmurë.
-Qerete qe perastika*), zoti Omer, zoti Demo!-, dëgjoi biseduesin tjetër.
Pas pak:
-Më dëgjoni? Mund të vijoj? Unë jam Jorgo. Tani jam pensionist…Kam ardhur nga qyteti së toku me një shok nga Igumenica. Unë jam , nipi i familjes Angelopoulos. Më saktë, jam djali i Ninës, …Nëna ime, mamaja ime, Nina, vdiq ..ka pak muaj . Por ajo në ditët e fundit të jetës më la një porosi…Një …amanet. .T’u dorëzoja karsellën e familjes tuaj që dikur, juve, ia dhatë për ta ruajtur në familjen e saj….
Heshtje. Pastaj njeriu që kish mbërritur nga Thesprotia, vijoi si për t’i sjellë në kujtesë ndonjë detaj edhe më shumë:
-Karsellën ia dhatë për ruajtje. Kur juve u detyruat të iknit.-dëgjohej i njejti zë në greqisht.- Atë natë, më tha nëna , Nina. “Atë natë të keqe, thuaji Omerit”, më rrëfeu ime më, para se të ndahej nga kjo jetë….
.-Si? Si ? Edhe një herë, të lutem! Jam ca i drobitur, këtu në spital . Prej shumë vitesh ne jetojmë në Tiranë…Tani po ju dëgjoj shumë qartë…Jeni në Skelë? Mos u largo, të lutem ….!
Tjetri ia përsëriti kumtin, duke u ndalur në disa momente të rrëfimit dhe këtë herë po nënvizonte si të thuash, me një laps të kuq në fjalët: “…ime më”, “ Nina Angelopuos …”, dhe veçmas, me dy vija të kuqe togfjalëlshin …”atë natë…” veçanërisht “atë natë”, (ç’ishte ajo natëkob?!, ajo natë e zezë krahëkorbi!)…
Pastaj, vinin togfjalëshat e tjerë, si kokrra të këputura nga një tespie qelibari…”në ditën e fundit”,…”kur iku”, “kur u nda nga kjo jetë….” “një amanet për ju”….”zoti Demo”…”.kam sjellë karcellën”.
Porosia që u ruajt për afro tetë dekada….79 vite…më parë…79 male kaptuar, …79 vite mërguar…O zot i madh!
Papritur shiu nisi të binte me pika të mëdha me pas pak, me rrebesh. Duhma e freskët e shiut që hynte nga dritarja iu përzie me atë kujtim të përtejkohshëm përtej qeleve të dhomës. Po ndjente se pikat po godisnin herë butë e herë me furi në vetëdijen e tij të ngarkuar me dhimbje dhe i moshuari u kaplua në vegimin që vinte i mjegullar prej së largëti. ….. “Atë natë të keqe, i thuaj”.Nina….Nina…. .Me shi, me krisma e gjëmime….Nina….
Pas pak, biseda që vijonte në greqisht, u ndërpre.
Dukej se plaku në anën tjetër të telefonin ndjeu papritur vështirësi në frymëmarrje.
Befas iu bë se dëgjoi një si zilkë kali dhe papritur, një si dihatje e kuajve dhe pelave të ngarkuara për udhë, në karvan.. Ishte një mbrëmje shtatori. Shiu i butë rigonte më qetë se tani, në këtë vjeshtë të dytë . Zilka iu bë se iu shfaq befas edhe në një nga seancat e fundit të kimioterapisë. Nuk i kujtohej para, apo pas kësaj bisede me telefonin e largët.
Pastaj, ajo botë e rinisë së tij të parë iu përhit tek shikonte qiellin e muzgët të qytetit të madh ku jetonte tani prej tridhjet vitesh. Mes asaj mjegullnaje të errët iu shfaq ajo mbrëmje, për të cilën bënte fjalë, tani djali i shoqes, i vajzës që e donte dhe fqinjës të dikurshme.
Si nga terri i kaluar i një gjaratoreje mendimesh, iu shfaqën emra nga shokët dhe shoqet e klasës që qytetin thesprot të lindjes. Sa e çuditshme kujtesa, mendoi. Si një solucion që bie mbi një metal të ndryshkur dhe nis e zbardh emrat nga mugujt e harresës. Petro Baburi, fqinji, Zeno Benati, Niko Grevenaja, Tasos Mandellos, …i shfaqeshin edhe emra të vashave të klasës si Lira Kasimati, Ollga Pituli, Irini Athanasiu, Elena Zguro… dhe shoqja e ngushtë, ajo Katerina ose Nina, komshia dhe mikja më e afërt e klasës.
