Pas më shumë se gjysmë shekulli që nga bashkëpunimi i fundit, filmi i parë i përbashkët nga krijuesit rusë dhe shqiptarë ka përfunduar, megjithëse nuk është e qartë se kur do të paraqitet në publik. Bëhet fjalë për filmin “Gjirokastra”, regjinë e të cilit, si debutor, e ka bërë skenaristi Yuri Arabov. Skenarin e ka krijuar në bashkëpunim me shkrimtarin e famshëm shqiptar, Ismail Kadare. Ngjarja zhvillohet në Shqipërinë e viteve 1960. Në qytetin e Gjirokastrës. Katja, pas përfundimit të Fakultetit Filologjik në Universitetin shtetëror të Moskës, martohet me një shqiptar, një historian i ri, të cilin e ka njohur në Moskë. Menjëherë pasi Katja hyri në një dialog me diktatorin Enver Hoxha në një ekspozitë arti, bashkëshorti i saj u arrestua me akuza të trilluara, u dënua për spiunazh dhe u pushkatua. Katja shkon në burg dhe rezulton që shoqja e saj e ngushtë të jetë roje e burgut.
“Kam xhiruar një film në lidhje me faktin që çdo krim është i dënueshëm: njerëzit që torturojnë njerëzit e tjerë, madje pa qëllime armiqësore ndaj tyre, përfundojnë duke marrë atë që meritojnë, në një mënyrë apo në një tjetër. Skenari i kushtohet terrorit të shtetit kundër individit: kjo temë, për fat të keq, është akoma e rëndësishme”, tha Arabov në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Si e izoloi Enver Hoxha Shqipërinë?
Youri Arabov: Njerëzit sovjetikë, të cilët ishin viktimat e para gjatë valës së arrestimeve në Shqipëri, nuk silleshin si “imperialistë”, por si bartës të kulturës evropiane në traditën marksiste. Kjo për Perëndimin është një histori e pazakontë, ku neve ende na konsiderojnë si pushtues të kombeve të tjera. Por, në Shqipëri, me sa duket, ne nuk jemi të përfshirë në grushtshtetin socialist. BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) nuk luftonte atje dhe filloi të japë ndihmë vetëm pasi që Enver Hoxha erdhi në fron, në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Partizani antifashist, i shkolluar në Francë, një frankofil dhe një intelektual, e shpalli Shqipërinë si vend komunist, ndërkaq në Stalinin, ai e pa realizimin e ëndrrës së pushtetit absolut. Kur Stalini u zhduk nga skena politike, Hoxha u bë më i kujdesshëm ndaj përvojës sovjetike.
Destalinizimin e Hrushçovit (Nikita Hrushçov, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Josif Stalinit) ai e kuptoi si ofendim personal dhe u kthye kah Kina. Por, më vonë, madje edhe Mao (Ce Dun, themelues i shtetit komunist kinez) e zhgënjeu.
U proklamua se Shqipëria është vendi i vetëm komunist në botë. Në të vërtet, ashtu edhe ngjante: religjioni ishte i ndaluar tërësisht, ashtu sikurse edhe prona private dhe udhëtimet në vendet e bashkësisë socialiste. Në përgjithësi, ai ishte socializëm real, pa asnjë “revizinizëm të Hrushqovit” dhe i cili, në njëfarë mënyrë, përpiqej ta mbrojë individin nga arbitrariteti i shtetit. Dhe natyrisht, arrestimet – si mundet pa to?
Të parat ranë “spiunet sovjetike”, të cilat ishin martuar me shqiptarë në kohën e miqësisë shqiptare-sovjetike: gra me diploma të Universitetit shtetëror të Moskës, të cilat ligjëronin gjuhën ruse në shkolla, u dërguan në gurore. Siç u kanë thënë historianët, ato ishin rreth 1 mijë (numër i vigël në krahasim me Kinën dhe BRSS-në). Pas filologëve, në radhë erdhën të gjithë të tjerët.
Ftesa e Ministrisë së Kulturës e Shqipërisë
Radio Evropa e Lirë: Pse iu drejtuat temës shqiptare?
