…kam qenë student në Shkodër
dhe u dashurova me Kështjellën dhe Liqenin, kështu e ndjeja, me vjeshtën, i dija rrugët se ku mbusheshin më bukur me gjethe të florinjta dhe shkelja mbi pirgjet e tyre si më i pasuri në botë, pa asnjë lek në xhep, më pëlqenin puset, Tregu të dielën dhe Teatri, por asnjë dramë deri në fund, doja dhe auditorin e madh, gjuhën më shumë, aq kumbuese sidomos te vajzat, ajo mirësi shkodrane mbi të gjitha, prarim në shpirt… shiun, që, kur niste, s’dinte të mbaronte dhe këpucët që më fusnin ujë dhe mbresa, përmbytjet si një Venecia e trishtë, pse, vërtet kishte një Venecia, po, po… dhe sa më janë dhimbur kishat që s’ishin më kisha, xhamitë që s’ishin më xhami…muret e heshtjes… mirëbesimi, edukata me atë humorin e mençur dhe të rrezikshëm, ndoshta më i miri në të gjithë Europën Lindore, thosha… dhe një ditë më ka arrestuar policia seriozisht, më mbyllën në birucë për pak, erdhën vajzat që më liruan… poezitë në Shkodër më magjepsën, ato që gjenim fshehurazi, të ndaluarat… futeshin libra nga Kosova… gjeta “Kanunin e Lek Dukagjinit”, ç’madhështi… si Kështjella në muzg… “Kafja e Madhe”, bisedat për Migjenin… dhe nën zë: ndigjo, vinte njiktu dhe Ernest Koliqi… po At’ Gjergj Fishta… kishte nisur miqësia mitomane me poetin Frederik Rreshpja, vazhdonim me metaforat dhe hermetizmin dhe liberalizmin e fillimit të viteve ‘70… ashtu më dukej se shkruaja dhe unë, Fredi m’i pëlqente, dërgova dhe një libër me poezi për botim… dhe nga ky shkak nisi dhe katastrofa ime, jo vetëm imja, por sot dua të kujtoj një poezi, si elegji më duket, “Djali i Rozafës”, e kam shkruar student… në Shkodër është poezia e lirë si era, si gjethet që bien… si ata që të ndjekin pas… e dija të humbur atë poezi, ruhet në dosjen time penale, një fletë format e daktilografuar, Ilirjani e ka shtypur sigurisht me makinën e shkrimit të punës, ai përgjërohej për shkrimet e mia, e vëllait më të vogël, ka ca shenja me stilograf ajo fletë, të mbetura që nga atëhere, pikëçuditëse në fillime vargjesh, o i kanë vënë redaktorët e shtëpisë botuese, ata që bënë akt-ekspertizën o hetuesi dhe ato sikur m’u shndërruan në pranga… por Shkodra ishte pranga ime, prangë dashurie… Kështjellë hijerëndë, Shkodër-Mbretëreshë… dhe s’e di pse më duhej kjo poezi, ta kisha harruar më mirë… më kapi një merak për Qytetin e Veriut, metropolin e qëndresës… si zogj të trembur më vinin emra prej andej, ikona… kryqe dhe minare pranë e pranë… e gjeta poezinë bashkë me një fotografi timen, student, mbase ngjaj më i madh, ashtu më dukej vetja atëhere, kam dalë te një portë, te grilat, duhej të ishte e dyqanit të fotografëve, afër qendrës, jo shumë larg bustit… të Stalinit, që shkodranët e vjetër e shanin gjithë qejf e maraz, unë kam fare pak mjekërr, as aq nuk lejohej, por më kishin dalë nja dy plagë në faqen e djathtë dhe ndihmës/mjeku i Institutit më tha mos me vu brisk nja disa ditë, prandaj jam dhe në profil, të mos më dukeshin plagët… të së njëjtës kohë janë dhe fotoja dhe poezia, si plagë dhe ajo, në Shkodër vezullojnë si rubinë… kur unë isha i bindur se isha djali i Rozafës, që e murosën në Kështjellën, ku shkoja shpesh, në pjesën që mundej, se ishte bërë repart ushtarak, por muret arbërore aty, tavani mitik pikonin ende qumësht legjende… dhe gratë, që s’kishin gji për foshnjat, vinin nga malet dhe nga kudo dhe i lyenin gjinjtë me rrëketë që rridhnin të bardha, të shenjta, që të kishin qumësht… besimi vetë është qumësht… do ia tregoja këtë histori vonë dhe sime shoqeje, Edës, në Kështjellë, ishte dhe djali, Atjoni, kishte ardhur dhe vetëm ai, po e donte shumë Shkodrën, Kështjellën, kishte luajtur nëpër ato shkallare teatër… unë thosha se Rozafa është legjenda më e bukur në botë për nënat… kështu besoj prapë dhe… e ëndërroja Shkodrën si një qytet të gjithin të Rozafës, në qendër një shtatore të madhe të saj, kompleks skulpturor me aktet e legjendës, blloqet ose lagjet të ndara me emrat: Vëllai i Madh, Vëllai i Mesëm, Vëllai i Vogël, Nëna… Kunata I, Kunata II, Kunata III… Plaku i Urtë… Materniteti i Ri “Nina-nana e Rozafës”, Teatri i Ri “Djali i Rozafës”… Sheshi i Ri “Besa”… Rruga e Djepit”… Restorant “Buka e Legjendës”… Bukën tonë të përditëshme jepna sot… Hotel “Qumështi i Kështjellës”… dhe na i fal fajet tona… Unaza e Rozafës… siç i falim ne fajtorët tanë… Kisha e Madhe… Stadiumi “Tre vëllezërit…”, “Parku i Lojnave të Djalit të Rozafës”… Biblioteka… Poema e Rozafës… Bujtina e Kështjellës… uzina e… Stacioni i… etj, etj, të gjitha të lidhura me legjendën e mrekullueshme… po kjo ëndërr është, them me vete… ua kisha thënë dhe të tjerëve në takime… në biseda për librat… miqve të rinj, romancierit më të ri në atdhe, ngjashëm kam patur një titull të tillë, kur shkruaja në Shkodër… dhe marr ndër duar poezinë e hershme… larg, e ç’mund të them… dhe ajo si e lyer me qumësht dhe gjak… harrese, kështu më duket… të thara përsipër saj…
Tani është poezia që do t’më lexojë mua…