Ky studim i Prof. Androkli Kostallarit, i kryer në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, vjen për herë të parë i plotë në DITA pas gjysmë shekulli.
Të paktë janë udhëheqësit e luftërave çlirimtare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjerë e jetëgjatë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Gjergj Kastrioti gjatë këtyre 500 vjetëve. Në bibliografinë e botuar nga G. Petroviçi më 1881 shënoheshin 185 vepra historike e krijime letrare për Skënderbeun. Por kjo bibliografi, e cila përfshinte vetëm një pjesë të botimeve të bëra kryesisht në gjuhët e Evropës Perëndimore, sot është tejkaluar shumë. Bibliografia e re që po botohet në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit, përmban mbi 1000 vepra në 21 gjuhë, ndër të tjera, edhe në Esperanto. Ajo i zgjeron kështu shumë si numrin e gjuhëve e gjinitë e botimeve, ashtu edhe gjeografinë e tyre. Të dhënat që kemi lejojnë, gjithashtu, të shpresohet se në një të ardhme jo të largët kjo bibliografi do të bëhet edhe më e pasur nga zbulimet e reja. Dhjetëra e dhjetëra punime shkencore e krijime të reja letrare po i shtohen asaj edhe në ditët tona.
Megjithëkëtë, studimet rreth pasqyrimit të Skënderbeut dhe të epokës së tij në letërsinë botërore, të cilat kanë filluar që në shekullin e kaluar, ndodhen ende në hapat e parë. Një pjesë e madhe e veprave që njihen, nuk janë bërë ende objekt analizash të thelluara, as të vështruara në vetvete, as në plan të krahasuar, ndërsa punimet përgjithësuese, sintetizuese mungojnë fare. Është e vërtetë se në shekullin tonë studimet e këtij lloji janë gjallëruar mjaft jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Por, sidoqoftë, këto studime kanë mbetur prapa në krahasim me kërkimet e zbulimet bibliografike si edhe me vetë studimet e mirëfillta historike.
Kështu, mund të themi pa e tepruar se sot në fushën e studimeve skënderbejane problemi Gjergj Kastrioti dhe letërsia botërore është një nga më të rëndësishmit e më aktualët. Sqarimi i aspekteve të ndryshme të këtij problemi do të ndihmonte që të kuptohej më thellë madhështia e veprës së heroit dhe e epokës së tij në planin ideor, moral, roli i rëndësishëm ndërkombëtar i luftës që bëri populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe shkaqet e gjallërisë së pavenitshme të kësaj figure të madhe historike. Pa dyshim, trajtimi i hollësishëm e i gjithanshëm i këtyre aspekteve do të ishte detyrë e monografive të veçanta, të ndërtuara sipas kriterit kohësor, historiko-gjeografik, tematik ose gjinor. Në këtë studim ne do të japim përmbledhtas vetëm vijën themelore të evolucionit që ka pësuar trajtimi i figurës së Gjergj Kastriotit në letërsinë botërore, duke u përpjekur të tregojmë disa nga veçoritë kryesore të këtij procesi sa të ndërlikuar e të larmishëm, aq edhe origjinal e ndofta unikal, në historinë politike e letrare të Evropës.
* **
Gjergj Kastrioti detyroi të gjithë shekujt të flasin për të. Dhe çdo shekull, çdo epokë ka folur me zërin e saj, sepse me syrin e saj ka zbuluar tek ai diçka të re.
Ky zë i veçantë i epokave u pasqyrua në dy grupe kryesore botimesh për Skënderbeun. Në njërën anë qëndrojnë veprat me karakter të mirëfilltë historik, ku bëhen përpjekje për të ndërtuar e saktësuar më tej biografinë e heroit në kuadrin e ngjarjeve të epokës së tij, për të përcaktuar rolin e luftës së pamposhtur njëzetepesëvjeçare të shqiptarëve në periudhën e një kthese të tillë të madhe siç ishte për fatet e Evropës shek. XV. Nga ana tjetër qëndrojnë veprat që kanë si qëllim thelbësor jo zbulimin e fakteve historike e rindërtimin sa më të dokumentuar të ngjarjeve, por trajtimin e figurës së Skënderbeut për qëllime të caktuara politiko-publicistike, filozofike e edukuese-didaktike, si edhe për krijime letrare-artistike të gjinive më të ndryshme. Veprat e të dy grupeve përshkohen tejendanë nga synime të caktuara politike, nga ideologjia e epokave dhe e klasave të cilave u përkasin autorët e tyre. Kufijtë e tipareve dalluese midis veprave të këtyre grupeve nuk janë kurdoherë të qartë. Shpeshherë, këto vepra ushqejnë njëra-tjetrën, kalojnë në njëra-tjetrën. Ka raste, bile, kur në të njëjtën vepër bashkohen tipare të dyfishta – edhe shkencore-historike, edhe filozofiko-publicistike e letrare. Të gjitha këto veçori të përmbajtjes e të formës së letërsisë botërore mbi Gjergj Kastriotin, moria e veprave e shumëllojësia e tyre, ripërtëritja e vazhdueshme e temës, evolucioni i saj gjatë pesë shekujve e kanë burimin e parë tek vetë karakteri i shumanshëm i personalitetit të tij dhe tek epoka historike që e krijoi atë. Në fund të fundit, të gjitha këto veçori gjejnë një shpjegim të njëjtë historiko-shoqëror.
Skënderbeu jetoi dhe veproi në shekullin e parë të Rilindjes evropiane, të përmbysjes më të madhe përparimtare që kishte pasur njerëzimi deri në atë kohë, në një epokë të tillë, e cila, siç thotë Engelsi, “kishte nevojë për titanë – dhe lindi titanë nga fuqia e mendimit, e pasionit dhe e karakterit…”. Skënderbeu, si figurë historike, nuk mund të kuptohet jashtë radhëve të këtyre titanëve. Atë që humanistët e shquar të Rilindjes e predikonin me zjarr – lirinë e njeriut e të atdheut, besimin në forcat krijuese të popullit, në arsyen, optimizmin e besimin në të ardhmen, zgjimin e vetëdijes kombëtare – Skënderbeu jo vetëm e predikoi, por e vuri në jetë. Për këto ide të mëdha ai ngriti në këmbë një popull të tërë dhe ia lehtësoi frymëmarrjen Rilindjes evropiane. Ai u bë kështu një titan shqiptar i Rilindjes që, vërtet, nuk la traktate të shkruara latinisht, por shkroi me gjak një vepër të gjallë madhështore, tek e cila kërkuan e gjetën frymëzim jo vetëm shekulli i tij, por edhe shekujt e ardhshëm. Vetëm kështu mund të shpjegohet përse kjo figurë, me ndërrimin e epokave nuk shuhet, por ndriçon përsëri me një dritë të re, përse letërsia e këtyre pesëqind vjetëve i drejtohet kësaj figure, ka nevojë për të dhe zbulon tek ajo vlera të reja.
E tërë kjo letërsi – historike, folklorike e artistike – ushqehet, para së gjithash, nga një burim i drejtpërdrejtë shqiptar – nga monografia e humanistit tonë Marin Barleti. Dhe kjo nuk është e rastit: Skënderbeu i takon shekullit më gjallërues të humanizmit dhe figura e tij si njeri, si udhëheqës e luftëtar mund të kuptohej e të ngrihej lart, në radhë të parë, nga humanistët. Por vetë vepra shkencore-letrare e Barletit dhe të tjerat përpara dhe pas tij janë ushqyer e kanë marrë fuqi nga vepra e gjallë e Skënderbeut dhe kanë lulëzuar në truallin pjellor të luftërave që janë zhvilluar gjatë shekujve në vende të ndryshme të Evropës jo vetëm për çlirimin e mbrojtjen e popujve nga pushtuesit osmanë, por edhe për çlirimin e njeriut.
Letërsia me karakter thjesht historik, siç dihet, përfshin monografi e traktate të përgjithshme historike ku shtjellohet, analizohet e vlerësohet jeta dhe vepra e Skënderbeut. Kjo letërsi përfaqësohet nga studimet e shumë humanistëve të njohur të shek. XV–XVI, siç janë Françesk Filelfi, Anton Sabeliko, Çepiko, Pal Jovi, Xhovani Pentano, Rafael Volaterrani, Françesko Sansovino, Johan Piniciani, Loniceri, Kaspar Hedi, Martin Bjelski etj., si edhe të studiuesve të shekujve të mëvonshëm nga shumë vende të Evropës, si Gjergj Bartoldi-Pontanus, Riçard Noles (Knolles), Zhan Dyponse, Eduard Gibboni, Daniel Farlati, Jozef Hammer-Purgshtal, Johan Cinkajzeni, Jakob Filip, Falmerajeri, Karl Hopfi, Johan Georg Hani, Vikent Makushevi, Ludvig Pastori, Julius Pisko, Nikolla Jorga etj. Këto studime janë thelluar e specializuar edhe më shumë në shekullin tonë nga Noli, Marineskoja, Monti, Kutoloja, Babingeri, Pali, Inalçiku, Tirieja etj. e, në mënyrë të veçantë, nga historianët tanë në këta njëzet vjetët e fundit. E gjithë kjo letërsi është bërë objekt shqyrtimi më se një herë, por studime tërësore kritike mbi të ende nuk ka. Një vlerësim i përmbledhur i është bërë asaj sidomos nga Fan Noli në veprën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, botuar anglisht më 1947.
