19 Dhjetor 2023
Me iniciativē te Our Lady Of Albanians Catholic Church – Kisha Katolike Zoja Pajtore dhe Kishes së Shen Palit, mbrëmë, më 18 Nëntor 2023, në sallën e Qendrës Kulturore Nënë Tereza në Michigan, u shfaq me sukses filmi dokumentar “FLUTURAT” i regjizorit të mirënjohur shqiptar, Bujar Alimani.
Shfaqja e këtij filmi ishte shpallur për disa javë me rradhë ne rrjetet sociale, dhe filmi u ndoq nga disa dhjetra shikues.
Hapjen dhe prezantimin e filmit e bëri drejtuesi i departamentit të kulturës të kësaj Qendre, z. Valentin Lumaj, i tha se në këtë qendër po fillon kjo traditë e re e shfaqjes së filmave me tematika edukative. Ai tha se ky film i dedikohet kalvarit të vuajtjeve të 21 grave dhe vajzave në kampin e internimit Gradishtë, që i sherben kulturës qytetare dhe ndërgjegjes tonë qe të mos harrojmë por të kujtojmë krimet e komunizmit, në mënyrë që historia të mos përsëritet.
Më pas ai prezantoi regjizorin e filmit Bujar Alimani, i cili kishte udhetuar nga new York-u enkas per kete aktivitet. Z. Alimani në fjalën e tij falenderoi pjesëmarrësit dhe tha se Ishte i lumtur që mbas shfaqjes në disa shtete të Amerikës, filmi tij po shfaqej si herë e parë edhe në Michigan, ndoshta me jo shume njerez por me dashuri te madhe.
Dom Ndue Gjergji falenderoi regjisorin Alimani dhe tha se kjo është një temë e pakalueshme dhe me vlera për me perkujtue vuajtjet dhe mundimet e njerëzve që ndodhën jo aq larg. Ky film është shume i qëlluar dhe dhashtë Zoti të mësojmë prej kso veprash, qoftë libra romane apo filma dokumentarë që të mos i harrojmë vuajtjet e njerëzve, të cilet janë ty herë të denuem, një herë nga regjimi dhe e dyta herë harresa…dhe dhashtë zoti që vuajtjet e tyne të sjellin paqë, dashni, mirëqenje dhe përparim për kombin tonë”.
Filmi zgjati rreth 90 minuta. Shikuesit ndoqën skena dhe dëshmi të dhimbshme nga historitë e patreguara më parë nga kampet e internimit të cilat përcollën ndjeshmëri në sallë.
Mbas filmit dokumentar, u zhvillua një bashkëbisedim me regjizorin Alimani. Diskutantët, të gjithë vuajtës dhe të persekutuar nga regjimi komunist sollën kujtimet e tyre.
Ndoc Lumaj, nga Bajza e Kastratit, tha se qysh në moshë fëminore kishte përjetue vuajtjet e kampeve të internimit dhe të gjitha ato që paraqiten në film i kishte përjetue ai vetë dhe familja e tij. Kujtimet e tij u shoqëruan me emocione të forta nga ana e tij që e detyruan të nderpriste fjalën.
Gjergji Vuktilaj nga fshati Vermosh, shfaqi kritikën e tij për fillimin e filmit me imazhet e shtetit dictatorial por i pëlqeu filmi dhe sidomos fundi i tij me realizimin e andrrave të këtyrë zonjave në Amerikë dhe Kanada. Ai tha se familja e tij ka qenë e persekutuar, e vjedhur dhe e plaçkitur nga regjimi duke ia mohuar edhe atij vetë shkollimin dhe të drejtat njerëzore.
Huana Kurti nga Shkodra, shfaqi mirënjohjen për punën e shkëlqyer të Bujar Alimanit dhe mezi kishin pritur ta shikonin këtë film. Huana mes lotësh tregoi momente nga perndjekjet dhe persekutimi që ajo vetë dhe familja e saj kishin kaluar nga regjimi, momente të cilat prekën të pranishmit. Edhe bashkëshorti i saj Leka Kurti, i lindur në kampet e internimit tregoi sagën e vujatjeve të familjes së tij në diktaturë, dhe propozoi që filmi mundësisht të shfaqej edhe në Shkodër. Huana dhe Leka i dhuruan Qendres Kulturore Nënë Tereza dhe regjizorit Bujar Alimani librin Valbona të shkruar nga biri i tyre Kolë Kurti.
Prel Martin Popaj , bir i një familje e persekutuar nga Malësia e Madhe, tha se ishte i prekur nga ky film i jashtëzakonshëm dhe theksoi se duhet që të realizoheshin kushtet teknike që filmi të shfaqej në skena dhe kinema prestigjose shqiptare apo edhe rrjete televizive nderkombëtare që të kenë mundësi të ndjekin miliona shqiptarë.
Irena Kuka Dragoti nga Lushnja me bashkëshortin e saj shprehën mirënjohjen e tyre për regjizorin Alimani dhe qendrën kulturorë për shfaqjen e këtij filmi dhe se filmi e tejkalonte pritshmërinë e tyre për nga realizimi dhe ndjeshmëria. Ajo tha se ishte e impresionuar nga dëshmitë e zonjave në film të cilat nuk përçonin urrejtje apo mllef por vetëm dashuri dhe paqe.
Regjizori Alimani ju përgjigj me qetësi të gjitha pyetjeve. Ai theksoi se se nëpërmjet filmit ai kishte pasur si qëllim ruajtjen e kujtesës kombëtare për të kaluarën e shqiptarëve, dhe tani nëpërmjet mirësisë që përçojnë këto gra të mbijetuara nga kampet e internimit, tani “Flutura” të lira, të transmetonte mesazhin e paqes dhe të dashurisë dhe jo të urrejtjes për njeri – tjetrin Ai tha se është në process të realizimit të një dokumentari të dytë me dëshmitë e prindërve në moshë të thyer të këtyrë zonjave dhe një dokumentri tjetër në lidhje me persekutimin e klerit katolik në Shqipëri.
Vlen të theksohet se audienca e këtij filmi përbëhej plotësisht nga anëtarë të familjeve të internuara, te burgosura dhe me familjarë të vrarë nga regjimi komunist, të cilët e vlerësuan filmin maksimalisht.
Aktiviteti u mbyll me shtrëngime duarsh, përqafime dhe fotografi.
Filmi u përcoll në kohë reale nga Albanian Community TV ACTV.