Shqipëria tregoi se e ka vendin në Euro 2016. Skuadra kuqezi ishte magjike me lojë dhe mposhti mikpritësen e garës, Francën, me rezultat 1:0 në Elbasan, me një lojë fantastike, të denjë përballë një gjiganti të kontinentit.
Ekipi i selektorit, Gianni de Biasi, e nisi më mirë ndeshjen dhe rrezikoi me Ermir Lenjanin pas gjysmë ore lojë, por Hugo Lloris e ndali goditjen e tij.
Olivier Giroud u kundërpërgjigj disa minuta më vonë duke rrezikuar me kokë, por Etrit Berisha ishte në vend.
Momenti vendimtar i ballafaqimit erdhi në minutën e 43-të.
Shqipëria fitoi një goditje të lirë pranë zonës së francezëve.
Dhe, Ergys Kaçe realizoi në mënyrë të jashtëzakonshme, duke mposhtur Llorisin e pafuqishëm.
Pas intervalit, Shqipëria u mundua ta administrojë avantazhin dhe të rrezikojë nëpërmjet kundërsulmeve.
Kurse, Franca inkuadroi në lojë Paul Pogban në kërkim të barazimit, por nuk ia doli.
Disa goditje të lira afër zonës paraqitën rrezik për portën e Berishës, mirëpo Shqipëria rezistoi dhe shënoi një fitore të madhe dhe shumë të merituar.
Komentet