Nxitja themelore e këtyre veprave, sidomos të shek. XV–XVII, ka qenë, në fund të fundit, përpjekja e popujve të Evropës Perëndimore, Qendrore e Lindore për t’u mbrojtur nga rreziku otoman, që kërcënonte drejtpërsëdrejti gjithë zhvillimin evropian, kulturën shumëshekullore të popujve evropianë, e cila nuk mund të njëjtësohet në asnjë mënyrë me krishterimin. Këtë synim e shpreh shumë qartë humanisti Kasper Hedi në parathënien e botimit të dytë të Barletit, që doli pikërisht në një nga fazat më aktive të këtij rreziku. Hedi i vë vetes si detyrë që, me anë të Historisë së Skënderbeut t’i shtyjë princat evropianë që “pas shembullit të Skënderbeut, të fillojnë më në fund të mendojnë seriozisht me çfarë planesh t’i bëhet ballë një armiku aq mizor…, i cili… po i shtrin gjithmonë kufijtë e sundimit të tij, ose, që ta themi më drejt, të tiranisë së tij”. “Në kohën e Skënderbeut, – thekson Hedi, – të gjithë së bashku përsëritnin njëzëri emrin e ëmbël të lirisë; zemrat e njerëzve, të lartësuara nga ky emër si nga zëri i trumbetës, përpiqeshin ta mbronin lirinë, luftonin për të njëlloj si për altarët dhe vatrat e veta. Sigurisht, në qoftë se ne vetë nuk na bashkojnë të këqijat që na kanosen… për t’u ngritur kundër një armiku kaq të madh…, kam frikë se brenda një kohe të shkurtër do t’i shkruajmë një epitaf lirisë”. Hedi i dënon përçarjet feudale që brenin forcën e qëndresës kundër invazionit të huaj dhe i quan një turp për princat evropianë. Rrugën e shpëtimit ai e sheh në një bashkim të tillë, si ai që u bë në Shqipëri nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kështu, pa e thënë drejtpërsëdrejti, ai e ngre figurën e Skënderbeut mbi gjithë princat evropianë të kohës së vet. Kjo kundërvënie çel rrugë dhe bëhet ide themelore e letërsisë historike e johistorike mbi Skënderbeun. Mbi sfondin e Evropës që grindej, figura e Gjergj Kastriotit vjen e rritet nga shekulli në shekull dhe objektivisht bëhet një akuzë e rëndë për gjithë politikën e shteteve feudale evropiane. Pikërisht si një akuzë e tillë tingëllojnë objektivisht fjalët që historiani e shkrimtari më i madh rus i fundit të shek. XVIII – fillimi i shek. XIX, Nikollaj Karamzini, shkruante me zemërim në veprën e tij dymbëdhjetëvëllimëshe: “Të tmerruar nga fitoret e Muratit e të Mehmetit II, sunduesit perëndimorë dridheshin, por nuk vepronin. Heroi i Shqipërisë, i famshmi Skënderbej, u dha atyre shembullin e shpirtmadhësisë; vetëm me një grusht njerëzish ai zmbrapsi ushtritë e panumërta të sulltanëve. Por më kot: sunduesit evropianë jo vetëm ishin të paaftë të imitonin atë, por me paturpësinë më të madhe e bënë të merrte pjesë edhe në përleshjet që kishin ndërmjet tyre…”
Këto ide, si thirrje luftarake, kanë përshkuar pjesën më të madhe të letërsisë historike për Skënderbeun edhe në shekujt e mëvonshëm e, në mënyrë të veçantë, në shek. XIX, kur në Ballkan shpërthyen lëvizjet e mëdha popullore për çlirimin kombëtar. Por krahas këtyre veprave, ka pasur edhe një letërsi historike që ka ndjekur qëllime të tjera. Të nisur nga interesa e qëllime të kundërta me interesat jetësorë të popullit shqiptar e të Shqipërisë ose nga qëndrime ideologjike e politike të mbrojtjes aë perandorive, “burgjeve të popujve”, një varg historianësh janë përpjekur me të gjitha mjetet – shkencore e pseudoshkencore – ta shkurorëzojnë veprën e Skënderbeut. Dhe për ta bërë këtë, ata kanë goditur në radhë të parë Barletin. Kanë arritur deri atje sa të lënë mënjanë edhe faktet më të pamohueshme e ta quajnë veprën e Barletit një libër “të rremë”, plot “me përralla”etj. Kështu kanë vepruar, p.sh., Spondanusi (Henri de Sponde), Gibboni, Foigti, Makushevi, Jastrebovi e të tjerë. Por të gjitha përpjekjet për të rindërtuar një jetëshkrim të Skënderbeut mbi një bazë kundërbarletiane kanë dështuar plotësisht. Siç është theksuar me të drejtë nga studiuesit objektivë të Barletit, “patriotët shqiptarë, bashkëkohës e dëshmitarë të luftës heroike e vetëmohuese të Skënderbeut… e kishin vështirë të mos e lavdëronin udhëheqësin e strategun e tyre, lavdia e të cilit ushtonte në gjithë Evropën…; megjithatë prirja panegjeriste e burimeve shqiptare të biografisë së Skënderbeut, në radhë të parë e Barletit, ka futur në biografinë e heroit popullor të Shqipërisë shumë më pak shtesa e shtrembërime sesa kanë futur përpjekjet shumëvjeçare e këmbëngulëse të atyre që kanë dashur “të demaskojnë” Barletin…” Duhet thënë se, në thelb, ajo që i ka bërë të dështojnë këto përpjekje, nuk është monografia e Barletit, me stilin e saj të gjallë e të ngjeshur, me logjikën e saj humaniste, por është vetë vepra e Skënderbeut, e cila e bëri edhe Barletin të rrojë e të ripërtërihet në shekuj.
Pra, me gjithë karakterin dhe qëllimet e tyre, në fund të fundit, të gjitha këto vepra historike, në mënyrë të shprehur ose të pashprehur, me dashje a pa dashje, e kanë njohur Skënderbeun si një personalitet të madh historik dhe e kanë popullarizuar nga një shekull në tjetrin figurën e tij, bile edhe atëherë kur janë përpjekur ta ulin rolin e tij. Këto traktate e monografi janë bërë një burim themelor për gjithë letërsinë tjetër me karakter filozofiko-publicistik e artistik.
* **
Edhe për këtë letërsi burimi kryesor letrar ka qenë Barleti. Por, në këtë fushë, letërsia botërore është ushqyer kryesisht jo vetëm drejtpërsëdrejti nga Barleti dhe ribotimet e tij të shumta në gjuhët më të mëdha të Evropës, por edhe nga dy vepra që kanë shërbyer vazhdimisht si qendra rrezatimi të fakteve dhe të mendimeve të tij. Njëra nga këto dy vepra u botua në Evropën Perëndimore – Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, e Zhak Lavardenit, botuar në Paris më 1576 dhe një në Evropën Lindore – Kronika ose historia e botës, e humanistit polak Martin Bjelskit. Tiparet e veçanta të këtyre dy veprave kanë bërë që edhe ndikimi i tyre mbi letërsinë që është mbështetur tek ato, të mos ketë karakter të njëjtë. Vepra e aristokratit Lavarden mbështetet vetëm te Barleti dhe është mbrujtur me idetë e mbrojtësit dhe të mburrësit të monarkisë absolute, kurse ajo e Martin Bjelskit, i cili në kohën e vet quhej si një Luter i dytë – ndryshe nga veprat e Barletit, të Volaterranit, Pikolominit e Pal Jovit, prej të cilëve ka nxjerrë kryesisht të dhënat – përshkohet nga një frymë e fuqishme antiklerikale. Për veprën e tij peshkopët katolikë thoshnin: “Latet anguis in erba” (në bar fshihet gjarpri). Pikërisht për këtë arsye, me urdhër të papës, kjo vepër u fut në listën e veprave të ndaluara, së bashku me Kopernikun e të tjerë.
Duke kaluar nga historianët te filozofët e publicistët, trajtimi i figurës së Skënderbeut pëson një evolucion të ndjeshëm. Ky kalim ishte në të vërtetë një kapërcim nga trualli i humanizmit të shek. XV–XVI në atë të ndriçimit (iluminizmit) të shek. XVII–XVIII. Siç dihet, humanizmi si rrymë përparimtare në kulturën e hershme borgjeze të Evropës Perëndimore, nuk ishte diçka kompakte, unike e tërësore, por ishte një fenomen shumë e ndërlikuar, që përfshinte një varg rrymash ideore e kulturore të ndryshme e bile kontradiktore. Në këtë veçori të humanizmit pasqyrohet lufta e ashpër shoqërore e shek. XIV–XVI. Nga njëra anë, u zhvillua rryma më përparimtare, radikale, që në disa raste i kapërcen caqet ideologjike të humanizmit. Këtë rrymë e përfaqësuan themeluesit e socializmit utopik, Tomas Mori e Tomazo Kampanela, si edhe humanistë demokratë të tillë, si Fransua Rabëleja, Sebastian Franku e të tjerë. Por pjesa më e madhe e humanistëve iu kundërvu kësaj rryme. Si ideologë të borgjezisë së epokës së grumbullimit fillestar, këta humanistë u ngritën kundër ideologjisë feudale mesjetare, kundër diktaturës shpirtërore të kishës e botëkuptimit asketik dhe i kënduan bukurisë së natyrës, thesarit të pashtershëm të forcave shpirtërore të njeriut, aftësisë së tij krijuese e vetëvepruese, atdhedashurisë e gjuhës amtare. Por, të frikësuar nga rritja e lëvizjes popullore, ata qëndruan në pozita të moderuara, e kufizuan veprimtarinë e tyre në rrethet e ngushta, të “zgjedhura” të aristokracisë e të qytetarëve të pasur dhe, në fund të fundit, hoqën dorë nga programi i tyre politik antifeudal. Në vend të aristokracisë së vjetër mesjetare ata luftuan për një aristokraci të re – për aristokracinë e parave dhe për aristokracinë e mendjes dhe të kulturës. Lufta kundër diktaturës mesjetare të papatit nuk i çoi ata në shkëputjen nga kisha, në pozita antiklerikale. Përkundrazi. Në vend të kishave feudale ata ngritën kishat e krishtera borgjeze. Historianët evropianë, që trajtuan figurën e Skënderbeut në shek. XV–XVII, i përkasin pikërisht kësaj rryme të dytë të humanizmit. Kjo shpjegon përse Skënderbeu në këto vepra del si një figurë e ndarë më dysh, e bigëzuar – më njërën anë, si një personalitet i fuqishëm, vetëveprues, i ushqyer nga përkrahja e guximi i masave popullore, i frymëzuar nga ideja e zjarrtë e lirisë, e mbrojtjes së vendlindjes dhe, nga ana tjetër, si një Athleta Christi, si një luftëtar për besën, që bën kërdinë mbi të pabesët me ndihmën e Zotit. Kështu shpjegohet edhe përse në veprat e humanistëve evropianë të shek. XV–XVI Skënderbeu del gjithnjë si një hero i fuqishëm që ngrihet mbi popullin, i adhuruar prej tij si një gjysmëperëndi, ndërsa masat popullore që luftojnë, nuk dalin me fizionominë e tyre të qartë, por mbeten më tepër në një sfond pasiv e amorf. Paraqitja e Skënderbeut prej humanistëve si hero ideal që lufton për një pushtet të fuqishëm, e ka burimin te konceptet e ideologut humanist të borgjezisë Nikolo Makiavelit, i cili përpunoi teorinë e një shteti të bashkuar e të fuqishëm kombëtar, nën sundimin e një monarku me pushtet të fortë, që zotëron “cilësitë e luanit e të dhelprës” e që mund t’i garantojë borgjezisë pasurimin e saj të pandalshëm. Edhe lënia në heshtje e luftës së masave është ushqyer po nga ajo ideologji, që shprehte jo vetëm frikën nga masat, por edhe urrejtjen ndaj tyre. Siç dihet, bashkëkohësi i Makiavelit, Guiçardini, thoshte se “populli është një përbindësh”, ndërsa Erazm Roterdamasi e quante popullin “bishë me shumë kokë”. Por, megjithëkëtë, në thelb, humanistët e krahut aristokratik nuk e thyen dot figurën e vërtetë historike të Skënderbeut si udhëheqës popullor, nuk mundën t’ua fshehin këtë jo vetëm epokave të ardhshme, por as epokës së tyre. Edhe në kohën e humanizmit figura e Skënderbeut fitoi popullaritet në masat më të gjera, të cilat panë tek ai antitezën e sundimtarit absolut, unitetin e komandantit e të ushtarit dhe njëkohësisht komandantin që luftoi deri në fund kundër anëve më të këqija të individualizmit borgjez, që predikonin humanistët – kundër gënjeshtrës e hipokrizisë, degjenerimit e korrupsionit, kundër etjes për pasurimin vetjak me çdo mjet, sado amoral qoftë.
