Prof. KOLEC TOPALL
Studimet për historinë e gjuhës shqipe prof. Kolec Topalli i ka nisur që në vitet ’70 dhe rezultatet e para të kësaj pune kanë parë dritën e botimit në të vetmen revistë shkencore të Institutit të Gjuhësisë “Studime Filologjike”. Këto kërkime, të kryera në kushte të vështira të jetesës së tij në ato vite, ishin fryt i pasionit dhe përkushtimit të tij ndaj studimit të historisë së gjuhës shqipe, pasi nuk ishte e lehtë t’i hyje një fushe studimore ku ishin përpjekur kolosët e albanologjisë botërore e shqiptare prej më se një shekulli e në disa breza studiuesish. Vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për gjuhën shqipe e studimin shkencor të saj e shtynë të mësojë gjuhët e huaja të domosdoshme, klasike e të reja, për t’u marrë me këtë fushë studimesh, për të siguruar literaturën shkencore në fushën e gjuhësisë historike indoeuropiane e shqipe dhe për të përvetësuar arritjet më të konsoliduara të shkencës albanologjike në këtë fushë para se të marrë guximin të hedhë hapa të reja të mëtejshme. Këto hapa, në fillim të përqendruara në çështje të veçanta të fonetikës historike të shqipes, por të njëpasnjëshme e shumë sistematike, të shtrira në një periudhë njëzetvjeçare, sollën produkte të rëndësishme shkencore që u konkretizuan në një numër të konsiderueshëm prej 8 monografish për fonetikën historike të shqipes, prej të cilave doli edhe vepra madhore Fonetika historike e shqipes.
Përvoja e fituar në studimet e thelluara për fonetikën historike shërbeu si bazë për hulumtime të mëtejshme në morfologjinë historike të shqipes, të cilat u realizuan në katër monografi të tjera për pjesët themelore të sistemit gramatikor të gjuhës shqipe dhe më pas në veprën tjetër përgjithësuese Gramatika historike e gjuhës shqipe me mbi 1700 faqe.
Në gjithë këtë vëllim të madh pune shkencore për rindërtimin e historisë së gjuhës shqipe, pjesë e rëndësishme e saj dhe e lidhur ngushtë me të ishte etimologjia e kategorive të ndryshme të fjalëve të shqipes, përmes së cilës dalin edhe ligjet fonetike që përcaktojnë evolucionin e gjuhës dhe, anasjelltas, njohuritë e sakta për ligjet apo rregullsitë fonetike që kanë vepruar në gjuhë japin edhe etimologji të goditura.
Në këtë mënyrë, studimet për fonetikën dhe gramatikën historike të shqipes e çuan autorin natyrshëm edhe te rindërtimi i historisë së fjalëve, të origjinës së tyre, të zbulimit të kuptimeve më të hershme apo të kryehershme të tyre, pra te etimologjia e fjalëve të shqipes dhe pasqyrimi i tyre në një fjalor etimologjik.
Vështirësia me të cilën përballet studiuesi për rindërtimin e formës dhe të kuptimit të fjalëve është e madhe në rastin e shqipes, e cila ka një dokumentim shkrimor relativisht të vonë, në shekullin XVI, dhe jo të vëllimshëm, me një numër të kufizuar tekstesh. Ndryshe qëndron puna me gjuhë si greqishtja, latinishtja apo indishtja e vjetër që kanë një histori shumë të gjatë shkrimi të dokumentuar me tekste të shumta që dëshmojnë se si kanë qenë përdorur fjalët në periudha të hershme të historisë së tyre dhe kur kanë hyrë në këto gjuhë. Veç kësaj shqipja është një gjuhë që ka pësuar shndërrime të shumta gjatë shekujve dhe forma e fjalëve ka ndryshuar mjaft nën veprimin e theksit dinamik duke ndikuar në tkurrjen e rrëgjimin e tingujve, çka e vështirëson identifikimin e formës së hershme të fjalës. Për shqipen mbetet të zbatohet kryesisht metoda krahasuese, për ato fjalë që gjenden edhe në gjuhët e tjera simotra indoeuropiane, dhe metoda e krahasimit dhe e rindërtimit të brendshëm, për fjalët e krijuara brenda gjuhës me brumin e saj. Por ato gjurmë të vjetra të ruajtura në tekstet e vjetra shqipe, në të folmet e dialektet e shqipes, sidomos në ato të diasporës që ruajnë tipare