Në foto: Landajta e Shkencës, duke mbajtur Shqiponjën me të mira
Milena më dëgjon moj korbë?
Lindita Nikolla jam. Isha atë ditë që prita ata futbollistët e kombëtares dhe të them të drejtën po mendoja për çupën në Francë sikur ta mpleksja me ndonjërin. Qejfi ma ka të më mplekset me atë futbollistin Mavraj. Imagjino do shkuajnë gazetat pastaj: “Ja pse vajza e Lindita Nikollës mban Ramazan”.
Po nejse, po çmë ndodhi sot? Hap fejsbukun dhe shoh që më kishte dërguar ftesë miqësie një futbollist i Partizanit. Si fillim mendova se mos ishte adresa fallco e Gaz Demit.
Hapa fotot dhe pashë që i kishte komentuar fisi dhe u sigurova që ky djali ishte adresë reale. I gjeta burrë çupës thashë me vete.
Sa pranova ftesën, djali me sa duket ishte me telefon në dorë e po priste, më shkruan pas tre sekondash të pranimit të ftesës: Çkm çpb?
Mirë i thashë. Uuaaaa po është ora 7 e mëngjesit të keqen teta, nuk të bën mire të rrish në fejsbuk që me natë.
Po edhe ti në fejsbuk je, -më thotë
Po mua më thëret detyra mo djalë, – i thashë.
Më thotë: A ke dëshirë të kemi diçka bashkë, lidhje ose diçka të ngjashme?
Aty nuk durova dot më dhe i shkruaj:
I nderuar, kështu të ka mësuar të flasësh Gaz Demi ty? Unë jam pjesë e një kulture underground dhe nuk pranoj të tilla ofrimesh sidomos kur bëhet fjalë për gjëra personale.
Jam tepër e kujdesshme pasi bazoj idetë e mia të thella te vepra e plotë e Kafkës , Kamysë dhe Witold Gombrovich.
Unë mund të konsideroja një përqasje elegante, e cila i ka bazat te një tërheqje e ndërsjelltë që mund të diktohet rastësisht si pasojë e ndërveprimit platonik.
Më vonë kjo mund të konkretizohej me një të dalë në një ambjent kulturor, tek i cili jemi të dy të ftuar dhe ti më buzëqesh më afrohesh dhe më fton për të diskutuar në një tryezë të rembullakët për çështjen e daljes së Britanisë nga Unioni.
Pasi të kemi bërë një rezyme të përgjithshme dhe të kemi pranuar që intelektet tona janë 100% të përputhshme mund të konsiderojmë të dalim. Të njihemi dhe pastaj vendosim se çfarë do bëjmë me miqësinë tonë.
Ndonëse ne miqësinë tonë të vyer mund ta ruajmë dhe të takohemi mbrëmjeve e të flasim rreth pikpamjeve që Karl Gustav Jung kishte për yjësinë dhe ndërthurjen e jetës së individit sipas kupolës së qiellit.
Ajo që ndodhet në gjithë sistemin galaktikor është ajo e cila ndodhet edhe brenda njeriut. Duke kuptuar kështu teorinë se çfarë ka brenda ka edhe jashtë, ne do kuptojmë çfarë është më e mirë për njëri-tjetrin dhe do e kuptojmë nëse kjo miqësi ja vlen të mbahet pezull.
A ke lexuar ndonjë vepër të Karl Çepek ti mo djalë?
Milena shiko, më vdektë Ëngjëll Agaçi po të gënjeva, po ai shtangu pasi e lexoi mendimin tim të thellë. Ndejti nja 3 minuta pa shkruar gjë fare. Thashë se e kisha mahnitur dhe e kisha bërë të dashurohej me mua, por pas pak ma kthen:
-Nçk mi qorre.
Isha në dilemë nuk dija ç’ti thosha. A ishin vallë ato iniciale që më shkroi një mesazh i koduar që përpiqej të depërtonte thellë në vetëdijen time shkencore? Unë i shkruajta në këtë mënyrë se doja të vija në dukje natyrën time inteligjente dhe të kompesoja numrin e syzeve 14 me inteligjencën .
Por pak më vonë më hoqi nga lista e miqve moj Milena dhe aty kuptova që nga gjithë ai roman i gjatë që i kisha shkruar, djali kishte arritur të kuptonte vetëm fjalët: ‘më’, ‘edhe’, ‘unë’, ‘që’, ‘Gaz Demi’, ‘të’, ‘ka’, ‘një’.
Po mundohesha t’i mbushja mendjen vetes që mund të kishte kuptuar ndonjë fjalë më tepër dhe nuk dija çfarë të bëja. Shkova ta bëja prapë mik, por më kishte bërë ‘block’ fare.
Milena po të shkruaj se ti e ke kushëri Olsin, dua të ndërhysh. Dua t’i thuash Olsit që pa i prishur punët e veta të basteve dhe të koncensioneve që ka me Gazin, të gjejë kohën e t’i thotë Gazit që ai më pas t’i thotë atij futbollistit që të ma heqë block-un.
Kam frikë t’i them dhe çupës që më ka bërë block një futbollist i Gazit, se po ma mësoi çupa këtë gjë rrezik largohet dhe Franca nga Unioni në shenjë proteste ndaj futbollistit.
Fol me Olsin o Milena, të lutem, mos e bëj për mua, bëje për të ardhmen e Unionit.
*E-mail i mbërritur në redaksi ‘me forward’nga adresa false e znj. Milena Harito
(HashtagAlbania)
Komentet