Pikërisht këto anë demokratike, antiabsolutiste të heroit trajtuan dhe vlerësuan më shumë ndriçimtarët (iluministët) e shekujve të ardhshëm, të cilët ishin ideologët e borgjezisë së re përparimtare të Evropës Perëndimore në periudhën e përgatitjes e të shpërthimit të revolucioneve borgjeze të shek. XVII–XVIII. Ata panë te heroi shqiptar një njësi organike të fjalës e të veprës, të luftëtarit trim të hapët e bujar për lirinë e të udhëheqësit popullor me ndjenja të thella njerëzore, një sintezë të virtyteve më të mira të botës antike e të botës së re që po lindte, një mbrojtës jo vetëm të vlerave kulturore të së kaluarës, por edhe të vlerave të reja të krijuara që nga Rilindja. Duke depërtuar me një mprehtësi të rrallë në kontradiktat e Skënderbeut me hipokrizinë dhe koprracinë e papëve, ata vërejtën tek ai edhe një luftëtar kundër antiklerikal. Mbi të gjitha, në përputhje me idealin e tyre për vendosjen e “mbretërisë së arsyes”, ata e trajtuan Skënderbeun si një mishërim organik të arsyes e të shpatës, ku e dyta i nënshtrohet së parës. Kështu, ata i veshën atij cilësitë e monarkut të ndriçuar dhe idetë e epokës së tyre, duke ia kundërvënë këtë figurë si një ideal i mirë i botës feudale-klerikale mesjetare.
Në radhë të parë ndriçimtarët, të mahnitur, u përpoqën t’i gjenin një shpjegim lindjes së kësaj figure vigane. Por konceptet idealiste të tyre i çuan ata ta kërkonin këtë shpjegim jo aq në historinë heroike të popullit shqiptar e te faktorët historiko-shoqërore, sa te faktor të tjerë. Ideologu i madh i iluminizmit frëng, Volteri, në veprën e tij historiko-filozofike Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve (1756), duke vënë në dukje heroizmin e pashembullt të popullit shqiptar në luftën kundër pushtuesve osmanë, thekson se “sikur perandorët grekë (bizantinë) të ishin si Skënderbeu, perandoria e Lindjes do të kishte qëndruar më këmbë”. Si dy faktorë kryesorë që siguruan fitoret e Skënderbeut, Volteri përmend faktin që shqiptarët janë një racë luftëtarësh dhe që Shqipëria është një vend malor. Ai e shpjegon kështu në thelb veprën e Skënderbeut me faktorë fiziologjiko-psikologjikë dhe gjeografikë. Ky shpjegim na kujton konceptin e kronistit turk të fillimit të shek. XVI, Idrisi Bitlisit, i cili, i mahnitur nga pathyeshmëria e shqiptarëve, e kërkoi dhe e gjeti shkakun e saj te toka dhe tek ujët e Shqipërisë. “Ata që janë marrë me studimin e natyrës së vendeve e të qyteteve e të karakterit të njerëzve, – thotë Bitlisi, – dhe që e kanë të qartë edhe kuptimin e fjalës së urtë që thotë se çdo gjë u krijua nga toka dhe i përket tokës, e dinë se përbërja dhe ndërtimi i qenies njerëzore e ka bazën në tokë. Gjithashtu, edhe karakteret e vetitë e njerëzve që banojnë në një të katërtën e këtij rruzulli, janë gatuar me dheun e tij dhe ujitur, po ashtu, me ujin e tij… Pra, pa dyshim, karakteri i popullit të çdo vendi i përshtatet vendit të tij të lindjes, i përshtatet ujit, klimës dhe natyrës së viseve të tyre, përputhet me veçoritë e ambientit nga i cili është rrethuar. Prandaj shqiptarët, meqenëse në pjesën më të madhe banojnë në vise malore, janë mbrujtur me një karakter të ashpër e të fortë, kështu që nuk i përkulen askujt në çfarëdo rrethanash qofshin…” Megjithëkëtë, shpjegimi i Volterit është një hap i madh përpara në krahasim me atë të humanistëve – ai e përjashton fare ndihmën e qiellit dhe e kërkon burimin e qëndresës vetëm në tokë, te njerëzit. Mbi të gjitha, ai nuk e sheh Skënderbeun si një fenomen individual, të jashtëzakonshëm, por si një përfaqësues të gjithë racës së tij, të vendit të tij. Kështu, Volteri e shpie më tej interesimin që kishin treguar përpara tij për Skënderbeun përfaqësuesi i filozofisë morale, Montenji, dhe poeti-ushtar, kalvinisti i flaktë, Agrippa d’Obinje.
Në pragun e Revolucionit Francez të shek. XVIII trajtimi i temës së Skënderbeut si çështje filozofiko-politike arriti shprehjen e tij më të lartë. Në këtë periudhë të lëvizjeve të gjera e të thella popullore e mendore, në Lindje e në Perëndim dalin dy vepra që patën jehonë të gjerë – Propozime filozofike e Jakov Kozelskit dhe Kastrioti i madh i Shqipërisë e Stefan Zanoviçit. Jakov Kozelski ishte një materialist rus, propagandist i flaktë i ideve të enciklopedistëve, pasues i Helvecit e i Rusoit e përkthyes i veprave të Dideroit e të Dalamberit. Në qendër të veprës së tij, që u botua në Peterburg më 1768, Kozelski vë figurën e Skënderbeut. Në lidhje me të ai shtron dy probleme kryesore. I pari është problem i luftërave të drejta e të padrejta. Luftën heroike të popullit shqiptar kundër pushtuesve otomanë nën udhëheqjen e Skënderbeut Kozelski e vështron në një plan të gjerë historiko-filozofik. Kjo luftë, për Kozelskin, është shembulli tipik i luftës së drejtë të një populli të vogël kundër një agresori të fuqishëm. Ai dënon politikën agresive e ekspansioniste të fuqive të mëdha në kurriz të shteteve të vogla, dënon luftërat pushtuese, duke kritikuar ashpër konceptet e Makiavelit mbi shtetin dhe njeriun. Nga pozita të reja përparimtare filozofike, Kozelski shtron për herë të parë në këtë vepër edhe një problem të dytë – problemin e heroit të vërtetë në histori dhe të pseudoheroit, të cilin ai e thellon më vonë në parathënien që i bën librit të Shofinit, Historia e mbretërve të famshëm dhe e gjeneralëve të mëdhenj me arsyetime rreth veprave të tyre. Për këtë ai përdor krahasimin midis Aleksandrit të Madh e Skënderbeut dhe i jep një vlerësim të ri rolit të tyre në histori. Aleksandër Maqedonasi, thekson Kozelski, nuk është e drejtë të quhet “i madh”, sepse ai nuk ka qenë “udhëheqës për veprime të dobishme”, por, përkundrazi, ka qenë pushtues i botës, “një mundës dhe grabitës i padrejtë” i popujve të tjerë të pafajshëm. Kurse Skënderbeu, për Kozelskin, është një hero i një tipi krejt tjetër. Ai është me të vërtetë i madh, hero i vërtetë i njerëzimit, sepse ka luftuar për lumturinë dhe lirinë e popullit të vet e të popujve të tjerë.
