Shqiptarët e dashurojnë kafenë.
Meqë vij nga Rusia, e cila njihet për obsesionin ndaj çajit, (Rusia renditet e dyta pas Kinës në sasinë e çajit të konsumuar për person, madje ne rusët pijmë çaj, në kuptimin e plotë të fjalës, 10 herë në ditë.)
Duke parë shqiptarët që shijojnë çdo gllënkë të ekspresit apo të kafes turke për orë të tëra duke marrë ftesa pafund nga njerëzit “të ulemi për kafe”, e gjitha kjo është një kontrast kulturor për mua.
Megjithëse Shqipëria nuk është mes 50 vendeve me konsumin më të madh të kafes në botë (më tepër ndoshta për shkak të mungesës së statistikave), ky vend megjithatë, ka një lidhje të veçantë me këtë pije.
Përse Shqiptarët e duan kafen
Kjo lidhje, e cila është aq e fortë sa shija e kafes shqiptare, ka të bëjë me historinë, kulturën, traditën dhe ajo që unë pëlqej ta quaj stilin e jetës “avash-avash” e që u jep arsye blogerëve të udhëtimit ta quajnë kafenë, pije kombëtare shqiptare së bashku me rakinë.
Le të mos harrojmë gjithashtu ritualin e parashikimit të fatit nëpërmjet filxhanit, i trashëguar ky, që nga kohët Otomane!
Një tjetër arsye pse dashuria e shqiptarëve për kafenë është kaq magjepsëse, sipas meje, qëndron tek fakti që në Shqipëri pirja e kafes nuk është thjesht një veprim fizik apo tradicional-kulturor i trashëguar.
Me botën që bëhet gjithnjë e më e shfrenuar dhe kafja gjithnjë e më shumë një produkt që e merr me vete në dorë rrugës, është shumë shpresëdhënëse të shohësh njerëzit të socializohen teksa shijojnë një filxhan kafeje duke diskutuar mbi jetën e përditshme apo të bëjnë marrëveshje biznesi.
Kafja ndihmon shëndetin
Sipas të dhënave të një studimi të fundit të Fondacionit Friedrich Erbert (FES) mbi jetën e të rinjve shqiptarë, të rinjtë në Shqipëri janë aq të dhënë pas socializimit përmes pirjes së kafesë, sa shpenzojnë mesatarisht 3870 lekë në muaj për “daljet për kafe”.
Sigurisht që konsumi i kafes ka anët e veta pozitive dhe negative, madje, mund të keni dëgjuar diskutime pa fund për këtë.
Kafeja, jo vetëm ju jep energji dhe lufton depresionin, por gjithashtu thuhet të ketë efekt mbrojtës në mëlçi, në uljen e rezikut për diabetin e tipit të dytë, në parandalimin e disa llojeve kanceri e madje deri në mbrojtjen nga Alzajmeri dhe Parkinsoni.
Sigurisht që vëmendja kyçe nëeuml; pirjen e kafes duhet të fokusohet tek masa e moderuar e konsumit.
Përndryshe, në anën tjetër të medaljes, kafeina krijon varësi, mund të rrisë presionin arterial, të rrisë ankthin dhe të ndikojë në pagjumësi.
Për të gjithë ju të cilët, nuk i përballoni dot efektet e kafeinës në trupin tuaj, por megjithatë dëshironi të merrni vrullin energjik, zgjidhni kafe dekafeinato ose provoni të konsumoni alternativa të tjera të shëndetshme dhe energjike njëkohësisht.
Po të lemë mënjanë pro-të dhe kundrat e kafesë, ka një prirje interesante, e cila po merr shumë vëmendje në pjesë të ndryshme të botës, sa i përket rikonceptimit dhe ripërdorimit të mbetjes së kafesë (kokrrizat e ngurta që mbeten pas përgatitjes së kafes ekspres).
Midis shembujve më domethënës janë: riciklimi i këtyre mbetjeve të kafesë për biokarburant, i prezantuar si projekt nga një kompani e quajtur Bio-bean, parashikuar të prodhojë energji për qytetin e Londrës; përdorimi i mbetjeve të kafesë si një “depo karburanti” , më saktësisht për të ruajtur metan, i zhvilluar si projekt nga hulumtues koreano-jugorë; koleksioni i ri i xhinseve i prodhuar nga riciklimi i mbetjeve të kafesë, prodhuar nga kompania American Eagle e të cilat, kanë dukshëm nevojë për më pak larje duke qenë se mbetjet e kafesë thithin aromat; dhe së fundmi kompania 3Dom, duke përdorur mbetjet e kafes për të prodhuar filamente printeri 3D, gjë që është jo vetëm miqësore me mjedisin, por gjithashtu lëshon aromë të këndshme kafeje kur kalon nëpër printerin e nxehur.
Nëse të gjitha këto duken tepër ambicioze, atëherë po rendisim një listë me gjëra që TI mund të bësh me mbetjen e kafesë, në shtëpinë tënde:
1. Përdore mbetjen e kafesë (edhe llumin e kafes) si insekticid për të mbrojtur kopshtin tënd nga milingonat, kërmijtë dhe tartabiqët.
2. Për kopshtin tënd si pleh organik.
3. Për të thithur aromat e rënda të ushqimeve duke e vendosur për shembull, brenda frigoriferit.
4. Për të pastruar mjetet e ndryshme, orenditë dhe enët e kushinës.
5. Për të mbuluar gërvishtjet në mobiljet prej druri me ngjyrë të errët.
6. Për të mbajtur poshtë hirin në vendin e zjarrit, duke e bërë më të lehtë pastrimin e vatrës.
7. Për të zhbllokuar lavapjatin duke shtuar gjithashtu edhe pak ujë të valuar me detergjent enësh.
8. Për të lëmuar fytyrën duke qenë se mbetjet e kafesë janë një pastrues i shkëlqyer i trupit dhe fytyrës.
9. Për të përfituar shkëlqimin natyral të flokëve duke e pastruar lëkurën e kokës me të, përpara se ta lash me shampo.
Agroweb të fton të ndash me ne mënyrat për çfarë i përdor mbetjet e kafesë ose nëse ke përdorur ndonjë nga idetë e sugjeruara më sipër!
*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.
Komentet