PRISHTINË – Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar sot fushatën për legalizimin e armëve, një procesi cili filloi më 17 dhjetor dhe do të zgjas deri më 17 qershor të vitit 2019. Fushata mbështetet nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me Qeverinë e Gjermanisë.
Zëvendësministri i Brendëshëm i Kosovës, njëherësh koordinator i Strategjisë për kontrollimin e armëve të vogla dhe të eksplozivëve, Izmi Zeka, deklaroi se kjo është hera e parë që në Kosovë legalizohen armët, numri i të cilëve vlerësohet në 200 mijë. Ai u bëri thirrje qyetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi të dorëzojnë ose legalizojnë armët, pasi siç tha, prania e pakontrolluar e armëve është një rrezik i madh për jetën e qytetarëve.
“Këtë vit, Republika e Kosovës në bashëkpunim të ngushtë me UNDP-në dhe partnerët ndërkombëtarë ka bërë përparim të dukshëm në fushën e armëve të vogla dhe të lehta. Progres i dukshëm është bërë në kornizën institucionale dhe legjislative si dhe te zhvillimi i kapaciteteve. Përkundër përparimit në luftën kundër abuzimit me armët dhe tregtisë së paligjshme, mbetet shqetësimi për sigurinë publike të Republikës sonë dhe rajonit”, tha Zeka.
Policia e Kosovës tha Zeka, nga viti 2008 ka sekuestruar rreth 14 mijë armë, dhe ka shkatërruar 10 mijë sosh, me çka armët ilegale janë ulur me 34 për qind.
Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, nga ana e tij tha se policia është pjesë e mekanizmit për legalizimin e armëve, për çka tha se janë mobilizuar të gjitha struktrat brenda policisë për të zbatuar detyrimet ligjore për dorëzimin dhe legalizimin e armëve.
Ai tha se qytetarët do të mund të paraqiten në stacionin më të afërt policor ku do të pranohen nga persona të specializuar për këtë proces.
“Këtë vit kemi pasur 31 vrasje, këto janë krime të kryera me armë zjarri, dhe për këtë arsye duam që efektet e kësaj fushate apo të këtij ligji, të zvogëlojnë krimet, të zvogëlojnë vrasjet që janë një nga krimet më serioze me të cilat përballemi”, tha Shillova. aa
Komentet