Vepra e Stefan Zanoviçit, iluministit me prejardhje dalmatine, që bëri një jetë mjaft të trazuar në qytetet e në oborret e më të mëdha të Evropës e i dha fund kësaj jete tragjike në qytetin e lirë të Amsterdamit, ka karakter të theksuar polemik. Me përmbajtjen e saj shumë aktuale e luftarake, ajo bëri bujë të madhe dhe u përkthye menjëherë në disa gjuhë. Ndikimi i saj ishte i madh edhe në letërsinë e shek. XIX. Nëpërmjet jetëshkrimit të Skënderbeut autori shtron në këtë vepër disa nga çështjet më të mprehta të filozofisë iluministe mbi rendin shtetëror dhe të drejtën, mbi sunduesit dhe popullin, mbi klerin, fenë dhe shtetin, mbi marrëdhëniet midis shteteve. Gjatë gjithë librit Skënderbeu vizatohet nga autori si një mbret i madh dhe i thjeshtë, si luftëtar i ashpër dhe njeri me kulturë të gjerë; i ndershëm me miqtë e me armiqtë, i pakorruptueshëm, me një zemër të pastër e bujare, i vendosur deri në fund “o për të fituar, o për të vdekur”. Ai quhet “zbukurimi i më i madh i shekullit të vet”. Kështu, ai shndërrohet në një përfaqësues të absolutizmit të ndritur të gjysmës së dytë të shek. XVIII në kuptimin më radikal të fjalës, në një mbret filozof, që ngrihet mbi klasat dhe është më tepër një mësues, sesa një sundues i shoqërisë. Kur të dërguarit e Venedikut u përpoqën ta shtynin Skënderbeun të prishte paqen e arritur me turqit për të mbrojtur interesat venecianë në More, Skënderbeu iu përgjigj atyre: “Shkoni e njoftoni republikën tuaj dhe aleatët tuaj se Gjergj Kastrioti lufton si një mbret dhe jo si një pirat…” dhe e karakterizon politikën e Venedikut si një veprimtari dinake tradhtarësh. Në letrën që i dërgoi Mehmetit II, ai thekson se lumturia dhe lavdia e tij janë të pandara nga mirëqenia e popullit. Pjesa ku këto koncepte iluministe pasqyrohen në mënyrën më konsekuente e të plotë, është porosia e fundit që Skënderbeu i lë të birit dhjetëvjeçar, Gjonit. Duke e përmbysur rrënjësisht versionin provenecian që jep Barleti për këtë rast, Zanoviçi vë në gojën e Skënderbeut vijat themelore të një traktati të tërë politiko-filozofik për shoqërinë dhe shtetin ideal të absolutizmit të ndritur, i cili duhet të mbështetet në aleancën e mbretërve me filozofët. Skënderbeu e këshillon të birin që të kujdeset, në radhë të parë, për drejtësinë, për një drejtësi të barabartë për të gjithë – për popullin e thjeshtë e për qeveritarin, për ushtarakun e për priftin. “Drejtësia, – thotë ai, –është themeli i të gjitha virtyteve”. Ai e porosit të mos u besojë gënjeshtrave të qeveritarëve e lajkave të oborrtarëve, por të vejë vetë në gjirin e popullit e të dëgjojë me zemër të hapur zërin e tij. “Nxirr një gazetë që të përhapet në gjithë mbretërinë, të mos ketë asnjë censurë e të botojë të gjitha padrejtësitë e dhunën që mund të bëjnë ata që qeverisin krahinat e tua, sepse miqtë e farefisi i tyre që rrinë në oborr, mund t’i fshehin… Kur të flasin keq për dikë, dëgjoje me njërin vesh, por ruaje veshin tjetër për të dëgjuar të akuzuarin… Lejo çdo nënshtetas që të të shkruajë dhe ngarko sekretarët që të përgjigjen…” Kujdesi për punonjësit shtrohet si detyrë e parë për monarkun. “Ti duhet t’i mbrosh zejtarët, si njerëzit më të dobishëm të shtetit, dhe të mos lejosh në asnjë mënyrë që ata të shtypen nga të pasurit… Mos përbuz asnjeri: edhe ai më i vogli dhe më i varfëri… mund të të sjellë dobi të madhe me këshillat dhe me guximin e tij… Mbro njerëzit e dobët e të mirë, dëno shpirtrat e vrazhdë e kryelartë.” Ai e këshillon në mënyrë të veçantë të mbrojë e të përkrahë filozofët dhe t’i bëjë këta ruajtës të drejtësisë. Zanoviçi, si përkrahës i rendit të ri borgjez, vë në gojën e Skënderbeut parullat e Revolucionit Francez për shoqërinë e re: “Liria e njeriut dhe prona e paprekshme… janë gjërat më të shenjta në botë.” Një pjesë e veçantë e porosive të Skënderbeut u kushtohet çështjeve ushtarake. “Kujdesu, – thotë Skënderbeu, – të kesh kurdoherë një ushtri të disiplinuar… dhe ushtarët e tu mos i trajto kurrë si skllevër, por si shokë.” Ai e porosit të birin që në luftë të jetë njëkohësisht gjeneral dhe ushtar. Por notat më të fuqishme në këtë vepër janë ato antiklerikale. Nëpërmjet Skënderbeut, duke vazhduar të mbetet deist, Zanoviçi demaskon me gjuhë patetike e të pamëshirshme legjendën e marrëdhënieve idilike midis Skënderbeut e papëve dhe nxjerr në shesh hipokrizinë, metodat e qëllimet djallëzore të “Jupiterit të Kapitolit” e të gjithë priftërinjve e murgjve. Këto fjalë tingëllojnë me një forcë të madhe aktuale edhe në ditët tona: “Ti do të kesh të bësh me oborrin e Romës, për të cilin unë kam qenë deri më sot përkrahës e mbrojtës. Interesat e mi më kanë detyruar t’ia përshtat politikën time atij. Rrethanat në të cilat jam ndodhur, nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet e turqve dhe pretendimet e papëve… Roma nuk është kryelartë veçse ndaj princëve të dobët e fatkeqë. Roma ma ka pasur gjithnjë frikën, prandaj gjithnjë më ka bërë lajka… Papët plasën që nuk mundën kurrë të fitonin asgjë me anë të kërcënimeve e iluzioneve të pushtetit të tyre metafizik nga një ushtar i vjetër si unë; por ata do të përpiqen të përfitojnë nga mungesa e përvojës tek ti, nga mosha jote e re, me qëllim që të të nënshtrojnë e të të futin nën sundimin e tyre. Mos harro se një nga mjetet e heshtura që përdorin ata për t’ia arritur këtij qëllimi… është rruga e rrëfyesit…”; prandaj “duhet ta dëbosh këtë si një mashtrues, bile dhe ta dënosh si të tillë… Papa s’është veçse një njeri si gjithë të tjerët, plot me pasione e dobësi; megjithëse e mban veten si të pagabueshëm dhe të njëjtë me shpirtin e shenjtë. Në qoftë se Papa përpiqet të shtojë numrin e priftërinjve e të murgjve… ose të të shtyjë të hysh në luftë për të mbrojtur çështjen e Zotit, të vraftë rrufeja hakmarrëse ty dhe pasardhësit e tu, po ta dëgjosh…” Skënderbeu e këshillon të birin të mos lejojë të rinjtë të bëhen priftërinj dhe priftërinjtë t’i detyrojë të punojnë e të mbrojnë shtetin që i ka ushqyer, megjithëse nuk i sjellin asnjë dobi. Zanoviçi demaskon edhe rolin djallëzor që luanin klerikët në shërbim të Venedikut dhe shpreh keqardhjen që Skënderbeu disa herë u besoi e ra “viktimë e hipokritëve të ungjillit”. Kjo pjesë e fundit e librit të Zanoviçit, që u quajt testamenti i Skënderbeut, u botua edhe veçan në disa gjuhë. Ajo është pjesa kryesore që i siguroi librit një sukses aq të bujshëm, ndërsa thelbi i saj është, në radhë të parë, antiklerikalizmi. Nuk është e rastit që Zanoviçi ia kushton veprën e tij Jozefit II të Austrisë, njërit prej përfaqësuesve më tipikë të absolutizmit të ndritur, i cili njihet për dëbimin e jezuitëve, shpronësimin e manastireve e nënshtrimin e kishës shtetit në Austri. Idetë e veprës së Zanoviçit afrohen shumë me ato të ndriçimtarëve francezë, e sidomos me ato të Volterit e të Rusoit. Ato ushtruan ndikim të dukshëm edhe mbi letërsinë skënderbejane të shek. XIX.
Një veçori e veprave të Kozelskit e të Zanoviçit është se për herë të parë në to del faktori popull si element aktiv, i rëndësishëm i jetës shtetërore e shoqërore. Nocioni popull këtu zbërthehet – me këtë nuk kuptohen vetëm fshatarët, por edhe zejtarët, ushtarët, dijetarët, tregtarët. Kështu, ndriçimtarët e bënë fytyrën e Skënderbeut një figurë edhe më demokratike, më të afërt e të dashur për masat popullore të Evropës.
Gjatë po këtyre shekujve, nën ndikimin e ngjarjeve të rëndësishme dhe si pasqyrim i gjendjes shpirtërore të masave, u botua edhe një varg i tërë veprash me karakter të theksuar publicistik e introduktiv. Ndër to interes të veçantë ngjallën sidomos vepra e një autori anonim, me titull Kastrioti-Skënderbeu i ringjallur, që u botua gjermanisht e anglisht më 1683 e 1684, pikërisht kur ushtritë turke ndodheshin tek dyert e Vjenës dhe libri i shkrimtarit ukrainas J. Galatovskit Mjellma me pendët e saj, botuar më 1679 polonisht, menjëherë pas luftës ruso-turke të vitit 1677–78. Si në veprën e parë, ashtu edhe në të dytën, në shembullin e betejave fitimtare e të taktikës së Skënderbeut, kërkoheshin me optimizëm rrugët për dëbimin sa më shpejt të pushtuesve otomanë nga Evropa. Ato u bënë, si të thuash, manuale luftarake për burrat e shtetit, për strategët e për ushtarët e thjeshtë. Nuk është e rastit që Pjetri i Madh urdhëroi ta përkthenin Mjellmën, të cilën e mbante vazhdimisht në bibliotekën e tij.