Yuri Arabov: Më ftoi Ministria e Kulturës e Shqipërisë, fillimisht si skenarist, si laureat i Kanës, që të shkruaj një skenar në bashkëpunim me “klasikun e gjallë”, Ismail Kadarenë. Më dorëzoi materialin dhe porosinë, e cila fatkeqësisht m’u duk relevante, për shkak se arbitrariteti i shtetit është një nga gërshetimet kryesore në jetën tonë. Me mbështetjen e Ismailit, e shkruajta skenarin. U kyç edhe Alexander Sokurov si drejtor artistik. Ndihmoi shumë për mbledhjen e të hollave nga Shqipëria dhe më mbrojti kur hyra në polemika të ashpra me producentët.
As Ministria e Kulturës e Rusisë nuk mbeti anash dhe, gjithashtu, ka ndarë mjete. Si rezultat, për më pak se një muaj e kam xhiruar këtë sagë, që është debutim i imi si regjisor. U mësova të bërtas “aksion” dhe “cut” (prerje) dhe u bëra regjisor i vërtetë që shan në gjuhën angleze, për shkak se projekti është ndërkombëtar. Por, seriozisht, jam përpjekur që të bëj gjithçka që të punoja në një mënyrë tjetër.
Radio Evropa e Lirë: A janë të kënaqur blerësit?
Yuri Arabov: Këtë nuk e di askush. Secili blerës është, si të thuash, Buda që rri ulur në pozicionin “Lotus”, me buzëqeshje të çuditshme në fytyrë . Nuk më rrahën, nuk gjuajtën vezë drejt meje dhe ky është një plus. Tejkalim të buxhetit nuk ka pasur, kemi punuar gjatë kohës së tërmetit të fuqishëm dhe kemi xhiruar gjithçka që deshëm, madje edhe më shumë.
Ja, pra, kam dëgjuar edhe biseda: “Ky regjisor është gjeni, edhe pse është i çuditshëm. Mbase për shkak se nuk merr vesh në kinematografi? Çka po bën ai? Pse portreti i Karl Marksit është i kthyer kokëposhtë në kuadër?”. Apo, të themi, kjo: “Pas një filmi të tillë, asnjë ruse nuk do të martohet me shqiptarë!”. Por, të jam i ndershëm, i gjithë grupi shqiptar ka punuar shkëlqyeshëm, sepse u thashë hapur: “Qetësohuni, sepse nuk jam regjisor njëmend. Vetëm po xhiroj, bashkë me ju, një film të mirë. E kjo, në ditët e sotme, është e rrallë”. Ata më besuan dhe gjithçka kaloi më mirë sesa që kam pritur.
A është rrëfim i vërtetë?
Radio Evropa e Lirë: A është filmi i bazuar në material dokumentar?
Yuri Arabov: I studiova arkivat dhe kam takuar një mësuese ruse, e cila mbijetoi në kamp.
Sergey Kuleshef, drejtor i Shoqatës së miqësisë ruso-shqiptare, aranzhonte takimet me liderët nga regjimi i kaluar, ndërkaq të burgosurit politikë shqiptarë më rrëfenin për torturat. U pasurova me përvojën shtesë të vuajtjes, ndonëse i kam të mjaftueshme vështirësitë e mia.
Radio Evropa e Lirë: Skena e fundit nga filmi: Ish-rojtarja e burgut zvarritet në baltë dhe në një pellg ajo bërtet: “Pse?! Unë, thjesht, i kam zbatuar urdhrat!”. Vërtet, mendoni që e keqja gjithmonë dënohet?
Yuri Arabov: Së pari, ai nuk është pellg, por një liqe përplot me fekale, të cilin brenda një nate e kanë gërmuar skenografët e filmit, Vlerij Arhipov dhe Luan Shkodra. Tjetër, do të isha shumë naiv sikur të predikoja dënimin e së keqes me duartrokitjen e publikut. Nuk jam klerik. Të gjithë e marrin atë që u takon, por kjo shpesh ndodh në atmosferë private dhe larg nga sytë e tepërt.
