Të nderuar të pranishëm,
E quaj një nder të veçantë këtë fjalën time para jush, një auditori të vogël, por tejet cilësor të dashamirësve të vullnetshëm të ngjarjeve të këtij lloji në jetën kulturore të këtij institucioni të rëndësishëm të kryeqytetit tonë, me rastin e paraqitjes së librit tim të gjashtë në fushën e publiçistikës, i katërti i botuar nga Uet Pres që nga viti 2007 e që mban titullin “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”.
Dua t’a filloj fjalën time me një falënderim të ngrohtë e tejet të sinqertë për shtëpinë botuese Uet Pres e zotin Henri Çili, së bashku me stafin drejtues të saj, që kanë mirëpritur e botuar katër vëllimet e mija. Dua të falënderoj nga zemra gjithashtu redaksitë e gazetave Mapo e Gazeta Liberale, zotërinjtë Alfred Lela, Fitim Zekthi, Arion Sulo, Elvis Iljazaj e Reldar Dedaj, për gatishmërinë dhe mirëkuptimin që kanë dëshmuar kundrejt meje në botimin e shkrimeve në vitet e shkuara, pa vënë në diskutim asnjëherë përmbajtjen e tyre. E konsideroj këtë fakt si dëshmi të frymës së lirë e liberale të atyre fletoreve e, sigurisht edhe të zotit Henri Çili si drejtues. Do të desha të shtonja në këtë listë kolegësh edhe emrat e zonjave Elsa Demo e Admirina Peçi, të cilat më kanë botuar shkrimet para Mapo-s apo Gazetës Liberale në gazetat Shekulli e Shqiptarja.com. e po ashtu edhe çiftin Skënder dhe Elida Buçpapaj për vënien e shkrimeve në portalin Voal.ch në Zvicër e të ndjerin Gazetar Dalip Greca, për një bashkëpunim 20 vjeçar në gazetën “Dielli” e pasardhësin e tij Sokol Paja në po të njëjtin organ të shtypit. Bashkëpunimi me këta zotërinj e zonja të nderuara ka qënë për mua një motiv kënaqësie të brëndëshme, mbasi ajo jetë e gazetarit filloi kur isha gati në gjysmë shekullin e jetës, një kohë jo shumë premtuese, për profesionin e publiçistit, duke mbajtur parasysh se vija nga një jetë e vështirë në të cilën kisha ushtruar vetëm punën e krahut që nga mosha e rinisë së parë.
Madje në këtë hulli dua të jem i sinqertë para jush se, si pasojë e kujdesit të zonjës fisnike Suela Bala, së cilës i jam shumë mirënjohëse për çuarjen e vëllimit tim “Rravgime të lira në shtigjet e historisë shqiptare” në konkursin At Zef Pllumi, pata kënaqësinë të fitoja edhe vlerësimin e zhurisë përcaktuese të çmimeve t’atij konkursi.
Profesioni i publiçistit në shoqëritë e hapura, në të cilat ai zhvillohet lirisht e pa kushtëzime të çdo forme, është ndër më të rëndësishmit e jetës kulturore të çdo vendi. Kjo jo vetëm për përcaktimin si “pushteti i katërt”, siç quhet rëndom përsa i përket rolit të tij në hierarkinë e vlerave shoqërore e kulturore të një shoqërie, por edhe për funksionin rregullues në formimin e ideve të saj me parimet e drejta të një kombi, përsa i përket vlerave të trashëguara nga historia e tij dhe atyre të huajtura nga qytetërimet e tjera, kryesisht ai perëndimor.
Në Vendin tonë, megjithë vështirësitë e trashëguara për gati një gjysmë qindvjeti të regjimit komunist, në të cilin publiçistika kishte funksionin e zëdhënësit të tij, në të gjitha format e në të gjithë drejtimet, me tjetërsimin e sistemit, mendoj se ka paraqitur një fytyrë të re, në përputhje me kërkesat e reja të lirisë së mendimit e interesimit më të madh për ndodhitë botërore, ndoshta edhe më të përparuar se mesatarja e asaj të masës së përgjithëshme të shoqërisë. Sigurisht, n’atë drejtim ka edhe mangësi, që përcaktohen nga koncepte që vazhdojnë të mbeten të lidhura me një të shkuar, nga e cila fatkeqësisht, nuk po jemi në gjëndje të shkëputemi plotësisht, si pasojë e disa bindjeve të ngulitura thellë në nënëvetëdijen, kryesisht të pjestarëve të brezit tim, por edhe për ndikime të reja të dëmëshme, të huajtura nga konjuktura të ndryshme marrëdhëniesh me jashtë.