* **
Letërsia artistike për Skënderbeun nuk është më pak e pasur se ajo historike e publicistiko-filozofike. Me heroizmin dramatik të jetës së tij, me idealet e larta që mbrojti, Gjergj Kastrioti hyri në letërsinë gojore – në legjendat e në këngët e popullit shqiptar e të popujve të tjerë të Ballkanit – që kur ishte gjallë. Këto krijime popullore dhe veprat e historianëve, të publicistëve e të filozofëve, ngjarjet dhe idetë e epokave të ndryshme frymëzuan pas vdekjes së tij një letërsi të tërë, e cila lulëzoi që nga fillimi i shek. XVI në shumë gjuhë e me një larmi të madhe gjinish – poezi në gjuhën latine në distikë e hekzametra, sonete e poema, romane historike e histori të romantizuara, drama e librete operash, romane aventuroze, dialogë didaktikë etj. Pa dyshim, tiparet themelore të veprave letrare mbi Skënderbeun lidhen si me kushtet historiko-shoqërore të periudhave në të cilat u krijuan, ashtu edhe me rrymat letrare që lulëzuan në Evropë në ato periudha. Ndër to poezia mbizotëron mbi prozën, drama neoklasiciste mbi dramën e vërtetë historike, romantizmi mbi realizmin. Por, me pak përjashtime, të gjitha ato bëjnë thirrje për veprim. Me gjithë veçoritë e tyre dhe evolucionin që ka pësuar trajtimi artistik i figurës së heroit gjatë shekujve, këto vepra i bashkon një element themelor: në të gjitha ato Skënderbeu del kurdoherë një hero pozitiv, një karakter i fuqishëm, sa trim aq edhe zemërgjerë, me një fjalë, një gjeni i mirë që del fitues në të gjitha rrethanat mbi forcat e së keqes.
Brenda caqeve të këtij punimi të përmbledhur do të ishte e pamundur jo vetëm analiza e gjithë kësaj letërsie artistike, por edhe vetë paraqitja e thjeshtë kronologjike e të gjitha veprave të këtij lloji. Prandaj ne do të flasim vetëm për ato që meritojnë vëmenje të veçantë.
Në punimet e deritanishme mbi letërsinë artistike që i kushtohet Skënderbeut, është thënë se dëshmitë e para të saj janë të vona dhe se “në krye të tyre qëndron poeti i madh lirik francez Ronsar”. Në të vërtetë, dëshmitë e para të letërsisë artistike për Skënderbeun janë shumë më të hershme. I gjejmë ato pothuaj tre çerek shekulli përpara Ronsarit, që në botimin e parë të Barletit (1508). Në hyrjen e kësaj vepre janë shtypur dy poezi latinisht, me nga pesë distikë – njëra nga Pjetër Reguli prej Viçence dhe tjetra nga Domeniko de Alcenjano prej Padove. Në këto poezi i thuret lavdi nëpërmjet veprës së Barletit, heroizmit të Skënderbeut. Pjetër Reguli e quan Skënderbenë “rrufe”, një prijës të përmendur e bujar “që u dha dërmën turqve mizorë” e që të mahnit me betejat e tij. Po ai, në pajtim e përputhje të plotë me frymën provatikanase e proveneciane të vetë veprës së Barletit, i ka idealizuar marrëdhëniet e Skënderbeut me papatin e me Venedikun. Ushtritë shqiptare ai i quan “armë fitimtare të selisë apostolike”, të cilat njëkohësisht “i kanë sjellë me besnikëri edhe luanit venet ndihmën, dhuratën e këndshme të miqësisë së ëmbël”.
Krijimi i De Alcenjanos ka një përmbajtje më të pasur dhe një forcë poetike më të madhe. Ai fillon duke lavdëruar emrin e Barletit, por në të vërtetë, ngre në qiell heroin e veprës. “Skënderbeu, – thotë Alcenjano, – bir i një fisi të shquar… nuk qëndroi më poshtë se Kamili i madh”, ai ia kaloi edhe Cezarit të pathyeshëm.
“Le të gëzohet Epiri aq i famshëm për triumfet e mëdha.
Veprat madhështore të prijësit të vet t’i lartësojë!”, – përfundon poeti.
Këto dëshmi të para pasohen nga një krijim poetik më i rëndësishëm, vepër e humanistit italian nga Kremona, Gabriel Faernit, botuesit kritik të Filipikeve të Ciceronit e të Komedive të Terencit. Ky krijim është botuar në dy variante – latinisht me 16 vargje në hekzametra dhe italisht si sonet – në veprën e njohur të Pal Jovit, Elogia virorum bellica virtute illustrium… Ne i kemi nxjerrë ato përkitazi nga botimi italisht i 1554-ës dhe nga botimi latinisht i 1561-së. Vargjet ndjekin menjëherë portretin historik të Gjergj Kastriotit. Faernit, me sa duket, i bëri përshtypje të madhe përshkrimi që jepet tek Jovi për hapjen e varrit të Skënderbeut, për copëtimin e marrjen dhe eshtrave të tij si hajmali nga turqit – gjë që nuk ka ndodhur me asnjë nga njerëzit e tjerë të shquar – dhe ai shkroi me ndjenjë të thellë dhembjeje e dashurie këtë epitaf poetik, që është një nga lirikat më të bukura të shkruara deri sot për Skënderbeun:
Në varrin tënd, o Gjergj, u mbyll
Shkatërrimi i turqve dhe mbrojtja e Epirit,
Dhe eshtrat e tua, pa asnjë kundërshtim,
Në shumë vende u hodhën e u shpërndanë.
Gjymtyrët, që duhej të preheshin në qetësi
E të mos ndienin më fyerjen nga armiku,
– kaq shumë u ndez lavdia e emrit tënd –
Në njëmijë e pesëqind u thyen e u përzien.
Se kur e le ti botën, bashkë me jetën,
Trupin armiqtë ta grinë e ta ndanë,
Guxim prej tij të merrnin ata deshën.
Dhe trimëria, që fton varrim t’u jepet
Të tjerëve, ty ta hoqi; por vetë ajo pastaj
Nga po ata armiq nderim e famë të dha.
Toni elegjiak, vajtimtar i sonetit në fund ndërpritet fuqishëm nga nota madhore, nga një ide e re poetike: Skënderbeu nuk ka vdekur, ai vazhdon të rrojë jo vetëm në heroizmin e popullit të tij, por edhe në trimëritë e armiqve. Ai s’ka varr, por u takon të gjithë popujve. Kjo të kujton thënien e famshme të udhëheqësit të demokracisë athinase, Perikliut: “Për burrat e shquar gjithë dheu është varr”. Ky sonet i Faernit mund të quhet me plot gojën një epitaf pavdekësie për Heroin tonë Kombëtar.
Në veprën e Lavardenit janë botuar tri sonete – i pari nga udhëheqësi i mirënjohur i Plejadës frënge Pierr Ronsar, dy të tjerat nga dijetari Florest Krestien si edhe një odë nga Amadis Jamin, mik e pasues i Ronsarit, përkthyes i Iliadës së Homerit. Ronsari, ashtu si Volteri më vonë, e quan Shqipërinë një vend që pjell burra luftëtarë të tillë si Pirroja dhe Skënderbeu. Ai e quan Heroin tonë “nderin e shekullit të vet”, por në fund i përmbys rolet – meritën e pavdekësisë së Skënderbeut ia vesh librit të Lavardenit; ndërsa, në të vërtetë, ky libër mori jetë prej veprës së Heroit tonë Kombëtar. Dy sonetet e Florest Krestienit u drejtohen francezëve dhe kërkojnë që Historia e Skënderbeut t’u shërbejë atyre që të lënë grindjet, të imitojnë Skënderbeun e të sulen mbi barbarët. Skënderbeu ngrihet si një figurë që duhet të zgjojë e të ngrejë peshë popujt dhe mbretërit e Evropës:
Merr, Lavarden, burijen që dikur
Kishte Skënderbeu dhe lajmëro mbretërit
Për detyrën që kanë kundër Barbarisë! – thërret poeti.
Oda e Amadis Jaminit ka përmbajtje më të thellë se sonetet. Ajo pasqyron konceptet e periudhës së grumbullimit fillestar të kapitalit e të revolucionit të tregut botëror, ndeshjen e ideologjive të botës feudale që po perëndonte dhe të rendit të ri borgjez që po lindte. Ideja themelore qëndron është kundërvënia e idealeve të larta dhe e idealeve të ulëta, e luftës vetëmohuese për atdhe kundër synimit për pasurim. Në këtë kundërvënie Skënderbeu del si simbol i idealeve më të larta. Ai nuk është nga ata që përpiqen “për pasuri e madhështi, të cilat shkojnë e shuhen shpejt”, por nga ata “që mund të përdorin disa vite për përjetësinë”. Poeti, megjithëse e quan të dobishme punën e tregtarëve, që çajnë valët mes rreziqeve për në Indinë e largët, e dënon brezin e tij si një “një gjeneratë që po korruptohet” dhe bën thirrje për bashkim e veprim, për luftë kundër pushtuesve otomanë. Ideali më i lartë i shekullit për të është ai që “mbron tokën amtare”. I tillë ishte Skënderbeu i pamposhtur, “i denjë për përjetësinë”, të cilin poeti e ngre në radhën e perëndive.
Një frymë e tillë e përshkon edhe sonetin kushtuar Aleksandrit të ri nga poeti i verbër Luixhi Groto, botuar në veprën e Dh. Frangut (1510), dy këngët e një poemi heroik të botuar më 1585 nga poeti italian Baldazar Skarameli si edhe poemën historiko-dramatike të hungarezit Nikolla Bogati, Skënderbeu i Madh të vitit 1592.
Thirrja që doli nga krijimet poetike të shek. XVI i dha një ton madhor gjithë letërsisë së ardhshme. Ajo tingëlloi fort sidomos në periudhat e shtimit të rrezikut të jashtëm dhe të luftërave çlirimtare. Kjo thirrje u bashkua me përvojën historike të popujve që kishin përballuar invazione pak a shumë të ngjashme, siç ishin sulmet e maurëve në skajin jugperëndimor të Evropës dhe invazioni tartaro-mongol në Lindje. Këto fate të përbashkëta të popujve të Evropës nga njëri skaj në tjetrin krijuan një truall shumë pjellor edhe për lindjen, edhe për të përhapur letërsinë mbi Skënderbeun.