Ajo që është shfaqur – ajo vërtet ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve nëntëdhjetë. I kanë dënuar disa aktorë të dorës së dytë, ndërkaq ata kryesorët… Hoxha ka vdekur i qetë në shtratin e tij nga diabeti dhe sulmi në tru, ndërkaq bashkëshotja e tij, së cilës i atribuojnë një mizori të pabesueshme, ka jetuar normalisht deri në moshën 94-vjeçare. Unë kam shfaqur ndëshkimin e xhelatit në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç thuhet, “në ballë”.
Disa nga shikuesit e paktë në numër që tashmë e kanë parë filmin, kanë vërejtjet: “Pse deri në fund i shpreh mendimet e tua? Kjo është në kundërshtim me rregullat. Tash është në trend që të thuash mendimin deri në fund”. Por, unë i paraqes mendimet e mia deri në fund, thjesht sepse i kam, të paktën me rastin e historisë jo të largët dhe të asaj aktuale.
Këtë shpërfaqje të qartë e kanë ndarë në ekipin tonë të gjithë, e shqiptarët në radhë të parë. Dhe, para të gjithëve, aktorja shqiptare Loredana Gjeci, e cila në dhjetor shkoi në liqenin e ndyrë.
Atje, ajo deri në brez qëndroi në fekale me kameramanin xhirues të filmit Arunas Baraznaukas. Desha që ta vendosi në breg, por ai u nis drejt e në ferr. Kështu që të gjithë njerëzit e mi m’u falëndëruan për kushtet e bukura të punës, sidomos për fekalet.
Rrëfimi për represionin
Radio Evropa e Lirë: Historia më e re e Rusisë nuk e mbështeti edhe aq tezën për dënimin e së keqes. Monumenti i Dzerzhinskyt në Lubjanka u shemb, por shpejt filloi trendi i rehabilitimit dhe madhërimit të Stalinit. Si e shpjegoni këtë?
Yuri Arabov: Është më lehtë të sundosh me një çekan sesa me një bistur. Bisturi largon nga organizmi një pjesë të asaj që pengon, ndërkaq çekani e zgjidh problemin menjëherë duhe larguar një segment shumë të madh. Për shembull, klasa e fshatarësisë që qëndronte mirë, u hoq (u shkatërrua) pikërisht me çekan. Ta bësh primitive qeverisjen në një vend të madh është gjithmonë më e lehtë sesa zgjidhja e problemit kompleks të zgjedhjeve konkurruese dhe ndryshimit të administratës. Ndryshe, historia e Shqipërisë ka treguar, gjithashtu, besueshmërinë në “çekanin”. Përveç terrorit, vendi ka fituar arsimimin e përgjithshëm, industrinë e lehë dhe të rëndë, mbrojtjen shëndetësore dhe banimin falas.
Në Shqipërinë e sotme ende nuk janë hetuar të gjitha keqpërdorimet e Hoxhës. Madje, askush nuk i di saktë dimensionet e represionit. Historianët jozyrtarë pohojnë se një e katërta e popullsisë së vendit ishte nën represion (ky është gjenocid), ndërsa historianët zyrtarë deklarojnë shifrën e “vetëm” 13 mijë njerëzve.
Sidoqoftë, duket që askush nuk e konteston llojin e torturës të quajtur “ferma e qenëve”, e cila është shfaqur në filmin tonë: njeriun e lidhnin me zinxhirë në një shtyllë, ia vendosnin një gjerdan rreth qafës, ndërkaq që në distancë ishte një tas me ujë. Këtu është klimë e nxehtë, në burg nuk jepej uji, ndërkaq për ushqim jepnin harengë të kryposur, në mënyrë që të nxisë etjen e të burgosurit. Tortura bëhej asisoji që njeriu përpiqej të arrinte tasin me ujë, por nuk arrinte, sepse zinxhiri nuk ia lejonte këtë.
Megjithëse në Shqipëri ndodhi një revolucion në fillim të viteve ‘90, që nuk mund të quhet “i kadifenjtë”, shumë prej qytetarëve të saj deri më tani, në mënyrë të turpshme e kanë fshehur të kaluarën e tyre nga vetvetja. Gjatë xhirimeve të skenës me Hoxhën, një kalimtare filloi të bërtiste në rrugë: “Nuk dua të di asgjë për të! Unë nuk dua asgjë të di ”. Ishte pak e frikshme për të parë këtë. Te ne, në Rusi, asnjëherë nuk kam dëgjuar që dikush bërtet”. Unë nuk dua të di asgjë për Stalinin!”. Te ne, të gjithë duan të dinë se si ka qenë, por në atë mënyrë që kjo të bëhet në lloj argëtimi: në divan, me vodka ose birrë … Të argëtohemi me fatkeqësinë tonë – ky është tipari ynë kombëtar.