arkaike, në folklorin gojor dhe ndonjëherë edhe në onomastikë, janë të dhëna të çmuara për historianin e gjuhës për të rindërtuar etimonin e fjalëve. Këtë metodë pune kanë ndjekur albanologët e shquar paraardhës, që nga Gustav Meyeri, Jokli e sidomos Çabej, në rezultatet e shënueshme që kanë arritur në fushën e studimeve etimologjike të shqipes. Në kohën e Meyerit njohuritë për tekstet e vjetra shqipe dhe numri i teksteve shqipe që kishin studiuesit në dispozicion ishin më të kufizuara dhe të tilla ishin edhe njohuritë për dialektet e shqipes. Jokli i çoi më përpara studimet etimologjike të shqipes duke zbatuar një metodë më efikase për shqyrtimin e prejardhjes së një fjale: mbledhjen sa më të gjerë të dëshmive të fjalës në gjuhë, të trajtave e varianteve të saj në hapësirë e në kohë; studimin e fjalës së pari brenda gjuhës, duke u nisur nga mjetet e vetë shqipes dhe pastaj duke bërë krahasime me gjuhët fqinje ose më të largëta; shqyrtimin e fjalës në lidhje të ngushtë me sendin apo konceptin që shënon ajo, sipas metodës fjalët dhe sendet, një metodë ndërdisiplinore që lidh gjuhësinë me etnografinë apo kulturën popullore. Këtë metodë të mësuesit dhe mikut të tij përvetësoi dhe ndoqi Eqrem Çabej në studimet e tij etimologjike, duke i çuar në një shkallë më të lartë mbas grumbullimit prej një kohe të gjatë prej tij dhe prej institucioneve shkencore të një materiali mjaft të pasur për shqipen, si nga tekstet e shkruara, të vjetra e të reja, ashtu edhe nga dialektet e nga folklori, studime që u konkretizuan në 6 vëllimet Studime etimologjike në fushë të shqipes, tashmë të botuara, me një numër të konsiderueshëm njësish leksikore të shqyrtuara për nga burimi i tyre.
Fjalori etimologjik i Kolec Topallit mbështetet mbi këto arritje të gjuhësisë historike paraardhëse dhe mbi një literaturë të gjerë të botuar ndërkohë në këtë fushë nga studiues shqiptarë e joshqiptarë. Hulumtimi i teksteve të vjetra, që ai i ka siguruar prej kohësh në formë të dixhitalizuar, ka qenë një burim i pazëvendësueshëm dhe mbështetje solide për rindërtimin e fazave më të vjetra, të padokumentuara, të shqipes. Prof. Koleci është studiuesi që u referohet vazhdimisht autorëve të vjetër, edhe me ndihmën e teknologjive të reja informatike, duke gjetur aty material të çmuar që shërben qoftë si shtysë për një interpretim të ri etimologjik apo si konfirmim i ideve të kristalizuara me kohë. Studimet e tij etimologjike të pasqyruara në fjalor mbështeten në një pasuri të madhe të dhënash nga të folmet e shqipes nga të gjitha trevat ku flitet ajo, brenda apo jashtë kufijve shtetërorë apo edhe nga diaspora arbëreshe, të mbledhura nga një literaturë e pasur dokumentare. Falë përvojës së fituar nga arritjet vetjake e të paraardhësve, falë shfrytëzimit të të dhënave të reja burimore dhe punës intensive e sistematike disavjeçare, ai arriti të përfundojë një fjalor etimologjik të gjuhës shqipe me numrin më të madh të njësive leksikore të dhëna deri më sot nga një fjalor i kësaj natyre për shqipen, gjithsej 42.846 njësi leksikore duke përfshirë edhe derivatet, dhe 2331 njësi onomastike.
Baza e fjalorit etimologjik të prof. Kolecit janë studimet etimologjike të kryera nga Eqrem Çabej, gur themeli dhe pikënisje për studimet e sotme etimologjike, siç e thotë vetë në parathënien e fjalorit. Ashtu siç mori Çabej si pikë referimi fjalorin etimologjik të Gustav Meyerit për të bërë kritikën, shtesat apo plotësimet shumë më të zgjeruara në studimet e tij, ashtu niset edhe Kolec Topalli nga studimet e Çabejt, meqenëse aty gjen të përmbledhur gjithë studimet e mëparshme bashkë me kritikat përkatëse, dhe që këtej ndërton edhe kritikën e tij me zgjidhje e propozime të reja apo përforcime të zgjidhjeve të dhëna më parë.
