Njëj pasdite maji që sfidohej ende nga e ftohta funddimërore, mora të rilexoja një libër të vjetër.
A paguan fitorja, do gjeja mendimin e epërm që vendzinte si një gur i rëndë. I zbërthyer në kulturën çlirimtare, do të thoshte: a paguajnë fitimtarët për lirinë?
Në pyetjen e parë, të pashtjelluar, autori, i përndrituri Kamy, përgjigjet: jo, fitorja nuk paguan!
Tani kush ishte në Kosovë, jo gëzuesi që dihet, por kauzatori i mposhtjes luftarake të Serbisë? Ashtu si rrallëherë në rravgime historie, kje një betejë e përbashkët: gjaku shqiptar dhe armët aleate!
Ndaj dhe, asnjë nga palët nuk bën e nuk mund paguaj më pas, si një detyrim borxhi, për fitoren. Aq më pak njëanshmërisht në dëm të tjetrës. Të asaj që, në çdo prerje motesh, jep tagrin ritual të vdekjes.
Sepse, thjeshtë, a nuk tha frëngu mendtar se liria nuk paguan?
Në “Letra mikut gjerman” (1943), ai do t’shkruajë se atë që nuk arriti t’a bëj fitorja, do t’a bëj disfata juaj.
E pra, serbi i disfatuar, nëse jo katarsisin e largët, do të arrijë pikën realiste kur humbja e kthjellon. Do lakmojë në heshtje dhéra të huaja, Dhéun e bukur shqiptar, por nuk do ketë të drejtën e as aftësinë e kërkimfaturës së paqenë.
Fitorja dhe atllasi ri gjeopolitik refuzojnë këtë. Për shumë kohë. Mbase përgjithmonë!
Në trajtesat e holla sociologjike, Ralf Dahrendorf shkruan se revolucionet vijnë shpesh beftas. Thjeshtë ndodhin, si shirat a stuhitë pas vapës përvëluese, pa pyetur për asgjë.
Pranverat, ndërkaq, i përkasin popujve që “kanë mall” për kryengritje…
Natyrisht, ky “mall” rebelimi e shtrëngate i përvëlon, rëndom, popujt e shtypur. Nga shtypje klasike qoftë, ose pushtim i fshehtë virtual.
Autokratët me të gjithë profilet që i lëmojnë e dallojnë, kanë prorë një epruvetë unike ku thithin qumësht e, më pas, kërkojnë gjak.
“Serbinë e kërcënon një revolucion i ngjyrosur”, këlthet Vuçiq, i trembur deri në tmerr. E paskan vënë në dijeni, thotë, shërbime sekrete nga Lindja mike.
Autokracia, imitati i botës ruse, hasmëria kronike me të gjithë përreth, shkrimi i Nju Jork Times-it, pengmarrja e shtetit nga kartelat mafjoze, fëmijët shkollarë të vrarë…dhe demoralizimi kolektiv – a nuk përcysin legjitimisht një ortek të organizuar popullor në kujtim të Sllobodanit të ndjerë?
Por një shpresë që, pas tij, Kosova t’marrë frymë lirisht pa kartën fatkeqe të veriut, është iluzion i kulluar.
Veçse trysnia mbi të synon t’a bëj më bashkëpunues për rendin, tashmë, të etabluar gjeopolitik në Ballkan. Aty ku dhe Kosova sovrane nuk është e varur nga askush.
Ndryshe, m’ngjan më i pritshëm një normalitet përfundimtar me despotin, Absolut e Fajtor, se me një masë politike amorfe pas alternimit, apo përmbysjes së tij të mundshme.
Dhe të gjasshme, sigurisht!