Pastaj, i bëhej se një lëndinë e largët me barin e harlisur mbushej me xixëlloja që më pas i shndërroheshin në yje. I shfaqeshin pikniket me klasën përtej në Bardhëla, në pllajën me dafina dhe ujin e ftohtë, endjet djemurisht dhe lojërat në Lëmin e Peponit , në Valanidhat edhe më tej akoma, dhe, kuturisjet me shokët për grackat e mëllënjave nga Shkalla e Pleshovicjotëve…
Por pikërisht kur nuk e prisnin dhe lufta e Dytë botërore po largohej, e gjermanët po iknin gjithashtu, një apokalips i tjetërrllojtë do të përsëritej. Ato ditë, të mëdhenjtë flisnin në shtëpi me zë të ulët dhe përherë të zymtë nga ajo që kish ndodhur dhe nga mënxyra e mundshme që po trokiste tani shumë pranë. Iu kujtua se si Damiri, një shkok më i madh se ai, nga lagjja e Zejnallate po fliste me të vëllain e madh të tij. Edhe Omerin mos e lerë të dalë shumë, se dushmani nuk ka të sosur e nuk dihet nga të vjen edhe këtu dhe, kërkon kokë njeriu me urën e zjarrit në dorë….
***
“Ajo natë”, tha Nina. Ishin në moshën e trëndafiltë,në të dymbëdhjetat a të trembëdhjetat . Me Ninën ishin jo veç në lagje e shkollë po edhe në një klasë. Me shtëpitë pothuaj ngjitur. Derë më derë. Sa herë që fliste apo e shihte atë, Omeri, kish një ndjesi të mrekullueshme dhe një gufim i përshkonte kraharorin me qindra flutura dhe, nëpër deje niste t’i qarkullonte një valë e nxehtë.
Por pasuan të tjera netë. Kobnetët e udhëve natën. Ik e ik e ‘s’ka të sosur….Zilka i dëgjohej sërish në vesh pas seancës së fundit të kimioterapisë.
Ajo natë. Në fakt kishte nisur me buzëmbrëmjen fare pranë shtëpisë.
Hodhi sytë nga mali i Dajtit. Dy re të mëdha të zeza qëndronin pranë njera-tjetrës dhe një rreze e artë i përshkonte të dyja si zezona që pas një çasti do të ndërronin formë të shtyra nga era e vjeshtës vetëm drejt perëndimit.
3.
Në shtëpinë e Omer Damos, atë pasdite fundtetori kishte rënë një heshtje e rëndë. Të mëdhenjtë, ndryshe nga çdo herë tjetër flisnin me njeri-tjetrin të ngrysur, me zë të ulët si për ruajtur mos dëgjoheshin nga më të vegjëlit e shtëpisë.
I kishin mbyllur dyqanet me qepena llamarine më herët se çdo ditë dhe dukej sheshit se po përgatiteshin për diçka, të tjetërsojshme. Të pangjarë më parë.
Një pasiguri dhe frikë kishte zënë e shfaqej në familjet veçmas në ato të besimit mysliman, pasiguri që në qytet u përhap si një epidemi e zezë. Një varg krimesh të padëgjuara më parë kishin ndodhur në një tjetër qytet thesprot jo shumë larg prej këtej në një muaj që u quajt ‘qershori i zi’.
Trembëdhjetveçari ndiqnte me kujdes çdo sekondë gjestet dhe portretin e babait dhe gjyshit, Emin. Edhe ai tani e prekte si me dorë pasugurinë që qëndronte pezull në shtëpi, në rrugë, në shkollë e dyqane.
-Omer, eja këtu bir,-u dëgjua i ati duke e shoqëruar me kokë këtë urdhër.
-Mamaja do të japë një porosi që ta shpiesh menjëherë te komshijtë, te Kondakçitë ose te Angelopullot, te barba Dhimo ose te Niko.- Heshti pak.-Kushdo që të jetë, edhe gratë. Kuptove? Do vish menjëherë se po bëhemi gati dhe do nisemi, për udhë të gjatë.
Thithi fort cigaren dhe hoqi në shpirt.
-Sot. Do shkulemi. Nuk dihet kur kthehemi! Kuptove?-përsëriti ai.
