Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si rrallë herë u mblodhën miq, shokë e bashkëpunëtorë për të nderuar jetën dhe veprën e tashmë, balerinit të ndjerë, Ahmet Brahimaj.
Baleti i Kosovës lidhet pashmangshëm me emrin e tij, e të shumta janë figurat artistike botërore që e kanë çmuar krijimtarinë e tij ndër vite.
Monografia “Fisniku i baletit” me autor Shaban Maxharraj, është promovuar në orën 20:00, pikërisht në orarin kur zakonisht trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës i jep shfaqjet.
Brahimaj ishte pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve në Kosovë. Pas edukimit në Shkup, u bë pjesë e Trupës e pas luftës u bë nismëtar i procesit që Trupa e Baletit të rithemelohet e më pas të shndërrohet në Baletin Kombëtar të Kosovës.
Monografia e ndarë në nëntë kapituj, shpërfaq përpjekjen e Brahimajt për BKK-në dhe dokumenton se ai jetonte për baletin, pikërisht në trevjetorin e vdekjes së tij.
Autori Maxharraj ka thënë se Ahmet Brahimaj ka ikur vetëm fizikisht. Janë kujtimi për të, trashëgimia e vepra që ka lënë pas, ato që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij.
“Është vepra e Ahmet Brahimajt që na ka mbledhur sërish këtu, siç na mblidhte dikur në premiera baleti. Larg klisheve, është e pashmangshme të ripërsëritet se artisti është i pavdekshëm për aq sa rron vepra e tij. Ahmet Brahimaj ka ikur vetëm fizikisht. Janë kujtimi për të, trashëgimia e vepra që ka lënë pas, ato që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij. Dhe monografia është një lloj kujtimi. E qartë, një lloj kujtimi modest përballë veprës madhore të tij. Ose më saktë, një dëshmi për rrugëtimin e tij, misionin mbi të gjitha. Për mua nuk ka qenë e lehtë të shkruaj për ahnmet Brahimajn. E njoha fillimisht si zyrtar baleti, pastaj shpejt e kuptova se nuk është thjesht njëri prej atyre me kostum postesh udhëheqëse. Tek ai njoha mbi të gjitha njeriun, artistin jo vetëm në skenë, shembullin e një punëtori të artit. Më pas mikun, ka thënë Maxharraj.
Bashkëshortja e Ahmet Brahimajt, Zogza Mulaku ka thënë se monografia do të jetë aseti më me vlerë në shtëpinë e tyre.
“E përshëndes entuziazmin, punën dhe angazhimin e autorit për të ndriçuar personalitetin kompleks të Ahmetit që nga fëmijëria, shkollimi, si balerin, si drejtor baleti, si themelues institucioni dhe nëpër të gjitha këto faza ka spikatur karakterin e tij prej patrioti, të një njeriu modest, me qëndrim të çeliktë e të një njeriu me butësi të mëndafshtë e tejet emocional. Kam nderin që në emër të familjes dhe në emrin tim t’ju falënderoj për ardhjen tuaj, për kohën që ia kushtuat promovimit të librit për Fisnikun e Baletit, të çmuarit tonë, Ahmet Brahimajt, ka thënë Mulaku.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se tash e tre vjet, prej kur Ahmet Brahimaj u nda nga jeta, ditët e para të majit sjellin ndjenja të përziera dhimbjeje e krenarie për secilin që e ka njohur atë.
“Ndjenja e dhimbjes është e justifikuar, kur kemi parasysh faktin se të gjithë ne, pa dallim, do të kishim dëshirë ta kishim profesorin tonë të dashur, ulur diku mes nesh. Edhe më të arsyetueshme e kemi ndjenjën e krenarisë, kur me të përfunduar kjo ceremoni prezantimi, të gjithë ju do ta keni në dorë monografinë kushtuar jetës dhe veprës së profesorit tonë, tashmë të ndjerë. Monografia, kushtuar profesorit Ahmet është një vepër që natyrshëm ka lindur si ide dhe qëllim duke marrë për bazë edhe faktin se sa të rëndësishëm e kishte dokumentimin e aktiviteteve të Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Kajtazi.
Për balerinin Brahimaj ata që e kanë njohur thanë se ai nuk fliste shumë, kishte kultivuar aso marrëdhënie sa të merrej vesh me pak fjalë. Ose aspak. Puna ishte punë dhe pikë.
Mbrëmja u shoqërua me pika artistike nga trupa e baletit dhe përfundoi me këngën “Agimet shqiptare” interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi, shoqëruar në piano nga Valton Beqiri.
Iliriana Pylla
Prishtinë 10 maj 2023