Për të gjithë ata që jetuan periudhën socialiste të Shqipërisë, dihet se jeta e artistëve në të kaluarën nuk ishte e lehtë dhe gjithsesi nuk ngjante aspak me jetën e artistëve të pjesës tjetër të Evropës Lindore, por as me jetën e artistëve të sotëm. Dallimet janë të mëdha dhe karakteristike, deri në atë pikë sa të huajt dhe brezat e sotëm e kanë shumë të vështirë t’i kuptojnë. Shembull karakteristik i kësaj veçorie është rrugëtimi artistik i sopranos lirike të TKOB, Fitore Mamaqi. Një rrugëtim artistik që të kujton më shumë rrëfimin novelist apo përshkrimin kinematografik të një këngëtareje që herë flirtoj me majën dhe herë me ngërçet e regjimit.
Jo pa arsye zgjodha ti jap titullin kësaj biografie artistike « Një jetë e nxjerrë nga faqet e një romani», pasi nëse dikush studion me kujdes detajet e jetës së Fitores dhe hedhë dritë mbi karrierën e saj artistike, befas do të mendojë se gjeti një skenar ideal për një film kinematografik që përshkruan me pak rreshta fytyrën e shëmtuar të diktaturës si dhe lavdinë që publiku u jep bujarisht këngëtarëve.
Fitore Mamaqi ka lindur në Tiranë më 24 nëntor 1949 në një familje me histori të rëndësishme të Shqipërisë së pasluftës. Angazhimi i saj me muzikën filloi që në moshë shumë të vogël kur prindërit e dërguan të studionte për violinë tek Liceu Artistik i Tiranës, pranë pr. Atlie Tolës. Vetë Fitorja më ka pranuar se si violiniste nuk ishte veçanërisht e zellshme në mësim, por gjithsesi ia doli t’i përfundonte studimet me nota shumë të mira. Por hyrja e saj në rrugën e kantos ishte më shumë çështje rastësie sesa ëndrra e një vajze të vogël për të pushtuar skenat lirike.
Në moshë 9-vjeçare kur sapo kishte filluar të merrte stimujt e parë muzikor të violinës, Fitorja qëndroi me një shoqe të saj në një sallë boshe tek Liceu i Vjetër deri vonë. Për fat të mirë në sallën përballë, ndodhej Marie Kraja e cila po i jepte mësim kantoje një studenteje. Dy vajzat e vogla po dëgjonin me shumë kureshtje mësimin nga salla tjetër, kur për një çast Fitorja riprodhoi një notë akute që ndërpreu mësimin e Marie Krajës. Papritmas dera u hap dhe u dëgjua zëri i Zonjës Kraja që pyeti e habitur “kush e bëri këtë?”. Dy nxënëset e vogla, të frikësuara se kishin bërë një gabim të madh, vrapuan për t’u fshehur, por sërish për fat të mirë, Zonja Kraja i kishte dhënë urdhër studentes të saj që t’i kërkonte dhe t’i gjente “autorët e notës akute”. Pas disa “hetimesh” nxënësja e talentuar u gjet dhe u çua para Marie Krajes. Mësuesja e madhe e lirikës kur e pa, i buzëqeshi dhe duke i shtrënguar dorën, i tha: “Kur të bëhesh 16 vjeç, do të vish të më gjesh dhe një ditë do të bëhesh këngëtare”. Dhe kështu ndodhi, me përjashtim që deri atëherë Maria me Fitoren nuk u takuan asnjëherë.
Kështu kaluan vitet, derisa adoleshentes Fitore Mamaqi iu kërkua të zgjidhte se cilën rrugë do të ndiqte në studimet universitare. Përsëri, studimet për kanto nuk ishin ndër opsionet e saj të para, ende e mundonte dilema e studimeve të larta për violinë apo diçka tjetër. U desh ndërmjetësimi i shoqes së saj adashe, Fitore Mingomataj, e cila e nxiti të konkuronin së bashku në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për kanto. Por ditën që konkuroi para komisionit në të cilin ndodhej edhe i madhi Çesk Zadeja, Fitoren befas e pushtoi një turp i pashpjegueshëm dhe kështu u detyrua të interpretojë me kurriz të kthyer. Rezultati ishte i sigurt, duke fituar me unanimitet të plotë nga komisioni të drejtën për studim.
Në vitin 1967 vetëm pak kohe para se të fillonte studimet në vitit e parë të Kantos, ajo u zgjodh të shkonte në Kinë si violiniste me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ky ish dhe shkaku që ajo nisi studimet me vonesë, pasi u kthye në Tiranë në dhjetor të atij viti. Ashtu siç pritej, ajo studioi pranë Marie Krajës. Që në vitin e parë, ajo bashkëpunoi me personalitete të mëdha të kohës si Çesk Zadeja, Tish Dija dhe Lluk Kaçaj. Në vitin e fundit të studimeve, përgatit dhe debuton me shumë sukses në rolin e Mimisë nga Opera “Bohema” e Puçinit, jo shumë kohë pas premierës së vitit 1971. Ky ishte një nga rastet e pakta në historinë e ILA, në mos i vetmi, ku një studente mbronte diplomën në skenën e madhe të Teatrit të Operës dhe Baletit. Rezultati ishte perfekt dhe me përfundimin e diplomës emërohet soliste në TKOB në vitin 1972.
