Të gjithë kemi një ditë të lindjes, një datë, një muaj , një vit. Edhe artisti fisnik, Agim Qirjaqi, ky kalorës blu i skenës dhe ky profil i bukur i ekranit.
Ai lindi më 27 janar, 1950, në Kolonjë, në atë trevë që ka krijuar bukuri mendjeje në të gjitha kohërat. Emri i tij është disi i çuditshëm: Agu im…, pra, drita që shkrep dhe…, Qirjaqi- e diel, ku spikat fjala motivuese ‘diell’ ,pra, algoritmi dritë e dielltë e mëngjesit”.
Agim Qirjaqi e mbrojti diplomën me veprën e Mihail Sebastianit- (Çehovit rumun siç njihet) në dramën – komedi me titullin “ Ylli pa emër”. Diku 30 vite më pas ai e luajti sërish , me partnere Eva Alikajn. Ishte viti jo fort i largët, 2002. Një tren që ndalet në një provincë, një zonjushë tejet e bukur nuk ka biletën dhe takimi me një burrë provincial, mësuesi i fshatit-astronom që studion gjithësinë, yjet, galaktikat, hapësirat, universin, por që ende nuk di se ç’është puthja njerëzore me një femër, ç’është dashuria, trupi femëror, erotika dhe seksi…I humbur në gjithësi, por në një univers pa ndjenja! Fatkeq në vetminë e tij njerëzore.
Eh! Ja, ai tren që ndaloi atje dhe ajo vashëz ia përzjenë ndjenjat dhe ai shprehet me tërë etosin, pathosin dhe logosin e tij. Do të tregojë kush është, çfarë di, si e njeh qiellin dhe yjet !
Gjithçka tashmë është brenda tij, sepse aroma e një femre të bukur ia ka çakërdisur qenien.Ka qenë një premierë e mrekullueshme , me një lojë të shkëlqyer të Qirjaqit fisnik, ku ndjenja si imagjinatë, naiviteti, hamendësimet, kurioziteti e , mbi të gjitha, provincialiteti , dimensionohen aq natyrshëm, aq organikisht! Universi shndërohet në një ëndërrim dashurie! Ajo ka trokitur! Ai zëri i tij që drithërohet e që drithëronte, ngjyrimet emocionale, butësi e pafuqisë dhe mburrja gati- gati donkishoteske…
Agim Qirjaqi ishte krejt i mëvetshëm në dramë, në komedi, në grotesk, në tragjedi…
Disa nga ndjenjat njerëzore, si: hutimi naiv, cinizmi apo grotesku dramatiko- komik në artin e tij të lojës teatrore, por edhe në film, kanë kapur majat. Te drama “Pjata prej druri” , e amerikanit Edmond Morris, realizuar në Teatrin Kombëtar nga regjisori Gëzim Kame, skenografi Agim Zajmi dhe interpretuar nga aktorët: Sulejman Pitarka, Bujar Asqeriu, Reshat Arbana, Rajmonda Bulku, Luftar Pajo, Agim Qirjaqi, ku analizohet fati i jetës dhe dashuritë e mbaruara; si kemi udhëtuar e dimë, por si do e mbyllim këtë udhëtim nuk e dimë, Qirjaqi përballë Sulejman Pitarkës, biri dhe ati, ka një profil kaq të arrirë skenik, një kaleidoskop ndjenjash, sepse pasqyrat e jashtme janë tjetër gjë dhe ato të brendshmet krejt ndryshe! Ky lloj dyzimi njerëzor kaq i kudotakuar realizohet me tetkonizma shumë të thella dhe të thepisura.Gjyqi dhe vetëgjyqësia e ndjenjave njerëzore është një mister. E gjithë jeta personale dhe private e njeriut Agim Qirjaqi ishte dhe u mbyll e tillë. Ja përse them që në krye , se ai nuk duhet pështjellë në pelenat e harresës.
