Kryeparlamentarja Vjosa Osmani bashkë me kryeministrin Albin Kurtin kanë nderuar sot ish-presidentin Ibrahim Rugova. Pas homazheve pranë varrit të tij, Osmani ka thënë se e nderuan Rugovën, si ideator të shtetit të Kosovës.
Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dy krerët shtetërorë kanë bërë homazhe te varri i Presidentit Rugova, duke shënuar herën e parë që Kurti e nderon presidentin e parë të Kosovës.
Osmani thotë se sot nderuan Rugovën si ideator i shtetit të pavarur të Kosovës.
“Ishim këtu për të nderuar kontributin historik në ndërtimin e themeleve të shtetit tonë, Ideator i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe kontributin e tij rreth bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth kësaj ideje”, ka thënë Osmani.
Ndërsa Kurti e ka kujtuar Rugovën në zgjedhjet e tij si president, duke thënë se i vlerëson përpjekjet institucionale.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet përsëri president, president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, ka deklaruar Kurti.
***
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se i vlerëson përpjekjet profesionale dhe insistuese të ish-presidentit Ibrahim Rugova për pavarësinë e Kosovës.
“Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës të zgjedhur me votë popullore me 24 maj. Një dekadë më vonë në Kuvendin e Kosovës Rugova zgjidhet president i Kosovës kësaj radhë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe profesionale, angazhimin politik për lirinë dhe pavarësinë”, ka thënë ai.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se ishin për të bërë nderime te varri i ish-presidentit Rugova dhe për të ndërruar kontributin e tij.
***
Me aktivitete të ndryshme do të shënohet 12 vjetori i Pavarësisë së Kosovës.
Por padyshim se shumë ndryshe do të jetë kjo ditë edhe për kryeministrin e ri të vendit, Albin Kurti.
Prej ngritjes së flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së, seancës solemne të Kuvendit, dita zyrtare shtetërore e Kurtit do të vazhdojë edhe me homazhe gjithandej vendit.
Por sot do të jetë edhe hera e parë që Kurti do të bëjë homazhe tek varri i ish-presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Deri më sot Kurti asnjëherë nuk ka bërë homazhe tek varri i Rugovës, por në bazë të paralajmërimeve të agjendës qeveritare, Kurti do të jetë tek varrezat e Velanisë sot në ora 10:30./BS
Komentet