Libri i Dr. Gjon Buçaj, Vatra në Kapërcyell të Shekujve, asht nji udhëzues, nji “guide”, si për shoqata ashtu edhe për individë, që dëshirojnë me pa variante modelesh të ndryshme mbi qendrimet që mban nji organizatë, dhe mbi menyrën dhe stilistiken e komunikimit; për të pa se si përgatitën raportet, letrat, ftesat, memorandumet, deklaratat, dhe rendet e ditës së nji mbledhjeje, apo për të pa se si nji kryetar shoqate komunikon me zyrtarë, kundërshtarë, dhe bashkëpunëtorë.
Librin me 589 faqe autori e ka nda në keto pjesë: Mbledhje të Vatrës, Deklarata, fjalime, e shkrime tjera, intervista, eulogji, ngushlime e perkujtime, dekorime e mirënjohje, urime, letërkembime, ftesa mbi 100 vjetorin e Vatres, ftesa të tjera, kontrata me ministrine e diasporës së Kosovës, dhe fotografi. Po të përfshimë parathanje, hymje, indeks, dhe mirenjohje bahen 15 kategori.
Në këtë kolekcion gjejmë qendrimet e Vatrës –jo të Vatrës së sotme, por të asaj që drejtohej nga Dr. Gjon Buçaj, kur Vatra kishte “për objektiv të përhershëm intersin kombtar mbi çdo interes tjetër” (f. 12); njihemi me aktivitete rreth çashtjeve shqiptare (mbi Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Çamërinë); gjejmë letra ku autori konsultohet me ekspert si me historianët Uran Butka dhe Beqir Meta, gjejme letra këshilluese ku autori u jep sugjerime kryeministrave dhe presidentëve shqiptarë, si ishte rasti i nji letre që i drejtohej Presidentit Bamir Topi tue e këshillue që të kundershtojë vendimin e Kuvendit “që miratoi ngritjen në territorin e vendit tonë të varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke në Shqipëri në periudhën e viteve 1940-1941” (f. 115).
Në këtë libër mesojmë se si trajtohen temat kryesore që kanë të bajnë me çashtje shqiptare. Lexuesi mund të gjejë shum tema që trajtohen në këtë libër. Për shak të kohes, unë po përqendrohem në këto katër pika: Denimi i krimeve te komunizmit, harmonia ndërfetare, menagjimi i Vatrës, dhe martirët e Vatrës.
Dënimi i Krimeteve të Komunizmit:
Nëpër shum letra, dokumente, fjalime, e raporte, dënimi i krimeve të komunizmit asht temë që autori i ka vu randesi të madhe. Mbi këtë, në nji fjalim mbajtë në darkë shtrue për Sali Berishen, 23 shtator 2007, autori shpreht kështu:
“Diktatura komuniste ka ushtrue, mbi popullin shqiptar, dhunë ma të egër e ma barbare se as kush tjetër qyshë prej shekujve të lashtë që njef historia. Denimi i krimeve të komunizmit dhe i kriminelëve asht detyrë historike e njerzore, për të vu në vend drejtësinë edhe për të pastrue ndërgjegjen e kombit. Përndryshe ushtrimi i dhunës diktatoriale, nga cilado anë të vijë, do të mbetet trashigimi e lighshme për brezat që vijnë dhe historia do të ngarkojë me faj ndërgjegjen e brezit të sotëm politik.”
Në nji takim qe ka pase me Edvin Ramën në 2013 në New York me kërkesë të Ramës, Dr. Buçaj i ka parashtrue kërkesat e Vatrës me gojë, dhe kur ka dalë nga mbledhja ia ka lanë edhe me shkrim, dhe atë shkrim e ka botue menjiherë mbas takimit. Dr. Buçaj më pat thanë që e kam ba me shkrim që të botohet menjiherë, sepse zyra e kryeministrit mund të shpërndaje lajmin mbi këtë takim, pa vu në dukje kërkesat tona. Kështu, ne tregojmë variantin e vërtetë të takimit.