Rrallëkush në artin tonë si Agim Qirjaqi të ketë pasur të gjithë atë pasuri ndjesore të kodifikuar dhe ushqyer nga talenti, mençuria, kultura dhe puna serioze…Agim Qirjaqi, pa mëdyshje, në vlerësimin tim, ishte fisnik i skenës, siç kanë qenë të tillë: Pjetër Gjoka, Bexhet Nelku e Prokop Mima…Pa dashur të lëndoj askënd, e kam fjalën tek sharmi artistik, ku mpleksen shumë tipare dhe një lloj drite krejt e veçantë, që nga konceptimi i veprës e deri te mishërimi i saj në skenë. Komunikimi lyp hijeshi dhe finesë.
Agim Qirjaqi të mrekullon edhe në komeditë shekspiriane. Sir Andre Agnechek ( te komedia “ Nata e dymbëdhjetë”, e Shekspirit) , edhe në këtë rast gjestet dhe aktet vepruese dilnin nga një lloj naiviteti gati fëmijëror e krijonin thyerje qesharake të një humori krejt të natyrshëm…Qirjaqi është thellë nën lëkurën komike shekspiriane. Që të kuptojmë këtë, është e udhës që të njohim në mënyrë të përmbledhur se çfarë e dallon komedinë shekspiriane sipas kritikës botërore , konkretisht:
“Komedia shekspiriane gjithmonë përfshin linja të shumta, kuptimplote, të ndërthurura me zgjuarsi , për ta mbajtur audiencën të hamendësojë. Këto kthesa të papritura rregullohen gjithmonë në një fund të lumtur. Përdorimi i lojërave të fjalëve, Shekspiri ishte mjeshtër i lojës së fjalëve dhe komeditë e tij janë të mbushura me lojëra fjalësh e lojëra të mprehta gjuhësore.”
Pra, është hyrja dhe dalja në linja të ndryshme, zgjuarsia naive e ecurisë në to, thyerjet komike, loja e fjalëve, jo thjesht si recitim apo rrëfenjë, por si përjetime herë naive , herë kokoroshe…!
Eh! Pra, ja, këto detyra skenike Agim Qirjaqi i bënte si ai e askush tjetër!
Agim Qirjaqi nuk imitoi kënd. Ai, si krijues, regjisor dhe pedagog, si dhe pasuria artistike që na ka lënë në këto fusha, duhen njohur, studiuar, dhe pse jo, imituar, në kuptimin e mirë të kësaj fjale dhe veprimi…!
Lakonizmi gjuhësor dhe ngjyrimi emocional i komunikimit janë të pranishme në artin e Agim Qirjaqit. Njehsimi fjalë, tonalitet, tingëllimë, emocion dhe komunikim, dallon artistët nga aktorët. Artistë ka pak, aktorë ka shumë. Artistët si Agim Qirjaqi krijojnë personazhe që mbeten. Aktorët vishen me petkun e personazhit dhe shpesh harrojnë ta ndërrojnë këtë veshje, duke i bërë të gjitha rolet të ngjashme në mënyrë dëshpëruese.
Tragjizmi vë në provë aktorët, po aq sa komedia. Ai di që të luajë në të dyja skajet e emocionit njerëzor, ka një shtrirje ndjesore të plotë.
Shkrimtari, te filmi “ Radiostacioni”, sipas romanit të Ismail Kadaresë, me titull” Nëntori i një kryeqyteti”, interpretohet mrekullisht nga Agim Qirjaqi. Një jetë pa motive të shëndetshme, humbja e respektit për veten, horizonti i mbyllur dhe kotësia e jetës, deri te fundi si vetëvrasje fizike, pasi vdekja shpirtërore është parakryer, kur humbet drejtpeshimin në ngjarjet përmbysëse në histori.
