Në vitin 2002 i ka shënuar Anglisë që nga kornia. Ish-lojtari shqiptar i Maqedonisë, Artim Shaqiri, është një legjendë e gjallë e futbollit në shtetin fqinj. 43-vjeçari nga Struga ka luajtur 75 ndeshje me fanellën e Kombëtares maqedonase dhe për shumë vite ka mbajtur shiritin e kapitenit të kësaj skuadre. Në prag të Maqedoni-Shqipëri, Shaqiri foli për “Panorama Sport”. Sipas ish-numrit 10 të Maqedonisë, kuqezinjtë janë favoritë për të fituar. Shaqiri parashikon një ndeshje pa incidente në stadiumin e Strumicës.
Artim, ka diçka që ju ka bërë përshtypje në pragndeshjen mes Maqedonisë dhe Shqipërisë?
Të dyja skuadrat vijnë pas fitoreve dhe tashmë ajo që unë uroj është që të martën të bëhet një ndeshje siç i ka hije futbollit. Shpresoj që mos të ketë probleme, por vetëm “fair-play”. Normalisht, si Maqedonia ashtu edhe Shqipëria do të kërkojnë fitoren në këtë ndeshje. Gjithsesi, për momentin unë mendoj se Shqipëria është më lart se Maqedonia. Pra, është favorite për të fituar ndeshjen, edhe pse këtë duhet ta tregojë me vepra në fushë të martën.
Ju e prisnit që Maqedonia të fitonte në Izrael?
Të them të drejtën, nuk e prisja fitoren e Maqedonisë. Mendoja se me një barazim do të ishte e kënaqur. Edhe vetë parashikoja që do të ndahej pa fitues, por gjithsesi Maqedonia fitoi me meritë. Ndryshe nga ndeshjet e kaluara, këtë herë Maqedonia tregoi një nivel më të mirë. Shfrytëzoi një rast në fund dhe mori tri pikë të rëndësishme. Kjo fitore ia shton edhe më shumë moralin dhe motivimin Maqedonisë për ndeshjen me Shqipërinë. Pastaj, duhet të dini se ky është një takim që lojtarët maqedonas do t’i kushtojnë edhe më tepër vëmendje.
Çfarë duhet të ketë më shumë kujdes Shqipëria te kjo Maqedoni?
Trajnerët nuk i shikojnë të gjitha gjërat njësoj. Edhe unë nuk kam çfarë t’i them tani Panuçit se nga çfarë duhet të ketë kujdes më tepër te Maqedonia. Di të them që janë një skuadër që nuk duhen nënvlerësuar.
Nuk është Maqedonia aq e dobët dhe të vlerësohet nga rezultatet negative që ka marrë përpara ndeshjes në Izrael. Ka lojtarë që bëjnë diferencën dhe veçanërisht në sulm. Nuk është e nevojshme të përmend emra, por kanë një ekip të ri dhe kanë bërë disa ndryshime. Janë të aftë të të hapin punë në çdo moment dhe këtë e kanë treguar.
Ju thatë që Shqipëria është favorite për të fituar. Na jepni disa arsye?
Shqipëria është një Kombëtare që ka marrë pjesë edhe në Europë, kështu që në krahasim me Maqedoninë, është dukshëm më e fortë. E shikoj favorit ekipin kuqezi, pasi jam i bindur që nuk do të futet në fushë me idenë për të mbajtur një pikë, por do të sulmojë për fitoren. Ndërsa Maqedonia kam përshtypjen që do ta presë në mbrojtje Shqipërinë dhe më pas do të kërkojë ta godasë përmes ndonjë rasti që mund t’i jepet.
Keni luajtur 75 ndeshje me Maqedoninë dhe për shumë vite keni qenë kapiten i saj. Nesër, për cilin ekip do të bëni tifo?
Mos më vendosni në siklet. Unë jam shqiptar, por nuk mund të hedh poshtë faktin që kam luajtur 75 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë dhe e respektoj atë. Së pari, unë dua që të mos ketë incidente në këtë takim. Të lihen pas edhe ofendimet dhe vetëm të shikojmë futboll.
Si ka mundësi që Federata e Maqedonisë zgjodhi stadiumin e Strumicës dhe jo të Shkupit?
Nga ajo që kam dëgjuar këtu, arsyeja kryesore ka të bëjë me sigurinë. Që të kuptohemi, policia e ka pasur të vështirë për ndeshjen në Shkup, pasi dihet që do të kishte më shumë tifozë shqiptarë. Tashmë, në një stadium të vogël, prania e tifozëve shqiptarë do të jetë e limituar. Nëse ndeshja do të luhej në Shkup, stadiumi do të mbushej me shqiptarë.
Për një lojtar shqiptar të Maqedonisë çfarë simbolizon ky takim?
Të jeni të sigurt që për futbollistët kjo është një ndeshje normale si çdo ndeshje tjetër. Në fund të fundit në profesionalizëm kjo duhet të merret sportivisht, pa marrë parasysh nëse është Maqedoni-Shqipëri. Është thjesht një ndeshje, ku duhet të respektohet futbolli dhe ekipi ku bën pjesë. Nuk duhet të mendohet fare për anën politike.
I druheni një përsëritjeje të Beogradit edhe në Strumicë?
Jo, jo. Nuk besoj që do të ketë incidente si të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ajo që është më e rëndësishme, lojtarët mendojnë vetëm për futbollin. Është një takim i radhës, që për Shqipërinë do të thotë shumë, pasi mund të blindojë vendin e tretë. Nga ana tjetër, Maqedonia shpreson të jetë në një pozitë më të mirë. Unë pres një ndeshje të bukur dhe nuk e mendoj aspak se do të ketë incidente.
Na tregoni pak për stadiumin, çfarë e pret Shqipërinë?
Kam luajtur në vitet ’90 në stadiumin “Mlladost”. Strumica është një qytet i vogël, por ka traditë futbolli. Pas një periudhe të gjatë, ekipi që luan në këtë stadium, Belasica, është kthyer në Superligë. Është një impiant i vogël dhe besoj se do të bëhet një ndeshje interesante. Kryesorja për lojtarët është të mendojnë vetëm për ndeshjen, atë që i lejon fusha e futbollit.
Ju do ta ndiqni këtë takim nga stadiumi?
E sigurt është që do ta ndjek ndeshjen, por shanset më të mëdha janë që të ulem përballë televizorit.
Pse kjo zgjedhje, ka diçka që ju pengon?
Jo, aspak. Madje mund t’ju them se Federata e Futbollit të Maqedonisë më ka bërë një ftesë zyrtare për të qenë i pranishëm në stadium. Është thjesht një zgjedhje personale, pasi në ditën e ndeshjes do të jem në udhëtim dhe shanset më të mëdha i kam për ta ndjekur nga TV.
JORGIS MEMO
Komentet