Ne nje analize me titull “Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm?”, ne “Opinion.al”, gazetari Blendi Fevziu shkruan se ekzistojne 3 skenare dhe kombinimet të natyrshme që mund të vihen në lëvizje per te bere kryeminister Bashen ose Ramen pas zgjedhjeve te 25 qershorit.
“Mundësia e parë është që një parti t’i fitojë e vetme zgjedhjet. Pra të dalë nga votimi me 71 vende në parlament dhe të ketë sipas kushtetutës të drejtën që të formojë qeverinë. Ky është skenari ideal, po më pak i mundshëm. Në këtë skenar mund të llogaritet vetëm PS ose PD, pra dy partitë e mëdha. Por duket e vështirë. Më 2009 në kulmin e saj, PD mori vetëm 70 vende në parlament, ndërsa në 2013, po në kulmin e saj, PS mori vetëm 66. Asnjë nga dy forcat nuk duket në situatë më të favorshme se sa atëherë ndaj skenari i një force me 71 vota mbetet mundësi teorike, por praktikisht e vështirë.
Skenari i dytë është që PS dhe PD t’i bashkojnë votat. Ashtu sic është komentuar së fundmi, marrëveshja Rama – Basha shihet edhe si një angazhim bashkëqeverisës pas zgjedhjeve të 25 Qershorit. Në këtë rast, formula është e qartë. Partia e parë merr Kryeministrin ndërsa qeveria ndahet thuajse barabartë mes dy forcave kryesore. Ky koalicion i gjerë, që ka funksionuar në Kosovë apo Serbi në rajon, duket pak i vështirë sepse e lë vendin pa opozitë. Në Gjermani, ku kjo formulë është ende në fuqi, institucionet indipendente janë shumë më të forta dhe zbatimi i ligjit po ashtu.
Skenari i tretë është kombinimi i votave të njërës prej partive të mëdha me ato të LSI dhe PDIU. Nëse asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr 71 vende dhe LSI apo PDIU marrin aq mandate sa i duhen njërës për të krijuar qeverinë, atëherë qeverisja mbetet në dorë të tyre. Pra në këtë skenar, pyetja është, kujt do jenë të gatshëm Meta dhe Idizi t’i japin votat e tyre për ta bërë Kryeministër? Ramës, me të cilin qeverisën këto 4 vite, por që duket se janë ndarë në mënyrë nervoze, apo Bashës, me të cilin kanë pasur një marrëdhënie distante. Meta duke qenë President mund t’ja japë votat e tij Bashës për të ndëshkuar Ramën. Sepse Ramën e mendon më të fuqishëm dhe më të pakontrolluar se sa Bashën”, shkruan Fevziu.
Komentet