Në librin e tij me kujtime “Përpara gjyqit të historisë, Paris 1966”, Xhelal Staravecka rrëfen versionin e tij për Kryengritjen e Fierit, e cila tentoi të rrëzonte Ahmet Zogun por dështoi, e tradhtuar.
Staravecka, një personazh kontrovers i historisë së Shqipërisë ishte caktuar të drejtonte kryengritjen pikërisht në zemër të saj, në Fier.
Është një rrëfim interesant për ata që duan ta shohin historinë nga shumë këndvështrime.
Në Berat dhe Vlorë kryengritjen e tradhtuan Vrionët, sipas Staraveckës. Kreun e kryengritjes Riza Cerovën, e lanë vetëm me 7-8 burra dhe e vranë në Pogradec.
“Ai Pogradec tradhtar që vrau Gani Butkën dhe kolonel Thomsonin, ai vrau dhe Riza Cerovën” – shkruan autori.
Pasi Riza Cerova në Skrapar dhe Xhelal Staravecka në Fier, u lanë vetëm, kryengritja u shua. Në Fier Zogu dërgoi për ndëshkim kolonelin Ali Riza Topalli, të cilin Staravecka e portretizon me nota përçmuese.
“Zogut i pëlqenin njerëzit e zhveshur nga çdo pajë burrërore” – shkruan ai.
Ja çfarë shkruan Staravecka për nisjen e Kryengritjes. Ai arriti në Durrës nga Italia në korrik 1935:

Xhelal Staravecka
“Musai (Kranja) na tha se dita e plasjes së lëvizjes ishte caktuar të mërkurën, 14 gusht, në orët e para të pasdites sipas rrethanave që mund të sundonin çdo qendër të Shqipërisë, duke u lënë liri të plotë revolucionarëve të zgjidhnin kohën e plasjes së lëvizjes prej orës 14:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.
Megjithëse do të bisedonim dhe njëherë mbi vendosjen e orës për shpërthimin e revolucionit, aty vendosëm ta shpërthenim në ora 16:00 dhe më ngarkuan mua, pasi kisha më tepër se kushdo tjetër burra të armatosur, për të marshuar mbi qytetin e Fierit dhe për sulmin dhe marrjen e depove, veç asaj të rekrutimit sidomos atë të paraushtarakëve ku ndodheshin, sipas mendimit tonë, më se një mijë pushkë.
Në natën 13-14 gusht, me 65 burra të armatosur u futa në hotelin “Shkoza” e kur u çelën zyrat shkova për t’u takuar me Musanë e shokë.
Në orën 14:00 unë dola me njerëzit e mi të armatosur deri në dhëmbë nga hoteli “Shkoza” dhe shpërtheva kryengritjen, duke marshuar drejt depove të paraushtarakëve e pastaj të atyre të tjerëve. Në depot e paraushtarakëve gjetëm 800 armë të gjata italiane, jo vetëm pa asnjë fishek, por edhe pa shula dhe lloza.
Prej orës 17:00 filluam të prisnim arritjen e revolucionarëve të Vlorës, mirëpo nuk po na vinin. Tradhtia e Qemal Vrionit e kishte bërë veprën e saj. Në atë rast nuk na mbeti tjetër veç se të marshonim drejt Tiranës.
Në mes të natës arritëm në Lushnjë, ku dy orë më parë kishin arritur dy kapitenët e gjindarmërisë, dy vëllezërit Marashi, Lleshi dhe Gjeka të cilët na pritën me pushkë. E rrethuam dhe e sulmuam dhe e morëm zyrën e post-telegrafit e gjatë kohës që pushka valonte, ne pyesnim gati krejt qytetet e Shqipërisë, bile dhe Tiranën, se ç’kishin bërë mbasi lëvizja duhej të ishte e përgjithshme në krejt Shqipërinë, e kudo na u përgjigjën qeveritarët e Zogut…
Riza Cerova me skraparllinjtë erdhi deri afër Beratit, duke qenë i sigurt se në Berat do të kishte shpërthyer kryengritja. Përkundrazi, në Berat sikurse gjetkë, nuk luajti asnjë mizë kundra regjimit, pse revolucionarët bejlerë si Sehit Vrioni, Sybhi Vrioni, Mahmut Shehu e të tjerë qysh në natën e 13-14 gushtit kishin ngarkuar nëpër gomarë jatak e jorganë e banalitete të tjerë të tualetit dhe kishin krisur nga katundet e Nahijes për mos u ndodhur në Berat, kur Riza Cerova të vinte dhe të shpërthente kryengritjen me skraparllinjtë e tij.

