Jo çdo dhimbje mesi apo qafe mund të jetë tregues për hernie. Sipas neurokirurgut turk Baris Saygili, pjesa më e madhe e këtyre shqetësimeve janë ngërçe të muskulaturës së pasme të shpinës. Vetëm në momentin që kemi një dhimbje të njërës këmbë, mpirje apo vështirësi në lëvizje, vë në dukje doktori, atëherë duhet të mendojmë se ka diçka më shumë sesa një spazmë, apo ngërç të muskulaturës.
Trajtimi kirurgjikal është metoda e fundit që aplikohet, pasi në 80% të rasteve zgjidhja e problemit shihet te trajtimi konservativ, që konsiston në regjim shtrati në dy ditët e para dhe trajtim medikamentoz, kryesisht analgjezikë dhe relaksues të muskulaturës.
Në klinikën “Zogu i Parë”, në kryeqytet, te pacientët që kanë dhimbje të belit, por nuk kanë një të dhënë të mirëfilltë për shtypje të nervit përdoret epiduroskopia. Sipas neurokirurgut turk, Saygili, i cili është i vetmi që e mundëson këtë praktikë në vendin tonë, aplikimi i epiduroskopisë shërben për qetësimin e dhimbjes.
Doktor, si mund ta kuptojmë që vuajmë nga hernia? Pra, cilat janë shenjat tipike që sëmundja manifestohet?
Në botë nuk ka njeri që të mos ketë kaluar dhimbje mesi apo qafe të pakën një herë në jetë. Pyetja që lind pas kësaj është nëse edhe unë vuaj nga hernia. Pjesa më e madhe e këtyre shqetësimeve në 80% apo 90% të rasteve nuk janë hernie, por ato që ne i konsiderojmë spazma. Thënë kjo në gjuhën popullore janë ngërçe të muskulaturës së pasme të shpinës. Kjo ndodh për belin, por edhe për qafën dhe nis me një mungesë lëvizje të asaj zonë nga ku vjen edhe dhimbja.
Si bëhet diferenca e një dhimbjeje të zakonshme nga hernia?
Ajo që e ndan kontraksionin e pasmë të muskulaturës me sëmundjen e mirëfilltë, që është hernia, është dhimbja e cila mund të drejtohet në njërën apo tjetrën këmbë. Në momentin që kemi një dhimbje të njërës këmbë, mpirje apo vështirësi në lëvizje, atëherë duhet të mendojmë se ka diçka më shumë sesa një spazmë, apo ngërç të muskulaturës.
Cilat janë metodat që aplikohen në klinikë për trajtimin e kësaj patologjie. Orientimi drejt kirurgjisë kur ndodh?
Jo çdo pacient që ka hernie përfundon në kirurgji. Në 80% të pacientëve aplikohet trajtimi konservativ. Gjëja e parë që këshillohet është pushimi. Pra, duhet një regjim shtrati i mirë dhe në dy ditët e para lëvizja duhet të jetë e kufizuar. Pacienti duhet vetëm të kryejë nevojat personale dhe pjesën tjetër të ditës duhet ta kalojë shtrirë. Në të njëjtën kohë aplikohet edhe trajtimi me medikamente, kryesisht analgjezikë dhe relaksues të muskulaturës, të cilat duhet të jenë të kombinuara për disa ditë. Sigurisht që këto nuk jepen apriori. Fillimisht kontrollohet gjendja neurologjike e pacientit. Nëse nuk ka një deficit të mirëfilltë të vendosur, atëherë fillohet me trajtimin konservativ. Nëse nuk ka efekt apo përmirësim nga ky trajtim do të thotë që ka diçka më tepër. Për këtë rekomandohet që të kryhet rezonanca magnetike. Nëse ka shtypje të nervit dhe terapia e më- parshme ka dështuar, atëherë mund të mendohet ndërhyrja kirurgjikale. Nëse rezonanca nuk tregon një shtypje të mirëfilltë të nervit, por pacienti persiston me dhimbje të shpinës, pavarësisht trajtimit me ilaçe, ajo që mund të bëhet në këto raste janë injeksionet paravertebrale. Pra, injeksionet në pjesën e pasme të muskulaturës për të qetësuar dhimbjen. Gjithashtu ka edhe situata kur pacienti edhe pas injeksioneve nuk i kalon dhimbja. Ajo që ne aplikojmë në klinikë dhe që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër është epiduroskopia.
Çfarë është epiduroskpia dhe në cilat raste aplikohet? Epiduroskopia është një procedurë mininvazive që përdoret te pacientët, të cilët kanë dhimbje të belit, por nuk kanë një të dhënë të mirëfilltë për shtypje të nervit. Dhimbja mund të vijë për disa arsye, që kanë të bëjnë me dëmtime degjenerative të disqeve, kockave të kolonës, apo edhe ndryshime të muskulaturës dhe procedura aplikohet specifikisht në drejtim të dhimbjes pa bërë ndryshime të strukturës. Epiduroskopia është një metodë mininvazive sepse bëhet ndërhyrje në pjesën e pasme të kolonës. Nëpërmjet një vrime natyrale të organizimit bëhet një hapje rreth 0.5 cm në pjesën fundore të shpinës. Për këtë shërben një aparat i posaçëm i lidhur me një ekran, gjatë procedurës arrihet pastrimi i ngjitjeve që rrethojnë cipën e palcës nga brenda. Kjo praktikë nuk ndryshon cilësinë e diskut, por nëpërmjet injektimit të një medikamenti shërben për të qetë- suar dhimbjen. Ka pacientë që nëpërmjet kësaj metode nuk kanë pasur dhimbje mesi për gati 2 vite.
Cilat janë efektet e kësaj metode, pra çfarë mund të arrihet përmes saj?
Ajo që synohet nëpërmjet kësaj metode është qetësimi i dhimbjes. Ka pacientë të cilët, edhe pse nuk kanë shtypje të nervit, kanë dhimbje mesi që iu dëmton cilësinë e jetës. Aplikimi i epiduroskopisë shërben për qetësimin e dhimbjes. Pjesa më e madhe e dhimbjeve të belit dhe qafës në këtë periudhë janë edhe sëmundje profesionale. Në momentin që kjo dhimbje neutralizohet përmirësohet ndjeshëm edhe cilësia e ditës. Kur kalon dhimbjen, hapi tjetër është fizioterapia që ndihmon në ruajtjen e pjesës së pasme të muskulaturës. E fundit mbetet kirurgjia, e cila aplikohet atëherë kur këto procedura nuk japin rezultat. Progres është bërë edhe në këtë aspekt, pasi me ndërhyrjet që bëhen pacienti qëndron në spital vetëm një ditë dhe të nesërmen shkon në shtëpi. Meqenëse jemi në sezonin veror ajo që donim të apelonim është që të tregohet kujdes, pasi gjatë kësaj periudhe më të zakonshme janë dëmtimet apo edhe thyerjet e qafës që vijnë si pasojë e zhytjeve apo aksidenteve./Panorama/
Komentet