Për sa i përket metodës së studimit përsëri modeli është ai i Çabejt, tashmë i sprovuar për studimet etimologjike të gjuhës shqipe, e cila ka specifikat e saj si gjuhë më vete brenda familjes së gjuhëve indoeuropiane pa lidhje gjenetike me asnjërën nga gjuhët e tjera të kësaj familjeje dhe si gjuhë e lashtë, por e dëshmuar vonë me shkrim. Në studimet e tij Çabej nisej nga një konceptim i gjerë i etimologjisë jo thjesht si gjetje e etimonit apo gurrës së një fjale, por vështrimi i jetës së fjalës në një kuptim të përgjithshëm: zona e përhapjes së fjalës, mjedisi ku u formua ajo dhe zhvillimi i brendshëm i saj, degëzimet në forma dhe kuptime sekondare, prodhimtaria e saj në gjuhë, lidhjet me fjalë të tjera përbrenda leksikut të gjuhës etj. Si metodë të punës shkencore ai kishte mbështetjen mbi faktet konkrete të gjuhës shqipe, njohjen e lëndës së gjallë gjuhësore në të gjitha shfaqjet e format e saj në hapësirë dhe në kohë për të dhënë interpretimet gjuhësore. Ai nisej së pari nga krahasimi i brendshëm i fjalës me fjalë të tjera brenda gjuhës dhe pastaj kalonte në krahasimin e jashtëm.
Metoda e krahasimit të brendshëm në studimet etimologjike të Kolec Topallit është parësore në shpjegimin e burimit të fjalëve të ndryshme. Në analizën etimologjike të fjalës ai sheh së pari lidhjet e saj me fjalët e tjera të afërta brenda gjuhës, vendin që zë fjala në sistemin leksikor të shqipes. Më tej ai kërkon lidhjet me fjalët përgjegjëse të gjuhëve me të cilat shqipja ka qenë në kontakte prej shekujsh dhe pastaj me ato të gjuhëve simotra indoeuropiane. Kështu psh. në këtë mënyrë ai e kërkon shpjegimin e një fjale si mëngoj jo te lat. manicare por te fjala ag e shqipes, e kështu me radhë.
Një tjetër veçori metodologjike dhe meritë e punës së prof. Kolecit që e ka bërë të arrijë rezultate të mira në zgjidhjet etimologjike është shqyrtimi i dukurive fonetike në lidhje e ndërvarësi me njëra-tjetrën, ku një ndryshim tingullor prek e ndikon në krejt sistemin fonetik të gjuhës, dhe më anë tjetër në lidhje e varësi kontekstuale, e parë kjo jo vetëm brenda kufijve të fjalës, por edhe më gjerë, brenda një konteksti sintagmatik apo të fjalisë. Kjo mënyrë vështrimi e dukurive në sistem mund të duket e vetëkuptueshme dhe aksiomatike për gjuhëtarin, por nuk është aspak e lehtë për t’u zbatuar në studimet konkrete. Ajo kërkon një njohje shumë të mirë të ligjeve apo rregullsive të zhvillimit fonetik të gjuhës, dhe njëkohësisht një vëmendje të vazhdueshme për të ndjekur gjithë pasojat që ka shkaktuar në sistem një ligj a dukuri e caktuar.
Suksesi i një etimologjie të goditur varet nga përputhja e formës dhe përmbajtjes, që do të thotë më një anë përligjja nga pikëpamja e zhvillimit historik e të gjithë tingujve që përbëjnë leksemën, natyrisht të parë në lidhje e varësi sistemore, përcaktimi e respektimi i kronologjisë relative dhe absolute të dukurive fonetike për të ndarë ç’është huazim prej gjuhëve të tjera dhe ç’është fjalë e trashëguar nga një periudhë më e lashtë indoevropiane, dhe në anë tjetër koherenca kuptimore me leksemën bazë ose zanafillëse nga ka rrjedhur fjala e analizuar. Barazimet gjuhësore janë krahasuar në njëfarë mënyre me ekuacionet matematikore, dhe jo më kot zhvillimet fonetike të qëndrueshme e të përsëritura gjatë një periudhe kohore të caktuar janë përkufizuar si “ligje” fonetike, pra nënkuptojnë saktësi të madhe. Në shumicën e interpretimeve etimologjike prof. Koleci u përmbahet me vijimësi këtyre premisave, prandaj zgjidhjet e tij etimologjike janë përgjithësisht të mbështetura. Kontributet etimologjike të prof. Kolecit janë të niveleve të ndryshme kronologjike, që nga ato të periudhës indoevropiane, si paralelizma me gjuhët e tjera simotra, pastaj të periudhës së huazimeve nga gjuhët e tjera, dhe sidomos ka shumë shpjegime të prejardhjes së fjalëve brenda shqipes, me mjete të brendshme të gjuhës. Këtu hyjnë edhe një numër i mirë zbërthimesh nga onomastika, që pasurojnë ndihmesën e tij edhe në këtë fushë.
