Fjala e plotë e Dodë Gjergjit:
Përpjekja për dialog dhe bashkëjetesë paqësore mes vëllezërve
I nderuari Kryemyfti i Bashkësisë Islame të Kosovës,
Të nderuara autoritete,
Fort të dashur miq,
Zonja dhe Zotërinj,
Motra dhe Vëllezër!
Me kënaqësi kam pranuar ftesën e Kryemyftiut tuaj që të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të 30 – vjetorit të revistës tuaj “Dituria Islame”. Kjo ngjarje është e rëndësishme për Ju, po e vlerësueshme edhe nga ana jonë, sepse janë 30 vjet përpjekje për të shqipëruar mendimin islam në gjuhën tonë të dashur shqipe, e cila na bashkon dhe na vëllazëron të gjithëve, pa marrë parasysh besimin.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre burrave dhe grave që nëpërmjet kësaj reviste janë përpjekur që të zbërthejnë mësimin islam dhe ta bëjnë atë më të kuptueshëm për njeriun tonë, në mënyrë që: besimi të jetë pasuri shpirtërore që e ngrohë dhe e ngushëllon zemrën e njeriut, por edhe e ndihmon për të fisnikëruar jetën e t‘bijve të Zotit mbi tokë. Këndej, besimi mbi të përtejmen nuk duhet të jetë mohim i së përkohshmes, tjetërsim i historisë, kulturës, traditës dhe zakoneve tona mbi të cilat kemi krijuar identitetin e përbashkët kombëtarë dhe shtetin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kjo përvojë pozitive e trashëguar nga të parët sot është pasuria e paçmueshme, këndej duhet ruajtur me kujdes të veçantë dhe duke e freskuar me format e reja që na mundëson liria dhe të jetuarit në paqe. Andaj lypset angazhimi i të gjithëve që këtë pasuri ta ruajmë po ashtu edhe ta bëjmë më të dobishme për ne sot, në mënyrë që t’u mundësojmë gjeneratave të sotshme të frymëzohen nga shembulli pozitiv i paraardhësve tanë.
Revista jonë “Drita” dhe Revista Juaj “Dituria Islame”, kanë qenë “kandil drite dhe diturie”, që janë përpjekur të ndriçojnë mendjen dhe zemrën e besimtarëve tanë në errësirën e një shoqërie ateiste dhe një shteti komunist. Shkëlqimi i kësaj drite i nevojitet besimtarit tonë, pa marrë parasysh fenë. Sot, njeriu besimtar është:
– I rrezikuar, si nga fanatizmi që vjen nga lindja, ashtu edhe nga indiferentizmi që vjen nga perëndimi;
– I hutuar nga gjithfarë predikimesh dhe interpretimesh;
– I pasigurt në përdorimin e lirive dhe i pa çartë në shfrytëzimin e të drejtave.
Këndej, është roli ynë, që do të thotë i bashkësive fetare, të ndihmojnë besimtarin që deri sa i nënshtrohet të Gjithëpushtetshmit, të mos cenojë vlerat e qytetërimit, rregullat e shoqërisë dhe ligjet e shtetit. Pasi ne kemi zgjedhur që të jetojmë në një shtet shekullar me pluralizëm religjioz dhe me qytetërim evropian. Këndej, ne si besimtarë duhet të kemi kujdes që të mos përpiqemi për ta ‘religjionizuar shtetin’, po edhe shteti nuk duhet të pretendoj që ta ‘de-religjionizoj qytetarin dhe shoqërinë’.
Duhet të themi se, liria nuk është privilegj, por gjendje, dhe e drejta nuk ju takon vetëm disave, por të gjithëve. Unë do të isha tepër i zemëruar nëse një mësuesi apo mësueseje katolike do t’i kërkohej ta hiqte kryqin nga qafa, sikurse bënin komunistët, për t’u bërë mësimdhënës. Unë nuk jam mysliman, por dua të shpreh zemërimin tim si shqiptarë që një motrës sime i mohohet e drejta të jetë mësuese vetëm se bartë shami.
Në këtë rast “Edhe unë jam Fatmire”.
Faleminderit.
Komentet