Është një film dokumentar me metrazh të gjatë i realizuar me mjeshtëri profesionale dhe vërtetësi rrëqethëse, që zapton të dy epokat historike e që flet më shumë se një film artistik. Nuk është fjala për një rrugë qyteti njëqindmetërshe që i është dashur kineastit për të vajtur (nga bulevardi qendror) deri në shtëpinë e tij. E fiksuar në celulozë ne kohë të ndryshme, herë në ditë të qeta e herë në ditë të rrëmujshme e kthesash të mëdha, herë në bardhezi e herë në ngjyra të forta, rruga e vështruar nga Artisti i Merituar Mevlan Shanaj, përfshin një jetë të tërë në lëvizje, me kontraste e imazhe, me dashuri, nostalgji, me dhimbje njerëzore, po edhe estetikisht, me një poezi përbrenda. Dhe jo vetëm të një qyteti, të një shoqërie, po edhe të një kombi… Këtu qëndron edhe vlera parësore e këtij filmi të frymëzuar.
Si të thuash, bëhet fjalë për një rrugë që i përfshin të gjitha rrugët e të gjithë banorët që jetojnë aty, në një kohë të vështirë e përmbysjesh të jashtëzakonshme. Fikson një shtrirje të gjerë kohe, që nga 97-a e tmerrshme, deri në 2015-ën e trazuar ende, duke bërë herë pas here retrospektiva të së djeshmes ndrydhëse gjysmëshekullore, për të pasqyruar, thotë artisti, atë që atëherë quhej “sukses”, duke vazhduar me shembjen e shtetit të diktaturës dhe me trazicionin e gjatë e të vështirë. Gjithçka në një orë kohë!
Këndvështrimi i kineastit niset që nga jeta më e rëndomtë e një rruge të qetë, me ecejaket e njerëzve të mbingarkuar me halle e strese, me lëvizjet e zakonshme të biçikletave, të karrocave që i tërheqin njerëz e kuaj, me karakatina motorësh e makinash të “braktisura” që ngjajnë, si “plaçkë lufte” dhe, midis dyndjesh të banorëve të shkujdesur vërtiten gjithmonë qentë e rrugës, një grua që lyp, “gjahtarët”e kazanëve të plehrave, matrapazët dhe “vrasësit e kohës”. Duket gjithandej një situatë kaotike, me shtëpi e pallate që ngrihen e pastaj “hidhen në erë”, me biznese, që pa lindur ende do të zhduken papritur, si në histori misteresh… po aty do të shihen dhe deputetë, politikanë e pushtetarë që mbajnë ende çanta e pardesy si të udhëheqësve të dikurshëm partiakë. E befas, në këto rrugë do të duken demonstruesit e parë, do të prishet qetësia, amullia, rutina, do të dëgjohen krisma, do të lëvizin autoblinda e tanke dhe do të vriten njerëz! Kineasti thotë me dhimbje se numërohen deri 13 mijë të vrarë!
Të gjitha këto të përfshira në këtë rrugë të vogël që zapton të gjitha “rrugët e jetës”. Një jetë dinamike veç, një Shqipëri që ndryshon e që merr tjetër pamje, tjetër jetë, tjetër dritë. I dhënë në dy kohë, filmi bashkudhëton me ne që e shohim dhe bëhemi pjesë e tij në kapërcyellin e sistemit të mynxyrshëm që na ndan me “Rrugët e Botës”. Ngjarje rrëqethëse, fort të dhimbshme, të xhiruara në gramatikën e ikjes së madhe drejt “botës së ëndërruar”, jepen këtu edhe në trajtën e figurshme të një simbolike të pazakontë, të një qielli gri të mbushur me mijëra e mijëra zogj që “çajnë retë”drejt së panjohurës. E bukur dhe tronditëse njëherësh!
Mirëpo, përmes këtij realiteti të një katastrofe gati biblike që ngjan si një ëndërr shprese, kineasti do të sjellë pamjet e një zhgënjimi, mandej dhe revoltën e madhe që shembi monumentin e diktatorit dhe krejt sistemin e mëparshëm sfilitës. Në këto pamje kulmonjëse, artisti Shanaj do të jetë vetë edhe si një personazh subjektiv, si pjesëmarrës aktiv, duke ecur më pastaj krahas studentëve të dhjetorit, me kamerat në krahë. I tillë do të jetë ai edhe në trazirat e 97-ës, kur Mevlanit di t’i vijë autoblinda deri të porta prej xhami e Televizionit Shtetëror, ku duket dhe një mitraloz i rëndë dhe një polic që kontrollon fletë-hyrjet e gazetarëve. Edhe kafeja do të pihej në një kafene përbri, përpara një tanku, derisa një plumb qorr do të bjerë mbi filxhan!
