PRISHTINE – Plot 1.5 milionë dollarë është kontrata që Era Istrefi ka nënshkruar me një nga kompanitë më të mëdha në Britaninë e Madhe, “Sony”. E cilësuar si “Rihanna e Ballkanit”, këngëtarja nga Kosova ka arritur tashmë të shndërrohet në një emër mjaft premtues në tregun ndërkombëtar të muzikës. Dhe në fakt, kënga e saj “Bon Bon” është lançuar me sukses në disa shtete europiane, duke u pozicionuar edhe në vendet e para të klasifikimeve të tyre.
Performanca e saj më e fundit në televizionet gjermane është cilësuar si e shkëlqyer. Por për të gjitha këto suksese Era ka pasur ndihmën e një personi të veçantë në jetën e saj. Po flasim për menaxherin Faton Shoshi, i cili i ka ofruar mbështetje që në hapat e saj të parë të karrierës. Por, duket se marrëdhënia mes Fatonit dhe Erës nuk është vetëm profesionale. Burime të “Bluetooth” rrëfejnë se prej disa muajsh, thuajse gati një viti çifti janë bashkë.
Megjithatë, këngëtarja është përpjekur vazhdimisht ta mbajë të fshehtë këtë raport. Nuk dihet nëse ka vendosur kështu për shkak të karrierës, apo ka ndonjë arsye tjetër, por e pyetur në një intervistë të fundit për dashurinë, Era është shprehur nervoze dhe ka mohuar faktin se është në një lidhje. Sidoqoftë, këngëtarja shoqërohet vazhdimisht nga menaxheri dhe njëkohësisht i dashuri i saj Fatoni. Kjo nuk është hera e parë që Era ka një histori dashurie me një menaxher këngëtarësh.
Pak kohë më parë, ish-menaxheri i Dafina Zeqirit, Drin Zatriqi ka konfirmuar për mediat se ka pasur një lidhje 1-vjeçare me Era Istrefin. Madje, Drini ka pretenduar se kënga me titullin “13” i është dedikuar pikërisht atij. Nga ana tjetër, edhe Faton Shoshi njihet për lidhjet e tij me këngëtaret. Një nga historitë e tij më të bujshme ka qenë lidhja me këngëtaren Zanfina Ismaili, e cila veçse ishte e dashura e tij, Fatoni e ka menaxhuar për disa vite me radhë.
Komentet