Në nëntor të vitit 1973, në prag të Festivalit të 12-të të Radiotelevizionit, kompozitori i madh Çesk Ζadeja do t’i kërkojë Fitores të këndojë këngën që kish shkruar enkas për vokalin e saj “Fshati im i bardhë” dhe si për çudi ajo do ta refuzojë me mirësjellje. Dhe në këtë pikë vlen të theksohet se Fitore Μamaqi është një ndër të vetmet soliste të TKOB të asaj kohe që refuzoi të dilte në skenën e festivalit të madh. Ajo gjithmonë besonte se festivali i këngës së politizuar nuk ishte për temperamentin dhe vokalin e saj, prandaj zgjodhi t’i qëndrojë besnike muzikës klasike duke injoruar rreziqet që mund t’i sillte një vendim i tillë në popullaritetin e saj.
Në maj të vitit 1974 do të konkurrojë në Anketat Muzikore të Radio Tiranës me këngën “Sa hije të ka pushka” të kantautorit Avni Mula, të cilën do ta interpretojë në duet me Ibrahim Tukiçin dhe pak më vonë do të nisë turnetë në të gjithë Shqipërinë. Një shembull tipik që është ngulitur në kujtimet e muzikdashësve më të vjetër është ai turneu i famshëm në qytetin e Sarandës. Thuhet se trupa e TKOB kishte mbërritur në qytet me autobus që në mëngjes, por Fitore Mamaqi njëkohësisht duhej të përfundonte edhe një tjetër koncert në Tiranë, prandaj mbërriti pasdite me vonesë. Faktorë të ndryshëm të kohës, rrëfejnë se ajo u detyrua menjëherë që nga automjeti të performonte direkt në skenë këngën “Le Coeur et le main” (shqip Dora dhe Zemra) të cilën madje e risolli e para si pas variantit të Tefta Tashkos. Më pas me pianistin Johan Botka regjistroi në Radio Tirana edhe disa kryevepra të repertorit botëror operistik nga Bohema e Puçinit , nga Capuleti e Montecchi e Belinit, nga Madama Butterfly e Puccinit, si dhe disa serenata nga Schuberti dhe Strausi.
Viti 1974 daton me kulmin e karrierës së saj, pasi do të bëhet një nga këngëtaret më të njohura të kohës, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së saj si soliste në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, pranë Agim Krajkës. Nga njëra anë, koncertet e veçanta që jepte Ansambli i shtetit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, në fshatra të thella e në vende pune, dhe nga ana tjetër, këngët popullore që interpretoi me mënyrën e saj unike, ngritën në kulm popullaritetin e Fitore Mamaqit. Kështu në 1975 vendosi të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Popullore dhe Qytetare të Tiranës me një krijim të kompozitorit shkodran Tonin Rrota, por kënga e destinuar për të do ti jepej një tjetër këngëtareje. Megjithatë, do të pasojnë dy turne shumë të fuqishme në Turqi dhe në Rumani me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore ku dhe do të shpalosë më tej potencialin e saj interpretues. Në Rumani, Fitorja me Zeliha Sinën ishin dy solistet kryesore, që tronditën publikun rumun. Atje Fitorja këndoi një këngë rumune, të cilën ia kishte mësuar vetëm dy orë para shfaqjes shoqëruesja rumune me origjine shqiptare. Interpretimi mbresëlënës bëri publikun rumun të mos ndalonte duartrokitjet dhe brohoritjet në teatër për afro 15 minuta. Lajmi u transmetua mënjëherë edhe nga radiotelevizioni shqiptar. Këngë popullore që ajo vulosi me interpretimin e saj, janë: “Ο moj bukuroshe”, “Kur më del në derë”, “si mi ke sytë, ke vetullat” etj.
Në shkurt 1975, vihet në skenë opera “Komisari” e Nilolla Zoraqit ku interpreton me çiltërsi rolin e Almës, sidomos në aktin e dytë me Memon, por tregon edhe forcë dramatike në prologun e operës në skenën me Spiro Qendron. Pak më vonë realizon një figurë të freskët në rolin e Mrikës në operën “Mrika” të Prenk Jakovës. Por Shtatori i vitit 1975 do të ishte viti që emri brilant i Fitore Mamaqit do të hynte në shënjestër të regjimit, pasi xhaxhai i saj Dashnor Mamaqi akuzohet si “element armik i Partisë dhe pushtetit popullor”, duke sjellë pasoja veçanërisht të rënda”. Lëkundja graduale e rrjedhës së saj artistike sapo kishte filluar.
