Gazeta britanike “Financial Times” ka publikuar një artikull për situatën kriminale në Shqipëri, ku ka vënë theksin te metodat që përdorin bandat me vendosjen e kamerave të sigurisë në mënyrë të paligjshme për të monitoruar rivalët dhe policinë.
Me titull “Bandat shqiptare vendosën qindra kamera spiune për të qenë një hap përpara policisë”, në shkrim flitet për ‘rrjetin e paligjshëm të vëzhgimit që tregon fuqinë e krimit të organizuar në Ballkan”.
Çmontimi i 500 kamerave nga policia shqiptare vërteton se bandat kriminale kanë monitoruar qytetarët dhe forcat e rendit, një skandal që nxjerr në pah fuqinë kriminale në kombin e vogël ballkanik.
Kamerat, rreth gjysma e të cilave ishin montuar në Tiranë, u zbuluan gjatë një hetimi të nxitur nga shpërthimi që ndodhi pranë shtëpisë së një oficeri policie në Shkodër. Ndikimi i bandave kriminale është përmendur si një ndër arsyet kryesore që shqiptarët po largohen nga vendi i tyre për në vende të tjera evropiane, përfshirë edhe Britaninë e Madhe.
“Policia çmontoi kamera të vendosura në shtylla elektrike, në rrugë, për të mbledhur informacione për qëllime kriminale”, tha policia shqiptare në një deklaratë të martën.
Vendosja e tyre kishte për qëllim marrjen e informacioneve për lëvizjet e policisë.
Bandat përdorën kamerat e kontrolluara nga distanca për të monitoruar rivalët dhe lëvizjet e policisë, që të jenë një hap para institucioneve të zbatimit të ligjit, sipas një raporti nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, që citonte vendasit që dëshmonin për “aktivitetin ilegal, kërcënimet dhe frikën” nga bandat, me të cilat duhet të jetojnë çdo ditë.
Kryeministri Edi Rama tha se operacioni policor ishte “pak si një situatë paradoksale pasi akuzohemi se nuk kemi marrë masa dhe akuzohemi gjithashtu kur marrim masa”.
“Fakti që policia veproi për këtë çështje, problem prej dekadash, do të thotë se qeveria është e prirur dhe e fokusuar në luftimin e krimit të organizuar”, tha Rama. Ai shtoi se jo të gjitha kamerat ishin të lidhura me rrjetet kriminale dhe se “disa ishin për përdorim individual, megjithëse jo të ligjshme”.
Ish-ministri i Jashtëm dhe i Drejtësisë Aldo Bumçi tha se grupet kriminale kishin ndërtuar një rrjet global të trafikut të narkotikëve dhe po pastronin paratë në Tiranë.
Kartelet shqiptare të drogës punësojnë dhjetëra mijëra familje në vend për të rritur marijuanën, tha Bumçi, duke përdorur paratë, lidhjet me Evropën Perëndimore për të operuar gjithashtu një rrjet global të kontrabandës së heroinës dhe kokainës.
Rama e kundërshtoi këtë, duke thënë se “Kultivimi i kanabisit ka rënë në mënyrë drastike dhe operacionet e suksesshme policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”. . . flasin për rritjen e efektivitetit në luftimin e krimit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm”.
Vitin e kaluar, Komisioni Evropian kritikoi Shqipërinë, një kandidate në BE, për një ligj të propozuar që ofron amnisti për depozitat deri në 2 milionë euro në bankat shqiptare pa penalitete, duke tatuar transfertat me një normë deri në 10 për qind.
Një raport i Departamentit të Shtetit të SHBA i lëshuar vitin e kaluar thoshte se Tirana duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të luftuar ndikimin e krimit të organizuar.
“Krimi i dhunshëm në Shqipëri shoqërohet shpesh me krimin e organizuar. Gjyqtarët, prokurorët, policia dhe gazetarët kanë qenë subjekt i kërcënimit,” tha ai.bw