Prishtinë, 4 prill 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në vigjilje të përvjetorit të 25-të të fillimit të luftimeve të Betejës së Koshares, mori sot pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për të kujtuar me nderimet e merituara këtë betejë dhe luftëtarët e veteranët e saj.
Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares, përcjellë imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature.
“Aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së, si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë; i shohim të përfshirë me gryka artilerie edhe ushtarët shqiptarë të Divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hedhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej asokohe Jugosllavi e Millosheviqit”, u shpreh ai.
Para deputetëve, kryeministri Kurti veçoi se liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm, dhe mundësia më reale e shtetformimit integral. Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia e juaj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministre znj. Donika Gërvalla-Schwarz e ministra të Qeverisë,
Shkëlqesi ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë,
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve të shtetit,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Respektimi i traditave shoqërore dhe i historisë së popullit, janë dy parime dhe praktika qenësore në kulturën e shtetndërtimit modern. Nuk mund të ketë progres shoqëror dhe vizion politik, në njërën anë, dhe as shtetndërtim demokratik në anën tjetër, pa i njohur, respektuar dhe institucionalizuar traditat shoqërore dhe historinë e popullit që e banon, që e përbën dhe që e mbanë shtetin. Prandaj politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia. Zhvillimet e së kaluarës – qoftë edhe të asaj para pak vitesh – sot i shohim si procese historike e i lexojmë si histori në të tashmen.
Kjo është arsyeja thelbësore përse një histori e para 25 viteve, na ka mbledhur sot këtu në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, në këtë seancë solemne për 25 -vjetorin e Betejës së Koshares. Në mes të këtij viti, do të përmbushet një çerekshekull prej kur vendi ynë Kosova dhe populli i saj, u çliruan nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit. E deri në mes të muajit qershor, kur do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka shumë data dhe ngjarje me peshë historike, te të cilat do të ndalemi, për t’i nderuar dhe përkujtuar sipas rastit.
Kështu, sot, në vigjilje të përvjetorit të 25-të të fillimit të luftimeve të Betejës së Koshares, le ta kujtojmë me nderimet e merituara këtë betejë dhe luftëtarët e veteranët e saj. Pas përgatitjesh, planesh dhe organizimesh paraprake, në orët e hershme të mëngjesit të datës 9 prill 1999, ushtarët e UÇK-së i sulmuan pozicionet dhe bazat e ushtrisë jugosllave që ndodhej në kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. I vendosur në vitin 1913, kundër vullnetit politik të shqiptarëve, kufiri shtetëror mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë i ndante shqiptarët padrejtësisht sepse i ndau ata dhunshëm. Duke e llogaritur këtë, lufta për shembjen e këtij kufiri, kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare.
Beteja e Koshares zgjati mes luftimesh nga 9 prilli e do të mund të thoshim deri më 10 qershor të vitit 1999. Panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares, përcjellë imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature. Aty e shohim se në luftimet e Betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të UÇK-së, si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë; i shohim të përfshirë me gryka artilerie edhe ushtarët shqiptarë të Divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hidhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej asokohe Jugosllavi e Millosheviqit.
Prandaj kur e vizitojmë Kompleksin Memorial “Beteja e Koshares”, mes emrave të heronjve e dëshmorëve e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit, edhe Sali Çekajn nga Broliqi i Pejës; i gjejmë të rënë dëshmorë edhe Dukagjin Vulën nga Gjakova edhe Bashkim Jasiqin nga Jasiqi i Deçanit; siç i gjejmë ndër dëshmorë edhe Leonard Palucajn nga Klina edhe Lutfi Musiqin nga Vushtrria; edhe Milazim Mavrajn nga Staradrani i Istogut edhe Mentor Humollin nga Lupçi i Podujevës; e gjejmë dëshmor edhe Afrim Gashin nga Hajvalia e Prishtinës edhe Afrim Krasniqin nga Tërpeza e Malishevës; edhe Abaz Thaçin nga Osdrimi i Skenderajt edhe Gëzim Morinën nga Arllati i Drenasit; e gjejmë në emrat e dëshmorëve edhe Florim Maliqin nga Sodovina e Ferizajt edhe Mejdi Korranin nga Pozhorani i Vitisë; e gjejmë mes dëshmorësh si Emin dhe Selver Kryeziun nga Rogana e Kamenicës, ashtu edhe Naim Orllatin nga Brestovci i Rahovecit; Xhemshir Islamin nga Mikushnica e Skenderajt, Abush Lokun nga Kutlina e Kaçanikut por dhe Hysni Temajn nga Kuzhnini i Prizrenit; Afrim Selmanajn nga Savrova e Suharekës sikur edhe Abedin Murtezin nga Mollopolci i Shtimes; dëshmorë në Betejën e Koshares i gjejmë të rënë edhe Hasan Latifin nga Kumanova edhe Remzi Xhaferin nga Shkupi; ashtu siç i gjejmë edhe Bylbyl Breqanin nga Markaj e Bajram Currit, edhe Mujdin Aliun nga Poroji i Tetovës; dhe meqë Beteja e Koshares ishte betejë e një lufte për liri dhe meqë liria është paradigmë universale, në Betejën e Koshares i gjejmë të rënë dëshmorë edhe Francesco Giuseppe Bider nga Italia, Pallard Arnold Piere nga Franca dhe Murat Muhamed Ali nga Algjeria. Sepse në Betejën e Koshares, teksa në radhët e ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rusë, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm.
Liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm, dhe mundësia më reale e shtetformimit integral. Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti.
Andaj nga Kuvendi i Kosovës sot u shprehim mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në luftimet e Betejës së Koshares, nga të cilët 380 u plagosën.
Lavdi 114 dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë!
Ju faleminderit!