Riza Cerova
I shkreti Riza Cerova! Kur e pa se një botë e tërë në shërbim të Zogut po marshonte kundër tij, mori vetëm 7-8 veta me të cilët kaloi Skraparin dhe hyri në rrethin e Pogradecit. Mirëpo ai Pogradec tradhtar e rebel, ku Gani Butka la jetën nga plumbat e tradhtisë së Starovarëve, ashtu si e kishte lënë dhe kolonel Thomsoni, vrau dhe Riza Cerovën.
Ne të Fierit, kur e pamë se dara po shtrëngohej rreth nesh në Lushnjë, e lamë atë qytet dhe u kthyem. Musai erdhi deri në rrugën që çon në Karavasta me aventurierin Cekrezi, që erdhi në Fier nga Tirana pas vrasjes së gjeneral Gjilardit. Me këta dy shkuan: Zenel Hekali, Arshi Shehu nga Tepelena, tetar Kadri Kosova dhe gjindarmi Xhevahir Spathara.
Së bashku shkuan në atë katund dhe që andej me një bark peshkimi shkuan në Itali.
Ndërsa unë që isha i shtrënguar të ndiqja fatin e njerëzve që kisha futur në luftë kundra regjimit, preferova të qëndroja dhe të jepja llogari si i vetmi përgjegjës për t’i shpëtuar ata nga konsekuencat e ndjekjeve ligjore, mbasi i porosita të thoshin se i kisha marrë me forcë. Dhe ashtu u bë.
Në 14 gusht, ditën e mërkurë, ne shpërthyem kryengritjen që duhej ta kishin bërë të gjithë, si e bëmë ne në Fier dhe Riza Cerova në Skrapar. Në 15 gusht mbas dreke, në atë Fier që ne e bëmë republikën tonë për 24 orë, hyri kolona ushtarake e komanduar nga kolonel Ali Riza Topalli për të bërë operacion, tortura, gjykime, dënime e pushkatime të tjera.
Ali Riza Topalli ishte plot deri në majë të flokëve me ndjenja servilizmi. Duke qenë një nga injorantët e turmës së oficerëve të Zogut, i dominuar nga një egoizëm që nuk njeh kufi, i shterpëzuar nga çdo ndjenjë atdhetare, për Zogun ai ishte njeriu më i përshtatshëm për ta ngarkuar duke i dhënë kartë të bardhë të zhyste në gjak – si komandant operacioni dhe kryetar i gjyqit për faje politike – atë Fier që shpërtheu lëvizjen kundra tiranit, prefektit të Duçes, Ahmed bej Burgajetit nga Mati.
Po, Zogut i pëlqenin njerëzit e zhveshur nga çdo pajë burrërore.

Gjilardi, i ekzekutuar nga kryengritësit në Fier
Bashkia, shtëpitë e Qemal Vrionit ato ditë ishin salla gjyqi dhe natën salla torturash, zyra e post telegrafit, dyqanet e Idris Bylos, zyra e gjindarmërisë e rrethit dhe ajo e postkomandës, shkolla “Plotore” e Fierit në Bishanak, hoteli i Ramis Omarit e të tjerë lokale, ishin burgje dhe salla torturash.
Më se pesë mijë të burgosur lëngonin në ato ndërtesa, duar dhe këmbë të lidhur me zinxhir qensh dhe me plagë në trup që shumoheshin nga një çast në tjetrin.
Gjatë ditëve të torturave mua më bënin vetëm një pyetje; pse kisha marrë pjesë në atë lëvizje, mbasi Naltmadhnia e Tij më kishte dërguar në shkollë e më mbante me të hollat e tij. Natyrisht, pse shteti për regjimin e Zogut nuk ekzistonte, por gjithçka në shtet ishte pronë e Zogut.
Dhe për nëntë ditë me radhë përgjigja ime ka qenë kjo: kam marrë pjesë në këtë lëvizje për të shpëtuar nga okupacioni italian.
Operacioni i Fierit ka qenë kulmi i sjelljeve shtazore i atyre që qenë ngarkuar me kartë të bardhë të linin kujtimin më të tmerruar të një reagimi personal, i specializuar në krim, kusari e të tjera.
Në përfundim të gjyqit, 42 qemë të dënuar me vdekje dhe një mijë me dënime, prej burgimit të përjetshëm deri në një vit burg.
Gjykimi im filloi në 14 shtator 1935, ditën e shtunë, dhe vendimi m’u këndua ditën e hënë, më 16 shtator po të atij muaji. Në 17 shtator gjykimet morën fund. Me qenë se të martën bëhet Pazar në Fier, e kishin lënë ekzekutimin tonë ditën e martë, më 24 shtator…”
Por ekzekutimet, përveç njërit, nuk u kryen. Zogu dërgoi në minutat e fundit një dekret falje. Pse?
Sipas Staraveckës, kjo ndodhi pas një “hileje” të Mehdi Frashërit, asokohe përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, kreu i së cilës, gjithmonë sipas Staraveckës, duke qenë ortodoks tregoi një interes të veçantë për ngjarjet e Fierit, qytet i cili në atë kohë banohej masivisht nga ortodoksë.
Disa nga të dënuarit me vdekje ishin intelektualë antizogistë që i përkisnin kësaj feje. Staravecka e konsideron të rëndësishme këtë përkatësi, megjithëse nuk ka dëshmi mbështetëse që e lidhin interesin e Lidhjes së Kombeve për ngjarjet në Fier me përkatësinë fetare të disa prej pjesëmarrësve.