Në këtë takim me Edi Ramën, autori ban këto kërkesa në emën të Vatrës në lidhje me krimet e komunizmit: “E konsiderojmë shumë të rëndësishme shkëputjen nga trashëgimia e diktaturës së kalueme, tepër prezente në jetën publike dhe politike në shoqninë shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipni. Jemi të bindun se, për të arritun një gja të tillë, duhen dënue krimet e komunizmit dhe duhen realizue integrimi dhe damshpërblimi i shtresës së ish të përndjekurëve, këthimi i pronës së konfiskuem nga regjimi komunist tek i zoti, zbatimi i ligjit të lustracionit, ligjit për heqjen e imunitetit deputetëve dhe politikanëve në raste akuzash për krime e korrupsion, pastrimi i gjykatave nga individët e ngarkuem me përgjegjësi kundër shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës e tjera. E shohim si shumë të nevojshme një luftë të suksesshme kundër korrupsionit të randë, që nuk ka ngjyrë rozë as blu, por ngjyrën e zezë të krimit” (f. 163).
Harmonia Ndërfetare:
Po në takimin me Ramën që u përmend ma nalt, i asht ba kjo kërkesë për harmoninë ndërfetare: “Kërkojmë vëmëndje dhe vëlerësim më të madh për rëndësinë që ka harmonia ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trollit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trashëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje më shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore” (f. 163).
Dhe në nji takim me Presidentin Nishani, autori thotë: “Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar….”. (Nga përshëndetja Presidentit Nishani, 24 shtator 2013 në New York).
Në intervistën që ka dhanë në Revisten Shenja të Shkupit, “Na në ‘Vatër’ i apim shumë randësi bashkëjetesës në harmoni të shqiptarëvet me besime të ndryshme. Harmonia ndërfetare te na asht trashigue nga rilindësat, si nji shtyllë me randësi në themelin e kombit tonë të përbashkët. Për këtë arsye, në kremtimin e 100 vjetorit të themelimit të ‘Vatrës’, kemi pasë ftue përfaqësuesat e klerit dhe, për kënaqsinë tonë, na kanë nderue me prezencën e tyne krenët ma të lartë të besimevet tona tradicionale. Konferenca Shkencore si dhe darka kanë fillue me lutje të përbashkët ndërfetare. Edhe në aktivitete të zakonshme, siç janë darkat solemne me 28 nandor ose konferenca me randësi, “Vatra” i fton klerikët, të cilët i bajnë me radhë lutjet fetare. Kemi marrëdhanje shumë miqsore si me imamët myslimanë, ashtu me meshtarët katolikë dhe ortodoks dhe me bektashijt. Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare,” (Shenja 27 korrik 2013, Shkup).
Menagjimi i Vatrës
Letrat, raportet, deklaratat, intervistat, rendet e ditës, etj. na japin nji pasqyrim mbi mënyren se si asht menaxhue Vatra, dhe se si asht aplikue kanunorja. Në pikat e para vehet në dukje që Këshilli Drejtues asht mbledhë të pakten katër herë në vit, dhe këto pasqyrohen edhe në raportet që jep kryetari në këto mbledhje. Gjithashtu, në rendin i ditës në mbledhjen Këshillit Drejtues të Vatrës me 1 tetor 2016, shënohet në pikën numër 8: Anulimi i Kuvendit të punës 2016 – Problemet me degët. Këshilli Drejtues, si organi ma i nalt mbas Kuvendit, aprovon anulimin e Kuvendit. Arsyejet kuptohen nga emailat dhe nga raporti i datës 1 tetor që përfshihen në libër. Dr. Buçaj u kërkonte listën e anëtarësisë të rregullt kryetarëve të degëve. Vetëm dy degë, e Washington D.C. dhe e Tempa-s i dërgojnë listat. Kryetarët e degëve të tjera, tue përfshi edhe kryetarin e sotëm të Vatrës, nuk u përgjegjën fare. Sa për informim, edhe gjatë periudhës që Agim Karagjozi ka qenë kryetar (1992-2010), shtymja apo anulimi i kuvendeve ka qenë propozue dhe aprovue nga Keshilli Drejtues, organi ma i naltë mbas kuvendit.