Ndryshe nga karakteri studimor dhe përzgjedhës që kanë studimet të Çabejt, vepra e Kolec Topallit ka karakteristikat e një fjalori, pra ka karakter informativ, sintetik e rindërtues, siç e përcakton vetë autori. Në këtë mënyrë, i detyruar edhe nga përmasat e reduktuara të një fjalori të tillë, ai i shmanget paraqitjes së debateve shkencore për mendimet e tezat e dhëna nga studiuesit e mëparshëm dhe jep vetëm mendimin që duket më i argumentuar dhe i mbështetur në të dhënat e gjuhës shqipe. Pra fjalori i drejtohet një publiku më të gjerë sesa atij të rretheve shkencore, të gjithë atyre që kanë dëshirë të njohin prejardhjen dhe historinë e fjalëve të shqipes.
Megjithëse mbështetet në shkallë të gjerë në studimet etimologjike të paraardhësve, fjalori i ri etimologjik ka mjaft kontribute të reja. Këto kontribute mund të përmblidhen në disa çështje.
Së pari, autori ka rimarrë në shqyrtim dhe i ka parë me sy kritik shumë nga zgjidhjet etimologjike të albanologëve paraardhës, duke përmirësuar, saktësuar ose kundërshtuar mjaft prej tyre. Këtu kanë gjetur zbatim njohuritë e thelluara të autorit nga studimet e fonetikës e të morfologjisë historike të shqipes, të historisë së gjuhës shqipe e të dialekteve të saj, mbi bazën e të cilave janë rrëzuar zgjidhjet e mëparshme dhe janë marrë në sy zgjidhje të tjera. Psh. folje si blej, endem, davarit, dergjem, dëboj, dëftoj, lyej, mbërthej, mbërrij, mbuloj, ndërgon, ndërsej, ngacmoj, ngallmoj, ngec, ngul, njom etj., emra si brengë, buall, buzë, domën, lëbogër, lëpê, mbles, myjë mye mbiemra si i mbarë, i mbramë e shumë të tjera. Përveç kësaj, ka edhe propozime alternative për një numër të madh shpjegimesh të dhëna nga autorët paraardhës, si Çabej, duke hedhur në diskutimin shkencor paralelisht një rindërtim të tjetër të brendshëm ose të rrafshit indoeuropian, psh. acar, bërryl, lë, etj.
Së dyti, janë dhënë interpretime të reja dhe etimologji të reja fjalësh të patrajtuara deri sot, që përbëjnë kontribute shumë të rëndësishme në fushën e etimologjisë së shqipes. Këto ndihmesa të reja janë bërë të mundura falë një pune këmbëngulëse për grumbullimin, analizën dhe interpretimin e të dhënave, të njohura apo të panjohura më parë, nga dialektet e të folmet e shqipes, dhe sidomos nga vjelja e teksteve të vjetra shqipe, që mbeten kurdoherë një burim i pazëvendësueshëm dhe mbështetje solide për rindërtimin e fazave më të vjetra, të padokumentuara, të shqipes.