Kur filluam xhirimin e “Gjirokastrës”, gruaja e diktatorit ishte ende gjallë. Unë iu luta që të regjistronim një intervistë me të (dmth të bënim një dokumentar), falas dhe shpejt. Më duhej vetëm kamera.
Dhe, vetë Nexhmia ( Hoxha, gruaja e Enver Hoxhës) dukej sikur ishte e gatshme që të xhirohej. Por, administrata refuzoi këtë, gjithmonë në përputhje me parimin e njëjtë: “Ne nuk e duam dhe nuk duam asgjë të dimë për të”. Shumë shpejt ajo vdiq dhe e ka marrë me vete në varrë historinë gjysmëshekullore të vendit. Në Rusi, një situatë e ngjashme është e pamendueshme sot. Sigurisht, njeriu frikësohet të kthehet pas, por pa këtë, ai vështirë se do të kuptojë diçka në të tashmen.
Kulti i personalitetit si shkrehës
Radio Evropa e Lirë: Çfarë është interpretimi autorial i punës?
Yuri Arabov: Filmi flet për një person të “verbuar”, me emrin Katja, e cila është e dashuruar në diktatorin “simpatik” të vendit ballkanik, i cili në kabinetin e tij në heshtje, vendos se si të forcojë pushtetin e tij. Në “shokun Enver” kanë qenë të dashuruara shumë gra ruse, për shkak se ai në mënyrë radikale dallohej nga Stalini dhe nga Hrushçovi.
Ai ishte i pashëm, sharmant, mendjemprehtë dhe i arsimuar. Dhe ja, pra, Katja, në ekspozitë tërheq vëmendjen e udhëheqësit te vetja, duke i thënë se atë ekspozitë “duhet mbyllur”: Si mund të lejoni kultin e personalitetit tuaj? Dhe, kjo shërbeu si shkrehëse, si diçka që e liron mizorinë e diktatorit (“kulti i personalitetit” është shprehje e Hrushçovit).
Në tërësi, historia e Katjas përshtatet me frazën: “Unë jam e dashuruar me një burrë dhe këtë e pranoj para tij, por kjo i shkakton atij dyshime të skajshme dhe ai më shkatërron”. Rrëfim mjaft i çuditshëm, në esencë kafkajanë. Por, ngjashëm ishte edhe te ne – sa më shumë që betoheshin në dashurinë ndaj Stalinit, ai bëhej edhe më mizor.
Radio Evropa e Lirë: Proceset gjyqësore të paraqitura në film, praktikisht janë të ngjashëm me proceset në BRSS në kohën e Stalinit. Çfarë mendoni, pse ideja socialiste, komuniste, e cila vetvetiu nuk duket aq e keqe, në shumë vende i ka rrëzuar tiranitë, shtypjet dhe vuajtjet e popullit?
Yuri Arabov: Ideja komuniste – është “Shteti dhe revolucioni” i Leninit, libri i tij i fundit fondamental nga viti 1917. Ai libër është më shumë se “i çuditshëm”; Lenini e nisi revolucionin në mënyrë që ta shkatërronte shtetin. Jo shtetin monarkist, jo kapitalist, por cilindo shtet në përgjithësi.
“Diktatura e proletariatit” – kjo është vetëm një fazë e përkohshme për shembjen e institucioneve politike dhe në vend të tyre – vetëqeverisja shoqërore. Kështu u paraqit teza se “kuzhinierja mund të drejtojë shtetin”. Gjegjësisht, “kuzhinieret” udhëheqin përmes Këshillit (Sovjetit), një strukturë me funksione legjislative dhe ekzekutive. Por, shumë shpejt edhe Lenini e kuptoi që kjo është e parealizueshme në Rusi, në shekullin e kaluar, sepse te vetë “kuzhinierja” nuk ka pasur kulturë sociale, të përgjegjësisë, dituri dhe horizont.
