PRISHTINË – Me ftesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot në Kosovë për vizitë zyrtare dyditore ka arritur presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, me delegacionin e tij. Fischer është presidenti i parë austriak i cili e viziton Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008.
Saktësisht në ora 12:40, presidentja Jahjaga e ka pritur mysafirin më të lartë nga Austria, me intonimin e himnit të të dyja shteteve dhe me nderimet më të larta ushtarake, rreshtimin e Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Më pas, dy presidentët kanë patur një takim kokë më kokë, pas të cilit kanë mbajtur konferencë për media.
Presidentja Jahjaga ka deklaruar se ndjehet e nderuar që ka patur mundësi t’i urojë mirëseardhje në Kosovë, presidentit të Austrisë Fischer, të cilin e quajti mik dhe përkrahës të fuqishëm të Kosovës dhe zhvillimit të saj, në të gjitha fushat.
Jahjaga e falënderoi presidentin Fischer për gjithë atë që vendi i tij ka bërë për Kosovën, qoftë para luftës dhe gjatë luftës në Kosovë, duke strehuar me dhjetëra mijëra refugjatë dhe duke u kujdesur për ta edhe pas luftës, duke qenë ndër shtetet që kanë ndihmuar më së shumti në rindërtimin e vendit të shkatërruar.
Po ashtu, presidentja e Kosovës falënderoi dhe lavdëroi të gjithë pjesëtarë e forcave ushtarake austriake në kuadër të KFOR-it, që për 16 vite kanë punuar për të krijuar një ambient të sigurt në Kosovë.
“Ju president, keni mbështetur Kosovën në hapjen e një kapitulli të ri në procesin e shtet-ndërtimit, të krijmit të një vendi gjithëpërfshirës, demokratik, të zhvilluar dhe me rend e ligj. Austria është vendi ku janë vënë bazat e shtetësisë së Kosovës, mikëpritëse e bisedimeve për statusin e Kosvës, nën drejtimin e të dërguarit të OKB-së”, deklaroi presidentja Jahjaga.
Ajo theksoi se Austria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur shtetin e Kosovës duke ndihmuar edhe në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës ndërsa, vizita e Presidentit Fischer vjen një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, si dhe mundësi për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
Në këtë aspekt, presidentja Jahjaga shprehu besimin e saj se Austria do të përkrah dhe ndihmojë Kosovën në përshpejtimin e përfundimit të edhe një procesi të rëndësishëm, liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Nga ana e tij, presidenti austriak Fischer u shpreh se është shumë i lumtur që sot ka mundësi të jetë mysafir i presidentes Jahjaga, ftesën e të cilës e ka pranuar me shumë kënaqësi dhe me të cilën në të kaluarën ka biseduar shumë herë dhe ka arritur marrëveshje të shumta.
“Kosova është një çështje e rëndësishme për tërë Evropën, në veçanti nëse do të arrihet stabiliteti i marrëdhënieve në mes të pozitës dhe opozitës në Kosovë. Ne jemi sot këtu ku po diskutohet realiteti evropian i Kosovës së sotme, ekzistimit të Kosovës si shtet. Janë 111 shtete që e kanë njohur Kosovën në mbarë botën, por rruga të cilën e ka Kosova para vetës nuk ka përfunduar ende”, tha presidenti austriak Fischer.
Ai tha se Kosova është në fillim të rrugës së integrimit evropian dhe para vetës ka një rrugë të gjatë dhe jo të lehtë. Presidenti austriak tha se Kosovën në këtë rrugë e pret një detyrë shumë e vështirë e përmbushjes së detyrave dhe obligimeve për plotësimin e standardeve evropiane me qëllim që të anëtarësohet në BE, disa prej të cilave janë goxha të rënda por, Austria do të jenë pranë për t’i ndihmuar Kosovës gjatë këtij rrugëtimi.
Ndërkohë, presidenti Fischer do të ketë edhe një takim individual me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, me çka do të përmbyllet agjenda e ditës së parë të vizitës së tij në Kosovë.
Nesër, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, në ora 8 në mëngjes, presidentin austriak Fischer do ta pret kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe pastaj, presidenti Fischer dhe nikoqirja e tij, presidentja jahjaga, së bashku do të marrin pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik Kosovar-Austriak, në hotelin Swiss Diamond, nga ora 9.
Vizita e presidentit austriak në Kosovë do të përfundoi me vizitë Prizrenit, ku së bahsku me presidenten Jahjaga do të vizitojnë Kishën Katolike dhe Xhaminë e Sinan Pashës.
Krejt në fund, duhet thënë se është paralajmëruar që Kuvendi i Kosovës të mbajë një seancë për nder të presidentit Fischer, me prezencë të gjithë deputetëve, pozitës dhe opozitës.
Kjo ende nuk është konfirmuar por, nëse kjo senacë mbahet atëherë do të jetë seanca e parë e Kuvendit e cila është zhvilluar e pa penguar nga opozita, pas plotë një muaji të veprimeve bllokuese në shenjë të kundërshtimit të opozitës së bashkuar të Marrëveshjeve me Serbin në Bruksel, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe atë për demarkacion e kufirit me Malin e Zi.
Komentet