Publiçistika ka në përbërje të saj mjaft elemente të artit dhe dikush e ka krahasuar, për rëndësinë e saj, me oratorinë në botën e lashtë greko-romake. Si e tillë edha asaj, në punën e saj, i takon të verë në jetë një mësim monumental të “veprës teatrale edhe më popullore, edhe më të thellë që luhet në skenë”, tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit. Kryeja e artit dramatik botëror, nëpërmjet gojës së personazhit kryesor të veprës së tij, princit të Danimarkës, n’a ka lënë këtë përcaktim, sa të thellë po aq madhështor për të gjithë shërbyesit e artit:
“Qëllimi i artit, i cili që në krye e gjer tani ka qënë e është: të bëhet pasqyrë e natyrës dhe t’i tregojë fytyrën e vet virtytit, pikturën e vet poshtërsisë, dhe formën e vulën e tyre njerëzve dhe shoqërisë së një periudhe.”
Këto fjalë të Shekspirit gjenial, shëmbëlltyra të detyrave të artit të madh, mendoj se duhet të jenë “besojma” edhe e idhtarëve të publiçistikës, ndoshta më shumë e tyre në profesionin dhe shtegtimin në misionin, tepër të dobishëm që kanë marrë përsipër. Në këtë kuadër, do të mundohem të paraqes me pak fjalë veprën time të fundit “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”. Duke falënderuar përzemërsisht zotërinjtë parafolës, Henri Çili, Nevila Nika, Marçel Hila, Fjoralba Caka, Klajdi Lulollari, Elsa Demo, veçanërisht studjuesen e talentuar Suadela Balliu, për paraqitjen e librit dhe akoma më shumë për parathënien e thukët e tejet të goditur, për të cilën i kam kërkuar vetë mirësinë e shkrimit, simbas zakonit të këtyre paraqitjeve, më duhet edhe mua të mundohem të shtoj diçka në përceptimin tuaj, në orvatjen për të ju shtyrë sadopak të gjeni kohë e dëshirë për të lexuar këtë libër.
Ky vëllim, ashtu si dy të tjerët, të botuar më parë nga Uet Pres, “Demokratura shqiptare në sytë e një të mërguari” dhe “Thinjat e atdheut”, ndahet në kapituj, ku secili paraqet shkrime që përafrohen si tematika e, në larminë e tyre, marrin përsipër të trajtojnë ngjasime idesh. Në këtë vëllim janë përfshirë njëmbëdhjetë të tillë, në të cilët rradhiten nëntëdhjetëegjashtë shkrime në 475 faqe. Titulli i librit i bën jehonë kohës në të cilën jetojmë, fillimit të një mijëvjeçari, që quhet i treti në historinë e njerëzimit. Quhet kështu sepse kufiri i ndarjes së epokave u pranua botërisht lindja e Jezu Krishtit. Idhtarët e marksizëm-leninizmit për gati një shekull u mësuan brezave se koha historike përcaktohej me erën e re dhe erën e vjetër, duke anashkaluar vitin zero që i ndante këto era. Ne u rritëm me këtë përcaktim e ka ende ndonjë shkrivan që vazhdon t’i përdorë këto terma, duke dëshmuar se shpëlarja e truve në regjimin komunist, ka qënë një proçes i thellë që ka lënë gjurmë në brezat, duke ngulitur fuqishëm dogmat e tij. Sidoqoftë përkatësia kësaj kohe, në kapërcyell të mijëvjeçarëve, është diçka shumë e veçantë që i takon njerëzimit një herë në njëmijë vite. Prandaj në këtë drejtim mund të quhemi fatlumë.