Dhe, erdhi në radhë pikërisht ai “çekani” i komunizmit ushtarak: primitivizimi i të drejtuarit dhe rrëshqitja kah dhuna diktatoriale.
Paralelet me Rusinë e sotme
Nën çekan, nisën të kërcasin kokat, sikurse arrat. Ky është ai primitivizmi që zgjidh çështjet e sotme, por që në tërësi e fshin të ardhmen… Kjo metodë e të drejtuarit, të cilën sot e kanë quajtur në mënyrë romantike “mobilizuese”, ka ardhur deri te Hrushçovi dhe i imponoi zgjidhjen e rëndë – se a duhet që sërish dhe sërish të përsëris goditjet me “çekan” ose që të shpikë diçka tjetër. Dhe, natyrisht, që suksesi i tij në kërkim të “diçka e re” (si dhe më pas edhe mossuksesi i Gorbaçovit) dëshmon se është mjaft vështirë që çekanin ta shndërroni në bistur.
Unë edhe sot e kësaj dite konsideroj që gjatë viteve ‘50-‘60 ka ekzistuar rasti që në mënyrë të vendosur të ndryshohet i gjithë sistemi. Gjenerata ime e kishte parë mënyrën hungareze dhe jugosllave të ndërtimit të socializmit.
Ata shikonin filma bashkëkohorë perëndimorë, dëgjonin muzikë perëndimore, tek ata ishte e lejuar prona private, botimi i librave me shpenzime personale pa censurë të ashpër (Rumania) dhe kjo ishte ajo për të cilën fantazonin kot intelektualët sovjetikë. Me zhdukjen e socializmit ( stalinist dhe revizionist), u zhduk edhe alternativa politike e asaj që kemi sot.
Por, katastrofa shndërrohet në batutë. A mendoni që “sovjetët” janë zhdukur? Mashtroheni rëndë! Ata edhe sot mbikëqyrin përmes të gjitha çarjeve dhe pa “lirinë, barazinë dhe vëllazërinë”, pa ashensorë shoqërorë! Mendoj për ideologjinë. Me ideologji nënkuptojmë pikëpamjen që imponohet nga lart me dhunë dhe pa alternativë.
Ndërkaq, sa i përket gjykimit të shfaqur në filmin tonë… Polina Liske, e cila ka luajtur rolin e Katjas, pasi që në këtë skenë aktroi sulmin e papërmbajtshëm të histerisë, është shpërblyer me duartrokitje nga ana e gjithë grupit të shqiptarëve. Polina mbeti pa forcë pas atij dublimi të vetëm, ndërkaq që njerëzit pranë kamerave dhe mjeteve ndriçuese qëndronin me lot në sy. Kjo mbase tingëllon në mënyrë sentimentale, por kjo është e vërteta. Dhe, në atë mënyrë të njëjtë, njerëzit i duartrokitën Loridana Gjecit, kur po zvarritej në baltën e liqenit.
Shpresa që shikuesit rusë ta shohin filmin
Radio Evropa e Lirë: A do ta shohin shikuesit rusë këtë film?
Yuri Arabov: Shpresoj që po. Por, do të ishte më e menqur që filmin së pari ta paraqesim në festivale të njohura. Kjo kryesisht është punë e producentit. Ky edhe është problemi. Producentët vendorë e dinë që shikuesi i zakonshëm nuk i do pamjet me vuajtje dhe të burgut. E kush i do ato? Edhe unë i urrej. Kemi xhiruar në burg “të gjallë”, i cili me krejt kapacitetin punonte në shekullin 20. Kështu që gati sikurse ta kem vuajtur atë.
Radi Evropa e Lirë: Dhe, sërish momenti politik: Tash edhe në Rusi nuk është se duan edhe aq që të gërmojnë të kaluarën…
Yuri Arabov: Po, mund të thonë: Po krijoni aludime për diçka…
Radi Evropa e Lirë: Për disa realitete ruse?
