Prozhektori qendror bie në skenë. Errësira përreth. Errësira dhe heshtja. Vetëm pak “pluhur” i ndrojtur guxon të lëkundet në reflektimin imponues të prozhektorit. Në thellësi të kuintave të grisura dëgjohen zëra të shpërndarë që humbasin gradualisht me kalimin e kohës. Në qendër një kavalet i thyer, disa ngjyra të thara mbi një paletë të prishur dhe një penel. Buz kavaletit “lëviz” me përtim një leckë e zezë plot ngjyra që ka mbetur peng në erën e historisë. Portreti gjysmë i përfunduar i një njeriu në një kanavacë të vjetër, mezi dallohet në dritën e historisë. Fytyra i mungon. Dukuri e zakonshme për të “Mëdhenjtë” e këtij vendi.
Dëgjohen hapa. Herë të ngadalta e herë të shpejta, që kërcasin mbi drurin e vjetër të skenës. Pakëz heshtje! Serish gjurmët dhe ritmi i ngadaltë i një rubineti që pikon me harmoni. Nga ana tjetër, tek karriget bosh të një teatri të braktisur qëndron portreti i një njeriu të vuajtur me një republikë. Nuk bën asgjë. Shikon në skenë ndërsa duart i dridhen. A mund ta dalloni atë? Ai është Piktori i Popullit Vangjush Tushi.
Tushi, pa dashur (dhe pa e kërkuar) u lidh fort me Historinë. Jo vetëm me Artin që la pas apo me kontributin e tij në shoqëri, sesa me aspektet personale të vetë jetës së tij. Ai padashje integroi historinë e tij personale në “trupin” e historisë Kombëtare të Shqipërisë. U bë pjesë e legjendës sonë kombëtare duke venë një themel të patjetërsueshëm për historitë e dhimshme të popullit tonë. Personalisht dyshoj nëse ka një histori të ngjashme në ndonjë vend të botës.
Ndoshta pranaj për herë të parë në jetën time u ndjeva krejt ndryshe për dikë që nuk e kam takuar kurrë. Që në momentin e parë që hyra në shtëpinë e tij më funksionoi një ndjenjë e çuditshme. Një misticizëm do të thosha, si ata që ndiejmë në manastire apo vende kulti. Më mbyti një ngarkesë e çuditshme emocionale, me shumë ndjesi që nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Një ngarkesë emocionale që tek unë kombinohet gjithmonë me trishtimin madhështor që kanë imazhet në tempuj dhe statujat në muze.
Një histori u shpalos para meje nga një burrë i panjohur. Një përrallë e çuditshme ose një rrëfim që kam dëgjuar nga vetë ai por me zërin tim. Një përrallë plot emocione, imazhe, udhëtime, ngjyra dhe erëra. Shumë erëra. Si mund të mos tërhiqesh të studiosh jetën dhe gjendjen e një njeriu të tillë, që shpaloset madhërish që nga Korça e rilindjes artistike, në Athinën e periudhës mes dy luftrave, në Romën e Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Korçën e kolapsit artistik dhe përfundon në burgun famëkeq të Ballshit. Më thoni ju çfarë drejtësie, çfarë ndjeshmërie dhe çfarë ligjesh njerëzore mund të gjykonin praninë e tij.
Mes qëndrimit tim tek “kulti i Tushit” mbase në mënyrë “indiskrete” lexova letrat e tij nga burgu.
“ Etleva,bija ime e dashur!Gjithmone me shkruan ti Etleva fjale afeksioni duke shprehur ndjenjat e nje bije te dashur ndaj babait.Edhe per mua ti je e dashur dhe dhembshur sidomos per vemendjen time shendetsore te veçante.Ashtu si mami,ti dhe Gjergji jeni krijesat qe merrni pjese si ne gezimet ashtu dhe ne vuajtjet e mia duke qene vite me radhe larg jush. Juve jeni qeniet me te dashura per mua.”
Letra ku shpalosen elementet e thella themelore të personalitetit të këtij njeriu të torturuar. Aty ku shënohet dinjiteti, ndershmëria morale e shpirtërore, qëndrueshmëria, vullneti i fortë dhe trajtimi i guximshëm i jetës së tij martire.
Letra të thjeshta, të cilat nuk janë vetëm një dëshmi e vogël nga ferri i Ballshit, por qëndrojnë si monumente të shpirtit të popullit tonë dhe si kode të një sjelljeje të re njerëzore plot me shtrirje intelektuale, mendje të mprehtë kritike dhe humanizëm, një humanizëm të thellë të lindur dhe të plotësuar me kultivimin shpirtëror e mendor si një ofertë. Fillimisht për familjen e tij, pastaj për popullin dhe në fund për historinë. Pasi këto janë ato ofertat që rinovojnë historinë njerëzore.
Ai lindi si sot 110 vjet më parë.
Vangjush Tushi- Piktor i Populli
O zot sa e dhimbeshme