Këto kontribute të reja etimologjike janë pjesërisht fjalë krahinore të paregjistruara në fjalorë, por të gjetura prej autorit në materiale dialektologjike apo folklorike, disa të tjera janë fjalë të vjetruara, që lidhen me periudha të caktuara historike, pastaj një numër i madh janë fjalë të reja, të hyra në dhjetëvjeçarët e fundit nga gjuhët e huaja ose të krijuara brenda shqipes me brumin e saj dhe që jo gjithmonë kanë gjetur pasqyrim nëpër fjalorët e shqipes së sotme. Nga grupi i parë, fjalë krahinore pak a shumë të rralla, përmendim bagolínë f. “bar me gjethe të holla…” fjalë e Veriut, bajgúsh m. emri i një kandrre, fjalë e dialektit toskë, bálla sh. “gjysma sholle a gome për këpucë”, fjalë dialektore e toskërishtes, bobotë “qull me miell misri, bukë e papjekur mirë”, bretk “kryqet, kërbishtet”, burbulec “një lloj krimbi”, buzhel “i shëndoshë”, dafnjéj “shqyej, copëtoj”, fjalë krahinore e gegërishtes (Elbasan, Tiranë, Kosovë), dafurrój “kërkoj diçka me nxitim”, fjalë krahinore (Durrës), dahúk “diçka e gjatë e me majë”, fjalë krahinore e geg. qendrore (Krujë, Tiranë, Kavajë), dujkë “pemë e pjekur shumë”, lakut “llupës”, fjalë të toskërishtes, laper “rreckaman, rrugaç”, ndóset mb. “i tërë”, fjalë e gegërishtes veriore, ndrýpem “rrëzohem, bie përdhe”, ndrys “ngjesh”, ngájë “shkak, arsye”, ngárdhe “yçkël, pengesë, ngatërresë”, fjalë e dialektit gegë, ngërzís “ngacmoj; shtie ngatërresa”, ngufás, ngjelkë, ngjéthet “lëshon gjethe, vishet me gjethe”, pafille, pahi “gardh me hunj ose me dërrasa”, i pakajshëm “i pahijshëm”, torlë etj.
Një numër etimologjish të reja janë fjalë me burim onomatopeik (psh. fjalët që kanë në bazë rrënjën curr- me burim onomatopeik) ose të ashtuquajturat krijime elementare, si psh. formimet që kanë në bazë rrënjën bob-, bub-, gog-, kok- etj. Një numër të madh përbëjnë sidomos fjalët e reja ose relativisht të reja, të hyra në shqipe nëpërmjet kontakteve kulturore me gjuhët ndërkombëtare, si italishtja, frëngjishtja, anglishtja apo greqishtja e re. Krahas burimit të drejtpërdrejtë të huazimit, me interes për lexuesin është edhe dhënia e burimit origjinal të ndërmjetëm të leksemës. Këto lloj fjalësh përbëjnë një pjesë të madhe të leksikut aktiv të shqipes dhe deri sot, në shumicën e tyre, nuk janë pasqyruar nëpër fjalorë a studime etimologjike. Prandaj paraqesin interes për lexuesin e gjerë përsa i përket burimit të tyre, sidomos për fjalë tashmë të rrënjosura në shqipe, si abazhur etj. dhe janë me rëndësi edhe për pasurimin dhe përditësimin e fjalorëve të shqipes së sotme. Në shpjegimin e huazimeve kulturore, jepet edhe origjina e tyre në gjuhën burimore nga është përhapur fjala, duke marrë kështu në disa raste fjalori edhe karakter enciklopedik (psh. Nikotinë, nga emër personi, amazonë etj.)
Por ka edhe një numër etimologjizimesh fjalësh të mbarë gjuhës të mbetura më parë pa shpjegim të cilave autori u jep shpjegim qoftë me mjete të brendshme, psh. blacë “pyll i ulët me shkurre”, blanë “shenjë plage, njollë”, dokë, mashurkë, ngashërej, nguc etj. ose i rindërton si të burimit të lashtë indoevropian, psh. lodër, fjalë e trashëguar, që lidhet me rrënjën ie. lçdh- “rritem”, ku bëjnë pjesë irl. vj. luaid “lëviz”, imluadi “vë në lëvizje”; ngjis1 fol. “bashkoj dy sende me zamkë, me tutkall etj.”, fjalë e paetimologjizuar saktë më parë, që sipas autorit mund të lidhet me rrënjën ie. ghadh- “bashkoj, jam i lidhur ngushtë”, ku bëjnë pjesë friz. gadia “bashkoj”, ags. geador, to goedere (ang. together) “bashkë” etj.
Ajo që bie në sy në këtë fjalor etimologjik është se shumë nga etimologjitë e reja janë shpjeguar nga formime brenda shqipes. Ky është rezultat i njohjes së mirë të vetë gjuhës shqipe e të dialekteve të saj, si edhe i historisë së gjuhës e gramatikës historike të saj. Një numër etimologjish që nga albanologët e huaj të shkollës së gjuhësisë indoevropiane janë shpjeguar si baza të rindërtuara indoevropiane deri-diku të dyshimta ose të pasigurta, me njohuritë më të gjera të fituara për lëndën gjuhësore të shqipes tani mund të shpjegohen më lehtë me mjetet e brendshme të shqipes. Këtë metodë, siç e pamë, e zbatoi së pari Jokli, edhe pse nganjëherë në mënyrë të ekzagjeruar, por me shumë rezultat e zbatoi Çabej dhe e shohim gjithashtu të përdorur mjaft mirë e me sukses në fjalorin e prof. Kolecit.