E konsideruam veten të tillë në vitin 1990, kur një mrekulli e Perëndisë shkërmoqi komunizmin në Evropë, për pasojë edhe në Shqipëri. I pritëm ata çaste si mesazh hyjnor për t’ardhmen tonë, duke n’a dhënë ndiesinë e ëndërrimit të një shteti e një shoqërie “si e gjithë Evropa” që, për herë të parë mbas një gjysmë mijëvjeçari, shihej si ”Toka e premtuar”, mbas vendimeve të saj në fillimet e qindvjetorit të fundit të mijëvjeçarit të dytë, të cilët gjymtuan njëherë e përgjithmonë Shqipërinë si bashkësi etnike, shoqërore e historike. Pritmëria u sendërtua pjesërisht, kryesisht për mungesë të një klase politike jo në lartësinë e detyrës, prodhim i variantit më të keq të komunizmit skajor lindor, por pjesërisht edhe për llogaritë e pafund të Evropës së këtyre tre dhjetëvjeçarëve kundrejt Ballkanit. Sot jemi në NATO, fuqia më e madhe ushtarake e gjithë historisë së njerëzimit, ndoshta një mburojë e qëndrueshme kundrejt synimeve të një ish koloneli të shërbimeve sekrete ruse që, në krye t’atij shteti ëndërron të krijojë një kontinent nën vartësinë e tij, nëpërmjet raketave e bombave….
Jemi përsëri një komb i ndarë territorialisht në pesë shtete, edhe se Kosova ka pavarësinë e saj, një dhuratë e NATO-s, në një çast bujarie të pazakontë, në hullinë e mbrojtjes edhe me armë të qenësisë së një populli, në rrezik të zhdukjes fizike nga dhuna e një populli fqinj të tij. Kjo qe ajo që n’a solli kapërcyelli i mijëvjeçarëve. Krahas kësaj ne pësuam braktisjen e Vëndit tonë, me pasojat pohenike e johenike që do të përcaktojnë pritmëritë tona. E ardhmja mbetet, si gjithmonë, një e panjohur edhe se rruga drejt Evropës duket sot si më e mundëshme për t’u përshkuar, në krahasim me njëzet vite të shkuara. Por problemi kombëtar mbetet, me gjasë, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i përngjan një përfytyrese të largët e të pasendërtueshme. Ndoshta kjo, në një farë mënyre, edhe për mungesën e një vullneti të brëndshëm, të mpakur që në zanafillë nga statu quotë e luftës së dytë botërore, të kthyera në tabu, edhe se jo gjithmonë të respektuara nga historia e tridhjetepesë viteve të fundit në Evropë.
Por sigurisht, kjo gjëndje është përcaktuar nga zotërimi në Evropën politike i psikozës së ankthit sërbo-rus kundrejt “Shqipërisë së madhe”, që ende sot valëvitet si gogol në diplomacinë ndërkombëtare, duke paralizuar çdo nismë të politikës rakitike shqiptare që në embrion. Çuditërisht fqinjët tanë të veriut, lindjes e jugut kanë harruar se deri në vitin 1912, popullsia shqiptare, autoktone në trojet e saj, të përmbledhur në katër vilajetet e Janinës, të Shkupit, të Kosovës e të Shkodrës, jetoi për shumë qindra vite në paqe me ata, pa krijuar probleme. Ndërsa ata, me instiktin e tyre grabitqar e shtazarak, në tetorin e atij viti, u vërsulën të gjithë së bashku si çakejtë për të rrëmbyer me forcën e ushtrive trojet mijëvjeçare shqiptare, duke shkaktuar tragjedinë më të madhe historike të kombit tonë. Në kundërshtim me të gjithë ligjet e normat e moralit e të drejtësisë historike, këta pushtime u ligjëruan nga vendime të Evropës, sa të padrejtë po aq të pamoralshëm, në konferenca të ndryshme të diplomacisë evropiane në Londër, në Firence e në Paris, duke dënuar në përjetësi aspiratën e kombit tonë për të jetuar i bashkuar në trojet e tij. Ata e trajtuan Vëndin e Skënderbeut me logjikën e kancelarit prusian, Otto von Bismarkut, duke shkelur mbi kujtesën historike të mbrojtjes së Evropës së krishterë nga epopeja shqiptare e shekullit të artë të Gjergj Kastriotit.
Brezi i themeluesve të shtetit shqiptar të pavarur, ai i kombëtaristëve të Shqipërisë etnike, që sendërtoi bashkimin e trojeve shqiptare nën një administratë të përbashkët, edhe se në kuadrin e një lufte botërore e nën pushtim, u masakrua pa mëshirë nga fituesit e luftës, që flijuan ëndrrën shqiptare të shekullit për hir të një ideologjie kundërshqiptare e të pushtetit të tyre të verbër e të nënështruar komunizmit ndërkombëtar. Pasojat qenë shkatërrimtare në të gjithë drejtimet e, kryesisht, në pamundësinë e plotë për të përsëritur përvojën e sendërtimit të ”ëndrrës shqiptare”.