-Kuptova. Peqe **), baba!
Nëna ia bëri me dorë dhe ai e ndoqi për nga mesoria dhe më tej në depon e banesës me tri kate.
Ajo mori nga toka me të dy duart, një send në gjysmëerrësirë dhe u kthye nga Omeri:
-Bir, merre këtë karsellë, kemi ca sende tonat dhe shpjere siç të tha yt atë, te Kondakçitë. Do ta lëmë këtu për ca kohë, -thuaji dhe i vuri duart në supet e tij dhëmbshurisht.
***
Me sendin e vjetër në duar pas pak Omeri u gjend nën pjergullën e madhe të Kondakçinje. Klithma e një qyqeje diku pranë atë buzëmbrëmje të lagësht, mbillte vetëm trishtim. Ai nisi të fishkëllejë motivsinjalin që ishte i njohur për shoqen e klasës, Ninën, “Menksheja dhe zymbyli” . Një këngë e njohuar atë kohë nga Azia e Vogël ose Izmiri, aq në modë në tavernat e qytetit.
Nuk kaloi veç një çast kur, pasi luajti kordinaqi i perdes pas qelqeve të dritares të katit përdhe të komshijve, në portë u shfaq Nina. Shkolla kishte pak kohë që ishte mbyllur për shkak të ngjarjeve të luftës.
-Omer, -bëzajti e druajtur ajo,-Pa, më thuaj? !
Iu afrua në gjysmëterrin e oborrit pranë kopshties.
Jashtë rigonte një shi i hollë.
-Si je ti Nina?-iu drejtua djaloshi me një dridhje në zërin e tij të ëmbël.-Kam ardhur me një porosi nga ata të shtëpisë,- dhe tregoi me dorë karsellën para këmbëve.
Nina nuk po kuptonte gjësendi.
-Më thanë ta lë këtë tek ju, se ne… nuk do të jemi këtu…Kur të kthehemi..nuk dihet se kur…Atëhere do ta marrim,-tha ai dhe i hodhi syte sa te Nina që qëndronte dy pëllëmbë para tij aq edhe në një drejtim të pacaktuar nga malet përreth zhytur në mjegullat e buzëmbrëmjes.
-Po eja brenda, hyr,-i tha vajza dhe kaloi e para drejt shtëpisë.-Pa merak! Lere atje, në apothiq***)
Omeri e la porosinë ne vendin që i tregoi Nina dhe bëri të dilte ngadalë nga banesa si me një pendim.
-Prit! -u dëgjua zëri i kadifenjtë i Ninës.
-Nxitoj, -ia ktheu Omeri që u ndal te pragu.
-Si do ikësh kështu?!…Merre këtë, ta kesh rrugës se është lagështi dhe fryn era e ftohtë e maleve! Të të mbajë pak ngrohtë,-dhe i mbështolli për qafe shallin e saj të butë me lule ulliri që mbante aso kohe. Por sytë iu lëngëzuan nga lotët dhe një komb iu mblodh në grykë.
Djali u skuq i hutuar. Ajo e përqafoi dhe ai ia ktheu gjithashtu por ndjeu në faqet e tij, lotin si kokërr kumbulle të Ninës.
-Prit edhe pak! -tha vajza dhe u drejtua për nga hajati. Diçka mori. Një tufë me borzolok të freskët nga saksia dhe një ftua të verdhë që ia la në dorë. Omerit iu duk si një diell i vogël.
Nina mbeti te pragu gjersa ai humbi përtej oborrit. Vegimi i saj në ndriçimin e zbehtë të muzgut që po binte, do të mbetej në mugujt e vetëdijes së tij për tërë jetën, tok me ftoin e artë, diellin e vogël.
4.
Në dhomën e onkologjikut i moshuari u mbulua nga djersët dhe aritmia po i jepte një angushti. U ul ngadalë në karrige dhe shtypi butonin e emergjenëcs për shërbimin e infermierisë. Dhoma nisi t’i rrotullohej para syve me shpejtësi në trajtën e një vurbulle uji në lumë.
Në dhomë infermierja e turnit i dha ndihmën e rastit dhe tani, me tubin e oksigjenit mbi fytyre, nisi të ndjehej me mirë.
I puliti sytë i drobitur dhe hodhi sërish shikimin përtej, në thellësi të kujtesës, në fëmijërinë e tij të largët e të trazuar si në një tjetër planet.
