MITROVICË – Aktori nga Kosova, Florist Bajgora, luan rolin e personazhit kryesor të filmit “Shpata prej Druri”, të “jetimit Hajdar”, babai i të cilit është zhdukur gjatë kohës së luftës në Kosovë. Me këtë film bardh e zi, për herë të parë producentët turq xhirojnë një film në gjuhën origjinale shqipe dhe me artistë kosovarë në qytetet e Kosovës.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), artisti i ri kosovar Bajgora thekson se ndihet shumë mirë për bashkëpunimin me Turqinë dhe shumë i lumtur për të qenë pjesë e një punë shumë të madhe dhe shumë të mirë, e cila sipas tij po realizohet me shumë dashuri. Ai theksoi se gjithçka ka vazhduar shumë mirë, ashtu siç “as nuk e kishte paramenduar”.
Duke u shprehur se kjo është hera e parë që ai luan në rolin kryesor në një film të gjatë, Bajgora tha se kishte frikë për atë se si do të ishte komunikimi mes tij dhe regjisorit turk, Emre Konuk, të cilët nuk e njihnin gjuhën e njëri-tjetrit.
“Mirëpo ka qenë shumë interesant me pa se si Emre është aq i saktë. E di tamam çfarë do, mënyra si t’i jep direksionet, është shumë konkret dhe është shumë i qartë në atë çfarë do. Kjo ka bërë shpirtin tim që të jetë shumë rehat gjatë këtij procesi dhe po ndihem shumë rehat dhe i lumtur që jam pjesë e këtij filmi dhe më këtë ekip”, tha artisti Bajgora.
Ëndrra e Hajdarit është realiteti i shumë djemve të rinj kosovarë
Duke folur në lidhje me personazhin të cilin e luan në filmin “Shpata prej Druri”, Bajgora tha se Hajdari “në jetën e tij të re” është duke u munduar që të gjejë të vërtetën se çfarë ka ndodhur me babanë e tij.
“Realiteti i Hajdarit, ëndrra e Hajdarit është realiteti i shumë djemve të rinj kosovarë që vazhdojnë me qenë në këto ditë. Hajdari është një djalë i qetë, e di çfarë do, ka shumë qetësi, ka shumë dhimbje brenda”, tha ai.
Ai shprehet se që në ditën e parë kur e ka lexuar tekstin e skenarit e ka gjetur Hajdarin “brenda te Floristi”.
“Krejt ekipi janë shumë të mrekullueshëm prej ditës së parë. Me regjisorin kemi folur dhe i kemi ndarë idetë dhe si ai e ka parë Hajdarin prej fillimit dhe si e kam parë unë Hajdarin në leximin e parë. Na është dukur se është përshtatur shumë lehtë sepse ka shumë elemente te Hajdari ndoshta si Florist”, tha ai.
“Shumë mirë që ka filluar edhe kinemaja të na lidhë”
Duke theksuar se “Me Turqinë kemi lidhje të kamotshme”, Bajgora u shpreh se “Kështu shumë mirë që ka filluar edhe kinemaja të na lidhë edhe më shumë. Unë jam shumë i lumtur për këtë projekt, jo vetëm pse është një projekt shumë i madh, por sepse jam duke e gjetur veten dhe duke pasur çka me dhënë për këtë karakter, kështu që po ndihem shumë mirë për këtë bashkëpunim”.
“Kemi shumë histori për të treguar”
Artisti i ri Bajgora, i cili është në përfundim të studimeve të tij në drejtimin e Aktrimit, tregon se me aktrim ka filluar që të merret që prej klasës së katërt kur ka luajtur filmin dhe shfaqjen e tij të parë. Duke u shprehur se pas kësaj ka pasur angazhime të ndryshme dhe se ka vazhduar çdo vit të merret me filma dhe shfaqje, Bajgora thotë se:
“Tërë jetën jam munduar që të zgjedh gjërat që më pëlqejnë ashtu kur e lexon skenarin të pëlqen, thua ky qenka shumë i mirë dhe këtë dua ta bëj. Zakonisht kanë qenë projekte të tilla, kam punuar në disa filma të gjatë e të shkurtër, në shfaqje”.
Në lidhje me të ardhmen e tij si artist, Bajgora u shpreh se mendon se do të ketë punë ku do të tregojë kreativitetin e tij, dramën e përditshmërisë dhe me punë ku ka “diçka që të japë nga vetvetja”.
“Kur të kryhet ky film, të cilin e kam marrë me shumë përgjegjësi dhe shumë dashuri dhe e dua shumë, kam pak kohë për të pushuar dhe të shkoj në Berlin për të xhiruar një film të shkurtër”, thekson artisti kosovar.
Ai po ashtu shprehet optimist për të ardhmen e kinematografisë kosovare, e cila sipas tij është duke evoluar dhe duke u zhvilluar çdo herë e më shumë.
“Ne kemi shumë histori për të folur, kemi shumë histori për të treguar. Mendoj që njerëzit nëpër vende tjera kanë filluar që të interesohen dhe duan që t’i shohin. Shumë mirë është që ne po marrin eksperienca të ndryshme prej plot vendeve që vijnë këtu të bëjnë filma. Edhe vetë jemi pavarësuar dhe po mundemi të bëjmë filma tepër të mirë, por jam shumë optimist që kinemaja kosovare dhe ajo shqiptare në përgjithësi shumë shpejtë do të lulëzojë”, thotë ai.
Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë
Skenari i filmit “Shpata prej Druri”, i cili po xhirohet me mbështetjen e Fondit të Promovimit të Republikës së Turqisë, me bashkëproducimin e TRT-së (Radio-Televizioni i Turqisë) është shkruar nga Selman Kılıçaslan.
Të gjithë aktorët e filmit janë kosovarë, ku aktori kryesor në rolin e Hajdarit është Florist Bajgora. Përveç tij, në kastingun e filmit janë aktorët e njohur si Fiona Gllavica, Mensur Safqiu, Bislim Muqaj, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Vedat Bajrami, Irena Cahani, Ernest Malazogu dhe Artiole Hamdiu.
“Babai i Hajdarit i cili ka lindur në fshatin Krushë të Vogël të Kosovës, Hyseini si personi i vetëm që ka shpëtuar nga një masakër e madhe e serbëve në këtë fshat në luftën e vitit 1999, është zhdukur. Pas disa vitesh pas vdekjes së nënës së tij, Hajdari mbetet i vetëm dhe përkujdesjen e tij e marrin xhaxhai Nexhati dhe gruaja e tij Fatimja. Hajdari i cili braktis edhe studimet universitare në drejtimin e historisë për shkak të kushteve ekonomike, filloi të ndiqte një shenjë me dëshirën për të gjetur babanë e tij. Gjëja e vetme që kishte mbetur si kujtim nga babai i tij për 22 vjeçarin Hajdarin, ishte një shpatë prej druri. Në kërkim të babait të tij të zhdukur, Hajdari në njërën anë bëhet dëshmitar i një qëndrimi prej dervishi të babait të tij, ndërsa në anën tjetër ndjek përgjegjësit serbë të masakrës së kryer në fshatin e tij”, është tema e filmit që po përgatitet nga kompania A23 Media.
Komentet