Kështu, shek. XVII, shekulli i fundit e dramatik i sulmeve të sulltanëve kundër shteteve të mëdha evropiane, shpërtheu me një letërsi shumë të pasur për Skënderbeun. Poetesha napolitane, Margerita Saroki, botoi më 1606 poemën heroike Skanderbeida, ku në 23 këngë përshkruhen në një mënyrë të gjallë ngjarjet e periudhës së parë të veprimeve të Gjergj Kastriotit pas kthimit në atdhe. Poema mbyllet me triumfin e tij mbi Sulltan Muratin në rrethimin e parë të Krujës, më 1450. Skënderbeida ecën në gjurmëte poemave të mëdha kalorësiake të Ariostos e të Tasos dhe në kuadrin historik fut një varg elementesh të marra hua nga poezia epike kalorësiake e nga romanet oborrtare të Evropës Perëndimore, bile edhe nga bota e largët antike. Të gjitha këto e errësojnë kuadrin historik dhe e bëjnë Skënderbeun të rrojë në një botë tjetër, që s’është e tija. Megjithatë, ai mbetet një hero i vërtetë, një kalorës pa njollë.
Të tjera poema i thurin lavdi këtij heroi në shek. XVII. Gjermani Jakob Kokkert nga Lybeku botoi më 1643 një Carmen Encomiastikon (Këngë mburrëse) dhe francezi Zhan Byssier poemën Skënderbeu. Të gjithë këtë kohë mund ta quajmë periudhën e poezisë heroike skënderbejane, kur heroi deri diku evropianizohet e del nga kuadri historik, por, megjithatë, vazhdon të mbetet gjithnjë në një botë heroizmash, si një kalorës i pamposhtur.
Nga fundi i shek. XVII e në gjysmën e parë të shek. XVIII, në periudhën kur pakësohet rreziku otoman, trajtimi i figurës së Skënderbeut merr një karakter tjetër: vëmendja përqendrohet jo te luftërat e tij çlirimtare, po te peripecitë dhe aventurat e jetës së tij, te kthesat e papritura dhe çastet e mprehta, si shkëputja e tij nga oborri i turqve, lufta kundër atyre me të cilët kishte jetuar në moshën e re, vuajtjet dashurore e të tjera. Subjekte të tilla u dhanë fill sidomos romaneve të vëllimshme. Për Skënderbeun kanë filluar të shkruhen romane që në shek. XVI. Më 1548 italiani Antonio Posenti botoi romanin “Tmerri i turqve”, i cili u ribotua edhe dy herë më vonë, dhe shkrimtari francez Yrben Shevro botoi në Paris më 1644 romanin Skënderbeu, në shek. XVII një autor rus shkroi po një vepër të tillë, me titull Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar. Por këto ishin, në thelb, romane historike, që lidheshin organikisht me gjithë letërsinë historike të kohës së vet dhe që ndofta do të ishte më e drejtë të quheshin histori të romantizuara. Ato që në fillim shprehin qartë synimin e tyre politik, qëllim që aq bukur e pati formuluar më parë Kaspar Hedi. Antonio Posenti, në veprën e tij që ai e quan Historia discorsa (Histori e arsyetuar), thotë hapët se nuk ia kushton librin askujt, sepse dëshiron që ai të jetë i të gjithëve, se çështja për të cilën e shkroi këtë libër “kërkon kujdesin e të gjithëve – edhe përpjekjet e monarkëve më të fuqishëm, edhe lutjet e grave më të varfra”. Ai paralajmëron lexuesit që vepra e tij është një tregim “për prijësin më të guximshëm që ka parë ndonjëherë bota” dhe “nga ajo që bëri ai, të mësohet ajo që duhet bërë”. Posenti e quan në mënyrë të vetëdijshme librin e tij “udhëheqje për veprim” (Leggi dunque per operare). Romanet e fundit të shek. XVII e të fillimit të shek. XVIII ishin të një natyre tjetër. Në to vendin e problemeve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare e zënë çështjet e vogla të etikës personale e familjare. Kështu, më 1688 u botua në Amsterdam nga një autore e panjohur (M-lle***), e cila, me sa duket, është M-lle La Roche Guilhem, novela e gjatë Skënderbeu i madh. Suksesi që pati kjo vepër, e cila u përkthye në disa gjuhë, e shtyu më vonë francezin Shevji ta zgjeronte temën dhe të shkruante një roman dyvëllimësh me titull Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë, i cili u botua në Paris më 1732. Këto romane u bënë të modës në shoqërinë e lartë evropiane.
Cili ishte shkaku i këtij ndryshimi të ri në natyrën e letërsisë artistike mbi Skënderbeun? Në radhë të parë, ai duhet kërkuar tek rënia e rrezikut të drejtpërdrejtë otoman dhe tek trualli i veçantë që e ushqeu këtë letërsi. Ky truall përfaqësohej nga shoqëria oborrtare dhe aristokracia evropiane, e cila tashti kërkonte jo luftë, por një modus vivendi me Turqinë, për t’i përqendruar forcat kundër dallgëve shoqërore që po shpërthenin në Evropë. Duke humbur karakterin politik, kjo letërsi humbi edhe përmbajtjen shoqërore, luftarake dhe u bë letërsi argëtuese për aristokracinë, të cilën atëherë filloi ta tërhiqte gjithnjë e më shumë bota orientale me ekzotikën e saj. Nuk është e rastit që kjo letërsi u zhvillua kryesisht në Francë e pastaj në Angli – në vendet që e kishin larg rrezikun e invazionit – dhe që disa nga autorët e këtyre romaneve janë gra aristokrate. Zhvillimi historiko-shoqëror e kulturalo-letrar i Evropës në gjysmën e dytë të shek. XVIII ia preu rrugën kësaj letërsie.
Jeta e Skënderbeut, e ngjeshur me dramatizëm dhe plot veprime e konflikte, nuk mund të mos tërhiqte edhe vëmendjen e dramaturgëve. Kështu, në shumë vende, që nga Spanja në Itali, në Francë, Angli, Suedi, Poloni e gjetkë, lindën një varg tragjedish e veprash të tjera dramatike për opera e balete. Në Spanjë, tema e Skënderbeut u trajtua në gjininë e njohur me emrin “comedia famosa”, si edhe në të ashtuquajturat “akte sakramentale”, pjesë me një akt që luheshin përpara popullit nëpër sheshet e qyteteve. Sipas të dhënave të fundit nga Biblioteka Kombëtare e Madridit, një “komedi të famshme” me titull Princi Skënderbej ka shkruar edhe dramaturgu i madh Lope de Vega. Nga ndjekësit e bashkëkohësit e Lope de Vegës, pikërisht në periudhën e lulëzimit më të madh të dramaturgjisë spanjolle, u botua një varg i tërë “aktesh sakramentale” e “komedish të famshme” për Skënderbeun: Princi i robëruar Skënderbej – “akt sakramental” nga Perez de Montalban (1629), Princi Skënderbej – “Komedi e famshme” nga Luis Valez de Guevara (1634), e cila u ribotua disa herë më vonë edhe me titullin I madhi Gjergj Kastrioti e princi Skënderbe dhe hyri në koleksionin e dramave të shkrimtarëve më të talentuar të Spanjës; pjesa Princi i persekutuar, që mendohet se është shkruar nga Belmonte Bermudez, Augustin Moreto dhe Antonio Martinez de Meneses; drama Shembull i virtyteve morale në jetën e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbej (1688) e Antonio de Meneses e të tjera. Për fat të keq, dramaturgjia spanjolle me temë skënderbejane ka mbetur një nga fushat më pak të njohura deri më sot.
Vend të veçantë zënë dramat e shkrura latinisht nga autorët polakë: Chelmsciane Lunae (1685) nga A. Chelmski dhe Castriotto Georgius, Publica Sarmatiae felicitas in Scanderbego (1714) nga Olszowski.
Në Angli, vepra e Skënderbeut frymëzoi poetin e njohur të Rilindjes Edmund Spenserin, për një sonet, ku ai e vë heroin shqiptar të shek. XV në radhën e njerëzve më të mëdhenj të lashtësisë, për të cilët janë ngritur harqe triumfi dhe piramida gjigante që kërcënojnë qiellin. Meqenëse vepra e tij “Historie of George Castriot,surnamed Scanderbeg, King of Albanie: containing his famous actes, etc. Newly translated out of French into English by Z. I., Gentleman” (1596) sot është tepër e rrallë në bibliotekat e Evropës dhe nuk ndodhet as në bibliotekat tona, po e japim këtu të plotë këtë sonet, që është ndër poezitë më të mira të shkruara për Gjergj Kastriotin:
Pse mburret koha e lashtë kaq fort
Me monumentet e moçme të zotërve të fuqishëm,
Të heronjve që, me veprat pa mort
Mahnitën botën, dhe fëmijët i lexojnë të etshëm?
Kushdo me lavdinë e tyre habitet,
Admiron statujat, kolosetë e tyre të lartë,
Harqet e pasur të triumfit, që ngritën,
Piramidat vigane, që kërcënojnë qiejt.
Por ja ai që kohë e vonë e nxori në dritë,
Që me më të mëdhenjtë ndër ta matet,
I madh në zemër, në forcë e në vetitë,
Vendi i triumfit atij i përshtatet.
Kamzhik për turqit, rrufe për të pafetë
Për bëmat e tua, Skënderbe, ky libër flet.
Kjo temë tërhoqi edhe vëmendjen e paraardhësit të Shekspirit, Kristofor Marlout, i cili shkroi dramën Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Në shek. XVIII dramaturgjia angleze u pasurua me tri vepra të reja: Skënderbeu ose Liri e Dashuri e Tomas Uinkopit, Skënderbeu e Uiliam Havardit dhe Heroi i krishterë i Xhorxh Lilo, e cila nga niveli artistik qëndron mbi dy të parat dhe solli elemente të reja në dramaturgjinë angleze e evropiane. Këto vepra të autorëve anglezë mund t’i quajmë drama historiko-etike. Mbi sfondin historik ato shtrojnë problemin e detyrës së udhëheqësit e të njeriut ndaj atdheut. Dhe zgjidhja që i japin me gojën e Skënderbeut këtij problemi, tingëllon si akuzë për botën angleze të parasë e të korrupsionit, si një qortim për gjithë Evropën. Xhorxh Lilo, ashtu si Amadis Jamini, pohon se për një burrë shteti, për një udhëheqës mbi të gjitha duhet të qëndrojë detyra ndaj atdheut, jo lufta për fitime vetjake. Tomas Uinkopi shtron problemin e unitetit të veprimtarisë shtetërore dhe të jetës personale të një udhëheqësi – ai nuk ia kundërvë dashurinë lirisë, por i bashkon këto ideale në një të vetëm. Nga ky bashkim forcohet liria.