Këto janë temat që zënë ndër vendet më kryesore në librin tim. Ndoshta nuk janë shumë “moderne”, por kërkojnë të sjellin para lexuesit ata probleme që trashëguam nga shekulli i shkuar, e për të cilat ka rënë një mburojë hermetike mes nesh e në botën e jashtëme. Ata përbëjnë thelbin e qenësisë së kombit, që është shumë më i lashtë se ne e që do të mbetet i pavdekshëm edhe kur ne do të largohemi nga kjo botë. Me gjithë vështirësitë, në dukje të pakapërcyeshme, ne duhet të bindemi se fuqia e jonë si popull, përparimi e roli i ynë në botë varen, më shumë se sa mund t’a përfytyrojmë ne, nga bashkimi kombëtar. 28mijë kilometrat katrorë, në të cilët është e detyruar Shqipëria të jetojë, nuk mund e nuk duhet të përfaqësojnë kufirin e fundit të qenësisë sonë si komb.
Shqipëria etnike, para më shumë se një shekulli, kishte 50 mijë të tilla, e ne nuk duhet të pajtohemi mendërisht e shpirtërisht me realitetin tonë të sotëm, që është vepër e fqinjëve tonë të pandershëm, e negligjencës së diplomacive të huaja, dhe e gabimeve tona të pafalëshme në një periudhë tejet kritike të qënies sonë si bashkësi. Bashkimi i kombit duhet të mbetet gjithmonë synimi kryesor i qënies sonë si popull. Përpjekja për t’i a arritur atij, duhet të jetë e përherëshme, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk po kërkojmë asgjë më shumë se sa të drejtën tonë natyrore, që na e siguron historia e gjuha e jonë, tradita atdhetare e paraardhësve tanë, që nuk nguruan në çaste kritike të qënies sonë të ngrinin lapidarë gjuhësorë:
“Qysh prej Tivari deri n’Prevezë
Gjithkund lshon dielli vapë edhe rezë
Asht toka e jonë, t’parët na e kanë lanë
Kush mos t’na e prekin se desim të tanë!”
Bindja e rilindësve tanë duhet të gjejë vendin e saj të nderuar edhe në brezin tonë, edhe n’ata të ardhmit. Mbas gati tetëdhjetë vitesh që kemi hequr dorë prej saj, duhet të rikthehemi përsëri tek ajo, sepse e kemi në gjak, në ëndrrat, në të drejtën hyjnore, në detyrën tonë si krijesa njerëzore. Duhet të ndërgjegjësohen për këtë realitet së pari politikanët tanë, duke e shtruar problemin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet jashtë kufijve të saj ku jetojnë shqiptarë, të marrin guximin për të folur mbi problemin, të kërkojnë mirëkuptimin e botës demokratike me arsye, vullnet, argumenta e besim në të drejtën e tyre. Kjo duhet të jetë detyra e parë e madhe e veprimtarisë së tyre, krahas mbarështimit të shteteve e përparimit të tyre. Por, për t’i a arritur në mënyrë të vetëdijshme sendërtimit t’asaj detyre , duhet të studjojnë historinë e vërtetë të Vendit të tyre, sidomos të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë e të përvehtësojnë idealet e paraardhësve të tyre, që kanë flijuar gjithshka që kishin, personalitetin, madje edhe jetën, për kombin e bashkuar, për “Shqipërinë zonjë”.