***
Priti sa të rikthehej infermierja.
-Të lutem,-tha me një zë të pamundur,-më gjej pak numrin që më mori në telefon pak më parë,-iu drejtua asaj, duke i dhënë telefonin e tij celular.
-Alo, Jorgo!… Unë jam, u ndërpremë po, ja ku të kam, përsëri.
Jorgo nga qytetit thesprot shprehu entusiazmin që po flisnin sërish.
-Gëzohem që je më mirë por nuk dua që t’ju lodh-tha ai.-Por ne do te kthehemi sot ne Greqi sepse kështu e kam punën. Erdha për porosinë e Ninës, të mamasë. E kisha amanet dhe e vonova shumë. Të kërkoj shumë ndjesë për këtë.
-Atëhere më dëgjo, Jorgji, biri im. Për porosinë, mos u bëj hiç merak. Do ta lesh në kompeksin e hotelit VOLA, janë njerëzit tanë familjarë. Por dua të të kërkoj edhe një gjë: Nuk do të ikni nga hotel VOLA pa ngrënë një drekë me të gjitha të mirat, sepse e shtroj njëlloj sikur të jem atje. Ky është urdhër dhe kënaqësi, or mik, sespe më ktheve pas vitet e rinisë dhe atë botë… Ta dish se do të ndjehem i gëzuar për këtë dreke miqësie. Quaje familjare…
Pastaj shtoi:- Të jem i qetë për këtë, biri im?
-Po, besoj që po. Faleminderit!-tha buzagaz tjetri.Ju faleminderit zoti Damo. Dhe ju uroj nga zemra në emër të familjes sime, të shkuara, Omer bej! -duke përmendur me respekt llagapin me të cilin thirreshin të parët e Omerit në qytetin thesprot.
I moshuari qeshi hidhur :
-Vanë, e ikën ato grada e tituj, Jorgo, biri im. Ikën me kohërat që pllakosën edhe andej edhe këtej. Tani, të lusim zotin të jemi mirë që të gjithë.Kjo, ka rëndësi. Në qytetiin tonë atje, aso kohe siç mund ta dish se, edhe ti tani je i moshuar, nuk janë njohur zënie e shere mes dy banorëve të të dy feve. Familja juaj, or bir, ishte dhe mbetet besalie. Kjo që bëtë sot, me karsellën flet shumë për ne. Faleminderit Jorgo, sidjali im, që sot, me shpure me ato fjalë në qytetin tonë të lindjes. Më bëre sikur fluturova me krahë nga penxheret e këtij spitali.
***
Në një çast atë mbrëmje, Omer Damo i telefonoi djalit në fabrikë në periferi të kryeqytetit dhe i kërkoi që nusja e tij t’i sillte të nesërmen në spital një kuti, pak më e madhe se ato të duhanit. E larë me serm (argjend) aty poshtë ku janë në rujtje edhe takëmet e tjera të miat-i tregoi ai për reliket e vjetra që flinin prej vitësh në komonë e tij.
Të nesërmen si iku e reja e tij , Besjana, ai mori në dorë reliken e vjetër. E afroi për t’i marë erë. Pastaj, shpleksi gadalë një fill mëndafshi që kish lidhur dikur kutinë, e zbukuruar dhe pas pak e hapi.
Brenda kutisë gjendej i palosur shalli me gjethe ulliri dekoruar që dikur qëndronte në qafën e Ninës atë mbrëmje të largët tetori të ftohtë dhe që ajo ia vendosi që qafën e tij duke i dhënë kështu edhe përqafimin e fundit dhe lotët e kripur të lamtumirës.
E shpalosi shallin. E afroi ne fytyrë dhe i mori aromën. Poshtë shallit, ende qëndronin fijet e thara të borzilokut.
Ndjeu se borziloku edhe i tharë pas shumë e shumë vitesh e kishte rujtur erën e mirë të tij si edhe shalli me erë borziloku.
-Ja, ku u takuam përsëri e mira Nina. Pas shtatëdhjet e nëntë vitesh kaluar,-tha ai me zë në dhomën e spitalit..
-Je po ajo. Dhe nuk ke ndryshuar fare. Je, si atë atë natë, Nina ime, e mira ime.///
____________
*) Përshëndwetje dhe të shkuara!(gr.)
**)Si urdhëron
— o0o —