Për herë të parë në dramaturgjinë angleze dalin bashkëluftëtarët e Skënderbeut me tiparet e tyre të veçanta, si personifikim i urtësisë, i bukurisë shpirtërore e i forcës së popullit shqiptar. Këto drama ia bënë edhe më të dashur lexuesit e spektatorit anglez figurën e Skënderbeut e të popullit të tij.
Edhe Italia nuk mbeti prapa në këtë gjini. Pas tragjedisë së tipit “appassionata” të Arkangelos, të titulluar Shqipëria e sulmuar (rreth 1650), ku Skënderbeu del si mishërim i unitetit të fjalëës e të veprimit, u botua drama e Anton Zanibonit Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit (1730) dhe drama në vargje Skënderbeu, princi i Shqipërisë e Mauricio Gerardinit. Në Francë më 1786 e pastaj në Belgjikë u botua tragjedia në vargje Skënderbeu e Pol Dybyisonit. Në të gjitha këto vepra dramaturgjia skënderbejane filloi të zotërojë mbi romanin.
Nga skenat e teatrove dramatike tema e Skënderbeut kaloi tek aktorët shëtitës anglezë e gjermanë dhe u fut në masat popullore. Këta aktorë merrnin figura të mëdha shtetërore historike nga tragjeditë e njohura dhe i luanin në popull. Si figurë të tillë zgjodhën edhe Skënderbeun. Këto “aksione kryesore shtetërore” (Haupt-und-Staats-actionen), siç u quajtën atëherë, u përhapën jo vetëm në Evropën Perëndimore, por edhe në atë Lindore, që nga Anglia në Gjermani e deri në Petërburg. Kështu, Heroi ynë nga shekulli në shekull bëri për vete zemra të reja – që nga oborret deri tek njerëzit më të thjeshtë.
Këtij heroi të fuqishëm e të shumanshëm iu kushtuan edhe disa opera e balete. Më 1718 u botua në Firence nga Antonio Salvi drama për muzikë me titull Skënderbeu dhe më 1735 në Francë u botua një “tragjedi lirike” e shkruar nga akademiku Hudar dë la Mot, e cila më 1763 u shfaq përpara mbretit të Francës e u ribotua me urdhër të veçantë të tij.
Në përgjithësi, mund të themi se në gjysmën e dytë të shek. XVII e në shek. XVIII tema e Skënderbeut doli nga kuadri i ngushtë historik dhe u fut në një kuadër më të gjerë jetësor, njerëzor, në rrethe të ndryshme shoqërore. Me këtë shpjegohet edhe zgjerimi i gjinive letrare që trajtuan këtë temë. Por në të gjitha rastet figura e heroit mbeti një figurë aktive në mes të një shoqërie që herë mahnitej përpara saj, herë i kërkonte ndihmë e herë zbavitej, shuante kureshtjen e pasionet në kthesat dramatike të jetës së tij, pa pushuar asnjëherë ta quante i madh, ta donte e ta nderonte. Bie menjëherë në sy që, edhe kur luftëtarin e bënë dashnor të haremeve e hero të baleteve, nuk mundën t’ia hiqnin kurrë idenë e lirisë, idealet fisnike.
Dhe ja ku erdhi shek. XIX – shekulli kur shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar në gjithë Ballkanin e lëvizjet e mëdha revolucionare në Evropë, kur perandoria otomane mezi po merrte frymë dhe mbijetonte më tepër nga koniunkturat e jashtme sesa nga forca e saj e brendshme. Ky ishte me të vërtetë një shekull i madh prove për formacionet shoqërore, për klasat e për shtetet, për njerëzit e për idetë. Dhe pikërisht në këtë shekull Skënderbeu u ringjall sërish në letërsinë artistike, ashtu si dhe në krijimtarinë historiko-publicistike, si një figurë e madhe politike, e pasur me ndjenja, me mendim dhe me vepra që mund të frymëzonin lëvizjet e mëdha çlirimtare. Pa dyshim, në këtë kohë, ashtu si pesëqind vjet më parë, ai i shërbeu, para së gjithash, atdheut të tij dhe gjithë Ballkanit.
Një rol të veçantë luajti kjo figurë në lëvizjen për çlirimin e Greqisë. Më 1812 Historia e Skënderbeut u përkthye greqisht nga Joanis Bailas. Një nga udhëheqësit e lëvizjes çlirimtare greke, Plaku i Moresë, Kollokotroni, shënon në kujtimet e tij se këtë libër e mbante gjithnjë me vete, ndërsa njërit prej bastioneve të kalasë së Misolongjit iu vu emri i Skënderbeut. Pikërisht në këtë periudhë, romantiku i madh revolucionar anglez Xhorxh Gordon Bajron shkroi strofat shqiptare aq të zjarrta në Shtegtimet e Çajld Haroldit. Duke i quajtur shqiptarët spartanët e kohës sonë, Bajroni e përmend me nderim të madh emrin e Skënderbeut dhe e vë atë krah për krah me Aleksandrin e Madh:
O Shqipëri, ku u ngrit Iskanderi
Shembull për të rinjtë dhe fener i të urtit!
Ku Iskanderi tjetër armiqtë i përmbysi
Dhe dërrmën u dha me trimëri kalorësi…
Dhe jo vetëm kaq. Në strofën 76 të këngës së dytë duket qartë se Bajroni ua kundërvë si shembull këtë heroizëm skënderbejan të shqiptarëve atyre grekëve që rrinë e presin shpëtim nga jashtë:
O bij skllevërish! A nuk e dini
Se robërit vargonjtë i thyejnë vetë,
Kur zëri i lirisë ata i frymëzon?
As Franca, as Moskovi s’ju shpëton…
Në shënimet e tij për strofën 38 të këngës së dytë Bajroni thotë se është njohur me figurën e Skënderbeut nëpërmjet veprës së Gibonit. Eduard Giboni, autori i veprës Historia e dekadencës (rënies) dhe e shembjes së Perandorisë Romake, ishte një adhurues e mbrojtës i perandorive, armik i revolucionit frëng, prej të cilit ai u tmerrua, armik i luftërave çlirimtare. Për këtë arsye figurën e Skënderbeut dhe vetë veprën e Barletit, në thelb, i trajton me mospërfillje, bile me përbuzje. E dënon Skënderbeun, që nuk vazhdoi të qëndronte tërë jetën si skllav mirënjohës i mirëbërësit të tij, sulltanit, por u ngrit në luftë kundër tij. Në dritën e këtij koncepti pseudoshkencor e shtetmadh të Gibonit, këtij lord-komisari të tregtisë britanike e pararendësi të ideologëve të imperializmit, ngrihet edhe më lart merita e Bajronit, që jo vetëm nuk u ndikua nga Giboni, por u vu kundër tij dhe me fjalën e zjarrtë të poezisë e goditi për vdekje konceptin e tij antiskënderbejan dhe antibarletian. Që ky qëndrim i Bajronit ka qenë i vetëdijshëm, duket jo vetëm nga shënimi i tij i lartpërmendur, por edhe nga dëshmia e mikut të tij Hobhauzit, i cili, gjithashtu, e kritikon me sarkazëm të hollë qëndrimin antibarletian të Gibonit. “Zoti Gibon parapëlqen më mirë historinë e Turqisë të Kantemirit, – thotë Habhauzi, – sesa tregimet e mrekullueshme të jetëshkruesit bashkëkohës (të Skënderbeut – A. K.), Marin Barletit…”
Në lidhje po me ngjarjet e Greqisë dalin edhe vepra të tjera mbi heroin shqiptar. Më 1821 nga gjermani Karl Sondershauzen, që bënte pjesë në rrethin e Gëtes, u shkrua drama poetike Çlirimi i Greqisë, në qendër të së cilës ngrihet figura e Gjergj Kastriotit, ndërsa në Stokholm doli më 1835 drama historike Skënderbeu e shkrimtarit suedez F. G. Rudbek. Poeti romantik gjerman Fridrih Krug fon Hidda botoi më 1824 në Lajpcig një poemë heroike në dy vëllime. Kjo letërsi nuk u ndërpre as pas çlirimit të Greqisë. Shembulli i Skënderbeut dhe vetë shqiptarët e ndihmuan popullin grek të fitonte lirinë. Pas kësaj, në rrethet përparimtare greke, në popullin grek u shtuan miqtë mirënjohës të shqiptarëve. Më 1848 u botua greqisht në Athinë Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbej, Princit të Shqiptarëve, që u kushtohej luftëtarëve të Rilindjes greke, Qiriako Mavromihalit, Marko Boçarit, Jorgo Karaiskaqit dhe Theodhor Kollokotronit, Rigas Ferecs etj. Parathënia e kësaj vepre fillonte me këto fjalë: “Midis luftëtarëve të shek. XV, në qoftë se dikush është i denjë për t’u quajtur i madh, ky është patjetër heroi i shqiptarëve, Skënderbeu”. Edhe pas dyzet vjetësh, më 1889, tema e Skënderbeut rron e gjallë. Me dramën Skënderbeu shkrimtari Anton Antoniadhi fitoi çmimin e parë në konkursin letrar kombëtar.
Heroi i madh historik shtegtoi si hero letrar edhe në vende të tjera të Ballkanit e të Evropës. Lulëzim të ri përjetoi letërsia artistike skënderbejane, sidomos dramaturgjia, në Francë. Skënderbeu bëhet përsëri hero i dramave historike të poetit neoklasicist Gijom Kazimir Pertysë (1870) e të Rogatien Forresë. Dhe jo vetëm kaq. Akademia e njerëzimit e Puatjesë, ku dikur (732) një hero i ngjashëm me Skënderbeun, Sharl Marteli, shpartalloi pushtuesit arabë, në vitin 1868 e përkujtoi 400-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut me një program të gjerë letrar, i cili përfshinte shfaqjen e një tragjedie për Skënderbeun të një autori anonim dhe ode, tregime e dialogë rreth jetës së heroit, të ndara në tri pjesë: sukseset e para, prova dhe triumfi.