Sigurisht kjo detyrë që duhet të marrim të gjithë përsipër, secili brënda mundësive të veta, paraqet vështirësitë e saj edhe të jashtëzakonshme, sepse kanë kaluar shumë vite në këtë gjëndje ndarjeje, e shqiptarët janë konsoliduar si qytetarë të Vendeve të tjerë si Greqia, Maqedonia, e Mali i Zi. Trysnia e ushtruar mbi ta në gjithë këta dhjetëvjeçarë, ka ndikuar në bindjet e ndiesitë e tyre. Tani ndoshta është krejtësisht i pasendërtueshëm bashkimi i Çamërisë, i krahinave shqiptare të Maqedonisë apo të Malit të Zi me dheun “amë” edhe se e drejta qëndron në atë anë. Tani shpresa e shqiptarëve është hyrja n’Evropë. Nëse ajo hyrje nuk do të ndihmonte bashkimin e krahinave të mësipërme me Shqipërinë, besoj se do të sillte një gjëndje të favorshme për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mjafton që këtë bashkim t’a kërkojnë me vendosmëri, e në mënyrë të kulturuar e paqësore popujt e dy shteteve. N’atë rast besoj se nuk do të ketë pengesa të pakapërxyeshme në sendërtimin e ëndrrës, edhe se jo në plotësinë e saj. Le të shpresojmë se një ditë, jo shumë të largët, do të festojmë arritjen më të rëndësishme të jetës kombëtare të shqiptarëve në mijëvjeçarin e tretë.
Si autor i librit që po paraqitet sot, ju kërkoj ndjesë për këto fjalë të mija që ndoshta nuk i prisnit, që mund të trazojnë mendimet e juaja të përditëshme. Por ato janë pasqyrim i ideve të trajtuara në një pjesë të mirë të shkrimeve të këtij libri. Si të tilla ato kanë hyrë në thellësi të qënies sime, të ngulitura nga tradita e familjes e, kryesisht, e gjyshërve të mij, Mustafa Kruja e Sotir Gjika. Këto ide kanë ushqyer vitet e jetës sime nën regjimin komunist, edhe se atëherë nuk mund t’i shprehnja. Sepse quajta atdhetar gjyshin tim, Mustafa Krujën, në një bisedë një për një me një shokun tim të fëmijërisë në kampin e internimit, e pata atë si një akuzë kryesore në proçesin gjyqësor që u zhvillua mbas disa vitesh. Madje atë ditë që u arrestova, pyetja që më bëri shefi i Sigurimit të rrethit Lushnjë qe kjo: “Ti je nip i Mustafa Krujës?” Përgjigjes time pohuese ai i shtoi fjalët e zakonëshme: “N’emër të popullit je i arrestuar!”.
Pra i kam paguar me internime pa fund e vite burgu këto ide, por jam krenar për gjyshërit e mij, sepse jam marrë gjatë me përgatitjet për botim të shkrimeve të tyre, Sa më shumë i lexoj, aq më shumë bindem se ata i kanë shërbyer vetëm një ideali: Shqipërisë etnike, lartësimit e përparimit të saj.
Ajo krenari shtrihet edhe tek shumë bashkëvuajtës e bashkëkombas të mij, të cilëve u kam kushtuar një kapitull më vete: “Motive krenarie shqiptare”. Atë krenari e kam ndjerë në galeritë e minierës së Spaçit e në mjediset e atij kampi dënimi me punë të detyruar, në kontakt të përditshëm me njerëz, kryesisht të rinj, që kishin pranuar të vuanin dhjetë vite burg, për të shmangur rolin e spiunit që, nëpërmjet kallzimeve të tij, më shumë të pavërteta se sa të vërteta, shkaktonte fatkeqësitë e shokëve e familjeve të tyre. Janë shëmbuj të cilët nuk gjinden në botën perëndimore, ku jetoj prej 33 vitesh.
Ne, publiçistët jemi të prirur më shumë të vemë në dukje mangësitë apo të metat e shoqërisë, të shtetit, apo të popullit tonë. Kjo hyn në praktikën e profesionit, madje mbetet një detyrë e kërkuar prej tij, për t’u munduar për të dhënë një ndihmesë, sado të vogël, në ndreqjen dhe shmangien e tyre. Por, po ashtu detyrë e jona është të nxjerrim në pah edhe virtytet, kur ata shfaqen, edhe mirësitë, edhe sukseset, edhe forcën e karakterit të bashkëkombësve tanë.
Me këtë bindje, që është një nga besojmat e mija, po e mbyll fjalën time, me një falënderim të madh nga zemra, për praninë tuaj në këtë ditë të veçantë e tepër të këndëshme që mbyll botimin e librave publiçistikë të jetës sime, e me një urim po aq të madh për ju dhe familjet tuaja, kryesisht për sukseset tuaja në t’ardhmen e në të tashmen, gjithmonë në dobinë e atdheut tonë e të njerëzve të tij.
Faleminderit
Tiranë, 12 prill 2024