Studjuesit që merren me menaxhimin e shoqatave, i kanë kategorizue funksionet e menaxhimit në katër fusha të dallueshme: planifikim, organizim, udhëheqje, dhe kontroll. Kontrolli ka të bëjë me cilësinë dhe me monitorimin e progresit të organizatës drejt përmbushjes së objektivave të saj, dhe për t’iu përgjegjë situatave, problemeve, apo çështjeve në momentet kur ato lindin. Këtu mund të vështrojmë edhe euforinë apo gëzimin a hapjes së degëve të Vatrës gjatë dhe mbas kremtimit të 100 vjetorit të saj. Megjithse kanunorja ishte marrë si bazë për krijimin e degëve, mënyra e menagjimit të degëve dëshmon që mungonte elementi i kontrollit, mungonte mbykqyrja për të verifikue cilësinë. Kështu, në kuvendin e vitit 2017, disa degë që ishin krijue gjatë 3-4 vjetëve të fundit shtuen numrin e delegatëve me manipulime, duke rritë numrin e anëtarëve në momentet e fundit, dhe duke përdorë edhe emnat e Partisë Demokratike, të Sali Berishës, dhe të Lulzim Bashës për mbështetjen e nji kandidati për kryetar të Vatrës, i cili kishte shërbye si diplomat ma parë. Mungesa e kontrollit të cilësisë apo e mbykqyerjes së degëve shkaktoi në ndarjen e Vatrës në dy pjesë në vitin 2020. Kjo spjegohet edhe në letrën që autori i dërgon Lulzim Bashës.
Në nji intervistë për revistën “Shenja” të Shkupit , Dr. Buçaj shprehet: Roli “kyç” i Vatrës ka mbetë i pandryshuem, që asht veprimtaria në dobi të çashtjes kombëtare. Por mënyrat kanë qenë të ndryshme simbas rrethanave të kohës. Dikurë duhej luftue për pavarësi dhe për mprojtje nga fqinjtë. Ma vonë, ruetja e frymës së lirise dhe e shpresës nën sundimin diktatorial dhe përkrahja e përpjekjeve të Kosovës për liri e pavarësi, për proceset e demokratizimit dhe integrimeve në Shqipni, luftën kundër korrupsionit dhe kundër konfliktualitetit të damshem politik kudo ndër shqiptarë, përpkjekjet për të drejtat kombëtare në trojet shqiptare e kështu me radhë” (f. 247). Fatkeqesisht mbas vitit 2017, Vatra, simbas autorit, ka dale jashtë kesaj hullije, tue ia mbyllë derën e Vatrës vetë autorit, dhe shum personave të tjerë që kishin derdhë mundë fizike dhe financiare me dekada (f. 184), dhe sot kjo shoqate drejtohet nga nji person që kur ishte kryetar i nji degë, asnjiherë nuk i përgjigjej kërkesës së Kryesis për të dërgue listat vjetore të anëtarësisë.
Martirët e Vatres
Dokumenta që përfshihen në këtë libër i japin edhe nji randesi të veçantë punës së krytarit të Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe të qendrimit të Vatrës në lidhje me martirët e Vatrës. Vatranë si Kristo Kirka e të tjerë që qenë kthye në Shqipni, kur erdhi komunizmi, u futën nëpër burgje, dhe u zhdukën. Dr. Buçaj i kishte propozue Presidentit Nishani dekorimin e themeluesave të Vatrës me urdhnin “Nderi i Kombit” dhe Vatranët të cilët u pushkatuen ose vdiqen nga turturat në burgjet e komunizmit, me urdhnin “Martir i Demokracisë”. Dhe ky mision u krye me 24 në nador 2014 me këto fjalë të Dr. Buçajt fjalën e tij mirënjohjes drejtue presidentit Nishani për dekorimin e Martireve të Vatrës: “Mbas ramjes de jure të diktaturës, familjarët e martirëve, tue ruejtë fisnikinë e trashigueme, nuk lypen hakmarrje, por lypen drejtësi dhe drejtësinë e presin ende: krimet dhe kriminelët e komunizmit nuk janë denue, as ligjisht as moralisht” (f. 324).
Veprimtaria e Vatrës në këtë libër të çmueshëm përmblidhet nga autori me nji fjali: “Tue pasë për objektiv të përhershëm intersin kombtar mbi çdo interes tjetër” (f. 12). Shpresojmë që ky objektiv të aplikohet nga drejtuesat e shoqatave shqiptare në diasporë, si dhe nga politikanët shqiptarë në vendlindje.
Falendrime portalit tuaj qe botoni shkrime te tilla per te informuar boten shqiptare mbi vlera te mira.
FJjalet e autorit te librit Dr. Gjon Buçaj qe ve ne dukje aktivitetin e Vatres “Tue pasë për objektiv të përhershëm intersin kombtar mbi çdo interes tjetër” duhet te jene udhezues, si e permbledhe Z. Mithat Gashi.
Respekt per autorin e librit, dhe per Z. Mithat Gashi qe po promovon kete liber.