AFP
Në këtë kohë lufte ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, NATO, e cila është aleanca ushtarake më e fuqishmja në botë, pritet ta vendosë edhe një kufi të ri me Rusinë pasi së shpejti Finlanda do të jetë anëtari i 31-të i aleancës.
Radio Evropa e Lirë ka përgatitur pesë gjëra që duhet të dini për aleancën e mbrojtjes të udhëhequr nga SHBA-ja, e cili u krijua gjatë Luftës së Ftohtë për të mbrojtur Evropën Perëndimore nga agresioni sovjetik.
“Të gjithë për një”
Thelbi i Traktatit të NATO-s është Neni 5, i cili thotë se “një sulm mbi një shtet anëtar të NATO-s, do të konsiderohet si një sulm mbi të gjithë anëtarët e aleancës”.
Nëse një nga shtetet respektive bën thirrje që të zbatohet Neni 5, shtetet tjera njëzëshëm do të veprojnë në mënyrë të përshtatshme dhe të nevojshme, duke përfshirë edhe përdorimin e forcave të armatosura për të mbrojtur sigurinë në pjesën veriore të Atlantikut.
Gjatë Luftës së Ftohtë, ky parim u pa si një siguri e garantuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj aleatëve më të vegjël që përballeshin me kërcënime nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij të Traktatit të Varshavës në Evropë.
Por deri tani asnjëherë nuk është bërë thirrje për këtë qëllim.
“Një për të gjithë”
Në fakt, Neni 5 është zbatuar vetëm një herë, dhe ajo ishte për të mbrojtur SHBA-në.
Në tetor të vitit 2001, vetëm disa javë pasi anëtarët e Al-Kaedës rrëmbyen katër avionë dhe i rrëzuan në objektiva në Nju Jork dhe Uashington DC, aleanca u mblodh në ndihmë të Amerikës.
Teksa reagimi ushtarak i SHBA-së dominohej nga trupat e veta ushtarake, avionët e AWACS të NATO-s u vendosën në qiellin e SHBA-së, ndërsa anijet luftarake u drejtuan në Mesdheun lindor.
Rritja e shpejtë e aleancës
Kur NATO u themelua në vitin 1949, ajo ishte një aleancë e demokracive nga Amerika e Veriut dhe Evropa Perëndimore që luftonin kundër kundërshtarëve komunistë në anën tjetër të Perdes së Hekurt.
Megjithatë, shumë ish-aleatë të Moskës filluan të trokasin në derën e NATO-s pas rënies së Murit të Berlinit, gjë që e nevrikosi presidentin rus, Vladimir Putin.
Letonia, Estonia dhe Lituania, të cilat ndajnë një kufi me Rusinë, janë tashmë anëtare të NATO-s, ndërsa Gjeorgjia dhe Ukraina gjithashtu duan të bashkohen.
Suedia ka paraqitur kërkesën e saj për anëtarësim në NATO në të njëjtën kohë me Finlandën, por Turqia është duke e kundërshtuar atë, me arsyetimin se Stokholmi po strehon militantë të dyshuar kurdë që Turqia dëshiron t’i gjykojë.
Largimi i francezëve
Pavarësisht se është një nga anëtarët themelues të aleancës së kombeve, Franca ka pasur një histori komplekse me të.
Presidenti Charles de Gaulle, i cili cilësohet si një hero i Luftës së Dytë Botërore, e largoi Francën nga struktura e komandës ushtarake të NATO-s në vitin 1966 nga mosbesimi për aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja.
Pas 43 vjetësh, presidenti Nicholas Sarkozy e ktheu Francën me anëtarsim të plotë në NATO, në këmbim duke i premtuar zyrtarëve francezë pozita të rëndësishme.
Megjithatë, në vitin 2019, Franca shkaktoi edhe një herë një përçarje kur presidenti Emmanuel Macron tha se aleanca po vuante nga “vdekja e trurit”.
Probleme financiare
Shtetet e Bashkuara kanë dominuar aleancën që nga fillimi, për shkak se buxheti i mbrojtjes tejkalon atë të të gjithë anëtarëve të tjerë së bashku.
Vitet e fundit, Amerika u ka kërkuar partnerëve të saj evropianë që të rrisin kontributet e tyre – ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ishte veçanërisht i ashpër lidhur me këtë, duke bërë presion që t’i rrisin kontributet e tyre financiare.
Në vitin 2014, anëtarët ranë dakord që të rrisin buxhetet e tyre individuale të mbrojtjes deri në dy për qind të GDP-së së tyre brenda një dekade.
Sipas NATO-s, shpenzimet janë rritur, por në vitin 2022 vetëm shtatë anëtarë—Britania, Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përmbushur objektivin.
Gjermania vitin e kaluar bëri të ditura planet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, por ajo pret vetëm të përmbushë objektivin prej dy për qind në vitin 2025.