Mehdi Frashëri, djathtas
Ja çfarë shkruan Staravecka për faljen e çuditshme pak orë përpara ekzekutimit:
“Kush nuk e di arsyen pse na fali Zogu, mendon si mendonin ato kohë shqiptarët që nuk dinin “prapaskenën”: Se Zogu gjoja na fali për shpirtmadhësinë e tij e jo pse qe i detyruar, si do të shohim më poshtë.
Popullsia në shumicën dërrmonjëse të qytetit të Fierit ishte kristiane. Nuk e di me siguri, por patjetër prej 85% deri në 90% ishin ortodoks e ndër të dënuarit me vdekje dhe me burgime të përjetshëm, si Spiro Papa, doktor Kostantin Kallojeri e të tjerë, ishin një numër i madh.
Në atë kohë në shoqërinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë pati radhën si kryetar i asaj Asambleje, ministër i Jashtëm i Rumanisë, i famshmi Titulesku. Ai çeli një diskutim në Lidhjen e Kombeve mbi çështjen e Fierit.
Përfaqësonjësi i Shqipërisë në Gjenevë ishte Mehdi Frashëri. Kur u hap seanca e diskutimit në pasdreken e ditës së hënë, 23 shtator, Titulesku iu drejtua përfaqësonjësit të Shqipërisë, duke e pyetur se ç’ngjante në qytetin e Fierit në Shqipëri.
Dhe Mehdi Frashëri që kishte porosinë nga Zogu t’i zvogëlonte ngjarjet shqiptare për të mos vënë në dukje mos-kënaqësinë e popullit shqiptar kundra regjimit të tij përpara botës së jashtme, iu përgjigj se një lëvizje lokale e provokuar nga disa elementë të papërgjegjshëm, kishte detyruar qeverinë të ndërhynte për të vënë rregullin.
Por kur Titulesku e pyeti se sa banorë kishte Fieri, Mehdi Frashëri e kuptoi kurthin dhe si atdhetar i kulluar që ishte, nuk hezitoi të hynte në atë kurth me qëllim për të na shpëtuar ne, u përgjigj se Fieri kishte pesë mijë banorë.
Atëherë Titulesku u çua në këmbë dhe iu drejtua Asamblesë duke thënë: -Zotnij përfaqësonjës të kombeve… Popullsia e Fierit është pesë mijë banorë, të burgosurit për lëvizjen lokale të Fierit arrijnë pesë mijë..
I thanë Mehdi Frashërit t’i drejtohesh Zogut dhe t’i thoshte se ajo Lidhje, që rrëzoi para-ardhësin Fan Noli, nuk do të gjente vështirësi të përmbyste dhe Zogun. Mehdi Frashëri, posa doli nga seanca në orën 18:00, i drejtoi një telegram urgjent pallatit, duke i thënë Zogut që të ndalonte torturat, dënimet dhe ekzekutimet, nëse nuk donte futjen e Shqipërisë në aventurë.

Ahmet Zogu
Telegrami i Zogut arriti në orën 22:00 të datës 23 shtator. Atë të hënë mbas dreke komanda e operacionit përgatiti 42 trekëndësha për varjen tonë në ora katër e pesë të mëngjesit, ditën e martë më 24 shtator, bile na prenë dhe flokët për ta bërë kokën njëlloj me atë pjesën e rruar që na torturonin.
Kur e kam pyetur mbi këtë çështje Mehdi Frashërin, mbasi me të pata ndenjur shumë herë në bisedim qoftë në Shqipëri, qoftë në Itali, mbas daljes time nga burgu, nëse ra në atë kurth me dashje, m’u përgjigj me një nënqeshje që tregonte kënaqësinë e tij. “Nuk kisha tjetër mjet, më tha, veç asaj dinakërie për t’u shpëtuar nga kasaphana e Fierit…”
Zogu e kishte frikë Lidhjen e Kombeve. Ai i dërgoi komandantit të operacionit, kolonel Ali Riza Topallit, një telegram në të cilin i thoshte se të dënuarve me vdekje të asaj lëvizjeje u kthehej ndëshkimi në burgim të përjetshëm.
Pas atij telegrami, Ali Rizajt, i arriti telegrami i Musa Jukës me formulën hipokrite: “Nalt Madhnia e Tij, Zogu i I, Mbret i shqiptarëve dhe shpëtimtari i atdheut, denjoi faljen nga vdekja e të dënuarve nga gjyqi për faje politike i operacionit të Fierit, duke ua kthyer ndëshkimin kapital në burgim të përjetshëm”.
Telegrami i Zogut arriti në Fier në orën 23:00, dhe ai i Musa Jukës në orën 24:00, porse ky i fundit jo me 42 të falur por me 41. Hekuran Manekun e kishin lënë jashtë faljes…” / dita
Komentet