Një tjetër kontribut i fjalorit është plotësimi i zërave etimologjikë të dhënë më parë me dëshmi të reja nga përhapja dialektore-gjeografike, në bazë të kërkimeve në Kartotekën e Leksikut të Shqipes (KLSH), me dëshmi nga lënda folklorike dhe tekstet e vjetra shqipe, ku merret në vështrim, përveç autorëve tashmë të njohur e të botuar, edhe Fjalori i Da Lecces, Kuvendi i Arbënit, Doktrina e Gjon Kazazit etj. të botuar vitet e fundit. Në këtë mënyrë, fjala e trajtuar gjen dokumentimin e saj më të plotë të jetës së saj të gjallë në hapësirën shqiptare dhe në tekstet e shkruara.
Një ndihmesë për fjalorët e ardhshëm shpjegues të shqipes si dhe për studiuesit e fjalëformimit të shqipes është pasqyrimi mjaft i plotë i derivacionit të leksemës bazë, të evidentuar dhe plotësuar edhe nga kërkimet në KLSH e në fjalorët krahinorë, materialet folklorike etj. Fjalët e prejardhura nga leksema bazë analizohen dhe shpjegohen edhe ato nga prejardhja e tyre, kur nuk janë të qarta me vështrim të parë.
Me dokumentimin e parë të fjalës në tekstet e vjetra shqipe, fjalori është në njëfarë shkalle edhe fjalor historik. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një fjalori të mirëfilltë historik, që na mungon dhe për të cilin mbetet për t’u hetuar dokumentimi i shumicës së fjalëve të shqipes në letërsi në periudhën e Rilindjes.
Në fjalorin etimologjik për emrat e bimëve jepet edhe emërtimi shkencor latinisht, që është një ndihmesë e rëndësishme për fjalorin shpjegues të ardhshëm të shqipes, ku të shënohen edhe emërtimet latine të bimëve, dhe një ndihmë për gjuhëtarët, studiuesit e botanikës, por edhe për përkthyesit.
Duke dhënë shpjegime për pjesën më të madhe të leksikut të shqipes, fjalori jep njohuri njëkohësisht për fusha të ndryshme të jetës e veprimtarisë njerëzore, për mënyrën e jetesës, për botëkuptimin e karakterin, zakonet e doket, besimet e mitet, për marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi. Prandaj autori me të drejtë e cilëson fjalorin enciklopedi të kombit. Sa për shembull po sjell fjalën baner “shkop me gjethe i ngulur si shenjë, flamur” në Shestan e Ulqin dhe festën e quajtur Dita e banirit në Shestan, ku fshatarët dalin majë një kodre dhe në të lindur të diellit ngrenë një banir, një shkop me një xhufkë me gjethe, një fjalë me interes për studimet etnografike.
Një fjalor i tillë u shërben jo vetëm gjuhëtarëve por edhe intelektualëve të tjerë të fushave të ndryshme e, në fund të fundit, të gjithë atyre që kanë dëshirë të njohin origjinën e fjalëve të shqipes. Ai shërben edhe si model për mënyrën si procedohet për rindërtimin e burimit të fjalës mbi baza shkencore, larg përpjekjeve diletante për zbërthime arbitrare fjalësh.
Me gjithë vështirësitë e ndriçimit të prejardhjes së fjalëve të shqipes, autori i fjalorit nuk ngurron të përballet me etimologji të vështira, të pazgjidhura ose të mbetura pezull duke shtruar edhe zgjidhje në formë hipotezash, shpesh herë më shumë se një të tillë, por me argumentimin përkatës të mbështetur nga aparati shkencor i nevojshëm gërshetuar me intuitën e mprehtë të gjuhëtarit. Kështu fjalori paraqet gjendjen dhe nivelin e studimeve etimologjike të shqipes në kohën e sotme dhe u ofron një bazë të qëndrueshme shkencore brezave të ardhshëm të gjuhëtarëve që do t’i çojnë më tej këto studime. Uroj që autori i fjalorit të ketë shëndet e jetë të gjatë që të vazhdojë ta përsosë më tej, siç ka bërë gjatë gjithë kohës që e ka pasur në dorë veprën deri në botimin e saj.
*Gjuhëtare, Akademia e Studimeve Albanologjike
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
Komentet