Situata e re që u formua në skenën politike të vendit do të kishte së pari një ndikim të menjëhershëm në gjendjen emocionale të sopranos dhe së dyti, një fërkim gradual në karrierën e saj të mëvonshme. Edhe pse në këto rrethana, Fitorja dallohet për një interpretim shumë të mirë të Lules në operën “Zgjimi” të Tonin Harapit në shkurt të vitit 1976. Një vit më vonë do të marrë pjesë me Orkestrën e Ansamblit Kombëtar në Festivalin e Këngës Popullore me një këngë të re, të kompozuar nga Limoz Dizdari dhe me tekst të Fatmir Gjatës, që titullohej “ Që nga shekujt vijmë ne”. Në vitin 1978 do ta takojmë sërish në Anketat e marsit të Radio Tiranës me një këngë që quhej “Mësuesja në një ditë pranvere”. Gjithashtu në vitin 1978 ajo shënon sukses të madh në TKOB edhe në rolin e Olimpisë në operën “Lulja e kujtimit” të Kristo Konos. Në 1979 pason interpretimi i saj i papërsëritshëm në rolin e Rosinës në “Berberin e Seviljes” së Rossinit, pranë Ramiz Kovaçit, Gjergj Suliotit, Pëllumb Katroshit etj.
Në vitet 1980, mund të themi se figura e Fitοre Mamaqit pëson një “rënie” të ndjeshme. Në këtë përfundim arrihet duke studiuar materialet e kohës, ku vërehet lehtësisht se emri i saj nuk figuron më, as në premierat e shfaqjeve dhe as në operat shqiptare të asaj periudhe. Madje edhe pjesëmarrjet e saj të shumta në ngjarjet artistike të kohës reduktohen. Kjo është edhe periudha që ajo do të kalojë si pedagoge e jashtme në Liceun Artistik të Tiranës për një kohë të shkurtër. Në TKOB do e gjejmë përsëri në rolin e Almës nga opera “Komisari”, por edhe në një shfaqje me opera të ndryshme në vitin 1982, ku do interpretojë Violetën në aktin e trete të “Traviates” së Verdit . Në vitin 1985 bën një interpretim të lavdërueshëm serish në Rolin e Rozinës nga “Berberi i Seviljes”. Një figurë interesante është edhe Lola nga Opera “Kavaleria Rustikana” e Maskanjit në vitin 1988, për t‘u pasuar nga një tjetër arritje të madhe në rolin e Desdemonës nga akti i katërt i Operës “Otello” të Verdit me Gjergj Suliotin, që do të shënojë edhe rolin e saj të fundit.
Në vitin 1993 Fitore Mamaqi do të tërhiqet nga TKOB për shumë arsye të ndryshme, duke mbyllur një nga rrugëtimet artistike më të diskutueshme që ka njohur skena vendase ndonjëherë. Megjithatë, jeta aventureske e një shpirti artistik që shkëlqeu shumë herët në Shqipëri nuk pushoi atje. Irma Libohova, këngëtarja e mirënjohur shqiptare do ta prezantonte atë me një botë tjetër muzikore, të cilën as nuk mund ta imagjinonte ndonjëherë në fillimet e saj. Veprimtaria e saj artistike ndryshon totalisht, pasi për më shumë se një dekadë, Fitorja do të shkëlqente në një botë të re muzikore, atë të performancës live në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë, duke zbuluar misionet e shumta që fsheh shpirti artistik në hije.
Viti 2001 do të ishte viti që Fitore Mamaqi dhe familja e saj do të emigronin në Nju Jork të SHBA-ve ku jetojnë edhe sot e kësaj dite. Aty, e palodhur dhe krenare, siç kishte qenë gjatë gjithë jetës së saj, Fitorja do të hapte një cikël të ri artistik pranë pianistes së mirënjohur Mira Gjoni me dhjetëra koncerte për Shqiptarët e diasporës. Në vijim realizoi disa koncerte me muzikë të lehtë pranë muzikantit Edi Xhani dhe në vitin 2018 vendosi të tërhiqej nga aktiviteti muzikor, duke ruajtur gjithmonë shpirtin e palëkundur artistik.
Kjo është rruga artistike që shënoi sopranoja lirike Fitore Mamaqi. Një rrugë që herë i ngjan romanit, herë filmit artistik dhe herë një drame të ftohtë. Pikërisht për mua kjo ish edhe arsyeja kryesore që më bëri të shkruaj disa rreshta për këtë këngëtare. Ajo vetë asnjëherë nuk ka dashur të japë intervista, të hedhë dritë mbi jetën e saj dhe të nxjerrë në pah karrierën e saj artistike. Fitore Mamaqi është pushtuar gjithmonë nga një modesti të veçantë si në sukseset e saj, ashtu edhe në vështirësitë që haste. I dërgoj gjithë respektin dhe dashurinë time dhe i uroj që të vazhdojë të jetojë jetën, ashtu siç e jetoi gjithmonë “si një jetë të nxjerrë nga faqet e një romani”
Përgatiti Aleksandër Ikonomidhi Sulioti