PRISHTINË – Në hapje të seancës së veçantë, për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, kryetari i Parlamentit Kadri Veseli theksoi se “lidhjet e shumëfishta miqësore që vendi ynë ka me Austrinë paraqesin vlerë kombëtare, ne do të vazhdojmë t’i kultivojmë këto lidhje në funksion të paqes, stabilitet dhe zhvillimit ekonomik”.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës shpreh gjithë mirënjohjen shtetit dhe popullit austriak për ndihmën e vazhdueshme dhënë popullit tonë në kohë të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, në ditët e vështira që ne i kaluam deri te liria e pavarësia”, tha kryeparlamentari kosovar, Kadri veseli, duke iu drejtuar presidentit të Austrisë Heinz Fischer.
Presidenti i Austrisë, Fischer duke iu drejtuar deputetëve të Kosovës tha se ata duhet të respektojnë kushtetutën dhe shtetin ligjor.
Kurse, sa i përket integrimit të Kosovës, ai tha se nuk duhet vënë data, por duhet të krijohet rruga.
“BE është një familje e madhe dhe objektivat janë që edhe shtetet e Ballkanit të përfshihen në sfidën e refugjatëve. Austria do të vazhdojë me përkrahjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Interesi kombëtar i vendit është që për hir të shtetit të veprohet në funksionim me një zë të përbashkët. Apeloj tek ju për një pluralizëm. Asnjë demokraci nuk është përfekte. Unë mendoj se demokracisë i bëjmë një shërbim të mirë kur kemi një bazë të mirë ekonomike”, theksoi Fischer.
Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, me ftesë të presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga. Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer sot, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë e nisi me takimin në mëngjes me kryeministrin Isa Mustafa.
Në vazhdim të axhendës, sot, presidenti Fischer dhe presidentja Jahjaga marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhamia e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.
OPOZITA NXJERR PANKARTA: RUAJE SHPINËN ZOTI PRESIDENT, MJAFT ME HESHTJEN E HEGJEMONISË SERBE
Opozita, e cila theu vendimin për të bllokuar çdo veprim të Kuvendit dhe të institucioneve qeveritare, duke marrë pjesë në seancën e sotshme të Kuvendit, në të cilën presidenti austriak Fischer u drejtohet deputetëve me një fjalim, nuk ndejti krejt indiferente, transmeton Koha.net.
Ata shpaluan dy pankarta përballë foltores së Kuvendit nga e cila presidenti austriak po u drejtohej deputetëve dhe kabinetit qeveritar, në të cilën kanë shkruar:
“Mjaft me heshjten e hegjemonisë serbe” dhe “Ruaje shpinën zotri president, rrencat dhe të korruptuart qëndrojnë pas jush”.
Komentet