Gjuha e Krishtit- Fragment nga romani i Adrian Lesenciuc*- Përktheu Luan Topçiu

Kur hyra në arenë, më herët se dje, me diellin që sapo shfaqej mbi majën e tribunës, drita binte pjerrtas, ndërsa turma para meje ishte një bishë e uritur, një masë e vetme e gatshme të më gëlltiste ose të lëpihej në këmbët e mia. Ishte edhe Aleksandri aty, por ai kishte ardhur posaçërisht në shtëpinë e Trifaenës, duke pritur me padurim që unë të mbërrija në arenë. U bëri shenjë ushtarëve të më shqyenin petkat, por ata, ndërkohë, më kishin lidhur flokët, që të mos mbulonin kurmin tim. Njëri syresh erdhi përpara me një hekur të skuqur, drejtuar pjesëve të mia femërore, ndërsa dy të tjerë po përpiqeshin të shqyenin copën e fortë të teshave që më kishte veshur Trifaena. Ndoshta Aleksandri kishte nxituar dhe donte të më shihte të vdekur sa më shpejt, i bindur se ashtu e kishte shkruar Perëndia. Në çastin kur u dha urdhri për lirimin e bishës, ushtari që mbante hekurin e skuqur dhe që kishte arritur aq pranë sa e ndjeja nxehtësinë e metalit mbi lëkurën time, lëshoi çfarë mbante në dorë dhe ia mbathi, duke vrapuar për t’u fshehur. Po e njëjta luaneshë, si dje, doli me një kërcim nga grila e arenës dhe me hungërimën e saj i bëri të dy të tjerët të largoheshin, por jo pa më shqyer teshat dhe pa i lënë ato të bien teposhtë këmbëve të mia, aty ku hekuri i skuqur dogji litarin që më lidhte pas shtyllës dhe copat e grisura të rrobave. Luanesha u soll rrotull, duke u druajtur nga flakët, por e çliruar nga kollona, unë hodha një hap anash dhe prita, e kërrusur, që ajo të më shqyente. Por luanesha u afrua dhe u ul midis trupit tim dhe turmës, duke lëshuar një zë therrës e të përvajshëm sikur të më mbante larg çdo të keqeje përtej saj. Dhe pikërisht kur besoja se shfaqja do të përfundonte ashtu si dje, duke u përsëritur çdo ditë derisa bisha e uritur të më shqyente mishin, pashë Trifaenën që kërcente gardhin e arenës dhe, pa u tutur, afrohej drejt meje, duke më mbuluar me mantelin e saj. Luanesha ktheu kokën e saj të madhe dhe të frikshme drejt Trifaenës, por ajo thirri me zë të lartë drejt Aleksandrit dhe sundimtarit të qytetit:

