Qindra hektarë sipërfaqe e kultivuar me bimë mjekësore dhe aromatike, e bëjnë Shqipërinë vend lider në prodhimin dhe eksportimin e këtyre pasurive natyrore. Sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike gjeneron rreth 18 milionë Euro nga eksporti, i listuar si sektori i dytë më i madh në eksportin bujqësor, dukë përbërë 19% të eksporteve totale të vendit.
Pra është e qartë se tregu ndërkombëtar është i etur për bimët e egra natyrale të Shqipërisë me vlera të jashtëzakonshme medicinale. Po ç’ndodh me vajrat esencialë të këtyre bimëve aq të kërkuara dhe të vlerësuara për aftësitë e tyre mrekullibërëse? Faktet flasin për një paradoks. Shqipëria, edhe pse e shumë e pasur me bimë mjekësore importon vajrat esencialë të tyre. Pse? Sepse industria e përpunimit është pothuajse inekzistente.
E ndërsa numërohen rreth 40-50 pika grumbullimi të bimëve mjekësore për konsum vendas dhe eksport, vetëm pak punishte të vogla tërësisht artizanale merren me përpunimin e këtyre bimëve për vaj esencial.
Nuk është mungesë, por një traditë e humbur, pasi duket se nuk ka qenë gjithmonë kështu. Përkundrazi.
Në Shqipëri përpjekjet e para për mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike është bërë nga specialistët në shekullin XVIII.
Fillimisht mbledhja dhe grumbullimi i tyre filloi në Voskopojë, pastaj në shek.XIX në Elbasan, Përmet etj. Në vitet në vazhdim vazhdoi mbledhja masive e tyre nga populli, të cilët i përdornin këto bimë për shërimin e disa sëmundjeve.
Rreth viteve 1956-1958 në disa ndërmarrje ushqimore të Shqipërisë, u ngritën reparte të vogla distilimi për të prodhuar vajra esencial nga sasia që tepronte si dhe nga mbetjet teknologjike të sherebelës dhe të dëllinjës së kuqe dhe të zezë, të cilat pergatiteshin për eksport.
Në vitet 1966-1967, në Elbasan u ngrit një impiant distilimi modern me teknologji bashkëkohore. Gradualisht ky sektor u zmadhua 4-5 herë duke u ngritur dhe reparte të reja dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Pas viteve 1970-1974, në ndërmarrjet pyjore u instaluan distilatorë të importuar nga Kina, me qëllim kryesisht përpunimin e mbetjeve të drurëve koniferë të sharruar dhe të distilimit të bimësisë nënpyjore. Ky shtim numerik i distilatorëve solli rritjen e sasisë së prodhimit për eksport. Duke përjashtuar esencën e sherebelës, të gjitha esencat e tjera filluan të prodhohen në Shqipëri që nga viti 1970, pas ngritjes në Elbasan të distilerisë së esencave.
Nga viti i parë i prodhimit e deri në vitet 1990-1991, esencat që prodhoheshin në sasira më të mëdha ishin esencat e sherebelës dhe e rigonit të bardhë, sasitë e të cilave i kalonin disa dhjetra tonelata, ndërsa në sasi shumë më të vogla ishin esencat e menteve të egra, trumzës, zhumbricës, kalaminteve, njëmijëfletëshit, borzilokut e të tjerë.
Tradita që iku me ardhjen e demokracisë
Në Shqipëri, pas vitit 1992, të gjitha ndërmarrjet industriale ndërprenë veprimtarinë e tyre ekonomike dhe si rrjedhojë u ndërpre totalisht prodhimi industrial shtetëror duke ia lënë vendin atij privat. Sot në Shqipëri operojnë disa kompani të cilat merren kryesisht me grumbullimin, përpunimin dhe amballazhimin e BMA-ve, pra bimëve mjekësore aromatike.
Deri në vitin 1992 Instituti i Mjekësisë Popullore me qendër në Tiranë ka mbikëqyrur dhe promovuar përdorimin e bimëve mjekësore dhe aromatike në mjekësinë popullore. Gjatë kësaj periudhe aktiviteti i mbledhjes, grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore dhe aromatike ka qenë i kontrolluar totalisht nga shteti dhe Shqipëria luante një rol të rëndësishëm në tregun ndërkombëtare nëpërmjet eksportit të tyre.
Agroeksport ishte i vetmi distilator që kishte mundësinë e eksportimit të bimëve të thata jashtë vendit. Destinacionet kryesore në atë kohë ishin vendet e ish-Jugosllavisë dhe Italia. Deri në vitin 1970 bimët mjekësore dhe aromatike grumbulloheshin nga ndërmarrjet e grumbullimit nëpërmjet ish-kooperativave bujqësore apo nga individët.
Bazuar në inventarizimin e bimëve mjekësore dhe aromatike të vitit 1988 rezulton se nga Shqipëria janë eksportuar rreth 224 540 ton BMA të thatë dhe në formën e esencave, duke i siguruar Shqipërisë rreth 70 884 000 dollarë amerikanë.
Kjo traditë, me përfitim të madh ekonomik për Shqipërinë duket se është zhdukur, duke i lënë vendin kryesisht grumbullimit dhe eksportit të bimëve medicinale, por jo esencave të tyre. Por, kërkesa në rritje e tregut ndërkombëtar për këto esenca, e bën përpunimin e bimëve medicinale jo vetëm një investim fitimprurës, por një mundësi të madhe eksporti. Mbi të gjitha është një traditë që i duhet kthyer tregut vendas dhe konsumatorit shqiptar./AgroWeb.org
Komentet