Yuri Arabov: Unë si skenarist kam punuar në temën “Testamenti i Leninit”, për Nikolaj Dostalj. Është i bazuar në biografinë e prozatorit dhe poetit Varlam Shelamov, kështu që mua personalisht, nuk më duhet që të bëj kurrfarë aludimesh. Mund ta them drejtpërdrejt. Të rrëfej, të themi, një rrëfim “argëtues”. Në muajin maj të vitit 1944, grekët etnikë ishin deportuar nga Krimea bashkë me tatarët e Krimesë. Arsyeja nuk dihet: ndoshta sepse ata nuk hynë në radhët e partizanëve. Por, as me fashistët ata nuk bashkëpunuan, kjo është e sigurt, sepse në të kundërtën do t’i pushkatonin.
Liritë e imponuara
U dhanë kohë tre orë që të bëhen gati dhe ata u transportuan në Lindje në vagonat për bagëti. I zvarritën ashtu më shumë se një muaj dhe nuk i ushqyen. Rreth gjysma e tyre vdiqën nga tifoja dhe uria. I varrosnin menjëherë aty afër, pranë hekurudhës. Ata që mbijetuan, i vendosën në një kamp afër Ufës, ku edhe kanë qenë deri në vitin 1956.
Më pas, ndodhi “më interesantja”. U zgjuan një herë njerëzit dhe panë se si dyert e kampit ishin të hapura, roje nuk kishte, ndërkaq nga rrethojat po hiqeshin telat gjembor! Por, askush nuk shkoi askund, sepse nuk kishin ku të shkonin, ishin mësuar me shtëpizat e kampit dhe kampi u ishte bërë shtëpia e dytë. Atëherë filluan që nga aty t’i dëbojnë me dhunë për në liri, me ndihmën e ushtrisë…
Unë nuk po e trilloj këtë. Kjo është historia e shkurtë e familjes sime. Liria e dhunshme e imponuar (ashtu sikurse edhe mungesa e lirisë) është metafora e jetës sonë shoqërore. Gjatë viteve 1987-‘88, u zgjuam dhe nuk kishte tela, ndërkaq udhëheqësit na shtynin kah tregu i lirë. Dikush u nis, sikurse unë, e dikush ende qëndron dhe thotë, “Më dëgoni, unë kam lindur në shtëpizë dhe kjo është shtëpia ime!”. Te ne gjithçka bëhet nën presion: edhe liria na jepet nën presion, po ashtu edhe mungesa e lirisë…
Aktorët e panjohur
Radio Evropa e Lirë: Cilët aktorë janë të angazhuar në film? Me sa kuptoj, në fazën përgatitore nënkuptohej që në film të marrë pjesë të paktën një “yll” evropian.
Yuri Arabov: Nuk ka aty kurrfarë yjesh, të gjithë janë të panjohur dhe shumë pjesëmarrës nuk janë fare aktorë. Polina Lisk, e cila luan rolin e Katjas, ka pasur vetëm një film. Për rolin e Valbonës, shoqes së saj, më propozuan një aktore të popullarizuar vendase, por ajo nuk krijonte çiftin me Polinën. Më duhej një kontrast. E thënë në mënyrë të vrazhdë, Polina duhej të ishte “ajri” dhe ne për të kërkonim “tokën”.
Ajo “tokë” u gjet. Në provat për rolin e radhës së dytë erdhi aktorja më pak e njohur, Loredana Gjeci, një person shumë i talentuar, me arsimim të aktrimit, por pa përvojë në film. Më duket se atëherë punonte në një bar. Unë bisedova me të “për asgjë” (dhe kjo është mënyra më e dashur e bisedimit me aktorë) dhe shkëmbyem shikimet me xhiruesin dhe regjisorin tjetër… Të dy më pohuan me kokë, u kuptuam pa fjalë. Valbona ishte gjetur! Ajo në fakt ishte ajo “toka”, që do ta varroste Katjen tonë. Producentët, në fillim, shprehën në mënyrë aktive mospajtim. Por, unë ia shfaqa provat Sokurovit dhe ai më shkroi nga Petersburgu: “Mos dysho”. Mendimit të “mjeshtrit” askush nuk mund t’i kundërvihej.