— O, mizori! O, tirani! Ndaleni, se qyteti i Antiohisë do të mbushet me këtë turp që urdhëruat ju! Përkrah Trifaenës, nënës sime adoptive, unë pata më shumë besim në atë që do të ndodhte, dhe lutja ime ngrihej më fuqishëm drejt Shpëtimtarit Krisht. Po, e njëjta perde drite u ngrit midis meje dhe turmës, i njëjti besim dhe gëzim i martirizmit që çliron nga mizoritë e trupit.Ngadalë dëgjoja se si Aleksandri jepte urdhra me një zë gjithnjë e më të dridhur, si një grua e varfër që beson tek Perëndia e dashurisë dhe që nuk bëri asgjë tjetër, përpos e la atë në sheshin e qytetit pa shenjën e pushtetit që kishte arritur përmes veprimeve të pandershme, ndoshta as me emrin e Zotit, ndoshta as me emrin e Cezarit. Në arenën që filloi të rrotullohej rreth meje, shfaqeshin kafshët më të tmerrshme, të cilat luanesha nga këmbët e mia i shtypte ose i frikësonte. Unë isha në mes të arenës, jo larg shtyllës ku më kishin lidhur ushtarët, në gjunjë, me pelerinën e Trifaenës mbi supa, duke iu lutur vazhdimisht Zotit tim, Atij që kishte ardhur me perde drite për të më pritur kur të hyja në mbretërinë e Tij të përjetshme.

— E madhe është mirënjohja ime, Perëndi, për planin që ke pasur me mua! lutesha dhe qaja me lot të valë, ndërsa tribunat gjithë rrotulloheshin dhe zhdukeshin rreth meje, ndërsa bota zhdukej, dhe nëse nuk do të ishte realiteti i rërës mbi të cilën ishin vendosur gjunjët e mi, ndoshta edhe arena do të ishte zhdukur, ashtu siç po zhdukeshin gjithnjë e më shumë kafshët gjithnjë e më të frikshme pranë meje. Mposht, Zot, çdo shenjë frike dhe prano shpirtin tim në mbretërinë Tënde, më vish me vdekjen e sotme për të më dhënë jetën e përjetshme!

Nuk shihja më asgjë rreth meje, përpos asaj perdeje drite që ishte shndërruar në shkallë. As lëkura e luaneshës nuk e ndjeja më, sepse nuk ishte më pranë meje, as prehjen e Trifaenës nuk e ndjeja, sepse nuk mund të ndjeja më, derisa një ulërimë e fortë e turmës më shkëputi nga lutja dhe më bëri të hap sytë. Nuk shihja tribunën, as fytyrën e persekutorit tim. Por vetëm pranë meje, rëra e mbushur me gjak, trupa bishash të shtrirë në arenë dhe madje edhe trupi i luaneshës që më mbrojti, i grirë dhe i shtrirë, jo larg meje. Pas meje, mbi rërën e arenës, ishte shtrirë edhe trupi i Trifaenës, kështu që u ngrita, me mantelin që më mbulonte, dhe iu afrova shpëtimtares sime. Zgjata dorën drejt ballit të saj dhe e preka, dhe ajo hapi sytë, sikur frika nga bishat më të tmerrshme se ferri e kishin bërë të humbte për një çast vetëdijen. Jo larg nesh ishin dy kafshë të gjalla, hije e të cilave shtriheshin mbi rërë, por edhe ato dukeshin sikur ishin frikësuar nga ato që ndodhën rreth meje gjatë kohës që unë isha duke u lutur që do të më bënte të ngjitesha në shkallën e dritës drejt Perëndisë Vetë. Atëherë dëgjova zërin e sundimtarit, i cili më pyeti nëse isha shtrigë.