Hov të ri mori në shek. XIX edhe romani. Ky ishte një roman me një përmbajtje të thellë demokratike, i frymëzuar nga lëvizje të tilla përparimtare si Risorxhimentoja, në mënyrë të veçantë nga lëvizja garibaldine në Itali, si edhe nga letërsia romantike e shek. XIX. I tillë është, p.sh., romani i garbaldinasit Antonio Xonkada, i 1874-ës, i cili ndërtohet mbi bazën e dritës e të hijes dhe nxjerr jo vetëm Skënderbenë si udhëheqës popullor të tipit të revolucionarëve demokratë të shek. XIX, por edhe rolin e madh të masave popullore. Kjo është drita. Hija, në pamjen e jashtme, duket sikur përfaqësohet nga pushtuesit otomanë, por në të vërtetë në roman këta janë një hije e largët, vetëm një kujtim i rëndë; hija e mirëfilltë këtu është bota e kalbur aristokrato-borgjeze evropiane e, në radhë të parë, shoqëria e lartë italiane, ku nuk ka vend për njerëzit e ndryshëm, ku çdo gjë është e rreme, jomorale, antinjerëzore. Në truallin e një bote të tillë të kalbur spikatin vlerat e mëdha morale të popullit shqiptar e të një udhëheqësi të tillë popullor si Skënderbeu. Pikërisht këtë kuptim kanë fjalët e një kalorësi të ndershëm italian, që u përpoq më kot t’i kundërvihej shoqërisë nga doli dhe shkoi të luftonte në Shqipëri nën komandën e Skënderbeut: “Italia nuk është gjithë bota; ka ende vende ku dinjiteti i njeriut s’ka humbur akoma, ku liria nuk është një fjalë e kotë dhe ku mund të përdoret ende gjykimi e shpata për një çështje bujare”. Me dritë të brendshme ndriçohet Skënderbeu edhe në romanin e Xhejms Ludllout, Kapiteni i jeniçerëve, 1887. Në këtë të fundit, në të vërtetë, dalin dy kapitenë, Skënderbeu dhe Ballabani si përfaqësues të dy botëve, të dy ideologjive – të ideologjisë së luftëtarit të lirë për atdheun dhe të ideologjisë së renegatit e të skllavit. Fryma demokratike, revolucionare thellohet edhe më tej në romanin Për jetën të revolucionarit polak Teodor Tomas Jezh, pjesëmarrës i revolucionit të 1848-ës në Hungari. Këtë roman e dallon nga të tjerët përpjekja e autorit për të pasqyruar popullin e tij në luftë, heronjtë popullorë, si edhe fshikullimi i pamëshirshëm i dobësisë dhe i tradhtisë së klasave të pasura.
Nivelin më të lartë letërsia artistike skënderbejane e shek. XIX e arriti me poemat Skënderbeu të Henri Longfellout (1873) dhe të poetit revolucionar maqedonas Grigor Përliçevit (1861). Poema e Longfellout, e cila njihet në shkallë botërore, është bërë e dashur për të gjithë ne shqiptarët në përkthimin shembullor të F. S. Nolit. Poema e Përliçevit është frymëzuar nga vepra e Barletit dhe nga këngët popullore shqiptare për Skënderbeun. Megjithëse ka zgjedhur vetëm njërin nga episodet dramatike të përleshjes së shqiptarëve me pushtuesit, Përliçevi ka ditur të na japë tablo të mëdha e tipizuese epike të karakterit të një populli të tërë e të udhëheqësit të tij. Ai e ka treguar këtë udhëheqës të shkrirë me popullin e tij, me ushtarët e tij. Merita e madhe e Grigor Përliçevit është se i tregon të mëdhenj edhe strategun, edhe ushtarin. E paharrueshme dhe me të vërtetë monumentale është skena e vdekjes së ushtarit të Skënderbeut, Dinkos, këtij spartani të ri, që bëhet mishërimi i koncentruar jo vetëm i heroizmit e i besnikërisë, por edhe i tragjedisë optimiste i një populli të tërë. E shkruar për heroin dhe bashkëluftëtarët e tij, që Përliçevi i quan “bij gjigantësh”, të denjë për vargjet homerike, poema e Përliçevit është një vepër origjinale, që me realizmin e saj të thellë, të gërshetuar herë-herë me shpërthime romantike, me ndjenjat e pastra e të zjarrta njerëzore, me idealet e fuqishme çlirimtare e demokratike, me gjuhën e pasur e të gjallë, i takon, pa dyshim, fondit më të mirë të letërsisë artistike të popujve të Ballkanit.
Tema e Skënderbeut ka çelur rrugë edhe në shekullin tonë, megjithëse perandoria e sulltanëve nuk ekziston më. Ajo është bërë tema e luftës kundër shtypjes e tiranisë. Është interesant fakti që kënga popullore shqiptare Skënderbeu dhe vdekja, e përkthyer nga poeti revolucionar e internacionalist ukrainas Ivan Franko në vitet e stuhishme përpara Revolucionit të Tetorit, u botua më 1941 pikërisht në pragun e Luftës së madhe patriotike të popujve sovjetikë kundër hordhive hitleriane. Siç dihet, në këtë thuhet se Skënderbeu la kalin, flamurin e shpërvjelur dhe shpatën, që ta vazhdojnë luftën edhe pas vdekjes së tij. Me një përmbajtje të dyfishtë, historiko-patriotike e filozofiko-njerëzore, kjo këngë, e cila flet për pavdekësinë e heronjve, që ia falin jetën atdheut, tingëlloi aktuale edhe në ditët e betejave të mëdha antifashiste. Në 500-vjetorin e vdekjes së tij, letërsia për Skënderbeun po pasurohet me vepra të reja që zbulojnë te kjo figurë anë të tjera përparimtare e të ndritura, të cilat mund t’u shërbejnë popujve edhe sot. Pa dyshim, tashmë vendin kryesor e zë letërsia shqiptare në të cilën figura e Skënderbeut ka luajtur rol shumë të rëndësishëm që nga periudha e Rilindjes Kombëtare.
Po ta shikojmë tashti në një vijë të drejtë pesëshekullore evolucionin që ka bërë figura e Skënderbeut në letërsinë botërore, mund të arrijmë në përfundimin se, me gjithë luhatjet e kthesat, kjo figurë gjatë shekujve vjen duke u demokratizuar. Kalon nga rrethi i ngushtë i historianëve në rrethe më të gjera shoqërore e më në fund bëhet e masave. Kjo tregon pasurinë e madhe shpirtërore, vlerat e larta morale, njerëzore që ka zotëruar prototipi historik i kësaj figure letrare. Përndryshe, epokat e ndryshme nuk do të gjenin tek ajo idealet e tyre.
* **
Siç shihet, gjatë këtyre 500 vjetëve, në letërsinë botërore figura e Skënderbeut, si shprehje e vetëdijes së epokave dhe e shpirtit popullor, ka marrë vlerësime të ndryshme. Shkenca dhe letërsia përparimtare e çdo kohe e ka ngritur atë lart si flamur për beteja patriotike e shoqërore. Mbytësit e lirisë dhe shërbëtorët e perandorive janë përpjekur ta njollosin e ta diskreditojnë, t’ia heqin atë historisë, botës reale dhe t’ia japin vetëm legjendës, botës së fantazisë. Grabitësit e lirive të huaja, historianë e shkrimtarë shovinistë, janë përpjekur t’ia rrëmbejnë atë popullit shqiptar. Por figura monumentale e Skënderbeut ka mbetur e gjallë dhe gjithnjë është ripërtërirë.
Karl Marksi, siç dihet, i ka dashur shumë popujt e shtypur dhe ka përkrahur luftërat e tyre çlirimtare. Ai e ka dashur shumë edhe popullin tonë dhe është interesuar veçanërisht për krijimet e tij poetike. Më 1839 ai mbushi me dorën e tij një album me këngë popullore shqiptare e të popujve të tjerë. Në shënimet që ai bëri më vonë në Historinë botërore të Shloserit për luftën e popullit shqiptar e për rolin e Skënderbeut, tregojnë se ai i çmoi këta shumë lart jo nga qëndrime sentimentale. Në luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu ai nuk shikonte vetëm një luftë për të mbrojtur lirinë e një vendi e të një populli, por edhe goditjen kundër “të vetmit shtet me të vërtetë ushtarak të mesjetës”, i cili i kundërvihej zhvillimit historik të kapitalizmit që po lindte dhe përparimit botëror. Ai e sheh kështu, mbi të gjitha, Skënderbeun si një figurë që ndihmoi për të shpejtuar zhvillimin përparimtar të njerëzimit. Kjo na jep çelësin për të kuptuar thelbin e rolit ndërkombëtar të figurës së Skënderbeut dhe jetën e saj të gjatë në letërsinë botërore. Prandaj sot, kur ngrihen akoma zëra që flasin për “eklipsin” e kësaj figure e që e lidhin “vdekjen” letrare të Skënderbeut me vdekjen e Perandorisë Otomane, siç bën, p.sh. studiuesi amerikan B. B. Ashkom, ne nuk mund të mos i hedhim poshtë këto edhe teorikisht, ashtu siç i hedh vetë jeta. Figura e Skënderbeut, njeriut që e vuri shpatën e tij e të popullit të vet në shërbim të shpëtimit të atdheut e të përparimit të njerëzimit, rron e do të vazhdojë të rrojë edhe si figurë historike, edhe si figurë letrare derisa në botë të ketë të shtypur e shtypës, popuj që luftojnë për të fituar e për të mbrojtur lirinë dhe grabitës të saj. Dhe nuk duhet harruar, gjithashtu, se në bazën e pavdekësisë së kësaj figure qëndron jo vepra e një njeriu, por vepra e një populli; jo vepra e një shekulli, por vepra e shumë shekujve.
Еvery weekennd i used to go to see this web site, as i
wіsh for enjoyment, since this this web paɡe c᧐nations reɑⅼly fastidious
funny infοrmatin too.
My web paɡе payday loans shreveport
lovoo leute finden lovoo zuletzt online ausschalten http://lovooeinloggen.com/