Aktiviteti i shtuar i agjencive të huaja të shteteve jomiqësore me Shqipërinë, terrorizmi ndërkombëtar, aktivitetet kriminale dhe të korrupsionit cilësohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror si armiqtë kryesorë që rrezikojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo vlerëson se nga puna e përditshme e këtij institucioni dhe veprimtaria operative e agjentëve të tij në terren rezulton se këto aktivitete të paligjshme janë dhe kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë.
“Shërbimet dhe agjencitë e huaja të fshehta jomiqësore që zhvillojnë veprimtari kundër interesave kombëtare të Shqipërisë, terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë”, – bën të ditur drejtori i Përgjithshëm i SHISH, Helidon Bendo në fjalën e tij që shoqëron raportin e parë publik të këtij institucioni. Në fjalën e tij përshëndetëse Bendo sqaron se nxjerrja në dritë e këtij raporti të parë publik synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe besimin e tij ndaj agjencisë kryesore informative, ndaj veprimtarive që zhvillojnë agjentët e tij, si dhe të ketë ndikim pozitiv në sigurinë kombëtare.
“Në përmbushjen e misionit të tij, SHISH-i mbledh, përpunon dhe shpërndan informacione për autoritetet e larta shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Në këtë raport të parë publik, kemi zgjedhur t’i paraqesim opinionit publik ato që i konsiderojmë si të nevojshme të njihen, pa hyrë në hollësi administrative apo operacionale. Detyra jonë është mbledhja dhe transmetimi në kohë i informacionit, dhënia e vlerësimeve objektive dhe të paanshme, që vendimmarrësit politikë të marrin vendime të mirinformuara, duke shfrytëzuar analiza informative profesionale”, – thotë më tej Bendo në komentin e tij.
Ai thekson se asetet më të çmuara për Shërbimin janë punonjësit e tij, të cilët sipas tij i kanë të gjitha kushtet për të qenë profesionalë dhe për të dhënë më të mirën në shërbim të vendit. “Viti 2018 ka qenë tepër i suksesshëm për SHISH-in. Ndjehem krenar të them se Shërbimi vazhdoi të ofronte informacione të vlefshme për vendimmarrësit dhe agjencitë ligjzbatuese. Kontributi thelbësor i SHISH-it në përballjen me kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare është vlerësuar nga institucionet më të larta shtetërore dhe nga aleatët strategjikë”, – thotë Bendo.
Gjithashtu, ai thekson se një tjetër fushë e veprimtarisë së SHISH është edhe kontributi që jep për sigurinë rajonale, për të cilën ai thekson se ky institucion ka marrë vlerësime të larta nga drejtuesit politikë brenda vendit, nga partnerët strategjikë dhe nga strukturat e inteligjencës së NATO-s.
Bendo bën të ditur se SHISH-i mbështet angazhimin e Kuvendit dhe të qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të zhvilluar këshillime mbi çështje të lidhura me sigurinë kombëtare, si dhe bashkëpunimin me strukturat e zbatimit të ligjit.
“Shërbimi nxit edhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me shërbimet dhe agjencitë e huaja partnere, sidomos me ato strategjike dhe rajonale, me strukturat e NATO-s dhe BE-së, në përballimin e kërcënimeve të përbashkëta. Si Drejtor i SHISH-it, dëshiroj të siguroj publikun se jemi të angazhuar t’i kryejmë veprimtaritë tona me seriozitet dhe profesionalizëm, me respektin më të lartë për Kushtetutën dhe për të drejtat e liritë themelore të njeriut. Punonjësit tanë janë çdo ditë të përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, në interes të gjithë shtetasve tanë. Ne i modernizojmë vazhdimisht metodat e punës, që të jemi sa më efikasë në këtë mjedis dinamik dhe të ndërlikuar të sigurisë. Dua t’ju siguroj se, besimi i patundur dhe pritshmëritë e larta të drejtuesve tanë politikë dhe institucionalë, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, do të materializohen në rezultate cilësore dhe konkrete”, – mbyll mesazhin e tij Bendo.
Komentet