Dhe këtu xhirimet e regjisorit Mevlan Shanaj do të ndërpriten, filmi do të ndalohej për t’u rikthyer në të vetëm pas 18 vjetësh! Vazhdimi i filmit do të plotësojë kuadro të reja të po kësaj rruge dhe artisti do të vërë re se: “Kanë ndërruar tabelat, vitrinat, pamjet e shtëpive dhe të dyqaneve, njerëzit dhe bisedat e tyre”. E megjithatë ai do të fiksojë rishtazi po atë grua që lyp dhe po ata qen që tashmë janë shtuar dhe dremitin në bazamentin e bustit të një heroi, identiteti i të cilit tashmë është vënë në dyshim. Diku dëgjohet rënkimi i një qeni të vrarë dhe diku tjetër, pas një skute, rënkimi i një vajze që humbet virgjërinë! Dhe jeta vazhdon përsëri… Dhe, përmes kësaj rruge një qytetar si Mevlan Shanaj që rrëfen rrugën e vet të formimit si artist, të një krijuesi të vërtetë, pleksur dhe i pandarë nga jeta komplekse e kësaj rruge heterogjene, sa e varfër aq dhe e pasur në ngjarje domethënëse e imazhe.
Rrugëtimi i artistit në karrierën e tij qëndron këtu si një paralele e rëndësishme, për të dhënë dhe mesazhin më të thjeshtë e njëherësh më të lartë. Politikanët, në shumicën e tyre, ashti si kundër vijnë e shfaqen në këto rrugë, ashtu edhe ikin, largohen me ose pa gjurmë! Dhe bëma e artistit mbetet, sikundër fiksohet edhe ky film i dimensioneve të mëdha. Sikundër është fiksuar në po këtë rrugë filmi “Plumba Perandorit” mbi heroin e fshatit tim, Vasil Laçin e pavdekshëm, të interpretuar me autoritet nga aktori Kastriot Çaushi e që regjisori do ta takojë atë pas shumë vitesh, në po këtë rrugë xhirimi. Po artisti Shanaj do të rikujtojë pashmangshmërisht filmin e tij të dytë “Rrugica që kërkonin diell” ku si heroi i filmit në fjalë do të shpërndante gazetat në po këto rrugë “që kërkonin diell” apo filmin “i teti në bronz”, ku busti i tij si hero-protagonist , do të rrugëtonte shtigjeve të luftës me një vig të drunjtë mbi supet e shokëve të vet të luftës, si edhe nuk do të harrojë pa risjellur në kujtesë e para ekranit filmin tjetër “Ballë për Ballë”, kur sapo e kishte nisur rrugëtimin e vet të artistit…
Pra, është lënë një gjurmë në këto rrugë, derisa fytyra e aktorit “brazdohet” nga koha dhe flokët i mbulohen nga “dëbora”! Kjo retrospektivë personale, si aktor e regjisor, është e ngjizur në këtë jetë e në këto rrugë, si rrjedhë e një jete gjurmëlënëse, nga e cila kineasti e ka të vështirë të shkëputet. Artisti Shanaj do të bëhet kështu objekt-subjekt i filmit, një autoportret simbolik i kësaj rruge, me rrymën dhe kundërrymën, duke përfunduar në mesin e bulevardit, përpara “lumit të makinave” që vijnë përballë tij dhe kur nëpër trotuaret ndryshe kanë lulëzuar pemët.
Në këtë vështrim, filmi i Mevlan Shanaj ka një shtrirje të gjerë, gjithëpërfshirëse e duket si një ditar i një periudhe gjysmëshekullore, për të thënë e fiksuar gjithçka që kanë parë e dëgjuar këto rrugë. Një e mirë kjo dhe njëherësh edhe një e metë e strukturës kompozicionale që duhet të ketë vepra e artit. Tejzgjatja e filmit, retrospektivat e shumta e shpesh të përsëritura (për të djeshmen), etja për të rrëfyer gjithçka që ka ndodhur (e që përmban diskoteka e autorit), zbehin së fundmi temporitmikën e veprës kinematografike. Në një vepër letrare apo artistike nuk mund t’i përfshish të gjitha ngjarjet e periudhave historike brenda një ore e të hedhësh, si të themi, gjithçka në një “thes” të vetëm.
Në montazhin përfundimtar të filmit, sikur ka rrëshqitur “peri i masës” e është lëvizur “balanca e peshës”, për të qenë saktësisht më konciz e artistikisht më i arrirë. Gjithsesi Mevlan Shanaj ka folur bukur me “syrin e tij”, me “syrin e kamerës” dhe me zërin e vet. Ka shumë pasion ky film dokumentar, dashuri sublime, atdhetari, vërtetësi faktike rrëqethëse e një poezi të fshehtë që të rrëmben e të merr me vete, duke harruar madje edhe “dobësinë” që sapo përmendëm. Po, duhej të mbaronte ky film që të ndieja edhe përlotjen time, si spektator i mplakur, si artist dhe si ish-pedagog i këtij artisti të talentuar. Ca më tepër akoma se Mevlani nuk harron të bëjë këtu si pjesëtar të “rrugës së artit” edhe shokët e vet të kursit e të jetës krijuese: Timo Fllokon, Niko Kanxherin, Sajmir Kumbarin, të cilët, së toku edhe me Llazi Serbon e Minella Borovën (që nuk i kemi më) dhe me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Petrika Rizën etj., ishin edhe pjesë e punës dhe e jetës sime pedagogjike e të asaj krijuese. Pra, udhët tona të ecjes e të krijimit janë po këtu të mbledhura, në një rrugë të pafundme…
Komentet