Dua të hedh dritë edhe mbi një tipar tjetër të Agim Qirjaqit: ftohtësia cinike si gjendje artistike. Një cinik është një person i motivuar thjesht nga interesi vetjak ose egoizmi.Pikëpamja e një ciniku është një sjellje përçmuese dhe negative.“ Ciniku është ai që nuk sheh kurrë një cilësi të mirë tek një njeri, ai gjykon çdo gjë nga vlera e saj monetare ose nga një lloj dogmatizmi, por nuk është në gjendje të kuptojë vlerat emocionale ose sentimentale.
Tani le të sjellim në mendje dy role: drejtorin fashist, te filmi “ Lulëkuqe mbi mure” me regji të Dhimitër Anagnostit dhe oficerin nazist , te filmi “ Dimri i fundit”, me regji të Ibrahim Muçës dhe Kristaq Mitros.Ajo fytyrë e ftohtë, ndjenjat si brisk që të shpon dhe pandjeshmëria humane që shkon në ekstreme.
“Each man kills the thing he loves”( çdo njeri vret gjënë që do.)Kjo është një shprehje e Oscar Wilde. Kur shkroi “çdo njeri vret atë që do”, Wilde donte të thoshte se secili shkatërron atë që ai e ka më të dashur: duket se është në natyrën tonë të shkatërrojmë ato gjëra (ose njerëz) që kanë më shumë rëndësi për ne. Xhelozia është një motiv për një të vërtetë kaq paradoksale (dhe shumë nga rreshtat më të thellë të Wilde janë paradokse në zemër).
Më vjen në mendje kjo thënie, sepse dua të kujtoj një vënie regjisuriale ,nga më të mirat në skenën e Teatrit Kombëtar, dramën.“Armiku i popullit”, i Henrik Ibsenit, realizuar me regjisor Agim Qirjaqin.
Një zbërthim Ibsenian i fabulës, karaktereve dhe mesazheve. Fasada , lavdia, populizmi, flamuri i grisur nga hipokrizia, e vërteta dhe vetëvrasja morale. Ky reliev dramatik, i sjellë aq natyrshëm, me një zbulim pa bërtitje në skenën e shfaqjes. Idea qendrore, ne e vrasim atë që duam sa kohë nuk jemi të vërtetë.
Bisedoja aso kohe me Agimin, ai më dëgjonte me shumë vëmendje dhe dialogonte mençurisht. Agim Qirjaqi u ngjit majave, sepse e takojmë të suksesshëm te Huan Salsedo,( drama “ Monserati”, e Robles), Rikardi III( “ Tragjedia homonime”, e Shekspirit). Ishin këto dy role të tjera të pëlqyera në vitet ‘ 80.
Ai iku nga kjo jetë në vitin 2010, pra, po mbushen 14 vite dhe askush nuk është përfshirë gjerësisht për studime të thelluara në artin dhe kontributin e tij në teatër e në kinematografi. Te filmi “ Kolonel Bunker”, i Kujtim Çashkut, ai ka një kulm artistik, metamorfoza e njeriut në një sistem diktatorial dhe shpërdorimi i jetës mes idealit e keqpërdorimit që të bën sistemi. E kam dashur shumë Agim Qirjaqin dhe çdo takim e bisedë me të më frymëzonte. Ishte njeri serioz , që komunikonte me kulturë. Në vitet 1989- 1991 shkoi për specializim në Itali, pranë “ Picolo Teatro di Milano”, nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur, Giorgio Srehler, si dhe në teatrin “ Eliseo” , të Romës. Agim Qirjaqi ishte president i Shoqatës së Aktorëve Shqiptarë( 1992- 1996) dhe drejtori i Teatrit Kombëtar ( 2002-2003). Ai aso kohe, me shumë dinjitet, mbrojti godinën e Teatrit Kombëtar përballë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sot kryeministri i vendit. Fyerjes së tij se ‘ dukesh shumë i lodhur’, ai iu gjegj me dinjitet: “ Nuk do të lodhem për të mbrojtur Teatrin!” Sa shumë na mungon njeriu dhe artisti Agim Qirjaqi!
P.Kabo. 29 janar, 2024