Ka pasur probleme me figurën e Enver Hoxhës, sepse çdo shqiptar e njeh udhëheqësin dhe kjo është keq. Fillimisht, menduam për grim plastik, por është më pak elegant. Kam shikuar gjatë dhe kuptova që për shkak të kësaj maske më duhej të ndryshoja të gjithë konceptin e filmit. Më në fund hoqëm dorë nga grimi. Aktori Neritan Liçaj, i cili e luan këtë rol, vendosi nën faqe tamponë të pambukut, që fytyra t’i dukej më e rrumbullakët. Edhe pala shqiptare e pranoi një Hoxhë të tillë. Me siguri që ngjante fizikisht me të, ashtu sikurse edhe në kuptimin e përmbajtjes së brendshme.
Çdo ditë e xhirimit sikur tërmeti
Radio Evropa e Lirë: Si u zhvillua xhirimi?
Yuri Arabov: Xhirimi, në njëfarë mënyre, është si lufta. Është luftë kundër çrregullimeve dhe rrethanave. E në luftë duhet të jesh pa nerva. Arrita që t’i “shkyçja” nervat dhe kjo ishte mrekulli. Për shkak të tërmetit, as aktorët dhe as kostumet e tyre nuk arritën me kohë në Gjirokastër. Të themi, uniformat e rojeve të burgut i morëm nga Tirana vetëm disa minuta para xhirimit. Për fat, kostumografja Berina Kokona i qepi ato me duart e saj, në mënyrë të përkryer. Vajzat me këto uniforma dukeshin sikur kishin lindur me to. Pra, secila ditë e xhirimit ishte për ne, thënë figurativisht, sikur tërmeti.
Radio Evropa e Lirë: Në fillim, filmi e ka pasur titullin “Bashkëshortet ruse”. Pse, megjithatë u quajt “Gjirokastra”?
Yuri Arabov: Gjirokastra është qyteti, në të cilin është lindur Enver Hoxha dhe aty zhvillohet rrëfimi ynë. Është fjalë greke: Shqipëria gjendet në udhëkryqin e rrugëve evropiane, në kufi me Greqinë. Është vend i pabesueshëm, që i ka të gjitha, që nga mineralet e deri te pushimoret e nivelit ndërkombëtar. Kualiteti i ushqimit është i jashtëzakonshëm. Diçka sikur në mes të Italisë dhe Izraelit. Ndërkaq, njerëzit… në rast se më kanë toleruar, atëherë janë vërtet engjëj.
Radio Evropa e Lirë: “Gjirokastra” tingëllon sikur emërtim i tragjedisë greke!
Yuri Arabov: Kam provuar që ta xhiroj tragjedinë greke, me kulminacion dhe katarzë: kulminacioni është skena në automjetin për të burgosurit; katarza është ekzekutimi i Valbonës.
“Liritë qytetare mbeten vlerat kryesore shoqërore”
Radio Evropa e Lirë: A keni ide tjera për regji?
Yuri Arabov: Në vitet e mia është jomodeste të kesh çfarëdo ideje… Por, megjithatë, kam. Pas “Gjirokastrës”, dua të xhiroj diçka të thjeshtë… Për shembull, “Komedinë hyjnore” të Dantes. Ky do të ishte monument i mirë mbi varrin tim.
Radio Evropa e Lirë: Pyetja e fundit: Çfarë dëshironi më së shumti t’i thoni botës?
Yuri Arabov: Që Zoti nuk është budalla dhe se askush nuk mund t’i heqë “abstraksionet” mbi të cilat qëndron bota jonë – e mira dhe e keqja. Liritë qytetare mbesin vlerat kryesore shoqërore, por ato janë shkatërruese kur nuk e përfshijnë përgjegjësinë personale. Përgjegjësia personale gjithmonë matet me “shprehje abstrakte” të së mirës dhe së keqes. Fjalët e mia tingëllojnë banale në nivelin e bisedimit. Por, arti e ka gjuhën komplekse të “lakimit” dhe mund të niset “nga e kundërta” , në mënyrë që edhe një herë ta theksojë më të rëndësishmen. Dëshiroj që kësaj t’ia përkushtoj vitet e fundit të jetës sime.
Komentet