— Po, siç e sheh, jam një vajzë që vjen nga qyteti i Ikoniumit dhe nuk bëj asnjë magji. Vetëm Perëndia ime e gjallë bëri që as flakët e gjembat, as bishat e dheut të mos më preknin. Dhe Ai mund të bëjë të njëjtën gjë për ju, nëse do të besoni në jetën e pavdekshme në Mbretërinë e Tij, e cila vjen sot para jush përmes këtij veprimi që e shihni si mrekulli. O sundimtar i qytetit Antiohia në Pisidi,

Ai që më dha mua veshje pahu para syve tuaj, Ai që më vesh me lavdinë e Tij, sa kohë që ju mundoheni të më poshtëroni dhe të më ndëshkoni për një vepër që nuk e kam kryer, ju dhëntë mendjen e qashtër për gjykim dhe ju shpërbleftë me dhuratat e Tij!

Atëherë pranë meje u ngrit edhe Trifaena, dhe sundimtari u trondit akoma më shumë, duke e parë të gjallë, sepse e mendonte të rënë në arenë, e grirë nga kafshët që ishin dërguar kundër nesh, dhe tha:

— O, burra të Antiohisë dhe, o, ju gra të Antiohisë, ato që tha Aleksandri për këtë grua u dëshmuan të pavërteta. Perënditë tona na treguan se virgjëresha është e pafajshme. Futini kafshët në kafazet e tyre, ndërsa kjo grua të jetë e lirë, sidomos sepse ti, Trifaena, ke garantuar për të me jetën tënde dhe ke thënë se hedhja e kurorës ishte një akt mbrojtjeje të virgjëreshës kundër Aleksandrit, dhe jo si një shenjë e shenjtë.

Adrian Lesenciuc, poet, prozator, eseist dhe kritik letrar rumun, mik i letërsisë shqipe. Ai lindi në Câmpulung Moldovenesc më 21 gusht 1975. Profesor i diplomuar universitar. Kryeredaktor i revistës letrare Libris. Ai është kryetar i degës Braşov të Lidhjes së Shkrimtarëve Rumunë.

Më 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti i shquar shqiptar Bardhyl Londo

 

Bardhyl Londo (Përmet, 25 dhjetor 1948 – Tiranë, 18 shkurt 2022) është poet i shquar shqiptar.

Biografia

Studioi për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës, punoi disa vjet si mësues në rrethin e Përmetit, në vendlindje, e më pas qe redaktor dhe kryeredaktor i gazetës letrare Drita. Në qershor 1992 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në vend të Dritëro Agollit që kishte dalë në pension në janar të atij viti. Lirikat e Londos frymëzohen nga fakte konkrete: ato ndërtohen me imtësi e çaste nga përvoja e jetuar dhe e përjetuar intensivisht duke u shndërruar në poezi në një mënyrë të matur dhe erudite. Poezia e tij, e shkruar dhe me varg të rregullt e kryesisht me rimë, kumbon në mënyrë melodioze me traditat e pasura të poezisë toske, saqë kritiku Razi Brahimi e ka vendosur në mes të poetit klasik dhe mendimtarit rilindës Naim Frashëri dhe poetit të fuqishëm Dritëro Agolli.

Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni” më 1988 për vëllimin Si ta qetësoj detin si dhe çmimin kombëtar me vëllimin poetik Prill i hidhur.

Tituj të veprave

Krisma dhe trëndafila, Tiranë 1975;
Hapa në rrugë, 1981;
Emrin e ka dashuri, 1984;
Si ta qetësoj detin, 1988;
Vetëm Itaka, Prishtinë 1989;
Ditë njerëzore, Tiranë 1990;
Shën Shiu, 2010;
Jeta që na dhanë, 2013.

Referime

^ Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e Letërsisë Shqiptare (PDF). Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tirana, Peja: Dukagjini. fq. 294.
^ Veizi, Leonard (19 shkurt 2022). “Ikën Bardhyl Londo, vargjet treten në eter”. fjala.al. Marrë më 21 shkurt 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)

Wikipedia


Send this to a friend